Drafti i ri Ndryshon TVSH, cilat janë shërbimet që do të taksohen

0
153

 Ervin Kaduku

 

 

Drafti i ri përmban 150 nene, taksohen shërbimet në internet, faturat elektronike, makinat e përdorura, pikturat etj.

 

 

makina1Pa u tharë ende boja e paketës fiskale, që krijoi një pështjellim të konsiderueshëm në botën e biznesit privat, aq sa edhe ministri Cani u kërkoi falje subjekteve, qeveria përgatitet të ndryshojë sërish ligjin për taksën më të rëndësishme të vendit, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi pak ditë më parë se në mes të shkurtit në qeveri do të paraqitet drafti i ri për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH). Për këtë draft në fakt po punohet prej tre vitesh, teksa ligji aktual ishte hartuar në vitin 1995 dhe me ndryshimin e tregut dhe zhvillimin e tij e kishte hasur praktikisht në situata absurde të mostrajtimit si duhet të rasteve. Mendohet se ligji aktual për TVSH-në nuk përfshin shumë fusha të reja, duke nisur nga shërbimet, faturimi elektronik, tatimi për mallrat e përdorur etj., të cilat nuk i trajtonin rastet, duke detyruar administratën tatimore të nxirrte shkresa, udhëzime apo urdhra të posaçme.

Drafti i ri përmban 150 nene. Ja çfarë parashikohet në të.

 

Mallrat e përdorur

 

Konsiderohet një ndër çështjet më të debatuara mes biznesit dhe qeverisë, sidomos sektori i makinave, ai i koncesionarëve. Ky treg, sikurse edhe të tjerët, nuk trajtoheshin fare, duke shkaktuar amulli në shumë biznese, kurse tani ka pasqyruar rastet sesi do të veprohet, madje dhe me marzhin e fitimit. Me pak fjalë, do të taksohen me TVSH edhe makinat e përdorura që shiten brenda vendit, një treg ky, që deri tani ishte “i lirë” nga kjo taksë.

Po cili është kuptimi i dhënë në ligjin e ri ‘mall i përdorur’? Në pikën 1 të nenit 29 thuhet se quhen mallra materiale të luajtshme, që janë të përshtatshme për përdorim të mëtejshëm në gjendjen që janë ose pas riparimit, përveç veprave të artit, objekteve të koleksionit dhe antikitetit. Në ligj janë vendosur edhe “veprat e artit”, “objekte të koleksionit” dhe “objektet e antikitetit”, sikurse edhe “personat e tatueshëm rishitës”, i cili është çdo person i tatueshëm që, në kuadër të veprimtarisë së tij ekonomike, me qëllim për të rishitur, blen, përdor për qëllime të aktivitetit të tij ose importon mallra të përdorura, vepra arti, objekte të koleksionit apo antikiteti, qoftë për llogari të vetën, qoftë për llogari të të tretëve mbi bazën e një kontrate për të cilën paguan komision për blerjet ose shitjet.

“Organizator i shitjeve në ankand” është personi i tatueshëm, i cili në kuadër të veprimtarisë së tij ekonomike, në emër të tij, por për llogari të porositësit, nxjerr mallin e porositësit në ankand për t’ia shitur ofertuesit më të mirë.

Regjimi i marzhit aplikohet për furnizimet e kryera nga një person i tatueshëm rishitës i mallrave të përdorura, veprave të artit, objektet e koleksionit ose të antikitetit, të cilat i janë furnizuar atij brenda territorit të Shqipërisë nga personat që nuk janë të tatueshëm për TVSH-në, apo person i tatueshëm nëse furnizimi i mallrave që ai kryen përjashtohet nga TVSH (neni 54) ose furnizon mallra për të cilat nuk ka pasur të drejtën e zbritjes së TVSH-së (neni 74).

 

Furnizimi i shërbimit

Me “shërbime telekomunikacioni” qeveria mendon të taksohet furnizimi i shërbimeve që lidhen me transmetimin, emetimin apo recepsionin (kapjen, marrjen) e sinjaleve, fjalëve, imazheve dhe tingujve apo informacione të çdo natyre me anë të aparateve “wire”, radios etj.

Si të tjera furnizime shërbimi konsiderohen kalimi i një pasurie të patrupëzuar (jomateriale), pavarësisht nëse përfaqësohet ose jo me tituj, operacionet mbi aksionet, pjesëmarrjet në shoqëri, obligacionet dhe tituj të tjerë, të ndryshme nga ato të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji, si dhe operacionet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit si dhe të mirëmbajtjes.

Furnizimi i shërbimit konsiderohet i kryer kundrejt pagesës, tërësisht ose pjesërisht, nëse furnizuesi direkt a indirekt merr apo ka të drejtë të marrë pagesë në para a në natyrë, për atë furnizim, si prej personit të furnizuar apo ndonjë personi tjetër.

Do të konsiderohet si furnizim shërbimi kundrejt pagesës, gjithashtu secili nga operacionet, si:

a. Përdorimi për qëllime private i mallrave që bëjnë pjesë në pasurinë e ndërmarrjes nga personi i tatueshëm apo stafi i tij, apo përgjithësisht për qëllime të ndryshme nga ato të veprimtarisë së tij ekonomike, në qoftë se ka kredituar tërësisht apo pjesërisht TVSH-në në blerje të mallit që përdor.

b. Furnizimi i shërbimeve të kryera pa pagesë nga një person i tatueshëm për nevojat e tij personale apo të stafit të tij, apo përgjithësisht për qëllime të ndryshme nga ato të veprimtarisë së tij ekonomike.

c. Furnizimi i shërbimeve nga një person i tatueshëm për nevoja të ndërmarrjes së vet nëse furnizimi me këtë shërbim prej një personi tjetër të tatueshëm nuk do t’i jepte atij të drejtën e kreditimit tërësor të TVSH-së; dhe

d. Furnizimi i shërbimeve pa pagesë ose kur pagesa është dukshëm më e vogël se ç’duhej të ishte, nëse qëllimi i furnizuesit ka qenë fitimi për këtë dhe furnizime të ngjashme.

 

Vlera e tatueshme

 

Vlera e tatueshme e furnizimit të mallrave sipas nenit 130 të këtij ligji është marzhi i realizuar nga subjekti, zvogëluar me vlerën e TVSH-së që lidhet me vetë marzhin. Marzhi i realizuar nga personi i tatueshëm është i barabartë me diferencën ndërmjet çmimit të shitjes të kërkuar nga personi i tatueshëm rishitës dhe çmimit të blerjes.

Për kategori të caktuara të personave të tatueshëm rishitës, vlera e tatueshme për furnizimet e mallrave për të cilat aplikohet e njëjta tarifë TVSH-je, përbëhet prej marzhit total të realizuar për periudhën për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të paraqesë deklaratë sipas nenit 106 të këtij ligji, zvogëluar me TVSH-në që lidhet me vetë marzhin total. Marzhi total është diferenca ndërmjet vlerës totale të furnizimeve me vlerën totale të blerjeve të mallrave që i nënshtrohen këtij regjimi, të kryera gjatë çdo periudhe për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të deklarojë. Nëse gjatë një periudhe, vlera totale e blerjeve është më e madhe se vlera totale e furnizimeve të kryera, diferenca i shtohet totalit të blerjeve të muajit pasardhës.

Personi i tatueshëm rishitës që zbaton këtë regjim bën një rregullim vjetor si më poshtë:

Nëse diferenca midis vlerës së stokut të datës 31 dhjetor me vlerën e stokut të datës 1 janar të të njëjtit vit është negative, ajo i shtohet blerjeve të kryera në periudhën e parë të vitit pasardhës; dhe nëse diferenca midis vlerës së stokut të datës 31 dhjetor me vlerën e stokut të datës 1 janar të të njëjtit vit është pozitive, ajo i zbritet blerjeve të kryera në periudhën e parë të vitit pasardhës.

Kryerja e veprimeve rregulluese mbi vlerën e tatueshme nuk sjell përfitim të personit të tatueshëm rishitës, asnjë të drejtë rimbursimi të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që lidhet me ato transaksione.

 

Faturimi dhe kontabiliteti

 

Personat e tatueshëm rishitës, të cilët zbatojnë regjimin e marzhit, nuk duhet të llogarisin apo të pasqyrojnë të ndarë vlerën e TVSH-së në faturën e lëshuar. Në çdo faturë të lëshuar që i nënshtrohet regjimit të marzhit, personi i tatueshëm rishitës duhet të shënojë: Shitje që i nënshtrohet regjimit të marzhit të fitimit.

Për çdo furnizim, për të cilin zbatohet regjimi i marzhit, personi i tatueshëm rishitës mund të zbatojë rregullat për TVSH-në si për çdo person tjetër të tatueshëm. Në këtë rast personi i tatueshëm rishitës gëzon të drejtën e zbritjes së TVSH-së për mallrat e blera me TVSH. E drejta e zbritjes lind në momentin në të cilin realizohet shitja e mallit për të cilën personi i tatueshëm rishitës zgjedh opsionin sipas pikës 1 të këtij neni.

Personat e tatueshëm, të cilët kryejnë operacione që lidhen me mallrat e përdorura, veprat e artit, objektet e koleksionit apo të antikitetit duhet të mbajnë në mënyrë të ndarë llogaritë për operacionet e kryera me këto mallra, sipas regjimeve të ndryshme që zbatojnë.

 

Faturimi elektronik

 

Në përjashtim nga pika 2 e nenit 24 të këtij ligji, vendi i furnizimit të shërbimeve të furnizuara elektronikisht një personi të patatueshëm, të detajuara si më poshtë:

–      Furnizimi i website, web-hosting, mirëmbajtjes në distancë të programeve dhe pajisjeve

–      Furnizimi me software dhe azhurnimi i tyre;

–      Furnizimi i imazheve, teksteve dhe informacioneve dhe vlefshmëria e bazës së të dhënave (database)

–      Furnizimi me muzikë, filma dhe lojëra, përfshirë lojërat e fatit dhe basteve, si dhe transmetimeve e ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe argëtuese

–      Furnizimi i shërbimit të mësimdhënies në distancë

kur furnizohen nga një person i tatueshëm me seli aktiviteti në Shqipëri apo që ka një vendndodhje të qëndrueshme në Shqipëri nga ku furnizohet shërbimi, ose, në mungesë të një selie apo vendndodhje të qëndrueshme, ka adresën e përhershme apo zakonisht banon në Shqipëri, do të jetë në vendin ku personi i patatueshëm është vendosur, ka adresën ose banon zakonisht.

Kur furnizuesi i shërbimit dhe marrësi i tij komunikojnë përmes postës elektronike, kjo në vetvete nuk do të thotë që shërbimi i furnizuar është një shërbim i furnizuar elektronikisht.

 

 

Skema e abuzimit

 Ministria: Bankers Petroleum shiti “hollues” në treg

Konfirmohet me shifra skema e abuzimit të kompanive të mëdha, të cilat fusnin në vend naftë të cilësisë së dobët pa akcizë, me argumentin se do ta përdornin si lëndë holluese dhe në të vërtetë e kanë hedhur atë në treg, duke na detyruar ne ta blejmë për automjetet tona. Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me “Albpetrol”-in kanë vërtetuar abuzimet nga kompania, e cila bën kërkime në fushën e naftës në vend. “Bankers Petroleum” ka shitur në mënyrë ilegale mijëra litra naftë të cilësisë së dobët në pikat e karburanteve në Shqipëri. Në fund të vitit 2013-të bordi i ri drejtues i “Albpetrol”-it i ka kërkuar shpjegime dhe një raport kompanisë mbi sasinë e lëndës holluese që përdoret për operacionet e saj në kërkimin e naftës. Në bazë të deklarimeve të bëra vetë nga “Bankers” rezulton se në muajin korrik 2013-të importi i lëndës holluese ka arritur maksimumin në 13. 594 m3, ose 15% e prodhimit gjithsej të naftës nga vendburimi i Patos-Marinzës. Një situatë kontradiktore kjo po të shohësh të dhënat e sasisë së holluesit të përdorur në dhjetor 2013-të, e cila nuk shkon më shumë se 8.5%, ndërkohë që është karakteristikë e stinës së dimrit rritja e sasisë së holluesit. Nga ky grafik shihen mospërputhje të mëdha ndërmjet sasive dhe përqindjeve të holluesit të raportuara nga kompania “Bankers” dhe atyre të llogaritura nga ekspertët e “Albpetrol”-it. Një fakt tjetër që vërteton këtë abuzim është deklarimi që kjo kompani ka bërë në periudha të ndryshme për përdorimin e kësaj lënde. Në dhjetor 2011- shkurt 2012 “Bankers” ka raportuar se ka përdorur 98 mijë metra kub hollues, ndërsa llogaritjet e stafit të “Albpetrol”-it argumentojnë se konsumi i holluesit ka qenë vetën 47 mijë metër kub, çka do të thotë 51 mijë metër kub hollues më shumë se deklarimet. E kjo lende me termin hollues është pikërisht nafta që dyshohet të jetë hedhur në treg. Edhe pse “Albpetrol”-i dhe ministria e Energjisë i kanë kërkuar shpjegime kompanisë për këtë situatë deri më sot nga “Bankers” nuk ka ofruar një shpjegim të besueshëm. Kjo konfirmohet për Vizion Plus edhe nga zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Pak dite më parë dhe vete ministri Gjiknuri foli për të njëjtin fenomen. Holluesi është një lëndë, e cila në përbërjen e saj kryesore ka naftën, por për shkak të cilësisë tepër të ulet nuk lejohet të përdoret në treg. Këtë lëndë “Bankers” e kalon në doganë pa paguar akcizë, pasi e deklaron si naftë që i duhet për nevoja operacionale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency