Atentati 500 gr C4 në makinën e kryekomunarit, u aktivizua nga celulari

0
103

Anxhela Tato

Sekuestrohen pamjet filmike ku shfaqet automjeti “Mercedes-Benz” në lëvizje, merren në pyetje 22 persona

 Dëshmia e punonjësit të Komunës Qendrore: Berberi po debatonte ashpër në celular

 

atentati_vloreEksplozivi në makinën e kryekomunarit është komanduar nga një aparat celular, duke dyshuar se autori ka qenë në ndjekje të çdo lëvizjeje të Fredo Berberit. Nga ana e forcave të policisë mësohet se lënda plasëse ka qenë e llojit C4, e montuar në pjesën e pasme të automjetit. Nga analiza shkencore mësohet se bëhet fjalë për një sasi prej rreth 500 gramë tritol, e cila dyshohet se është instaluar në momentin që automjeti ka qenë i parkuar rreth orëve të mesnatës. Ndërkaq, në total janë 22 persona, të cilët janë shoqëruar në polici në cilësinë e personit që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Familjarë, të afërm dhe miq të kryekomunarit janë marrë në pyetje nga blutë e Vlorës në prani të përfaqësuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Të shoqëruarit janë lënë sërish të lirë, duke mos ngritur dyshime për blutë, ndërsa janë sekuestruar pamjet filmike të momentin që automjeti është në lëvizje, me qëllim zbulimin e ndonjë personi të dyshimtë ose makine të dyshimtë që mund të ketë qenë në ndjeke të kryekomunarit. Policia dyshon se autori ka bashkëpunëtor persona të afërt të kryekomunarit, të cilët i kanë rrëfyer të gjitha lëvizjet e tij ditën e ngjarjes. Pjesë e personave të marrë në pyetje janë edhe punonjësit e Komunës Qendrore, të cilët e kanë përshkruar Berberin si një person mjaft të qetë që e kryente detyrën e tij me zell dhe përkushtim. Por një prej punonjësve ka treguar për blutë se ditën e ngjarjes ka dëgjuar kryekomunarin duke debatuar ashpër me një person në celular dhe kjo, disa çaste para ngjarjes. Pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve të lidhura me detyrën e tij si kryekomunar, por nuk përjashtohet as hetimi për konflikte që kanë të bëjnë me çështje prone, ndonëse këto dyshime janë ende në fazën e verifikimeve.

 

Gjendja shëndetësore

 Ndërkohë, Fredo Berberi ndodhet i shtruar në reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë dhe mjekët thonë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Shefja e pavijonit të Traumës, Lida Shoshaj, thotë se nuk mund të thuhet momentalisht nëse është Fredo Berberi është jashtë rrezikut për jetën apo jo. “Ka plagë të shumta. Prezenca e trupave të huaj të dimensioneve të ndryshme, copa metalike, sfungjer, copa rrobash në pjesë të ndryshme të trupit. Iu nënshtrua një operacioni të zgjatur që në tërësi kaloi mirë. Situata e pacientit është e rëndë. Ndodhet në mjekim intensiv. Po menaxhojmë ecurinë e mëtejshme të tij. I është dhënë gjithë ndihma e nevojshme. Ka dëmtime masive. Lokalizimi i dëmtimeve si në zorrën e trashë, hematomat e mëdha që janë në bark nuk më lejojnë të them momentalisht që është jashtë rrezikut për jetën, ka dëmtime që kanë përqindje shumë të lartë rreziku”, – është shprehur Lida Shoshaj.

 

Dëshmia

 “Unë jam jurist dhe punoj bashkë me Fredon, të cilin e kam shumë mik. Ngjarja është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe jam ende i tronditur. Kur mora vesh për çka kishte ndodhur, jam nisur menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes dhe e kam shoqëruar në ambulancë gjithë kohës Fredon. Ai ishte i vetëdijshëm dhe më tha që nuk e kuptonte arsyen e këtij atentati. Fredo nuk ka pasur konflikte me askënd, as me kolegë dhe as me persona të tjerë. Nëse ai do të kishte ndonjë problem, do të isha unë personi i parë që do ta merrja vesh, pasi jemi shumë të lidhur bashkë. Fredo ka plagë në fundin e shpinës, ku ka pësuar dëmtime dhe i është nënshtruar një operacioni. Ai është njeri shumë i mirë dhe punëtor, nuk ka pasur konflikte me askënd dhe as kërcënime. Për sa i përket makinës, ajo përdorej vetëm nga unë dhe Fredo dhe askush tjetër nuk ka pasur të drejtë. As unë nuk kam probleme dhe nëse do të kishte qenë për mua do lënda plasëse do të shpërthente kur të isha unë në automjet”, – pjesë e dëshmisë së Elidon Feimit.

 

 

Hetimi

Ekspertët e policisë: Eksplozivi, tentativë për vrasjen e kryekomunarit

 Pas shpërthimit, policia ka rrethuar vendin e ngjarjes. Mësohet se copat e fuoristradës ishin përhapur në një distancë prej më shumë se 80 metrash larg vendit të ngjarjes, ndërsa si pasojë e fuqisë së shpërthimit janë dëmtuar xhamat e ndërtesave përreth. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë dëmtuar edhe dy makina të tjera. Sipas hetuesve të çështjes, sasia e eksplozivit ka qenë e madhe (mbi 500 gramë) dhe është tentuar vrasja e kreut të komunës. Ekspertët sqaruan se mënyra e shpërthimit ka qenë e njëjtë me rastet e tjera të shpërthimit në Vlorë. “Sasia e eksplozivit ka qenë e vendosur pranë shoferit. Eksplozivi C4, ndërsa komandimi është bërë në distancë”. Po të njëjtat burime u shprehën se po hetohet në shumë pista për zbardhjen e ngjarjes, përfshirë konfliktet e mundshme të Berberit me persona të tjerë, përplasjet për pronat në Komunën Qendër, për motive politike etj. Mësohet se kohët e fundit kryekomunari ka pasur disa konflikte. Burime nga Komuna Qendër, dje bënë me dije se mëngjesin e djeshëm Berberi ka debatuar shumë ashpër në telefon me një person në ambientet e zyrës së komunës. Policia ka mbledhur të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë të subjekteve në një perimetër prej 2 kilometrash, si dhe kamerat e lokalit të vetë kryekomunarit, ku pohohet se është parkuar automjeti një natë para ngjarjes. Gjithashtu, blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 10 persona në lidhje me ngjarjen e djeshme.

 

 

 

Lulzim Basha

“Dënoj këto akte barbare që frymëzohen nga gjuha e urrejtjes”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vizitoi në spital kryekomunarin Fredo Berberi, i cili u plagos në një atentat me eksploziv, dy ditë më parë, në Vlorë. Basha shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e opozitës për familjarët e kryekomunarit Berberi dhe i uroi shërim të shpejtë. “Dua të shpreh në emrin e të gjithë të zgjedhurve vendorë, që përfaqësoj dhe në emër të PD-së, ndjenjat tona të solidaritetit të mbështetjes për Fredo Berberin dhe familjarët e tij, t’i urojmë të ketë shërim të shpejtë. Dua të dënoj në formën më të prerë më të ashpër këtë akt barbar që ka goditur një personalitet të opozitës shqiptare, i cili bëhet shënjestra e dytë në një hark kohor pas tentativës me lëndë eksplozive ndaj kreut të PD-së në Pogradec. Dua t’u drejtoj një thirrje institucioneve të mobilizohen për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të sulmit kundër kryekomunarit”. Sipas Bashës, një furi e tillë aktesh barbare ndaj personaliteteve të PD-së nuk është regjistruar që në vitet ‘97-‘98. Kreu i PD-së akuzoi Kryeministrin si nxitës të këtyre akteve. “Këto akte frymëzohen nga gjuha e urrejtjes dhe destruktiviteti që kanë zënë vend në gojën dhe veprimet e zotit Rama, që nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për këto akte të pashembullta. PD dhe opozita shqiptare janë të vendosur të mbrojnë me kurajë dhe forcë kauzën e opozitarizmit se askush nuk mund të na mbyllë gojën dhe të na trembë. PD apelon për një reflektim të thellë mbarëshoqëror. Kjo situatë e krimit është produkt i paaftësisë dhe shkatërrimit me dëshirë, me vullnet, me shkak nga ana e mazhorancës të arritjeve shumëvjeçare që përfaqësonin në Policinë e Shtetit profesionistët dhe zëvendësimin e tyre me militantë dhe persona të inkriminuar”. Sipas Bashës, PD do të propozojë së shpejti, brenda përgjegjësive të saj, rrugë dhe alternativa të daljes nga kjo situatë e papranueshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency