Publikohen javës tjetër Matura, gati programet orientuese për të gjitha lëndët me zgjedhje dhe të detyruara

0
137

Programet, ndryshojnë vetëm disa aspekte, ruhet forma

 Provimi i gjuhës së huaj nuk do të ketë ndikimin në llogaritjen e pikëve

 

maturanteMinistria e Arsimit dhe Sportit po përfundon programet orientuese mbi të cilat do të përgatiten maturantët për provimet e qershorit. Specialistët e MAS-it janë duke u dhënë dorën e fundit të gjitha programeve, përfshirë lëndët me zgjedhje dhe ato të detyruara. Publikimi i tyre pritet të bëhet javës tjetër, ndërkohë që nuk priten ndryshime rrënjësore në krahasim me vitet e kaluara. Specialistë të arsimit shprehen se do të ketë ndryshime për shumë koncepte, por në tërësi do të ruhet forma e programeve orientuese të viteve të kaluara. Me publikimin e programeve orientuese, maturantët do të nisin përgatitjet për provimet përfundimtare. Këtë vit si provim i detyruar do të jetë dhe gjuha e huaj, por në ndryshim nga dy provimet e tjera të detyruar, nuk do të jetë faktor në llogaritjen e pikëve. Pra, gjuha e huaj do të shënohet vetëm si notë në diplomën e maturës dhe nuk do të ndikojë në pikët përfundimtare me të cilat kandidatët do të konkurrojnë për në Universitet.

 

Provimet me zgjedhje

Maturantët duhet të zgjedhin 2 lëndë me zgjedhje, por duhet të kenë parasysh se shumë e krediteve nuk mund të jetë më e vogël se 8. “Maturanti ka të drejtë të zgjedhë një gjuhë të huaj, e cila në planin mësimor të shkollës së mesme të trajtohet “gjuhë e huaj e parë”, pavarësisht nëse është zhvilluar apo jo. Niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë B2. Lista e gjuhëve të huaja do të përcaktohet në formularin A1Z”- përcakton udhëzimi për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014. Kandidatët të cilët do të zgjedhin një lëndë të thelluar nuk mund të zgjedhë të njëjtën lëndë bërthamë, përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara. Në rastet kur nota e lëndëve me zgjedhje do të jetë jo më e vogël se 4,5, lënda do të quhet e kaluar. Maturantët e vitit të kaluar nëse nuk i kanë dhënë provimet me zgjedhje do të kenë mundësi ti japin gjatë këtij viti. Kandidatët që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje,e mbartin atë dhe japin një provim tjetër. Ata kandidatët që kanë dhënë tri provime me zgjedhje gjatë maturës 2012 dhe kanë mbetur në 2 provime do të zgjedhin një tjetër lëndë për tu testuar, në rastet kur rezultojnë kalues në 2 provime do të pajisen direkt me diplomën e maturës. Për kandidatët para vitit 2006 do tu njihen vetëm dy provimet e detyruara pavarësisht nga emërtimi që kanë.

 

Të ndryshojë matura

Zërit të shumë specialistëve të arsimit për të ndryshuar Maturën Shtetërore i janë bashkuar edhe maturantët. Nëpërmjet krijimit të faqeve në rrjetet online, shumë maturantë kërkojnë që të dëgjohet zëri i tyre, për të ndryshuar mënyrën se si ata do të konkurrojnë për në universitete, por pak kohë më parë ka qenë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila përmendi se edhe këtë vit do të jetë sistemi i Maturës Shtetërore dhe më pas do të shikohen mundësitë për të reformuar konkurset për në shkollën e lartë.

 

 

 

 

 

Situata meteorologjike ditën e sotme

Moti, shira të rrëmbyeshëm në jug të vendit

Dita e sotme do të shënojë sasinë më të madhe të reshjeve, gjatë kësaj jave. Meteorologët parashikojnë që ato të intensifikohen ndjeshëm pasditen e 24 janarit, por nëse këto ditë kanë qenë zonat veriore dhe veriperëndimore më problematikët, tashmë situata do të paraqitet më e rënduar në jug të vendit. “Pritet që pasditja, pra rreth orës 6-7 të ketë një intensifikim dhe fuqizim në zonat jugore dhe jugperëndimore, Vlora, Gjirokastra, Saranda, Fieri do të marrë një sasi të konsiderueshme sasi në pjesën e dytë të së premtes gjatë natës. Kemi një shkëputje ditën e diel dhe sërish do të rikthehen të hënën”, – tha Lajda Porja. Temperaturat, thonë meteorologët, pavarësisht nga reshjet nuk do të pësojnë ulje, madje në disa zona të vendit maksimalja pritet të shkojë deri në 17 gradë celsius. “Zonat malore do jetë 2 minimalja dhe 7-8 gradë maksimalja. Zonat e ulëta do kenë vlerën minimale 8 dhe maksimalen do të shkojë edhe 15 gradë, në zonat bregdetare 12-13 gradë minimalja dhe maksimalja 16-17 gradë. Ashtu siç është parashikuar se ky dimër do jetë dy-tre gradë me vlera më të larta deri në këtë kohë janari ka shënuar vlera më të larta se sa normalja”, – u shpreh Porja. Situatë e vështirë parashikohet edhe në detit Jon, si pasojë e erës së fortë që do të fryjë pasditen e së premtes, ku fuqia e saj parashikohet të shkojë edhe mbi 50 km në orë.

 

 

Tërhiqen ujërat

Përmirësohet situata në Lezhë dhe Shkodër

Situata pas reshjeve të shiut në Qarkun e Lezhës ka njohur përmirësim. Zona më problematike, ajo e Komunës së Dajçit, ka rënie të sipërfaqeve nën ujë, nga 1500 në 1300 ha tokë. Përmbytja ne këtë zonë ndodhi për shkak të mospastrimit të shtratit të lumit prej dekadash. Gjatë 24 orëve ku niveli i reshjeve është reduktuar në 30 milimetra shi në komunat Shënkoll, Zejmen dhe Kolsh vazhdojnë që nën ujë të jenë rreth 300 hektarë tokë ndërsa në rrethin e Kurbinit janë 200 ha tokë nën ujë. Ndalja e reshjeve ka përmirësuar situatën edhe në Komunën Balldren për fshatrat Kakarriq e Gocaj, ndërsa zonat kënetore dhe ato informale ka ende prani të lartë të ujit. Në Mirditë janë evakuuar 2 familje të rrezikuara nga ujërat e lumit Fan, por rreziku është i dukshëm, pasi edhe parashikimet e motit janë për një periudhë me reshje të shumta, ndërsa ajo që shqetëson më së shumti banorët, jo vetëm në Dajç, por edhe në zona të tjera, është dëmtimi i kulturave të mbjella.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency