Frank Riberi kritikon FIFA-n: E meritoja unë Topin e Artë

0
127

Mesfushori francez është shfaqur pak i zhgënjyer, për faktin që nuk u zgjodh fitues i Topit të Artë

 Gjithashtu, ai mbrojti edhe shumë lojtarë të skuadrës tij, duke shprehur se ata duhet të kishin qenë në formacionin e vitit

 

 riberyYlli i Bajernit të Mynihut, Frank Riberi, akuzoi rezultatin e votimit për “Topin e Artë 2013”, duke këmbëngulur se sulmuesi i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, nuk e meritonte ta fitonte çmimin, pasi portugezi nuk ngriti asnjë trofe vitin e kaluar. Fillimisht, Riberi reagoi me qetësi pas ceremonisë së FIFA-s në Zyrih, ndërsa iu desh të pranonte vendin e tretë në votim pas Ronaldos dhe yllit të Barcelonës, Lionel Mesi, duke deklaruar se çmimi prestigjioz individual nuk ishte një ndër objektivat e tij. Gjithsesi, tani francezi ngre zërin për të shprehur gjithë pakënaqësinë e tij, ndërsa beson se ai duhet ta kishte fituar “Topin e Artë” pas sezonit së jashtëzakonshëm me bavarezët. “Fitova gjithçka që ishte në lojë për t’u fituar me Bajernin dhe individualisht. Ronaldo në krahun tjetër nuk fitoi asnjë gjë. Nuk jam i dëshpëruar që nuk fitova, por kjo të lëndon disi. Unë meritoja të fitoja “Topin e Artë”. Ishte e qartë se Ronaldo do ta fitonte, afati përfundimtar i votimit u shty për dy javë. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. S’kishte të bënte me futbollin. Ishte një vendim politik”, – ka thënë francezi. Por kritikat e Riberisë ndaj FIFA-s nuk mbarojnë këtu, pasi ngriti gishtin e akuzës edhe për 11-shen më të mirë të vitit nga FifaPro World XI, ku bënë pjesë vetëm 3 futbollistë të Bajernit, ndërsa 4 i përkisnin Barcelonës. “Ka vetëm 3 futbollistë të Bajernit aty. Kjo është çmenduri. Tomas Myler meriton të jetë aty, dhe po ashtu edhe David Alaba, Bastian Shvajnshtajger dhe Arjen Roben. Ne fituam 5 tituj dhe bëmë historinë. Pastaj aty ndihet edhe mungesa e futbollistëve të Borusias së Dortmundit, ku janë Mario Gëtze dhe Robert Levandovski. Kjo është vërtet e pamundur”, – përfundoi mesfushori francez. Francezi Frank Riberi bëri një sezon të mrekullueshëm me Bajernin, duke arritur që të rrëmbente tre tituj me klubin dhe duke u shpallur edhe lojtari më i mirë evropian. Kështu, duket se edhe ky Top i Artë nuk kaloi pa polemika. I pari ishte francezi, ndërkohë që duhet të ketë edhe të pakënaqur të tjerë. Gjermanët e Bajernit duket se janë ata që janë lënë më tepër jashtë. Pavarësisht nga gjithçka, përsëri Barcelona vazhdon të mbesë në krye të futbollit, gjë që nuk tingëllon mirë, por kjo vjen edhe për faktin se lojtarët katalanas, për shkak të vazhdimësisë nuk mund të hiqen nga formacioni. Ndërsa edhe pse për Ronaldon nuk duhet të kishte asnjë zhurmë duket se mungesa e trofeve me klubin e kthen në një mundësi polemike. Edhe pse portugezi nuk arriti që të merrte asgjë me ekipin tij vjet kreu një sezon të mrekullueshëm dhe e ndihmoi tepër ekipin e tij.

 

 

 Venger: Shumë presion mbi Ozilin

Tekniku i Arsenalit, Arsen Venger, mendon se pritjet e tifozëve nga Mesut Ozil janë shumë të mëdha. Mesfushori gjerman është bërë futbollisti kryesor i skuadrës që kur kaloi në “Emirates” nga Reali i Madridit në fillim të këtij sezoni, duke ndihmuar që “topçinjtë” të kryesojnë Premier Ligën. Mirëpo, rënia paksa në aspektin golashënues në javët e fundit, ka bërë që ai të kritikohet menjëherë. “Nganjëherë njerëzit presin që ai ta bëjë vet dallimin. Nganjëherë kur gjërat nuk funksionojnë, pritet nga ai që ta marrë topin dhe ta fusë në rrjet. Ai është më shumë asistues sesa shënues. Ai nuk duhet kritikuar, por duhet inkurajuar. Është 25 vjeç dhe do të bëhet gjithnjë e më i mirë. Vitet më të mira po vijnë për të”, – ka thënë francezi për faqen zyrtare të klubit.

 

 

Honda: Akoma nuk jam në formën më të mirë

Mesfushori më i ri i Milanit, Keisuke Honda, thotë se akoma nuk ka arritur në formën e tij të duhur te klubi i ri. Japonezi kaloi në San Siro në fillim të janarit nga CSKA e Moskës, ndërsa thotë se po luan vetëm me gjysmën e potencialit të tij. “Do të thosha se jam vetëm 50 për qind nga niveli im i lojës. Kam edhe shumë për ta përmirësuar kualitetin e lojës sime, por ishte mirë që e fituam këtë ndeshje”, – ka deklaruar Honda. Kuqezinjtë regjistruan fitore prej 1-0 përballë Hellas Veronës që shënoi edhe debutimin e trajnerit të ri Klarena Sedorf që ishte në stolin e kuqezinjve.

 

 

Ibrahimoviçi lavdëron Mesin

Sulmuesi i Paris Sent-Zhërmenin, Zllatan Ibrahimoviç, ka lavdëruar ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Lionel Mesi. Ibra shpesh ka qenë kritik ndaj Mesit në media, që kur është larguar nga Barcelona. Por duket se tashmë ka dalë me një prononcim më ndryshe. “Mesi është një lojtari jashtëzakonshëm. Ai bën gjëra të cilat mund të shihen vetëm në video-lojëra. E pashë golin e tij të dytë ndaj Getafe dhe ishte i mahnitshëm, magjik. Ai është rikthyer dhe duket shumë i uritur. Vërtet kënaqem duke e parë atë”, – ka thënë shtatlarti suedez.

 

 

Murinjo thur elozhe për Januzajn

Trajneri i Çelsit, Zhoze Murinjo, e ka pranuar se Adnan Januzaj, talenti i Mançester Junajtidit, ishte një nga problemet që duhej të zgjidhej për sfidën e djeshme ndërmjet këtyre dy ekipeve. “Special One” nuk është i njohur për të vlerësuar lojtarët kundërshtarë, por këtë e bëri me Januzajn. “Ai është lojtar fantastik. Ai nuk është 18-vjeçar, ai është 25-vjeçar. Januzaj është shumë i mençur dhe komfort në lojën e tij. Një lojtar shumë i mirë dhe shumë i rëndësishëm. Mendoj se ai është lojtar shumë i mirë dhe ka për të pasur një karrierë të madhe dhe të gjatë. Nuk e njoh djalin personalisht, por ai duket se ka shumë nga vetvetja”, – u shpreh Murinjo.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency