Vendoset për buxhetin Mblidhet Këshilli Bashkiak, një tjetër mundësi për miratimin e buxhetit afatmesëm 2014-2016

0
119

Këshilltarët e PS-së dhe LSI-së bllokuan buxhetin, për t’u konsultuar me qytetarët. Deri dje, asnjë takim

 Buxheti për vitin 2014, 8.6 miliardë lekë, 5% më shumë se një vit më parë

 

 

Keshilli bashkiakMbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të jetë në 26 shkurt. Kjo mbledhje do të jetë mundësia e radhës për këshilltarët e majtë për t’i thënë “OK” programit buxhetor afatmesëm të Bashkisë. Në mbledhjen e thirrur nga kryetari i Këshillit, Aldrin Dalipi, pritet të diskutohen tre projektvendime. Diskutimet më të ashpra pritet të jenë për projektvendimin për “Miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2014-2016 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2014”. Dy projektvendimet e tjera do të jenë “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr. 3, dt. 5.2.2007 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, i ndryshuar, si dhe për “Disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 2, datë 30.3.2009 mbi “Miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”.

 

Mbledhja

 

Pas rreth 8 orë diskutimesh, në mbledhjen e datës 27 dhjetor, Këshilli Bashkiak votoi për shtyrjen e votimit për miratimin e buxhetit. Ky vendim bëri që të bllokoheshin të gjitha investimet që ka planifikuar Bashkia e Tiranës për vitin 2014. Në këto investime përfshihen rikonstruktim dhe ndërtimin shkollash, investime në rrugë, për punësimin e të rinjve dhe shumë fusha që Bashkia i kishte vendosur si prioritet përgjatë këtij viti. Këshilltarët e majtë e kanë quajtur jotransparent buxhetin e paraqitur nga Bashkia dhe janë justifikuar me faktin se duhet të konsultohen me qytetarët. Pavarësisht se u shty vendimi, deri ditën e djeshme asnjë takim nuk është bërë nga këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim me qytetarët e Tiranës.

 

Buxheti

Buxheti total i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 pritet të jetë 8.645.847.000 lekë dhe paraqitet me rritje prej 5% në krahasim me buxhetin e vitit paraardhës.

Për vitin 2014, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore janë parashikuar në shumën 7.511.533.000 lekë ose 5% më shumë se parashikimi i vitit 2013. Për vitin 2015, të ardhurat do të jenë 4% më shumë se viti i mëparshëm dhe për vitin 2016 do të jenë 3% më shumë se parashikimi i vitit 2015.

Transferta e pakushtëzuar është parashikuar në shumën 1.134.314.000 lekë ose 3% më e lartë se viti paraardhës, e parashikuar të rritet me 3% në vit, për periudhën 2014-2016.

Shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë së Tiranës për periudhën trevjeçare 2014-2016, për të gjitha funksionet parashikohen përkatësisht në masën 8.645.847.000 lekë, 8.996.718.000 lekë dhe 9.238.394.000 lekë, me një rritje në përputhje me rritjen e nivelit të të ardhurave të parashikuara prej përkatësisht 5%, 4% dhe 3%. Raporti mes shpenzimeve korente dhe atyre kapitale është respektivisht 65% me 35%, për vitin 2014 dhe parashikohet të ndryshojë në 59% me 41% për vitet 2015 dhe 2016. Në vitin 2014 do të vijojë zbatimi i projekteve që janë parashikuar në projektbuxhetin afatmesëm 2013-2015 dhe zbatimi i të cilave do të shtrihet në të gjithë periudhën afatmesme të parashikimit. Planifikimi është realizuar në bazë kostosh, për njësi të përcaktuara, sipas punimeve të kryera. Për vitin 2014, fondi total për shpenzime kapitale është në shumën 3.022.665.000 lekë ose 35% ndaj totalit të shpenzimeve.

 

 

 

 

 

Gati masat

Miratohet Kodi i Transmetimit, AMA: Masa për shkeljet etike në media

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka plotësuar dje të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor, i cili mundëson monitorimin dhe kontrollin e të gjithë veprimtarisë së radiove dhe televizioneve. Këtë të dejtë AMA-s ia jep miratimi i Kodit të Transmetimit. Në mbledhjen e djeshme u theksua se miratimi i Kodit të Transmetimit është veçanërisht i rëndësishëm në kontrollin e imtësishëm dhe ruajtjen e standardeve për respektimin e të drejtave të njeriut, ruajtjen e privatësisë së individëve, të drejtat universale të fëmijëve dhe respektimin etik dhe ligjor nga ana e subjekteve në transmetimet e tyre. Kodi i Transmetimit ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së mediave audiovizive, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rolin e tyre në transmetimin e programeve në përputhje me respektimin e lirive e të drejtave themelore të njeriut. AMA së bashku me Këshillin e Ankesave do të ketë tashmë mundësinë të monitorojë dhe marrë masat përkatëse kundrejt subjekteve audiovizive që shkelin etikën e transmetimit. Sa i përket ngritjes së Këshillit të Ankesave, ai kërkon shumicë të cilësuar brenda AMA-s dhe procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Ankesave do të nisin menjëherë sapo Kuvendi të plotësojë vendet vakante.

 

 

Studimi

Inteligjenca, më e lartë te fëmijët e ushqyer sipas kërkesës së tyre

Rezultatet e testeve te inteligjencës (IQ) dhe testet nëpër shkolla me fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç treguan se fëmijët e ushqyer sipas kërkesës së tyre shoqërohen me rezultatet IQ më të larta. Studimi është kryer nga hulumtuesit në Institutin për Hulumtime Ekonomike dhe Sociale (ISER) në Universitetin e Essex-it dhe në Universitetin e Oksfordit. Megjithatë, studiuesit kërkojnë të bëhet kujdes në interpretimin e rezultateve. Duke marrë parasysh një gamë të gjerë të faktorëve ne sfond që përfshijnë nivelin arsimor te prindërve, të ardhurat familjare, seksin e fëmijës dhe moshën, shëndetin e nënës dhe stilet prindërore, hulumtimet konstatojnë se të ushqyerit sipas kërkesës së fëmijës është i lidhur me rezultatet IQ më të larta në moshën 8 vjeç, dhe ky dallim është gjithashtu i dukshëm në rezultatet e testeve SAT në moshën 5, 7, 11 dhe 14 vjeç. Studimi gjeti se te ushqyerit e planifikuar ka pasur përfitime për nënat, te cilat raportuan ndjenja te larta të besimit dhe nivele të larta të mirëqenies. Ky hulumtim u bazua në një shkallë të gjerë të dhënash; probabiliteti që këto të jenë rezultate të gabuara apo të rastësishme është shumë i ulët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency