Analiza vjetore e Gjykatës së Lartë Shqetësim, grumbullimi i madh i çështjeve ndër vite

0
92

Sonja Caka

 

Trupa gjyqësore: Zgjidhja e problematikës, përveç masave të marra nga vetë Gjykata, shoqërimi edhe me masa të tjera legjislative të përshtatshme

 

 

gjykata-e-larteNë Gjykatën e Lartë është grumbulluar një numër i madh çështjesh dhe ky vijon të mbetet ende shqetësimi i vazhdueshëm për shkallën më të lartë të gjyqësorit, e cila shqyrton dosjet të ardhura nga të gjitha gjykatat e vendit. “Numri i madh i çështjeve të grumbulluara ndër vite mbetet një problem shqetësues për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, i cili ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë. Gjykata e Lartë, duke qenë e ndërgjegjshme për rëndësinë që ka ky problem, është angazhuar në mënyrë serioze për zgjidhjen e tij. Për këtë qëllim, ndër të tjera janë përcaktuar një sërë rregullash për gjykim, shoqëruar dhe me masa organizative, për të cilat shprehet besimi se do të japin rezultate pozitive në të ardhmen”, – shprehet gjatë analizës së saj trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila në çdo analizë vjetore e evidenton si problematikë grumbullimin e madh të çështjeve. Megjithatë, sipas kësaj Gjykate, ky angazhim nuk është i mjaftueshëm, nëse nuk shoqërohet edhe me masa të tjera legjislative të përshtatshme. “Besojmë se fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit që u vendos mes Gjykatës së Lartë dhe aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, lidhur me ndryshimet që iu bënë Kodit të Procedurës Civile, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për sa u përket ndryshimeve në Kodet apo ligjet e tjera”, – konstatoi kjo trupë gjyqësore gjatë analizës së zhvilluar dje pa praninë e medias. Nga analiza e të dhënave statistikore, të prodhuar nga sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, rezultoi se në Gjykatën e Lartë në vitin 2013 janë shqyrtuar gjithsej 5583 çështje, prej të cilave 3741 çështje civile (721 në seancë gjyqësore dhe 3020 në dhomë këshillimi) dhe 1842 çështje penale (358 në seancë gjyqësore dhe 1484 në dhomë këshillimi).

 

Masat

 Problematika e evidentuar ka nevojë për zgjidhje dhe për këtë Gjykata e Lartë ka ndërmarrë disa hapa. “Drejtimet kryesore, mbi të cilat do të fokusohet veprimtaria e Gjykatës së Lartë në të ardhmen, bazuar në vlerësimin kritik të situatës aktuale dhe në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme, do të jenë: marrja e masave për reduktimin progresiv të çështjeve të prapambetura; rritja e cilësisë dhe transparencës së punës së anëtarëve të Gjykatës dhe shërbimeve ndihmëse të saj; përvetësimi i praktikave dhe standardeve evropiane në punën e përditshme; rritja e numrit të vendimeve gjyqësore unifikuese etj.”, – bëhet me dije nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë, e cila përfundon deklaratën e saj për analizën vjetore se “trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë ritheksoi qëndrimin e saj se dhënia e një drejtësie cilësore, si shtyllë themelore e shtetit të së drejtës, përbën një detyrim ndaj qytetarit si dhe domosdoshmëri ndaj vlerave e parimeve demokratike. Kjo do t’i shërbejë përmirësimit të imazhit dhe perceptimit të publikut ndaj gjyqësorit, rritjes së luftës kundër fenomeneve korruptive, si dhe rritjes së transparencës, me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori, si garant i mbrojtjes së të drejtave të individit”.

 

Disa masa

Marrja e masave për reduktimin progresiv të çështjeve të prapambetura;

Rritja e cilësisë dhe transparencës së punës së anëtarëve të Gjykatës dhe shërbimeve ndihmëse të saj;

Përvetësimi i praktikave dhe standardeve evropiane në punën e përditshme;

Rritja e numrit të vendimeve gjyqësore unifikuese

 

 

 

Inspektimi

Ministri Naço, kontrolle blic në Hipotekë dhe AKKP

 Ministri i Drejtësisë zhvilloi dje kontrolle blic në dy drejtori në varësi të institucionit që drejton, Hipotekë apo e quajtur ndryshe ZRPP, dhe AKKP. Për ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, gjëja më e shtrenjtë e shqiptarëve gjatë këtyre viteve ka qenë në dorë të “peshkaqenëve”. Fjala është për pronat dhe deklarata e ministrit është bërë pikërisht në tempullin e pronësisë, në Hipotekë. Ministri paralajmëroi masa për situatën ku ndodhen pronat e shqiptarëve gjatë një vizite në agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ai akuzoi edhe qeverinë paraardhëse se nuk bëri asgjë për pronarët. Gjatë vizitave të tij në Hipotekë dhe AKKP, Naço pati një përballje të drejtpërdrejtë me problemet e qytetarëve për pronën e tyre.

 

 

Fushë-Krujë

Shkarkohet nga detyra drejtori i Burgut të Fushë-Krujës dhe 5 oficerë

 Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Burgut të Fushë-Krujës, Ramazan Hoxha, drejtori Juridik dhe pesë oficerë të policisë së këtij burgu. Sipas informacioneve, shkarkimi i Hoxhës është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas shkeljeve të konstatuara në Burgun e Sigurisë së Lartë në Fushë-Krujë. Gjithashtu, po nga të njëjtat burime bëhet me dije se janë shkarkuar nga detyra edhe drejtori Juridik dhe 5 oficerë të këtij institucioni. Mësohet se në vend të Hoxhës është komanduar një drejtues tjetër deri në emërimin e drejtorit të ri të Burgut të Fushë-Krujës.

 

 

Vlorë

Kapen 70 kg kanabis në port, arrestohet një person

 Shërbimet e Policisë Kufitare në Vlorë sekuestruan një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, në një automjet që po tentonte të imbarkonte në një traget që nisej drejt Italisë. Burime nga policia bëjnë të ditur se rreth 70 kg kanabis janë zbuluar në dyshemenë e një furgoni tip “Lancia”, që drejtohej nga 53-vjeçari K. L., nga Fieri, banues në Fushë-Krujë. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, ndërsa ka nisur hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency