Tifozët: Nuk mbështesim Kosovën, kombi shqiptar ka vetëm një kombëtare

0
140

Tifozët duket se janë të irrituar nga të gjitha vendimet e fundit e marra në lidhje me kombëtaren e Kosovës

 Mbështetësit shprehen se ata njohin vetëm një kombëtare dhe është vetëm ajo e Shqipërisë që i përfaqëson ata

 

tifozat-kuq-e-zi-_216418 Tifozët shqiptarë nuk kanë ndërmend të mbështesin Kosovën, madje e kritikojnë qëndrimin e Federatës së Kosovës për kushtet që ka pranuar të përfaqësohet në ato ndeshje. Ndonëse zyrtarët e Federatës së Kosovës, por edhe institucionet qeveritare, dhënien e lejes nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore për Kosovën e vlerësuan hap shumë të madh, madje nuk hezituan ta cilësonin edhe si historik, në opinion ky vendim vlerësohet krejt ndryshe. Tifozët shqiptarë nuk kanë ndërmend të mbështesin Kosovën, madje e kritikojnë FFK-në për kushtet që ka pranuar të përfaqësohet në ato ndeshje. “Tifozët Kuqezi” nga Kosova të kombëtares së Shqipërisë nuk i janë gëzuar fare këtij vendimi, për shkak të kushteve të vëna nga FIFA, të cilat, sipas tyre, janë qesharake. “Ne jemi vetëm për një kombëtare, atë kuqezi. Sigurisht që ne i gëzohemi çdo përparimi të futbollit të Kosovës dhe mbështesim pranimin e plotë të saj. Një nga arsyet pse nuk mund ta mbështesim Kosovën janë kushtet që ajo ka pranuar nga FIFA. Të luajë pa simbole shtetërore, madje edhe ta pyesë Serbinë se kur do të luajë është tepër e dhimbshme. Nëse Katalunia mund të luajë me flamur, pse Kosova jo? Këto kushte Kosova në asnjë mënyrë nuk është dashur t’i pranojë”, – tha përfaqësuesi i Tifozëve Kuqezi për Prishtinën, Butrint Ymeri. Ai edhe një herë ka sqaruar qëndrimin e tyre për përfaqësuesen e Kosovës, duke bërë thirrje për bashkim me Shqipërinë. “Ne nuk kemi aq shumë futbollistë që të ndahen kështu në dy kombëtare. Bashkimi në një kombëtare do të ishte shumë më i dashur për të gjithë. Nuk kemi asgjë kundër Kosovës, por qëndrimet tona dihen: një komb, një kombëtare”, – tha Ymeri, duke lënë të kuptohet se nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjet e Kosovës. “Nëse Kosova në ato ndeshje paraqitet me ngjyra kuqezi dhe me flamur kombëtar, sigurisht që do ta mbështesim, ndryshe, jo. Individualisht, gjithsecili mund të bëjë çfarë të dojë, por si tifozë të organizuar nuk do t’i japim mbështetje”, – tha Ymeri. Me qëndrime të njëjta janë edhe tifozët e Prishtinës, “Plisat”. “Ne, si grup, aktivitet primar kemi përkrahjen e klubeve të kryeqytetit nën emrin Prishtina. Mirëpo, ne gjithmonë kemi dalë në mbrojtje të vlerave shoqërore, njerëzore si dhe atyre kombëtare. Vazhdimisht kemi potencuar që Kosova është pjesë e pandashme e trungut shqiptar dhe jemi të palëkundur në këto qëndrime. Ne mbështesim çdo hapësirë shqiptare dhe çdo shqiptar individualisht në çdo arritje. I gëzohemi edhe arritjes së fundit të FFK-së, por vetëm sepse kjo arritje i hap rrugë klubit tonë Prishtinës të marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Në kombëtaren shqiptare të futbollit janë 14 shqiptarë nga Kosova dhe konsiderojmë se jemi mirë të përfaqësuar. Ne duhet të hapim rrugë vetëm për ekipet e Kosovës”, – tha Kastrati, duke shtuar se ata nuk përkrahin tendencat e ndryshme për ndarje të shqiptarëve. “Lufta jonë bëhet në një front, në atë “kuqezi”. Përndryshe, “Plisat” në stadiume do të jenë vetëm në përkrahje të kombëtares shqiptare. Është e vetmja “ombrellë”, e cila na mbulon të gjithë shqiptarëve. Një komb, një kombëtare”, – tha ai. Të njëjtin qëndrim kanë edhe kuqezinjtë e Jakovës. Sipas nënkryetarit të këtij tifogrupi, Hekuran Dula, ata janë vetëm për një kombëtare, madje për atë kuqezi. “Ne do ta mbështesim inkuadrimin e Kosovës në FIFA, por shqiptarët mund t’i përfaqësojë vetëm kombëtarja e Shqipërisë. Ne jemi për një kombëtare dhe ajo është kuqezi”, – tha Dula. “Si tifozë të organizuar nuk do të jemi prezent në ndeshjet e Kosovës, pasi ne jemi të përcaktuar të mbështesim vetëm Shqipërinë”, – tha Dula. Shkurt, të gjithë duan kombëtaren shqiptare. Skuadra e Kosovës duhet të shkrihet me kombëtaren shqiptare, që është e vetmja! “Drita e gjelbër” nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, që Kosova të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, ka vënë në lëvizje mekanizmat përgjegjës, qoftë Federatën e Futbollit, qoftë qeverinë e vendit, të bëjnë përgatitjet e nevojshme për një ndeshje të tillë, në afatin sa më të shkurtër. Përderisa ekziston bindja e përgjithshme se resurset humane ose futbollistët e nivelit ndërkombëtarë nuk do t’i mungojnë përfaqësueses së Kosovës, mbetet ende brengë përgatitja infrastrukturore dhe plotësimi i kritereve minimale ose optimale për një ndeshje ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës vlerësojnë se problemi i infrastrukturës është i hershëm, por zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës përgjegjës për sportin, thonë se viteve të fundit janë bërë mjaft investime që ajo në përgjithësi të përmirësohet. Eroll Salihu, sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka thënë radios “Evropa e Lirë” se tani për tani, janë dy stadiume në Kosovë, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, të cilat janë më afër kritereve infrastrukturore të pranueshme të cilat kërkohen nga FIFA. “Nuk nevojiten kushte të jashtëzakonshme, sepse është ndërkombëtare miqësore. Megjithatë, duhen disa standarde minimale. Mendoj se nëse vazhdojmë me këtë eufori, ta quaj pozitive, organet tona shtetërore, qeveria apo edhe komunat e Prishtinës dhe Mitrovicës, dy stadiumet kryesore që mund të aftësohen për një kohë të shkurtë, mund të arrijmë të bëjmë diçka, në mënyrë që “të mos koritemi”, siç thotë populli. Jam optimist në këtë drejtim dhe mendoj se do të mund të zhvillojmë ndeshjen e parë miqësore, bile nën kushte minimale”, – shprehet Salihu për “REL”. Përmbushja e kritereve të kërkuara infrastrukturore nga ana e FIFA-s, të paktën për stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin e qytetit në Prishtinë, tashmë është prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 

 

 

Merkato, Kampionati Shqiptar

Kastrioti mbyll marrëveshjen me Bielkanoviçin

Kastrioti duket se do ta mbyllë merkaton me afrimin e mbrojtësit shtatlartë, Boris Bjelkanoviç, i cili në fazën e parë të këtij edicioni luajti tek Lushnja, madje ishte një nga lojtarët e dalluar të lagunarëve. Dje, drejtuesit e skuadrës krutane kanë negociuar me lojtarin, madje me shumë gjasa tratativa pritet të mbyllet në kohë rekord dhe futbollisti të vihet nën urdhrat e skuadrës së trajnerit Ndreu. Në fakt, Lushnja e ka kërkuar prej ditësh një qendërmbrojtës dhe alternativa më e mirë është Bjelkanoviç, një futbollist cilësor dhe shtatlartë që zgjidh njëherë e mirë problemet e prapavijës te krutanët.

 

 

Loret Sadiku në mëdyshje: Kosovën apo Shqipërinë

Loret Sadiku gjendet midis dy zjarreve. I ati i futbollistit, që luan me Helsingborgun në kampionatin suedez, ka hedhur dyshime mbi mundësinë e grumbullimit të djalit të tij nga kombëtarja shqiptare, ndonëse 22-vjeçari është pajisur me pasaportë shqiptare. Ditët e fundit në mediat shqiptare dhe ato kosovare janë publikuar lajme se ai ka dhënë garanci se Loreti do të vihet nën urdhrat e De Biazit, por vetë Fahri Sadiku, i kontaktuar nga gazetarët e “Supersport Kosovës” i hedh poshtë këto raportime. Sipas tij, mediet kanë spekuluar dhe se ai bashkë me djalin e tij ende nuk kanë vendosur nëse do të luajnë me Kosovën apo Shqipërinë. Gjithsesi, brenda javës familja Sadiku do të marrë një vendim përfundimtar, për t’u dhënë një herë e mirë fund spekulimeve mediatike. Në fakt, dilema e familjes Sadiku duket krejt artificiale, pasi Kosova ende nuk është pranuar në FIFA dhe UEFA, e rrjedhimisht nuk mund të marrë pjesë në eliminatoret e evropianit apo botërorit. Ndërkohë që ajo që duket se ngroh zemrat e shqiptarëve mbi fatin e lojtarit është dhe vetë deklarata e tij, i cili shprehet se ai sheh në syrin e tij vetëm një kombëtare, duke i hapur rrugës skuadrës së De Biazit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency