Tritol furgonit të pasagjerëve, policia bën shpërthim të kontrolluar

0
96

Sonja Caka

Vijon seria e vendosjes së eksplozivëve

Drejtuesi i mjetit, Ded Lleshi gjeti pakon e tritolit në sedilje, policia rrethoi vendin dhe bëri shpërthimin. Dyshohet se ishin 300 gramë tritol

 

tritol furgonitNuk kanë të sosur hakmarrjet me tritol. Pas ngjarjes së Durrësit, ku një biznesmen ndërtimi humbi jetën për shkak të një shpërthimi me tritol të makinës së tij, tashmë një shoferi furgoni i kishin vendosur një sasi të konsiderueshme tritoli në Lezhë. Pasi ka konstatuar një pako të dyshimtë të mbështjellë me natriban poshtë sediljes, drejtuesi i furgonit të linjës Lezhë-Shëngjin, Ded Lleshi ka lajmëruar policinë, e cila me të mbërritur në vendngjarje ka rrethuar zonën. Forcat e xhenjos të ardhura nga Tirana kanë bërë shpërthim të kontrolluar të sasisë së eksplozivit të vendosur, ndërsa grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në pyetje është marrë drejtuesi Lleshi dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende nuk ka një pistë konkrete për këtë ngjarje.

Zbulimi

Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se automjeti tip Furgon me targa AA 999 GG, që bën linjën Shëngjin-Lezhë, është në pronësi të shtetasit Ded Lleshi, i cili ka qenë vetë që ka denoncuar për ngjarjen në fjalë, pasi ka konstatuar se në automjetin e tij, poshtë sediljes së poshtë të pasme, ka patur një lëndë plasëse të mbështjellë në një pako me ngjyrë e zezë. Burimet paraprake bëjnë të ditur se dyshohet se pranë pakos së mbështjellë ishte edhe një celular. Pas informacionit të marrë në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekspertët e xhenjos, të cilët kanë bërë çaktivizimin e lëndës plasëse, ndërkohë që nga ana e policisë bëhet e ditur se po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja

Ngjarja është njoftuar në 11:30 minuta në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës dhe forca të shumta policie shkuan në vendngjarje. Dedë Lleshi u shoqërua  në komisariat ndërsa policia rrethoi zonën në pritje të forcave xheniere nga Tirana. Rreth orës 13:30 forcat xheniere nisën verifikimet dhe çaktivizimi i eksplozivit u krye rreth orës 14:30 . Ekspertët xhenierë konfirmuan se lënda eksplozive ishte tritol, ashtu siç dyshonte shoferi në momentin e denoncimit. Dedë Lleshi, punonte si shofer furgoni në linjën Lezhë-Shëngjin.  Ashtu si çdo ditë, edhe paraditen e djeshme kishte shkuar të hipte në furgon, i cili ishte parkuar mes pallateve. Sapo ka konstatuar një pako të dyshimtë, drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë dhe ka denoncuar në polici. Dyshimet e para janë për një sasi rreth 300 gr lëndë shpërthyese, e llojit tritol.

 

Kuçovë

Vrasja për parkim në Kuçovë, burg pa afat autorit

Pranon krimin para togave të zeza, gjykata e lë në burg për vrasjen e prindit të njërit prej nxënësve vetëm për një parkim. Elton Bori pranon krimin para trupit gjykues. Gjykata caktoi masën e arrestit “burg pa afat” për autorin e vrasjes së ndodhur tri ditë më parë në Kuçovë. Sipas burimeve, i akuzuari Elton Bori para trupit gjykues ka pranuar se pas një sherri për parkimin e makinës, goditi me thikë në zemër 32-vjecarin Artan Braushi. Ngjarja ndodhi të enjten para shkollës 9-vjeçare të Kuçovës, në kohën kur viktima kishte shkuar për të marrë fëmijët. Sipas policisë, Braushi ishte duket pritur para portës së shkollës fëmijët të mbaronin mësimin kur debatoi dhe u vra nga Bori. Policia mundi të vinte në pranga vetëm pak minuta më pas autorin, që rezultoi të ishte mësuesi i shkollës Elton Bori.

 

Vlorë

Kapet me 21 kg drogë, arrestohet Ismail Ruçi

Policia e Vlorës ka arrestuar një 42-vjeçar, i identifikuar si Ismail Ruçi, pasi është kapur duke transportuar lëndë narkotike. Sipas burimeve zyrtare policore, Ruçi është kapur gjatë operacionit policor të koduar “Llogara” duke transportuar nga Gjirokastra në drejtim të Vlorës një sasi prej 21 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Transportin e drogës e kryente me furgonin e tij me targa AA639DU.  Në vijim priten hetime për aktivitet më të gjerë të 42-vjeçarit në fushën e tregtimit të narkotikëve. Materialet hetimore ndaj tij iu referuar prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme për veprën penale “prodhim e shitje e lëndëve narkotike”.

Elbasan

E përplas autobusi, humb jetën kalimtari

Një person ka gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme ndërsa është përplasur nga një automjet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin Elbasan-Prrenjas, në vendin e quajtur “Qukës-Qendër”, ku një autobus me targa AA 547 AJ, ka përplasur për vdekje një shtetas 58-vjeçar. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilët kanë vënë në pranga edhe drejtuesin e mjetit të aksidentit. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima ka qenë duke kaluar rrugën dhe mendohet se i ka prerë rrugën autobusit. Ndërkaq nga ana e bluve vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

 

 

Tiranë

Pranga një 27-vjeçari, dyshohet si vrasës me pagesë

Një i ri është vënë në pranga nga policia e Tiranës pasi dyshohet se është vrasës me pagesë. Disa materiale të gjetura në një çantë si dhe një pistoletë kanë shtuar dyshimet e efektivëve se kanë të bëjnë me një perosn të dyhsuar si vrasës me pagesë. Në momentin e ndalimit, 27-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i dtur për arsye hetimore, ka qenë i shoqëruar me një vajzë. I riu u ndalua në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë dhe në momentin e arrestimit, 27-vjeçarit iu sekuestrua një pistoletë, një aparat fotografik dhe një iPad. I riu është shoqëruar në komisariat, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme. Burime policore bënë me dije se shumë shpejt pritet të zbardhet veprimtaria kriminale e të riut. Kjo pritet të bëhet e mundur edhe falë materiale që iu sekuestruan atij. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur një pistoletë, pajisje të teknologjisë së fundit, municione një aparat fotografik me të cilin mendohet se ai fiksonte me të personat që do të vriste. Aparati është një provë e cila do të zbardhë mjaft detaje, pasi do të shihet fotot që janë në të, do të shihet nëse ka foto të personave të vrarë apo edhe të atyre që do të vriste në vijim. Burimet nga policia e Tiranës bën të ditur se ky person dyshohet se ka kryer disa vrasje të bujshme në Tiranë dhe rrethe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency