Doganat shqiptare Rama prezanton “Crown Agents”: Të ndryshojmë perceptimin e doganierit si hajdut

0
134

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Kompania do të na ndihmojnë për rritjen me 1% të GDP-së së vendit

 Spiropali: Prokurori të hetojë rastet e dërguara, do të ndryshohet Kodi Doganor

 

 

rama per doganatKryeministri Rama, së bashku me drejtoren e Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, si edhe ministrat Cani e Ahmetaj, bëri publik dje planin strategjik të institucionit, duke prezantuar edhe kompaninë britanikë “Crown Agents”. Kjo kompani, e cila u kontraktua nga qeveria shqiptare për asistimin në punën e doganave shqiptare, u cilësua nga kreu i qeverisë shqiptare si një domosdoshmëri për transformimin rrënjësor të këtij institucioni dhe kulturës së punës e sjelljes së çdo doganieri me shtetin apo me individin. ““Crown Agents” do të ndërmarrin sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratë do të na ndihmojnë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1% të GDP-së vendit, nga të ardhurat e doganave. Ne jemi të vendosur tek transformimi për rezultate të qëndrueshme që kanë të bëjnë me sistemin, që kanë të bëjnë me burimet njerëzore e financiare, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, – tha Rama. Më tej, Kryeministri duke analizuar gjendjen aktuale ku ndodhen doganat shqiptare, edhe pas inspektimeve të kryera në ditët e fundjavës në Han të Hotit dhe Durrës, tha se niveli i këtij institucioni nuk është aspak në përputhje me vendet e Bashkimit Evropian. “Këta 3 muajt e parë, nën drejtimin e ri, falë përpjekjes së drejtores dhe një grupi të ri njerëzish, shifrat flasin për një përpjekje të lavdërueshme, por se qasja nuk ka të bëjë vetëm më shifrat e një 3-mujori, as me zgjidhjen e problemeve akute. Fjala doganier sot për sot nuk të nderon, fjala doganier është baras me hajdut, sot për sot. Fjalën doganier ta bëjmë fjalën shërbëtor, sipërmarrje të qytetarit dhe çdo punonjës i kësaj administrate të bëhet kujdestar i zellshëm i shtetit, i biznesit, që doganieri dhe doganierja të mëshirojë integritet dhe përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe transparencë, të reflektojë qytetari dhe njerëzillëk”.

 

Crown Agents

Kompania që do të asistojë doganat shqiptare, e cila është kritikuar në masë të madhe nga opozita, prezantoi dje një pjesë të planit strategjik, ku drejtuesi i ekipit prej 12 pjesëtarësh, David Smith, tha se do punohet me fokus duke pasur në fokus një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. “Zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do jetë teknologjia jonë kryesore që do aplikojnë, agjentët tanë do të jenë në terren për të zbuluar mashtrimin. Do t’ju sjellin informacion që procedurat aty të lehtësohen dhe do përcjellin çdo info që ata zbulojnë në kufi. Në mënyrë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme, objektivat janë të rrisim nivelin e të ardhurave, nivelin e integritetit në dogana dhe të mbështesin ngritjen e kapacitetit të doganave për anëtarësim në BE”, – tha ai, duke theksuar se ekipi i kompanisë për Shqipërinë përbëhet nga agjentë ndërkombëtarë. Ndërkohë, drejtorja e Doganave Elisa Spiropali, pasi paraqiti objektivat e institucionit që drejton, i kërkoi prokurorisë të hetojë dhe të çojë deri në fund hetimet për denoncimet që janë bërë deri më tani. “Premë fijet e trafikut. Bëmë eficente strukturat e ligjit dhe ato të kontrolluese. Evidentuam shkelje të rënda të ligjit deri në shumën e 22 milionë dollarëve. Për të gjitha rastet e evidentuara nxisim prokurorinë që të hetojë dhe shpresojmë që do e çojnë deri në fund. Administrata doganore në muajt tetor-nëntor-dhjetor 2013 mblodhi 60 milionë dollarë më shumë krahasuar me atë të një viti të kaluar”, – pohoi Spiropali.

 

 

Shembulli i Ramës me doganierët francezë

Në konferencën me temë “Administrata në shërbim të qytetarit, çdo doganier, shërbëtor i biznesit”, Kryeministri Rama solli dhe një shembull me doganierët evropianë, ku rrëfeu se një grup doganierësh të pasionuar pas sporteve, morën pjesë në Lojërat Olimpike në Vankuver dhe pas sporteve u rikthyen në punë. “Parafytyroni doganierin shqiptar, duke bërë maratonë dhe me radhë. E mos mendoni që kur flas për figurën e doganierit kështu, e harroj se të njëjtin reputacion, ndoshta edhe më të keq, ka edhe politikani, po e marrim si figurë. Kështu që, jemi të gjithë në një anije, nga ku duhet të dalim të gjithë dhe duhet të marrim me not rrugën për të dalë në bregun tjetër, se përndryshe, mirë që jemi të mbytur vetë, por do mbysim të gjithë shoqërinë në këtë anije, në qoftë se nuk ndryshojmë kulturën e punës e të sjelljes, të gjithë së bashku. Për këtë jemi këtu”.

 

 

Terrorizmi

Delegacioni i DASH në Tiranë, takim me Nishanin e Ramën

Një delegacion i Departamentit Amerikan të Shtetit do të zhvillojë një vizitë dyditore në Shqipëri. Delegacioni ka mbërritur ditën e djeshme dhe do të qëndrojë në Tiranë edhe ditën e sotme. Lajmi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane, ku pritet që delegacioni do të takohet me Presidentin Nishani dhe Kryeministrin Rama si dhe me zyrtarë të tjerë shqiptare. Fokusi kryesor i diskutimeve pritet të jetë bashkëpunimi kundër terrorizmit. “Një delegacion ndëragjencish, përfshi përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Sigurisë së Brendshme dhe Qendrës Kombëtare të SHBA-së kundër-terrorizmit po viziton Shqipërinë më 27-28 janar për takime me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar bashkëpunimin kundër terrorizmit”, – thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. Shqipëria është një ndër vendet e rajonit, që po vizitohen nga delegacioni, ku në qendër të së cilës është bashkëpunimi dhe konsultimi i ngushtë me vendin tonë, mbi një gamë sfidash të përbashkëta të sigurisë me të cilat përballen vendet anëtare të NATO-s. Vetëm pak ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi vendimin për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar. Sipas sqarimit të Këshillit të Ministrave, vendimi kishte si qëllim përditësimin e listës së miratuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit me listën e shpallur si të tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kështu në listën e shtuar të individëve anëtare ose bashkëpunëtorë të Al-Kaedës u përfshinë: 1. Muhammad Jamal, Abd-Al Rahim Ahmad, Ala Kashif. 2. Mohamed, Lahbous, 3. Abd-Al-Hamid, Al- Masli e ndërsa për kompanitë u shtua Muhamad Jamal Network (MJN). Përfshirja në listë e Muhamad Jamal ka ardhur në saj të kërkesës së autoriteteve amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë, pasi ky i fundit ka qenë drejtues i komandës ushtarake dhe kreu i krahut operacional “Xhihadi Islamik Egjiptian”, grup i cili drejtohej nga lideri i Al-Kaedës Ajman Al-Zauahiri. Ky grup u akuzua në qershor të 1995-ës për planifikimin dhe përpjekjen e dështuar për vrasjen e ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, ku ndërkohë pjesëtarë të këtij grupi janë kapur më parë në Shqipëri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency