Banka Botërore: Ekziston një projekt për HEC në Radikë, ja çfarë përfshin

0
168

Ervin Kaduku

Radika-Dolno-KosovrastiZyrtarët e Bankës Botërore në Shkup i thanë “Zërit të Amerikës” se, me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë, Banka Botërore po punon për projektin energjetik të Fushë-Lukovës, i cili synon përmirësimin e punës së hidrocentraleve ekzistuese dhe ndërtimin e një hidrocentrali të ri. Banka Botërore është duke bërë ende vlerësime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011 e, sipas të cilit, sasia e ujërave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të Bankës Botërore është më e ulët sesa parashikon marrëveshja për administrimin e ujërave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Por meqë ky devijim ujërash prek edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, sipas rregullave të Bankës Botërore, këto vende duhet të vihen në dijeni.

Projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar.

Kjo bie në kundërshtim me atë çka tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili dje ripërsëriti qëndrimin se tij se nuk ka asnjë projekt për devijimin e lumit Radika, ndërsa shtoi se është opozita ajo që kur ishte në pushtet dha një pjesë së detit. Ai tha se asnjë projekt nuk do të financohet dhe realizohet pa miratimin e qeverisë shqiptare.

“Nuk ka asnjë projekt, pasi projekt nuk quhet ideja e një qeverie, por një projekt zbatimi që e ka në tryezë edhe qeveria jonë, por as ne nuk e kemi, as qeveria maqedonase nuk e ka, e as BB-ja nuk e ka financuar një të tillë, e asgjë nuk financohet pa miratimin e qeverisë së Shqipërisë në respekt të marrëveshjes e traktateve ndërkombëtare. Ta vënë vath në vesh këta e kushdo tjetër, shqiptar, fqinj e i huaj, se me ikjen e këtyre nga qeveria vdiq koha kur qeveria e këtij vendi e tradhtonte Shqipërinë e bënte pazar me interesat publike e private të shqiptarëve”, – shtoi Rama.

Ndërkohë, edhe në faqen e Bankës Botërore gjejmë detaje për projektin e HEC-it në lumin e Radikës që pritet të pakësojë me 2 m3/sekondë prurjet në Drinin e Zi.

Projekti pozicionohet në malin e Korabit, në 1500 metra lartësi, mbi një kaskadë ekzistuese të liqenit të Mavrovit (ujërat e të cilit derdhen në detin Egje) që përfshin 3 HEC-e:

(I) Vrben (HEC pa rezervuar, më sipër liqenit Mavrov);

(II) Vrutok dhe Raven (HEC-e me rezervuarë, më poshtë liqenit Mavrov).

 

Projekti “Energji e rinovueshme Lukovo Pole” përfshin:

(a) ndërtimin e një kanali ushqyes të mbuluar, 20 kilometra të gjatë, i cili do të transferojë ujërat nga Korabi në rezervuarin “Lukovo Pole” dhe lumin Crn Kamen,

(b) një digë 70 metra të lartë në Lukovo Pole, dhe një rezervuar i cili do të ketë kapacitet depozitues prej 39 milion metër kub. Rezervuari do të jetë brenda parkut kombëtar Mavrovo, dhe sipërfaqja e tij do të luhatet në 1.5-0.1 km2.

(c) një HEC (Crn Kamen) me kapacitet 5 Mw më poshtë rezervuarit Lukovo Pole.

Sipas vetë dokumentit një ndër pasojat negative të këtij projekt do të jetë devijimi i rreth 2 m3/sekondë uji nga Adriatiku (pra nga Drini i Zi) drejt detit Egje.

Projekti do të ketë pasoja negative jo vetëm për mjedisin dhe ekonominë shqiptare por dhe për mjedisin në Maqedoni. 119 shkencëtarë mjedisorë nga e gjithë bota, në një letër të hapur drejtuar në janar Bankës Botërore, të iniciuar nga OJF-të mjedisore RiverWatch dhe Fondacioni “Euronatur”, i kërkojnë BB-së të mos financojë këtë projekt. Sipas tyre parku kombëtar i Mavrovit është shpallur si i tillë pikërisht për ti mbrojtur biodiversitetin dhe natyrën e egër nga ndërhyrja e njeriut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndërtohen në të HEC-e. Letra është nënshkruar dhe nga Aleko Miho e Spase Shumka, shkencëtarë shqiptarë.

Shqipëria dhe Maqedonia janë palë në traktatin ndërkombëtar “Convention on Environmental Impact Assessment in a Transboundary Context” (“Konventa mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis në Kontekst Ndërkufitar”), nënshkruar ne Espoo, Finlandë, datë 25 shkurt 1991. Sipas marrëveshjes, pala, ku realizohet projekti me ndikim mjedisor ndërkufitar, duhet te informojë palën tjetër mbi projektin dhe t’i japë mundësi të realizojë një vlerësim të ndikimit në mjedis. Pala realizuese e projektit duhet të marre gjithë masat e nevojshme për minimizimin e efekteve negative në palën tjetër. Deri në çfarë mase janë të pranueshme pasojat negative (në rastin tonë pakësimi i prurjeve) konventa nuk shprehet.

Në shumë konflikte ndërkombëtare të ngjashme për ndërtimin e digave (Hungari e Sllovaki; Tailandë, Laos e Kamboxhia; Egjipt e Etiopi etj.), kemi parë që pala ndërtuese ka vazhduar me projektin pavarësisht nga kundërshtimet e palëve të tjera të prekura negativisht.

Fatkeqësisht, konflikte të pazgjidhura midis grupeve të ndryshme të interesit mbi përdorimin e ujërave kemi aktualisht dhe brenda Shqipërisë. Në parkun kombëtar të Shebenik-Jabllanicës janë ndërtuar dhe po ndërtohen me dhjetëra HEC-e me devijim uji nëpërmjet tubacioneve. Natyra e parkut dhe me dhjetëra fshatra janë të prekura nga zhdukja e ujit nga sipërfaqja e tokës. Ligji i ri për vlerësimin e ndikimit në mjedis kërkon që Agjencia Kombëtare e Mjedisit të publikojë në faqen e vet online projektet për HEC-e, për të paktën 20 ditë, për shqyrtim nga publiku. Por kjo agjenci nuk ka ende asnjë faqe online dhe për publikimin e projekteve nuk bëhet fjalë. Banorët e fshatrave të prekura janë hedhur në protesta pasi janë gjendur para faktit të kryer, kurse ministria e energjisë dhe ajo e mjedisit nuk janë prononcuar për protestat.

Uji po bëhet gjithmonë e më i çmuar dhe falë ndryshimeve klimatike vendet mesdhetare do të bëhen më të thata. Konflikte të tilla për ujin mund të bëhen më të shpeshta në të ardhmen, qoftë me vendet fqinje, qoftë brenda Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency