Kujtohet Martin Luter Kingu

0
170

martin-luther-king-jr-robert-casillaDje, në SHBA ishte Dita e Martin Luther Kingut, udhëheqësi i vrarë i të drejtave civile. Është një ditë pushimi për të përkujtuar predikuesin baptist, i cili u bë zëri i lëvizjes për të drejtat civile në vitet ’50 dhe ’60. Një nga arritjet e tij më të mëdha e ka zanafillën më shumë se 50 vjet më parë në qytetit e Birmingamit të shtetit Alabama.

Martin Luther King erdhi në Birmingam në vitin 1963, në vendin që ai e quante qyteti më i ndarë racor në Shtetet e Bashkuara.

“Për të dramatizuar këtë padrejtësi flagrante. Dhe për të kërkuar që qeveria federale të mos i japë fare të holla këtij qyteti nëse nuk vendos të heqë dallimet racore,” ishin fjalët e Martin Luther Kingut.

Zoti King dhe udhëheqës të tjerë të të drejtave civile filluan një fushatë për të nxitur qytetin të shfuqizojë ligjet që ndanin zezakët dhe të bardhët nëpër shkolla, restorante dhe vende të tjera publike.

Disa prej protestave u bënë të dhunshme dhe qindra demonstrues u arrestuan. Për t’i shpëtuar kaosit dhe për të patur një vend për të punuar, zoti King kërkoi strehim brenda kësaj shtëpie sekrete në Birmingam. Jeff Drew, prindërit e të cilit kanë qenë miq të Dr.Kingut, tani është pronari i shtëpisë.

“Ai mund të bënte çfarë të donte pa frikën e ndonjë hakmarrjeje brenda këtyre mureve. Shtëpia për të ishte vend për t’u lutur dhe për të shkruar.”

Por kjo nuk ka qenë një lagje e qetë 50 vjet më parë, pasi në atë kohë organizoheshin shpërthime bombash me motive racore, duke i dhënë këtij komuniteti pseudonimin “Dynamite Hill” – Kodra e Dinamitit.

Bombat shpërthenin afër dhe shtëpia ishte në mes të zjarrit nga të bardhët racistë.

“Kjo dhomë mbrohej nga ai muri i madh atje për të ndaluar plumbat të vinin këtu.”

Drew thotë se Dr. King qëndroi në shtëpi 20 herë gjatë fushatës në Birmingam. Ai fjeti në këtë dhomë dhe gjatë ditës u takua me udhëheqësit e të drejtave civile për të biseduar  rreth strategjisë dhe për të negociuar mbi një marrëveshje me pronarët e bardhë të bizneseve.

“Këtu është vendi ku u negociua fundi i bojkotit të bizneseve të Birmingamit. Udhëheqësit e biznesit ranë dakord të punësojnë zezakët si shitës dhe të heqin shenjat nëpër tualete që i veçonin të bardhët dhe zezakët.”

Drew kujton gjithashtu kur ka dëgjuar një bisedë telefonike të tensionuar mes zotit King dhe presidentit John Kennedy, kur zoti King kërkoi që qeveria federale të ndalte dhunën.

“Zoti King thotë gjatë bisedës: ‘Ne duam që i gjithë vendi ta dijë se administrata juaj mbështet pabarazinë racore dhe brutalitetin këtu në Birmingham. Ne do t’i vazhdojmë demonstratat.’ Pastaj ai mbylli telefonin dhe e përplasi në tokë.”

Mëngjesin tjetër zoti Drew thotë se trupat federale të dërguara nga presidenti vendosën një postbllok jashtë shtëpisë dhe tensionet u zbutën.

Lawrence Pijeaux, President i Institutit të Birmingamit për të Drejtat Civile thotë se suksesi i zotit King në qytet pati një ndikim në mbarë vendin.

“Një ligj i ri bëri që njerëzit tanë të kenë mundësinë e arsimimit, strehimit, kujdesit shëndetësor, dhe të drejtës për të votuar. Këto gjëra u arritën kryesisht për shkak të asaj që ndodhi në Birmingam, të Alabamës.”

Zoti Drew dëshiron ta ruajë shtëpinë për t’u kujtuar njerëzve sakrificat e bëra nga zoti King dhe nga mijëra afrikano-amerikanë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency