Reformimi i pushtetit të katërt

0
150

Ermal Shehu

 

Fillesat e procesit të demokratizimit të vendit pas vitit `90, çlirimi nga vargonjtë 45-vjeçarë të diktaturës komuniste, u karakterizuan nga nevoja e domosdoshme njerëzore e mendimit të shprehur, e fjalës së lirë. Ishte pikërisht kjo që në të vërtetë, në vendin tonë përbënte thelbin e terrorit diktatorial, i cili kujdesej në mënyrë të veçantë të censuronte për publikun çdo lloj informacioni që vinte nga jashtë ose lindte brenda. Me anë të kësaj censure, diktatura arrinte të kontrollonte pothuajse në perfeksion gjithë mekanizmin e mendim-shprehjes së qytetarëve dhe bazuar në të, i seleksiononte ata në të vlefshëm ose të pavlefshëm për pushtetin, në miq apo armiq… E fati i armiqve dihej, po aq sa ç’dihej edhe fati i miqve! Nëse për të parët diktatura kishte rezervuar vrasjen, burgun, internimin, kampet e punës, për ta, familjet e deri edhe farefisin e tyre, krejt ndryshe ishte fati i të dytëve. Atyre u krijoheshin mundësi shkollimi, poste drejtuese, transferime katapultuese… Ata ishin agjitatorët, ishin vija e parë që pushteti kishte, të cilët i bënin lavazh mendjes së popullit, në mungesë të çdo informacioni tjetër. Me ndryshimin e sistemit në Shqipëri lindën edhe mediet e para publike. Kjo ishte pa dyshim një domosdoshmëri demokratike, pasi në çdo vend të tillë sot në botë de facto ekzistojnë 4 pushtete. Demokracia juridikisht është e mbështetur në tri shtylla të pushtetit: legjislativi (parlamenti), ekzekutivi (qeveria), gjyqësori (gjykatat), pushtete të cilat në një demokraci funksionale qëndrojnë të pavarur nga njëri-tjetri, nuk ndërhyjnë në punët e secilit dhe nuk komentojnë veprimet e tyre. Ky parim i ndarjes së pushteteve është edhe preambula e çdo demokracie moderne. Mirëpo, në kuadër të zbatimit të parimit themeltar demokratik, atë të mendimit dhe fjalës së lirë, shoqëria botërore jo më kot e ka quajtur median, pushteti i katërt. Media, me anë të fjalës ka luksin të bëjë atë që tri pushteteve të tjera u është ndaluar me ligj, të komentojë në publik veprimtarinë e secilit nga pushtetet. Në kuadrin e së drejtës demokratike, bashkëngjitur opinioneve e saj, media duhet t’i paraqesë publikut informacione reale, të pandikuara nga pushteti. Po a ka ndodhur kjo në Shqipërinë tonë postkomuniste?! Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjej lehtësisht çdo shqiptar i ndërgjegjshëm, pasi të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve. Në fakt, të gjithë në këto vite tranzicioni kemi parë dhe dëgjuar rëndom se si nga media për të njëjtin fenomen të ndodhur janë paraqitur dy ose më shumë të vërteta dhe kjo, jo në kuadrin e këndvështrimeve të ndryshme për ngjarjen. Kemi parë gjithashtu se me ndryshimin e pushteteve media të caktuara kanë ndryshuar kahun e kritikave ose të lavdërimeve. Kemi parë se si në kundërshtim të hapur me qëndrimet e tyre të mëparshme kritike, media të ndryshme e kanë rreshtuar veten si pjesë aktive e mbështetësve kryesor të pushteteve të reja, për të përfituar nga ata si nga ai i djeshmi, copën e radhës në tortën e ëmbël të pushtetit. Kjo dukuri e përsëritur në kohë e hapësirë vjen pa dyshim nga e kaluara jonë e varfër ekonomike, nga një mungesë tradicionaliteti mediatiko-informativ, i cili vendeve perëndimore me demokraci të konsoliduar hershëm, nuk u mungon. Media në Shqipëri duket që e ka kuptuar se në dobi të ekzistencialitetit të vet i nevojitet patjetër një qasje e menjëhershme drejt pushtetarit të radhës. Dhe në këtë skenë, që për syrin perceptues të publikut nuk ka se si të mungojnë dozat e theksuara tragjikomike, duket sikur asgjë në rrjedhën e kohës nuk ndryshon. Çka bie në sy, është se aty, përveç aktorit kryesor (pushtetarit të radhës) gjithçka tjetër mbetet e njëjtë. Në të njëjtën situatë ndodhemi edhe sot pas 24 vitesh demokraci. Ky fakt nuk ka mbetur i paevidentuar nga opinioni publik edhe pas 23 qershorit, ndryshimit më të fundit të pushtetit në vendin tonë. Të njëjtit ata (disa media), skuadriljet “e armatosura” që deri dje lëshonin mbi opozitën e kohës (pozita sot) “batare” të tëra, sot janë kthyer pothuaj në mburojë të saj (veprimet e tyre të para këtë të lënë të nënkuptosh). E gjithë kjo ndodh edhe sepse shumë prej tyre publikisht pranojnë se janë grupe interesi. Kjo të kujton atë shprehjen e famshme “It’s just biznes”, me anë të së cilës bosët e Cosa Nostra-s në skenarët hollivudianë justifikonin çdo lloj makabriteti. Ky fakt, i realizuar duke marrë përsipër një akt spekullativo-dezinformues, për ta futur mendjen e qytetarëve në “lavatriçet” mediatike që mediat kanë vënë në shërbim të interesit personal e aspak për qëllime publike, dukshëm dhe fatkeqësisht është një proces, pse jo, edhe fizikisht i dëmshëm. T’u kërkosh gati në imponim qytetarëve të besojnë në ato që vetë ata (grupet mediatike) deri dje nuk e kanë besuar, absolutisht do të thotë të kontribuosh ne një proces konfuzimi mendor-shpirtëror të publikut. Meqenëse ata pranojnë se janë grupe interesi në biznes, atëherë duhet edhe që para publikut të bëjnë një mea culpa justifikuese për sa deri më sot kanë thënë, gjithashtu të informojnë që në të ardhmen të mos merren shumë seriozisht nga opinioni, se interesat mund të ndryshojnë në varësi të kohës! Në fushatën mediatike të qokave, nuk mungoi edhe shpallja e Kryeministrit aktual si personazh i vitit 2013, nga njëra prej revistave të grupeve mediatike deri dje të rreshtuara në kah të kundërt me të, kjo pas një perceptimi që ata kishin pasur si redaksi. Me të drejtë një nga figurat më të spikatura politike të opozitës së sotme, znj. Grida Duma, në parim ngriti problemin se shumë nga këto grupe interesi aktualisht janë duke u sjellë si të ishin shoqëri tregtare antivlerash, jo si grupe mediatike serioze. Dukshëm del se për median shqiptare personazhi i vitit në periudhat e ardhshme paszgjedhore do të jetë fituesi i radhës. Pse grupet e interesit mediatik në Shqipëri nuk kanë të njëjtin perceptim si për politikën edhe për shtresa të tjera të shoqërisë?! Përse në vendin tonë personazh i vitit nuk është shpallur asnjëherë polici shqiptar, mjeku, arsimtari, pedagogu etj., si institucione, të cilët edhe pse historikisht të pashpërblyer si duhet, nuk kanë kursyer veten t’i shërbejnë devotshmërisht shtetit të së drejtës demokratike. Arsyeja duket të jetë e thjeshtë, tek ata mungon ai që për grupet mediatike është jetik: interesi! Media shqiptare patjetër që duhet të shkëputet nga ky oportunizëm përfitimi nga pushteti. Absolutisht me këtë nuk duhet të stigmatizojmë kapitalin si bazën themeltare të sistemit, por nuk duhet të pranojmë që ai (kapitali) të ngrihet nga media duke shfrytëzuar ndjeshmërinë publike njerëzore. Me anë të informimit real dhe për hir të tij, media në Shqipëri duhet të ngrihet në nivelin e emrit që ajo mban. E kanë quajtur pushteti i katërt..!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency