Eksploziv Atentat i telekomanduar kryekomunarit të Vlorës

0
125

Anxhela Tato

 

Dëshmitari: Në fytyrë nuk i dukeshin plagë, ai mundohej të lëvizte dhe makina pas shpërthimit u përplas

 

Policia: Lënda eksplozive e vendosur në pjesën e pasme të automjetit, dyshime se ngjarja e lidhur me detyrën

 

atentati_vloreAtentat me eksploziv kryekomunarit të Vlorës, i cili ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin Ushtarak. Bluzat e bardha bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e Fredo Berberit është stabël dhe jashtë rrezikut për jetën. Kryekomunari i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal në zonën e shpinës, ku ka pësuar më shumë dëmtime nga shpërthimi. Ndërsa politikanë kanë vizituar gjatë gjithë natës kryekomunarin, duke i qëndruar pranë familjes së tij në një situatë të rëndë. Nga ana tjetër i është bërë thirrje policisë që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje. Ishte ora 14:10 e drekës kur automjeti me të cilin po udhëtonte Berberi ka shpërthyer. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje kanë qenë kalimtarë, të cilët kanë rrëfyer se kryekomunari kishte plagë në fytyrë dhe dukej shumë i tronditur. Teksa tentonte të dilte nga automjeti i kanë ardhur në ndihmë banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë edhe policinë. Ndërsa Berberi është transportuar me urgjencë për në spital, blutë kanë këqyrur vendin e ngjarjes, duke mbledhur prova për të identifikuar autorët. Dyshohet se eksplozivi ka qenë i telekomanduar, i ngjashëm me krimin kundër të ndjerit Skerdilajd Konomi. Ende nuk specifikohet sasia e lëndës plasëse, ndërsa dyshimet e bluve janë se kjo ngjarje mund të lidhet ne detyrën e Fredo Berberit.

 

Ngjarja

 “Është dëmtuar në pjesën e pasme të muskulit kryesor. Kirurgët janë në sallën e operacionit dhe po punojnë për stabilizimin e gjendjes. Gjendja e tij e përgjithshme është e mirë”, – u shpreh drejtori i spitalit. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, në automjetin tip fuoristradë “Mercedes-Benz ML”, janë dëmtuar edhe dy makina të tjera, që ndodheshin aty pranë në momentin e ngjarjes. Fuqia e shpërthimit ka qenë e madhe sa ka postuar disa metra automjetin në ecje të kryekomunarit, duke dëmtuar dhe dy automjete të tjera. Ekspertë të policisë së Vlorës mbërritën në vendngjarje dhe po punohet për të zbardhur autorët e vendosjes së lëndës eksplozive në makinën e kreut të Komunës Qendër. Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur me eksploziv të telekomanduar, por ende nuk dihet sasia e vendosur. Po kështu rreth ngjarjes nuk ka ende asnjë autor të dyshuar. Policia ka ngritur postblloqe në kërkim të autorëve të kësaj ngjarjeje. Ngjarja me kryekomunarin është e ngjashme me atë gjykatësit vlonjat Skerdilajd Konomi, që humbi jetën gjatë një shpërthimi me eksploziv të telekomanduar automjetin e tij. Ndërkohë, në pyetje janë marrë të gjithë kalimtarët që kanë parë ngjarjen dhe pritet të pyeten familjarë të kryekomunarit nëse kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti ose problemi. Policia gjatë gjithë natës ka ushtruar kontrolle në qytetin e Vlorës. Një prej dëshmitarëve të ngjarjes tregon se pas shpërthimit, makina është përplasur me mjetet që ishin të parkuara në anë të rrugës. “Në fytyrë nuk i dukeshin plagë, ai mundohej të lëvizte, më pas erdhi autoambulanca. Kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina, e cila pas shpërthimit u përplas. Ai mundohej i shokuar të lëvizte. Jam i rrëqethur, po më dridhet mishi. Ngjarja shkaktoi panik, ishte një zhurmë shumë e madhe”, – u shpreh dëshmitari.

 

 

Berisha: Sulmi ndaj kryekomunarit, akt i rëndë terrorist

 Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në “Facebook” ka reaguar lidhur me sulmin me eksploziv që ju bë kryetarit të Komunës Qendër në Vlorë. Ai e cilëson sulmin një akt të rëndë terrorist. “Akt i rëndë terrorist kundër kryetarit të Komunës Qendër Vlorë, Fredi Berberi. Të dashur miq, sot në rrugën kryesore të Vlorës u krye një akt terrorist me tritol i stampës politike kundër kryetarit të Komunës Qendër Vlorë, Fredi Berberi. Ata që nuk e mundën dot me vota kryetarin e nderuar Fredi Berberi aplikuan politikën e granatave, tritolit, burgosjeve, bastisjeve të kryetarit të tyre, neobllokmenit Edi Rama kundër opozitës”.

 

Astrit Patozi: Tahiri po bën show, në vend që të vendosë rendin

 Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike për Qarkun Vlorë ka vizituar dje në ambientet e Spitalit Ushtarak kreun e Komunës Qendër. Patozi tha se krimi i organizuar dhe krimi i rrugës po bëjnë kërdinë mbi përfaqësuesit e opozitës dhe mbi çdo qytetar shqiptar. Deputeti demokrat Astrit Patozi nga Spitali Ushtarak ku kryekomunari Berberi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ka dhënë një deklaratë për mediat. Në prononcimin e tij, Patozi theksoi se PD e dënon ashpër këtë ngjarje ndërsa akuzoi ministrin Tahiri se bën showman-in në vend të vendosë rendin dhe qetësinë në vend.

 

 

Horror në kryeqytet

Kamioni masakroi për vdekje kalimtarin

 Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur kalimtarët paraditen e djeshme në zonën e Rrugës së Elbasanit. Një kamion ka përplasur për vdekje një shtetas me inicialet Gj. K., duke e lënë të masakruar në mes të rrugës në sy të të gjithë kalimtarëve, të cilët kanë mbetur të tronditur nga skena e rëndë. Kamioni ka goditur të riun, i cili nga përplasja e fortë ka pësuar trauma në pjesën e stomakut, duke iu shkaktuar një e çarë. Menjëherë dëshmitarë okularë kanë njoftuar forcat e policisë, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje duke transportuar me urgjencë për në spital viktimën. Ka qenë e pamundur ndërhyrja e mjekëve, pasi i riu kishte humbur jetën në vend nga goditja e fuqishme e marrë nga kamioni, i cili e ka hedhur disa metra tutje kalimtarin. Nga ana e bluve është shoqëruar menjëherë në polici drejtuesi i kamionit me targë TR 4690 P. Blutë kanë marrë në pyetje edhe dëshmitarët okularë, ndërsa bëhet me dije se shkak i aksidentit mund të ketë qenë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit. Viktima është dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Numri i lartë i aksidenteve rrugore vijon të jetë një problem shqetësues për blutë. Pavarësisht nga shtimi i patrullave rrugore në segmentet më problematike, nga ana e drejtuesve nuk respektohen rregullat dhe në pjesën më të madhe të rasteve lëvizin me një shpejtësi tej normave.

 

Reagon opozita

Akti ndaj kryekomunarit, Basha: Sulm kriminal, të nxirren autorët para ligjit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënon sulmin kriminal ndaj kryetarit të Komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi. Duke i uruar shërim të shpejtë, Basha e siguron z. Berberi dhe familjen e tij se Partia Demokratike u gjendet pranë në këtë ditë të vështirë. Ai kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen e autorëve para ligjit. Kreu i PD-së, Basha, shpreh revoltën e tij ndaj këtij akti të shëmtuar që, sipas tij, është një shprehje e pasigurisë publike në vend, e revanshit të krimit dhe, për fat të keq, në këtë klimë frike, më të rrezikuarit janë zyrtarët dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka reaguar lidhur me sulmin me tritol në qytetin e Vlorës si dhe për aksidentit e ndodhur te Rruga e Elbasanit ku mbeti i vdekur një kalimtar. Në një njoftim për media PD shprehet se Shqipërinë e ka marrë në dorë krimi në kohën që ministri i Brendshëm bën paradën e sukseseve imagjinare. “Vetëm gjatë kohës së shkurtër që ministri i Brendshëm po monologonte për arritjet e tij në krye të rendit, në Vlorë krimi sulmoi me tritol kryetarin e Komunës Qendër dhe në Tiranë një aksident në rrugën e Elbasanit mori jetën e një kalimtari. Ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe sigurisë si rezultat i zhbërjes së Policisë së Shtetit nga Rama e Tahiri. Shqipërinë e ka marrë në dorë krimi, ndërkohë që ministri i Brendshëm vazhdon paradën e sukseseve imagjinare në televizion”, – thuhet në njoftimin e PD-së. Reagimi erdhi menjëherë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Vlorë, ku fatmirësisht kryekomunari arriti të shpëtonte me dëmtime të lehta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency