EKSKLUZIVE Flet piktori Gazmend Leka Çfarë i thashë Edi Ramës para se të bëhej Kryeministër!

0
187

gaz lekaBisedoi: Violeta Murati

 

Intervistë ekskluzive me piktorin që gjurmon pavetëdijen shqiptare dhe ruan profilin e njeriut predikt

 

Gazmend Leka:  Shqipëria është e mbarsur me mendjemadhësi dhe shfrenime

 

 

Me piktorin Gazmend Leka gjithmonë biseda del jashtë telajove të tij. Flet për artin, kulturën, politikën, miqtë e rëndësishëm, si Kryeministri Rama, miqtë që shpërfillen nga institucionet, si ata të grupimit “Nëntori”, studentët sigurisht.. Ai ka hapur së fundi një ekspozitë në galerinë “Zeta”, duke e parë këtë si vlerë rezistuese, ndërkohë që në këtë vend gjërat rrallë krijojnë traditë e rriten për t’iu afruar asaj që duhet dhe duam.

Por, edhe në tilla raste, Leka shikon deformimin njerëzor se si përpjekjet për të sfiduar natyrën shpesh kanë përfundime tragjike. Jo vetëm në raportet njeri-natyrë, por edhe njeri-njeri, duke e bërë më të vështirë komunikimin, gjë që e ka detyruar Lekën të dalë nga “mbyllja” e tij, e duke e shndërruar misticizmin në reflektim gjestesh të dukshme, me figura të mëdha, kontraste të thella. Kështu shpreh shqetësimin. Personazhi i tij është nga mitologjia greke. Quhet Ikarus (IK-uh-rus), biri i Dedalit që guxoi të fluturonte shumë pranë diellit me krahë prej pendësh dhe dylli. Dedali u burgos nga mbreti Minos i Kretës, përbrenda mureve të krijimit të tij, Labirinti, por krijuesi gjenial nuk e duronte dot burgosjen. Ai krijoi dy palë krahë, duke ngjitur me dyllë disa pendë në një copë druri. Përpara se të fluturonin, Dedali e paralajmëroi të birin që të mos i afrohej shumë diellit, se dylli do të shkrihej. Por Ikarusi u mbush me entuziazëm të madh nga mundësia që iu dha për të fluturuar dhe e harroi paralajmërimin e të atit. Pendët u çngjitën dhe ai ra në det, duke gjetur vdekjen! Me këtë simbolikë të “fluturimeve”, Leka gjen elementin e tij, avionin, për të krijuar shtatë ditët në punët e tij, bashkë me domethënien e aksidenteve më të mëdha të kohërave. Kjo që na thotë Leka në pikturë shpesh është parafjalë, parashikim, por edhe vëmendje, një rast konkret si ky piktor e sheh realitetin shqiptar së brendshmi, si në kontekst social, kulturor dhe politik. Arsyeja pse ne, në këtë intervistë, i kujtojmë dhe mikun, piktorin, Kryeministrin që është sot, Edi Ramën. Piktori Gazmend Leka ka akoma “këshilla” për të, nëse do të ketë ndonjë ditë që me kurajë t’i thotë se ç’mendon si intelektual për punët që drejton në këtë vend! Thjesht nëse hapësira e artistit për të folur do të jetë ndonjë ditë edhe zyra e Kryeministrit!

 

 

 

Riktheheni pas tri vitesh, ekspozita në galerinë “Zeta” duket sikur tenton të të nxjerrë nga misticizmi i herëve të tjera. Në çfarë konteksti keni krijuar këtë cikël? Pse në këtë kohë?

Këtë cikël e kam kryer qysh më 2010. Janë shtuar vetëm dy punë të reja, të bëra më pas duke menduar se mund t’i shkojnë gjithë këtij korpusi prej shtatë pikturash. Janë shtuar dy piktura të cilat e hapin dhe e mbyllin ciklin e ekspozitës. Në momentin që e mbarova ciklin kjo ekspozitë ka shkuar në Poloni dhe kur është kthyer në Shqipëri tentoja të çelja ekspozitë, por doja ta bëja vetëm me këtë cikël, jo ta ngatërroja me të tjera. Ndonjëherë gjërat vijnë dhe rastësisht, ndonjëherë bëhen dhe të domosdoshme. Një ditë nga galeria “Zeta” më ra telefoni, duke më propozuar ekspozitën, duke më hapur dyert. Mua m’u duk një fat shumë i madh sepse ndonjëherë mund të jesh në një gjumë letargjik, të vjen dikush e të pickon dhe ti zgjohesh nga gjumi. Këtë “zgjim” ma bëri galeria. Kjo galeri në fakt është shumë luksoze, për mua është perfekte, për ciklin që kam ekspozuar. U gjenda mirë, qysh ditën e parë kur mora penelin dhe deri dje kur u bë inaugurimi. Por, për ta nisur ishte rastësi. Në vitin 2010 kisha një situatë të shqetësuar brenda vetes sime. Dhe më shkonte të bëja një pikturë me gjeste, shumë të dukshme, me figura të mëdha, kontraste të thella. U ula si somnambul dhe bëra një avion. Unë kam një lidhje me avionët. Për mua avionët kanë dy faza; kam një ngazëllim shumë të madh kur ngjiten në pistë dhe kur zbresin. Unë jam tamam si një fëmijë i vogël, mbushem me gëzim deri në qelizën më të thellë. Ka një akt heroik. Ishte një gjë shumë normale që unë të merresha me shkatërrimin e avionit. M’u duk sikur bëja një lloj ekzorcizmi për të shkëputur të keqen nga shpirti im. Në këtë mënyrë bëra tablonë e parë, të dytën edhe të tretën derisa u ndërtua një cikël që po më tërhiqte prej hunde, që po më çonte drejt një mbyllje të javës, siç janë dhe titujt e pikturave. Këtu m’u kujtua Ikarusi. Të njëjtën gjë bëri edhe ai. Prandaj e pagëzova. Së fundmi e quajta kështu, kur m’u bë propozimi nga galeria, pasi nuk e kisha në kokë këtë emër.

 

Ç’është Ikarusi në realitetin tënd?

Kjo vjen nga mitologjia. Është një histori e mrekullueshme e daljes së Ikarusit dhe babait të tij, Dedalit nga labirinti. Dedali ishte një inxhinier i jashtëzakonshëm i antikitetit. Për të shpëtuar nga labirinti i vuri krahë zogut vetes dhe djalit të tij. Dedali e paralajmëroi të birin që të mos fluturonte shumë nga deti se laget e bie, të mos fluturonte shumë afër diellit, se shkrihej dylli dhe bie. Dhe sigurisht, djali me një ëndërr shumë të madhe, me një egoizëm të theksuar siç e kanë të gjithë të rinjtë, me shumë energji nuk mendon se këtë këshillë të mesme që i dha i ati, pasi nuk e pengoi të fluturonte. Por djali nuk dëgjoi dhe pëson aksidentin. Krahët prej puplash, zogu të Ikarusit i zëvendësoj, e çmitizoj, me të avionit. Shumë veta mund ta keqkuptojnë pasi do duket sikur është e ndaluar të ëndërrosh, apo të shkosh drejt diellit. Nuk është e vërtetë. Ajo që dua të them është se çdo gjë ka disa limite, të cilat nuk duhen tepruar. Ti nuk mund t’i shkosh dot përballë natyrës me egërsinë tënde. Duke pasur këtë përballje të ashpër me natyrën sot njeriu që ka bërë shkencën, gjithë shpikjet tani po i kthehen mbrapsht. Po shkatërrohet gjithë sistemi ekologjik i botës. Është këputur lidhja që ka njeriu me natyrën. Tani po përpiqen ta qepin, këtij kostumi po i ngjisin ca ëndrra dhe i dhemb koka. Janë shuar lumenjtë, ka ndryshuar klima, natyra është goditur shumë nga veprat njerëzore në ditët e sotme.

Pra, ky mit, ky personazh ka një fuqi arketipale. Është një simbol shumë i madh. Ikarusin e kanë trajtuar shumë edhe në letërsinë botërore, prandaj vetëm ky emër mund të ma pagëzonte këtë ekspozitë.

 

Shqetësimi i një piktori që lidhet jo vetëm me gjendjen, dukshëm shkakton ngjyrën, rebelizmin, idhnimin, ndjesitë… si është kryer procesi, cikli?

 Artistët prej natyre janë rebelë. Kur publiku ndodhet përballë veprës, gëzohet me rebelizmin, prandaj dhe e shijon një vepër arti. Ose me tepër tërheq atë me provokacionin e thellë që mund të bëjë një vepër arti. Është një provokim jo në kuptimin e keq, por bëhet fjalë për një lloj katarsisi, atë ekzorcizmin e thellë për ta nxjerrë të keqen jashtë, ta vendosësh këtë përballë vetes tënde që edhe mund ta sulmosh më lehtë se sa ta mbjellësh brenda vetes e të mbetesh vetëm me errësirën e shpirtit tënd. E keqja e shkatërron njeriun, është si një virus i padukshëm. Pjesa e procesit më pas, ngjyra që zgjedh ka të bëjë me sintaksën dhe morfologjinë personale. Ne kemi një gramatikë. Të gjithë e mësojnë atë, por jo çdokush bëhet shkrimtar. Ai që është shkrimtar i madh e ka shkatërruar edhe një herë gramatikën, duke ndërtuar të tijën; ka një sintaksë dhe morfologji të tijën. Unë në jetën time jam përpjekur ndërtoj me frazat e mia, me ngjyrat e mia dhe kompozimet e mia, dalëngadalë atë lloj kulture që më kanë dhënë muzika, teatri, librat, filmi, miqësia apo realiteti që unë shoh jam munduar ta përkthej. Sigurisht nuk është akti i fundit që unë bëj. Ky është akt i parafundit, pasi ka tre vjet që e është mbyllur, tani kam në dorë një tjetër cikël. Shoh që vjen me të njëjtën përmasë por sigurisht ka pak pjesën e kohës.

 

 

Çfarë vëreni se është ndryshuar, në ju, ose transformuar me kohën në natyrën dhe sjelljen tuaj?

Shoh shumë tipare kur kam qenë i vogël dhe adoleshent. Vetëm se tani jam më të buta, më të sofistikuara. Janë bërë sjellje më të vërteta. Nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh në esencë. Por këtu mund të them se shpirti im ka nisur të bëhet më i ndjeshëm, më delikat. Ajo natyrë e dyfishtë që kam pasur me një lloj ekspresiviteti dhe një lloj delikatese – është e njëjtë dhe tani. Kjo del shumë qartë në punët e fundit që kam ekspozuar.

 

 

Ndoshta e kam gabim, por në krahasim me “fshehjen” tuaj gjithnjë pas ngjyrës dhe kodeve, kjo ekspozitë duket më e hapur, më e drejtpërdrejtë. Ç’është ky detyrim për të lëvizur?

Prandaj e shpjegova, pasi është një lloj raporti që kam unë me këtë objekt që quhet avion, i cili për mua në këtë moment nuk është objekt për qenien, është për të tjera, tamam si një përbindësh, kafshë që përplaset, shkatërrohet. Unë kam shumë dëshirë që kjo të ndodhë. Është një realitet shumë i fortë, i dhunshëm. Dhe detyrimisht mua më bën të jem shumë më i qartë, pasi nuk kam çfarë fsheh. Njerëzit mjaft e kanë ngarkesën emocionale që u jep realitetin në jetën e vet. Po unë bëra këtë: duke mos e lënë thjesht në zonën ku ti sheh avionë që bien nga lart, i vesha edhe pjesën arketipale të mitit. Këtë e bëra për të thënë se aksidenti vërtetë mund të jetë i tillë, por unë dua të marr pjesën tjetër, ku njeriu guxon të shkelë disa kufij të cilat janë dhënë, dhe duhet kohë. Kjo kohë vjen kur njeriu, si qenie është i qetë, atëherë ai mund të shkelë kufijtë. Në të kundërtën nuk mundet me këtë prepotencë, mendjemadhësi. Se sa kam arritur këtu ta them këtë…?! Ne kemi pasur në memorien tonë shembuj si Titaniku. I vunë këtë emër si një gjë që nuk do të mbytej kurrë, për ironi në udhëtimin e parë u mbyt. Po kështu Sfidanti, që ishte një anije kozmike, do sfidonte qiellin…edhe kjo në ironi, sapo u nis, në sekondat e parë u dogj etj., etj. Këto janë disa memorie historike, që për çudi mbahen mend, pasi atje njeriu ka tentuar të ngrejë mendjemadhësinë e tij. Kjo është thirrja ime, vëmendja që dua t’i tërheq publikut.

 

 

Kjo është për një hapësirë universale. Çfarë shikoni si arbitraritet në realitetin tonë?

Mendoj se Shqipëria është e mbarsur me një lloj prepotence, me mendjemadhësi e një lloj egoje të shfrenuar. Jo vetëm në raport të njeriut me natyrën, por edhe të njeriut me njeriun. Njeriu e drejton shpirtin dhe trupin e tij si një avion, dhe kur shpirti nuk është rehat, ta dini edhe trupi është i sëmurë. Shqipëria, fatkeqësisht, ka krijuar shumë situata ku shpirti i njeriut nuk është rehat. Prandaj, besoj se na ndodhin kaq shumë konflikte. Nga ana e jashtme duken si konflikte të rastësishme, po nuk janë të tilla. Janë shumë të thella gjërat brenda. Janë thyer disa parametra shumë të rëndësishme.

 

Nuk dua ta bëj politike, por ju keni një koleg, mikun tuaj Kryeministër. Di se bën pjesë në rrethin tuaj të afërt, të njohjes. Meqë jemi te reflektimet, a ju ka kujtuar këtë kohë?

Deri dje, ishte një doktor Kryeministër, sot është një piktor që ka dalë nga pjesa jonë, mbretëria jonë. Një raport të afërt kam pasur sigurisht në vitet e para, kur isha pedagog, në vitin `90. Bashkëpunonim atë kohë, për programet, shkëmbenim shumë mendime. Tani mund të them se prej kohësh nuk jemi takuar, pasi unë jam shumë i mbyllur në Kryeministrinë time dhe ai në Kryeministrinë e tij! Edhe kur jemi takuar kohët e fundit, rastësisht, i kam thënë se vendi ynë mund të drejtohet vetëm me një zemër shumë të madhe dhe me një mendje shumë të kthjellët! Të mendosh me zemër dhe ta ndiesh në tru Shqipërinë. Kjo ka qenë këshilla. Këtë gjë i kam thënë. Në fakt, nuk e kam parë më, as jemi takuar, as nuk kemi pasur kontakte, pasi siç ju thashë, unë jam shumë i mbyllur në veten time, në raportet e mia, me studentët.

 

Çfarë mendoni se mund të arrijë Rama si Kryeministër apo ndonjë rast konkret për çfarë artistët kanë nevoje për ndërhyrje urgjente?

Unë arrij ta shikoj vetëm në lidhje me artin, në aspektet e tjera nuk arrij ta kuptoj. Për mua është pak shpejt të flas, pasi duhet të shohësh një masterplan për artin. Kjo nuk varet direkt nga ai, mund të jetë nga Ministria e Kulturës. Por ajo që ndiej unë, çfarë duhet këtu urgjentisht të ndërhyhet është që të ndërtohet një rrjet galerish. Galeri private dhe salla të bashkive, siç është Galeria Kombëtare. Ka shumë artistë, piktorë në Shqipëri të cilët kanë nevojë të shfaqen. Nuk ka mure. E vetmja galeri që ka mundësi është “Zeta” dhe “FAB”-i, te Fakulteti i Arteve. Mirëpo është shumë pak për një fluks artistësh që edhe po vijnë. Kjo është e rëndësishme them, së pari pasi “prodhimi” është gati dhe po “kalbet” nëpër fusha. Njerëzit korrin dhe produkti kalbet nëpër hambarë. Më vjen shumë keq për këtë, artisti ndihet shumë keq po qe se nuk ekspozon. Ky është një akt shumë i thjeshtë, që të ndihmohen galeritë private ku taksat të jenë mjaft të ulëta ose mos të ketë fare. Pasi Shqipëria ka nevoje për kulturë. E vetmja që mund të bëjë tranzicionin është vetëm kultura. Shikoni hartën e botës, Shqipëria është një pikë, duket nuk ka “black out”. Por në hartën kulturore vendi ynë është “black out”, në errësirë pra. Pasi të ndërtohet një sistem brenda për brenda, atëherë mund të transferohet edhe jashtë. Vijnë të huajt, shohin ekspozitat tona dhe habiten duke thënë: pse pikturohet në Shqipëri!

 

 

Keni pasur vizitorët në ceremoninë e hapjes së ekspozitës?

Ka pasur aq shumë sa nuk shiheshin pikturat. Ishte një numër i madh, sa vihesha në siklet pasi miqtë duan vëmendje.

 

I keni vënë ndonjë çmim tablove?

Ky koleksion është i shitur. Pasi e kam mbaruar në 2010 është shitur. E ka blerë një koleksionist privat. Vetëm e pranoi që t’i ekspozoja pasi nuk ishin të njohura.

 

Cili është çmimi më i lartë i tablosë?

Mund ta mbaj sekret, pasi koleksionisti nuk ka dashur që të publikohen të tilla gjëra.

 

Meqë përmendet koleksionistët, keni vendosur raporte dhe jeni “qetë” se ju blejnë ata?

Po, në fakt jam i qetë, pasi unë kam tre katër koleksionistë që bëjnë blerje të përhershme të pikturës sime. Kam krijuar një lloj qetësie materiale mund të themi. Sepse të shesësh piktura është një hap i madh. Shto këtu se është mjaft bukur kur njerëz që të blejnë pikturën, kur sheh në koleksionin e tyre veprën. Për këtë pjesë jam i qetë.

 

A duhet të ndërhyrë shteti në këto praktika, kemi një rast të tërheqjes së pikturave nga institucionet?

Do të dëshiroja shumë që shteti të ndërhynte, pasi institucionet… ju e morët vesh që Galeria Kombëtare po tërheq të gjitha punët në fondin e saj. Ka qenë një gabim i pafalshëm që janë marrë nga Galeria Kombëtare. Kjo ka ndodhur para viteve `90, më pas duhej të ishin kthyer menjëherë. Ky është një gjest shumë i mirë nga ana e Galerisë. Por, urgjentisht institucionet e larta siç është Kryeministria, Kuvendi, ministritë si gjithë bota duhet, ngadalë, të blejnë pikturat. U kam thënë shpesh mjaft zyrtarëve që të ekspozojnë pikturat, t’i blinin ose mund t’ua jepnim edhe me qira. T’i mbajnë, t’i ekspozojnë dhe kur të krijojnë buxhetin e tyre mund t’i blinin pasi është bukur të përcjellës art. Muri i institucioneve nuk mund të rrijë bosh, por duhet që të tjerët të shikojnë artistët e vet. Kjo është mungesë. Kam bërë një tablo për Shqipërinë, është dy metra e gjatë, e madhe dhe dua t’ia dhuroj Ministrisë së Jashtme. Do të bisedoj për ta çuar, për ta dhuruar. Mund ta kisha dhuruar edhe më përpara, por nuk e kisha përfunduar.

 

Që kur është bërë Kryeministër ju ka thërritur ndonjëherë Rama, si koleg, artist?

Jo, nuk kemi pasur takime. Nuk jemi takuar ndonjëherë me ndonjë grup artistësh, sepse si duket do taktikën për të thirrur intelektualë që kishin shkuar jashtë, si doktorë, artistë etj!

 

Ka pasur pakënaqësi nga mjaft intelektualë e artistë për këtë takim të kryeministrit, duke e menduar si injorim, shpërfillje…

Nuk e di çfarë ka qenë ai takim, strategji apo taktikë e çastit. Nuk e kam kuptuar, nuk di ta ndaj. Sigurisht dhe ne brenda kemi shumë gjëra për të thënë, dhe është mirë që në mos Kryeministri mund të na thërrasë ministri. Mendoj se artistët kanë shumë gjëra për të thënë. Në Shqipëri e them me bindje se ka shumë, shumë vlera. Artistët e vërtetë janë dinjitozë.

 

Kam disa rezerva për këtë, pasi shumë pak shohim artistë, të cilëve u mungon fryma intelektuale për të reaguar në publik… ka artistë servilë?

Po, është e vërtetë dhe kjo që thoni, pasi servilizmi nuk është se e shpikën shqiptarët. Nuk flas për atë pjesë servile të intelektualëve. Shqipëria është e vogël dhe me këtë proporcion mendoj se ekziston një ajkë intelektualësh që dëgjohen.

 

Për shembull, nëse Kryeministrit sot, Rama, miku juaj, do të kryente ndërhyrje arbitrare në jetën e vendit, qoftë edhe në fushën tuaj, ju do të kishit kurajë t’ia thoshit, ta përballnit?

Absolutisht po. Nëse do të kërkonte të bisedonte me artistët, do të shihni se do të ngre probleme që i ndiej, sepse përmbi mua dhe përmbi Kryeministrin është vendi im. Kjo është pika fokale që na bashkon të gjithëve. Dashje pa dashje në mënyrë koshiente dhe inkoshiente ne i shërbejmë këtij vendi. Këtë e kam të thellë, askush nuk mund të më pengojë të them mendimin.

 

 

Punët që keni në dorë?

Jeta është e ndërtuar me frekuenca të ndryshme. Jam stacionuar në disa koleksione. Para një viti kam kryer një cikël tjetër, gati 20 punë, për të cilat sërish kërkoj sallë për ta ekspozuar. Galeria ku jam tani nuk e nxë, pasi janë 20 punë të mëdha. Gjatë rrugës kam një pjesëmarrje me ekspozitën “Nëntori”. Kam një ekspozitë të përbashkët me Aleksandër Filipin dhe Besim Tulën dhe një me kolegët e Akademisë së Arteve.

 

Me përmendët ekspozitën që është së afërmi “Nëntori”. Ka një lloj rezistence ky organizim, i shpërfillur, i mbyllen dyert e Galerisë. Ju jeni prezent në aktivitetin e tyre, si i shikoni këtë grupim, arsyet pse mbijetojnë? Ju keni ndonjë mendim pse duhet të ketë vazhdimësi?

 Ky është një grupim që duhet të vazhdojë jetën e tij me këtë ekspozitë. Duhet thënë se nuk është ndonjë grupim mbi ndonjë platformë artistike, është grumbullim i disa piktorëve të cilët pikturojnë pikturën. Kjo është ekzakt. Ka njerëz të moshave që nga Sali Shijaku, Vilson Kilica etj., etj., deri te disa të rinj, studentë të cilët ata që e organizojnë, Besim Tula kanë pranuar t’i marrin në gjirin e tyre. Unë kam shkuar vonë te “Nëntori”, sepse i respektoj. Janë njerëz të përkushtuar për punën. Nuk më pengon fare që unë të bej pikturën time mirë. Edhe unë nuk i pengoj fare. Por ka një gjë, se rezistenca që ata kanë bërë pas kaq vitesh është një lloj vlere. Po të shohësh, gjërat në vendin tonë fillojnë e shumë shpejt shuhen. Galeria “Zeta”, ku po ekspozoj është rezistente, prandaj dhe është rritur, prandaj e duam dhe i shkojmë afër. Edhe “Nëntori” ka rezistuar, nuk është pak të rezistosh sot, ja për këtë shkova unë. Ne, kishim hapur shumë shoqata por të gjitha u prishën. Vetëm ky rezistoi.

E dyta, janë goxha piktorë për të kuptuar hartën, gjeografiken, të pikturës shqiptare. Mendoj se është një moment, ku është një pikë kryesore që edhe studiuesit, gazetarët dhe kritikët e artit kanë një mundësi pasi i kanë të mbledhur aty, të gjithë, nuk i kanë të shpërndarë.

I shohim duke u konfrontuar me njëri-tjetrin, problematikën që ata sjellin sepse aty nuk është ekspozitë e ndërtuar me temë, secili është i lirë të sjellë studion e vet. Nuk është e drejtë që gjithë ky numër artistësh të mos merret në konsideratë. Financohet shumë keq, dhe pothuaj nuk pranohet fare në sallën e Galerisë Kombëtare.

Jo për keqardhje, por ata njerëz e meritojnë sepse sallat e galerisë janë të mira. Atyre njerëzve u takon sepse kanë ndërtuar liceun artistik, akademinë e arteve, galerinë kombëtare. Nuk është normale, që edhe si etikë këta njerëz t’i rrinë jashtë galerisë së Arteve. Pjesa e kualiteteve kjo është e diskutueshme, pasi edhe unë jam në shënjestër. Gjithmonë ne jemi në vëzhgim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency