Flasin ekspertët Si do të subvencionohen fermerët, skema e re e qeverisë për “karburantin”

0
152

 Ervin Kaduku

 

toke bujqesoreËshtë provuar edhe në qeverisjet e mëparshme socialiste dhe nuk ka rezultuar e suksesshme

  Nuk ka garanci se ku do të përfundojë lënda djegëse e destinuar për bujqësinë

 

Sipas drejtuesve të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, çmimet e rritura të karburanteve kanë çuar mesatarisht 2-3% kostot e prodhimit në bujqësi dhe çmimet përfundimtare në treg

 

 

 

 

 

“Skema e financimit të karburantit që përdoret për bujqësinë është një rrugë krejt e vështirë”, – ka deklaruar eksperti i bujqësisë, Ismail Beka. Sipas tij, është provuar edhe në qeverisjet e mëparshme dhe nuk ka rezultuar e suksesshme.

 

Subvencionimi

Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë vendosur tashmë të ofrojnë një platformë për karburantin pa akcizë për fermerët, ende nuk e kanë përcaktuar skemën, në bazë të së cilës do të realizohet furnizimi i fermave me lëndë djegëse, pavarësisht se kanë kaluar 100 ditët e para të qeverisjes. Zëvendësministri Alban Zusi pohoi se objektivi është furnizimi i fermerëve me lëndë djegëse që nuk e kalon vlerën e 110 lekëve për një litër. Në fakt, edhe në fund të vitit, ministri Edmond Panariti dha një alternativë. “Duam të gjejmë një metodë alternative për furnizimin me naftë me kosto të ulët në bujqësi. Një ide ishte negociata me kompaninë ‘Albpetrol’, e cila prodhon naftë D2, që është më e përshtatshme për përdorim në bujqësi. Sugjerojmë që kjo naftë të destinohet për bujqësinë me një çmim më të ulët me kosto 110 lekë për litër, pra një çmim i ulët krahasuar me çmimin e naftës në treg”. Nevojat e bujqësisë, serave me ngrohje dhe peshkimit llogariten në rreth 30 mijë tonë naftë në vit.

Në një perspektivë më afatgjatë është kthimi i teknologjisë së serave nga ngrohje me naftë në atë me gaz, në kuadër të strategjisë së zhvillimit të gazsjellësit TAP. Sipas ministrit Panariti, ky transformim është menduar të mbulohet me subvencione nga shteti. Sipas tyre, gazi është më i leverdishëm dhe ofron një perspektivë më të qëndrueshme.

Pse i kthehet qeveria kësaj skeme?

Kjo lidhet me situatën e vështirë që krijoi rritja e taksës për karburantet, që u vendos me gjithë kundërshtimin e opozitës.

 

Por çfarë po ndodh në treg?

Bujqësia gjendet para faktit të kryer të çmimit e akcizës së rritur në këtë fillim viti, dhe mbjelljet e produkteve të dimrit e në pranverën e hershme përbëjnë sezonin e dytë të mbjelljeve pas atyre të vjeshtës, frytet e së cilës pritet t’i gëzojmë po këtë vit. Karburanti nuk subvencionohet dhe fermerët po e përdorin atë duke paguar edhe taksën e rritur të qarkullimit. E me kalimin e dy sezoneve mbjellje pa lehtësi, rrezikojnë të sjellin kostot e para të larta. Sipas drejtuesve të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, çmimet e rritura të karburanteve kanë rritur mesatarisht 2-3% kostot e prodhimit në bujqësi, dhe çmimet përfundimtare në treg. “Ky efekt ka filluar të duket”, – sipas presidentit të KASH, Enver Ferizaj.

Por, efekti i shtrenjtimit rrezikon të jetë edhe më i dëmshëm për ekonominë e konsumatorët. Kostot e larta mund të frenojnë mbjelljet e kultivimin në tërësi, duke rrezikuar të ketë më pak prodhim në treg, e rrjedhimisht çmime edhe më të larta

 

Destinuar për dështim

Do të jetë shumë e vështirë të krijohet një skemë e re biznesi për të shpërndarë karburantin në bujqësi dhe Beka na kujton se mekanika bujqësore në vend është në fakt një shërbim që i bëhet bujqësisë kundrejt pagesës, e si rrjedhim është shumë e vështirë të kontrollohet destinacioni i lëndës djegëse për përdorim në bujqësi apo në mjete të tjera jobujqësore.

“Totali i parkut të mekanikës bujqësore është 14 mijë dhe nuk ka garanci se ku do të përfundojë lënda djegëse e destinuar për bujqësinë”.

 

Si do funksiononte karburanti pa akcizë

Ministria e Bujqësisë e pranon se çmimet e karburanteve kanë kosto të madhe në prodhimin bujqësor. Duke filluar nga mbjellja e tokës me grurë deri tek serat me ngrohje, ku lënda djegëse zë 50% të së gjithë kostos prodhuese, e për të arritur kulmin në sektorin e peshkimit, ku kostoja e karburantit përbën 70% të totalit të kostos së produktit. Nevojat e bujqësisë në një vit llogariten në 30 mijë tonë naftë.

Kjo skemë u përmbys nga qeveria e djathtë që në vitin 2005. Në fakt, siç e tregoi edhe abuzimi masiv me çmimet, kryer nëpërmjet projektit 2KR, në shumicën e rasteve, drejtues të këtij projekti organizonin shitjen në treg të lirë të naftës së destinuar për bujqësinë, që jepej me çmim të subvencionuar, ndërkohë që kjo naftë shitej jashtë bujqësisë dhe sillte përfitime korruptive.

Përsëritja e një skeme të dështuar tregon qartë se ajo po ripërtërihet pikërisht për të krijuar kushtet e abuzimit me fonde shtetërore dhe nuk ka të bëjë aspak me ndihmën e dhënë bujqësisë, e cila, edhe pa këtë lloj skeme ka njohur vitet e fundit rritje të konsiderueshme, të vënë re nga të gjithë.

 

 

 

 

Rritje rekord e borxhit publik të vendit, vetëm Hungaria na kalon

Një tjetër rekord negativ, i mbajtur nga Shqipëria, është ai i borxhit më të lartë publik në rajon, që pritet të ketë arritur në mbi 68% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të 2013-ës, nga 62.8 për qind që ishte në fund të 2012-ës, sipas vlerësimeve të Ministrisë shqiptare të Financave. Të dhënat e krahasuara të publikuara nga BERZH dhe Komisioni Evropian tregojnë se vendet e Ballkanit e kanë këtë tregues më të ulët se ne. Hungaria është shteti i vetëm në Evropën Qendrore e Lindore, që ka një nivel prej gati 80% të PBB-së. Serbia pritet që të ketë një rritje të lartë të borxhit publik, e parashikuara në 68.8% në 2014-ën dhe 71.1% në 2015. Për Maqedoninë borxhi pritet të rritet në mënyrë të moderuar në 39% në 2015-ën, nga 36.1% në fund të 2013-ës. Për Malin e Zi, ky tregues do të shkojë në rreth 60% të PBB-së në 2015, nga 56.5% që është pritshmëria për 2013-ën. Borxhi shqiptar nuk pritet të reduktohet, të paktën për një periudhë afatmesme. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar në raportin e tij të fundit rajonal, se ai mund të arrijë deri në 83% të PBB-së deri në 2013-ën. Shqipëria ka gjithashtu dhe kreditë më të larta në rajon, në gati 25% të totalit.

 

 

 

Kosovë

 Informaliteti po dëmton biznesin formal

Rritja ekonomike dhe rritja e punësimit mundësohet me luftimin e ekonomisë joformale. Kështu ka pohuar ministri i Financave, Besim Beqaj, në një konferencë për media, ku ka folur për planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale. Beqaj tha se Qeveria e Kosovës. është e interesuar të krijojë konkurrencë të lirë të tregut dhe që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, me këtë rast theksoi se informaliteti po dëmton biznesin formal dhe buxhetin e Kosovës. ”Lufta kundër informalitetit është proces dhe duhet kohë për këtë. Por, kjo dërgon mesazh se gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç kanë shkuar deri tani. Këto grupe, nga tani, do të jenë më tepër të izoluara dhe të shqetësuara, se dikush po i ndjek nga afër. Ne, i ftojmë bizneset, që të largohen nga këto dukuri negative”, tha ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency