Homazh për simbolin e paqes e të lirisë, Krenarinë e Kombit, Ibrahim Rugova

0
112

Dr. Enver Bytyçi

Me rastin e 8-vjetorit të ndarjes nga jeta

 

enver-bytyci-6451358375438Nesër bëhen 8 vite që kur lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, u nda nga jeta. Në fakt, ishte një ndarje në të gjallë të tij, sepse Ibrahim Rugova, si askush tjetër në rajonin tonë të mbushur me mite e misticizma, nuk e mbajti për vete sëmundjen vdekjeprurëse, kancerin që i mori frymën. Ai pati guximin t´u thoshte bashkëqytetarëve, bashkëkombasve, miqve dhe armiqve të tij se i kishte ditët e javët e numëruara për shkak të sëmundjes së pashërueshme që vuante. Dhe më 21 janar 2006, ndërroi jetë.

Por, edhe pse i sëmurë, Rugova vijoi të ishte President i Republikës së Kosovës deri në ditën kur vdiq. Ishte një kohë historike e papërsëritshme për Kosovën. Tashmë ishte marrë vendimi historik për të biseduar për të ardhmen e saj – afër dy muaj pas vdekjes së tij filluan bisedimet ndërkombëtare për statusin e vendit. Rugova kishte emëruar grupin negociator të bisedimeve për statusin, kishte bërë gati platformën e këtyre bisedimeve dhe kishte paralajmëruar se “shqiptarët nuk do të pranonin asgjë më pak se pavarësinë dhe nëse atyre do t´u mohohej kjo, atëherë ata do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë”.

Ibrahim Rugova u nderua në ceremoninë e varrimit si askush tjetër në Kosovë e në rajon. Qindra-mijë njerëz në ato ditë të acarta qëndruan në radhë për t´i dhënë lamtumirën e fundit Presidentit, udhëheqësit e liderit fisnik, të urtë e të pakompromis. Dhe të gjithë këta e bënë nderimin e tyre me idenë fikse të mirënjohjes: “Ia kemi borxh nderimin këtij njeriu, që na ktheu lirinë!”, – thoshte secili prej atyre që qëndruan ato ditë me orë të tëra në të ftohtë e në ngrica për t´u ndarë nga miti Rugova. E nderuan gjithashtu dhjetëra delegacione që erdhën nga vendet kryesore të botës e të Evropës, e nderuan bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, njerëzit e familjes dhe të afërmit e tij. Qenë shumë pak ata që nuk u përlotën për ikjen fizike të Ibrahim Rugovës. Ishin të pashpirtët, revolucionarët bolshevikë, që po t´i shihje në thelbin e tyre kishin të njëjtin shpirt si edhe diktatorët. Ata ishin e dikush është dhe sot kundër Rugovës, se lideri historik kishte vizion tërësisht perëndimor e demokratik dhe u shfaq i pari në Kosovë jo vetëm si filozof i kombit shqiptar, por edhe si demokrati i parë i trevave shqiptare. E zemra e demokratit të vërtetë si Rugova nuk rrihte me të njëjtin ritëm si zemra e dogmatikëve enveristë e stalinistë. Për një lidhje të tillë midis filozofisë nacionale dhe shpirtit demokrat, dr. Rugova nuk do të ishte bërë kaq i madh, i paarritshëm dhe i papërsëritshëm. Shumë prej këtyre kritikëve pas vdekjes janë penduar për qëndrimin e tyre. Por ka prej atyre që edhe sot nxjerrin helm prej goje dhe u duket se edhe bustet e Rugovës ua prishin interesat, u duket se edhe në bronz Rugova mund të flasë e t´u bëjë hije këtyre njerëzve, që përveç mohimit të së mirës e të simboleve të kombit, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.

Ibrahim Rugova erdhi në jetë pa e njohur gjyshin e të atin, pasi të dy ata i asgjësoi Sigurimi i Serbisë, para lindjes së tij. Ai u rrit, siç rritet çdo fëmijë me gjysh e baba të pushkatuar nga një regjim pushtues e diktatorial njëherësh, pra me ndjenjën e urrejtjes e njëkohësisht të frikës, me afshin e hakmarrjes e njëkohësisht të durimit. I ndodhur përballë një bote të egër e të paparashikueshme, ai ishte përkushtuar që të hakmerrej jo vetëm për vrasjen e babait e gjyshit të tij. Ai u përgatit dhe u armatos me armën më të sofistikuar të kohëve moderne, me armën e dijes, të kulturës e të urtësisë hyjnore, me qëllim realizimin e qëllimit të tij madhor, që përkonte me ëndrrat e të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës të shekullit të fundit. Kishin provuar burra të tjerë të mëdhenj të Kosovës që ta çonin në vend amanetin e dëshmorëve të atdheut. E të gjithë këta, prej Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Hasan Prishtinës e deri te Shaban Palluzha, e më vonë trimat e Kodrës së Trimave të Prishtinës, provuan e tentuan lirinë e Kosovës, kryesisht përmes luftës. Por pavarësisht nga heroizmi i tyre i paparë në historinë e kombeve të tjera, ata dështuan në aksionin e tyre politik e ushtarak për shkak se Serbia gjithnjë kishte dëshmuar një militarizim të jashtëzakonshëm dhe se shqiptarëve u mungonin aleatët.

Ibrahim Rugova vendosi të ndiqte një rrugë të re në ndërmarrjen e aksionin e tij patriotik. T´i qëndrojë larg luftës së armatosur e njëkohësisht të përgatitej për këtë opsion, nëse lufta imponohej. Ai ndoqi njëkohësisht filozofinë e afrimit të botës demokratike në krah të çështjes së shqiptarëve. Ky vendim i tij ishte një gjetje impresionuese për botën dhe Evropën e civilizuar. Në një kohë kur të mëdhenjtë e botës prisnin që shqiptarët të laheshin në gjakun lumë për shkak të konfliktit të vjetër e të ri me Serbinë, Ibrahim Rugova ofroi një filozofi të re, atë të rezistencës paqësore të shqiptarëve. Bota ishte skeptike deri në ekstrem. Si mundet që këta shqiptarë gjaknxehtë e të padurueshëm të mbajnë një qëndrim të tillë?! Dhe, ata që merrnin vendimet për botën e ardhshme duhet thënë se kishin të drejtë. As në Kosovë, as ndër shqiptarët, as në Ballkan nuk kishte pasur deri në këtë moment një burrë që të ishte përcaktuar për zgjidhjen e konflikteve me paqe e dialog. Ibrahim Rugova ishte i pari. Por ai duhej provuar.

Bota skeptike kërkonte të vëzhgonte realitetin dhe jo vetëm idenë e vizionin e Ibrahim Rugovës. Prandaj ndali frymën dhe u vu në ballkonin e Evropës dhe Amerikës, pse jo edhe të Kremlinit e qendrave të tjera për të soditur atë që ndodhte në Kosovën e Ibrahim Rugovës. Nga ballkonet diplomatike e të shërbimeve të ndryshme të informacionit kancelaritë filluan të shohin befasinë, një realitet të paimagjinueshëm. Lideri i shqiptarëve po shfaqej si profet në atdheun e tij. Ai në atë shtëpinë e vogël të Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë filloi të planifikonte dhe frymëzonte njerëzit me idetë dhe vizionin e tij fisnik. Anton Çeta dhe Zekeria Cane, dy njerëzit e afërt të Rugovës, duke u frymëzuar prej filozofisë së liderit dhe mikut të tyre, bashkuan Kosovën. Kur ekranet televizive jepnin dhjetëra e qindra-mijë shqiptarë të Kosovës të grumbulluar në ceremonitë e faljes së gjaqeve, këtu jepej demonstrimi i parë i pashoq i një populli të lidhur aq ngushtë me liderin e tij, për të shkuar me vendosmëri e pa kthim drejt lirisë.

Jugosllavia vringëllinte armët e kërcënonte asokohe të gjithë popujt “antiserbë”, para së gjithash shqiptarët. Por shqiptarët nuk pranuan të ishin preja e parë e lukunisë së ujqërve serbë. Ata u bënë njësh me liderin e tyre historik edhe kur u provokuan me vrasjet e ushtarëve shqiptarë, edhe kur u helmuan, edhe kur u vranë masivisht gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, edhe kur ua ndërruan me dhunë kushtetutën dhe ua morën atë pak liri, edhe kur… Ata kishin marrë një vendim të pakontestueshëm: Do të ishin bashkë në çdo moment, do të vepronin bashkë çdo kohë në harmoni të plotë me liderin e tyre, Ibrahim Rugova.

Dhe lideri historik, me qëllim që të bënte realitet premtimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, veproi si demokrat dhe ithtar i madh i lirisë, me mjetet më demokratike të mundshme, mjete të cilat askush nuk besonte se nuk do të mund të tejkaloheshin në kushtet e dhunës e të gjenocidit serb në Kosovë. Për t´iu kundërvënë represionit të Serbisë, Rugova ndërtoi një shtet të ri, institucione të reja. Ai fillimisht, më 1991, krijoi Këshillin e Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi. Përmes atij Këshilli deshi të formulonte një politikë të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm me Shqipërinë dhe e inicioi një program të tillë, por nuk gjeti mirëkuptimin e partnerëve të tij. Më tej, me anë të këtij Këshilli emëroi një qeveri të përkohshme të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Për të ardhur në këtë vendim ai kishte nxitur e projektuar shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si dhe në shtator të atij viti kishte miratuar Kushtetutën e re, e cila ka hyrë në histori si Kushtetuta e Kaçanikut. Për çdo studiues dhe vëzhgues do të ishte e mjaftueshme të studiohej kjo kushtetutë e pandërmjetësuar nga asnjë institucion ndërkombëtar dhe të shihte qartë se çfarë përfaqësonte filozofia e Ibrahim Rugovës për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës së pushtuar e të dhunuar prej Beogradit. Pa dyshim është kushtetuta më e mirë, më demokratike, në të cilat parashikohen të gjitha të drejtat e qytetarëve në Kosovë, përfshirë dhe pakicat, e sidomos pakicën serbe. Ishte shtatori i vitit 1990. Ajo Kushtetutë ishte e para e këtij lloji në Evropën Lindore në procesin e ndarjes nga komunizmi. Ishte kushtetuta e parë e një vendi ish-komunist me tipare të qenësishme të kushtetutave perëndimore. Në historinë moderne burrat e shtetit janë dalluar pikërisht nga mënyra se si ata i ndërtojnë kushtetutat e vendeve të tyre. Ibrahim Rugova në këtë pikë mbetet i ngjashëm me Jefferson, Linkoln dhe Adenauer.

Ndoshta fryma e Kushtetutës së Rugovës ishte guri i provës për liderin shqiptar të Kosovës. Ai, sapo u zgjodh President i vendit më 24 maj të vitit 1992, u pranua ndërkombëtarisht si lider i pakontestueshëm i shqiptarëve dhe u prit me protokolle shtetërore në Shtëpinë e Bardhë dhe në kancelaritë e Berlinit, Londrës, Parisit, Romës, Madridit… po asnjëherë nuk u prit në Moskë, në Athinë a në ndonjë kryeqytet tjetër me disponim antishqiptar. Kur u hapën dyert për Rugovën, ai, me mençurinë dhe guximin e tij të rrallë, formuloi dhe paraqiti kudo alternativën e tij. Kur Presidenti amerikan apo ai francez, si dhe Kancelari gjerman ose kryeministrat ne Londër, Romë dhe Madrid e pyesnin për zhvillimet në Kosovë, Rugova ua përshkruante me detaje gjendjen e rëndë të shqiptarëve shkaktuar nga gjenocidi serb. Kur ata e pyesnin për atë se si duhej zgjidhur kjo situatë, pasi ishin pajtuar me të vërtetat e Rugovës, lideri shqiptar kishte vetëm një përgjigje: “Pavarësia është ilaçi i vetëm i zgjidhjes!” Në këtë mënyrë, ditë për ditë, kohë pas kohe, orë pas ore ai përsëriti kërkesën e tij të pandryshueshme deri në fund të jetës: – Pavarësi për Kosovën e për të arritur te pavarësia, protektorat ndërkombëtar më parë.

Hap pas hapi, Rugova ndërtoi shtetin e Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja juridike, por edhe nga pikëpamja e funksionimit të arsimit, shëndetësisë, ndihmës sociale e kështu me radhë. Është rasti i parë, të cilin historia e shënon, kur një personalitet si Rugova, i drejton dy milionë qytetarë të vendit të tij vetëm me forcën e moralit, pa ushtri, pa polici, pa dhunën e shtetit. Dhe është rasti i parë në historinë e kombeve, kur një popull bashkohet së paku për tetë vite radhazi 1989-1997, me një disiplinë politike të pashembullt rreth liderit të vet. Dhe kjo ndodhi asokohe thjesht se të dy palët besuan te njëri-tjetri. Kosova besoi te Rugova dhe Rugova besoi te Kosova. Të dyja palët nuk e tradhtuan asnjë çast njëri-tjetrin, qëndruan besnikë e në unitet të pazakontë e të pashembullt në histori. Kjo forcë e arsyes rugoviane ndoshta është burimi kryesor i revoltës të nja tre a katër kundërshtarëve të tij të pandreqshëm.

Kur bota e lirë nuk i përfilli shqiptarët në rastin e Dejtonit, atëherë në Kosovë lindi një lëvizje më e radikalizuar. Në studimet e mia, bazuar në materialet e arkivave dhe literaturës perëndimore, kam shkruar se si Rugova kishte organizuar dhe ishte përgatitur në fushën ushtarake e të sigurisë, në rastin e një lufte në Kosovë. Por dalja e UÇK-së, çoi në daljen e situatës prej kontrollit të tij. Nëse kthehemi në ato kohë, kur krerët e UÇK-së sulmonin në radiot e huaja më shumë Rugovën e Bukoshin, sesa politikën serbe, duhet të besojmë se në Kosovë mund të shkohej drejt një lufte civile. Ishte Rugova, jo Bukoshi, ai që e parandaloi një përshkallëzim të tillë të konfliktit. Edhe në këtë rast ai shërbeu përmes formulës së tij magjike, qëndresës paqësore. Luftën e morën përsipër si me inat e për inat të Rugovës, ata që tashmë kanë emër e mbiemër. Ndërkaq, shumica e luftëtarëve të lirisë kishin vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës dhe së paku gjysma prej tyre vazhdonte ta kishte Rugovën idhullin e vet.

Zhvillimet e kohës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë bënë që Rugova të merrej peng në Beograd. Ai u shfaq në ekranin televiziv të kohës me një deklaratë. Shumëkush ka gjykuar se ajo deklaratë ishte e montuar, siç dinte Millosheviçi ta bënte. Këtë moment të gjykimit dhe të paragjykimit për liderin historik të shqiptarëve e kam trajtuar gjerësisht, gjithashtu bazuar në literaturën gjermane, në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”. Ndërkaq, paraqitja e Rugovës përballë Millosheviçit si dëshmitar në Gjyqin e Hagës i zhgënjeu ata që shprehnin entuziazmin e tyre cinik për ta “dëshmuar tradhtinë e Rugovës”.

Në fakt, njerëzit në Kosovë e amnistuan Presidentin historik të tyre që në tetorin e vitit 2000, kur e votuan thuajse në të gjitha komunat e Kosovës dhe ia dhanë atij të drejtën që t´i qeveriste qytetarët e Kosovës. Më pas, qytetarët e Kosovës i dhanë shumicën absolute në zgjedhjet e vitit 2001 dhe e ripranuan Rugovën si President të vendit. Edhe më vonë, më 2003 e 2004, zgjedhjet i fitoi Ibrahim Rugova në shumicë, sepse shqiptarët e shihnin atë si njeriun më të besueshëm të vendit. Kjo do të thotë se kreun e vendit para e pas lufte Rugovës ia dhanë qytetarët, ia dha aftësia e tij e jashtëzakonshme për të komunikuar me popullin e tij, ia dha vizioni dhe këmbëngulja e tij për lirinë e Kosovës, ia dha autoriteti dhe integriteti i tij moral e qytetar, dinjitet dhe integritet i nëpërkëmbur dhe i përdhosur nga shumica e politikanëve shqiptarë në Kosovë e jashtë Kosove. Prandaj, populli i Kosovës e konsideroi çdo kohë Ibrahim Rugovën si “Babain e Kombit”, ndërsa mediet ndërkombëtare në kor i dhanë atij emrin e merituar “Gandi i Ballkanit ose Gandi i Prishtinës”! Unë do të thosha se dr. Ibrahim Rugova, pra themeluesi i shtetit të Kosovës, udhëheqësi i pakontestueshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik i saj, nuk ishte vetëm një shëmbëlltyrë e Gandit të Indisë, por edhe e shumë personaliteteve të tjera, si Nënë Tereza, Papa Vojtila II, Nelson Mandela, Martin Luter King, Vaklav Havel e të tjerë burra që kanë bërë historinë e lavdishme të fitores me paqe e mirësi. Ndaj, çdo shqiptar është e do të mbetet krenar që jetoi në kohën e lavdishme të Ibrahim Rugovës, është dhe do të jetë krenar që si simbol të krenarisë kombëtare do të ketë krahas Skënderbeut dhe Nënë Terezës edhe Ibrahim Rugovën.

Homazh për simbolin e paqes e të lirisë së Kosovës, për njeriun që u ktheu dinjitetin shqiptarëve, Presidentin Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency