Atentati ndaj Hasan Tales Gjin Nika mohon akuzën: Nuk e vrara unë tim kushëri

0
164

Anxhela Tato

 

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore i arrestuari ka cilësuar si sajesë akuzën që e shpall fajtor për vrasjen e Qerim Markut

 

I arrestuari rrëfen konfliktet e kushëririt të tij për galerinë e minierës në Bulqizë

 

hasan taljaGjin Nika mohon autorësinë e vrasje së biznesmenit të kromit, të cilin e ka kushëri. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore i prangosuri ka pohuar konfliktet për çështjen e minierës, por ka kundërshtuar gjatë gjithë kohës dy akuzat për vrasjen e Qerim Markut dhe Hasan Tales. “Unë nuk mund të vrisja kushëririn tim, sido që të degradonte situata. Ne jemi njerëz besimtarë dhe këto akuza janë shpifje. Unë nuk e kam vrarë Qerim Markun dhe as që nuk kam pasur lidhje me të. Më ka dënuar Gjykata për një krim që nuk e kam bërë dhe kjo ishte arsyeja pse unë fshihesha”, – ka rrëfyer para bluve. Ndërkohë, në njoftimin për shtyp ngrihen akuza për të arrestuarin, duke e përfshirë në disa ngjarje kriminale, të cilat janë ende duke u vërtetuar. “Më datë 20.1.2014 nga komisariati i policisë nr. 4 Tiranë, u arrit kapja e të kërkuarit Gjin Ali Nika, 34 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në fshatin Ferraj, Tiranë. Në ngarkim të tij, Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar në mungesë si autor për vrasjen e shtetasit Qerim Marku, ngjarje kjo e ndodhur në Dibër. I kërkuari u kap në fshatin Ferraj, Tiranë. Ai dyshohet si autor i disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë. Aktualisht, nga strukturat e policisë po punojnë për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tij kriminal”.

 

Rrëfimi

 “Unë nuk jam autori i vrasjes së Hasan Tales, të cilin e kam kushëri. Ai është njeriu im, edhe nëse do të kisha pasur konflikte aq të rënda, sa ç’thuhet, unë nuk mund të vrisja kushëririn tim dhe unë nuk jam kriminel. Akuza është e pavërtetë dhe një gënjeshtër. Unë nuk kam vrarë asnjë person. Gjykata më ka dënuar për një krim që unë nuk e kam bërë dhe nuk kam asnjë lloj lidhjeje me Qerim Markun. Në Bulqizë ka shumë konflikte dhe përleshje për çështjen e minierës së kromit dhe galerive, pasi ka shumë grupe që pretendojnë të punojnë, ta shfrytëzojnë dhe të nxjerrin krom. Kushëriri im i ndjerë Hasan Talja kishte biznese në Bulqizë dhe ka pasur disa herë përplasje për kromin. Ai është konfliktuar shumë kohë më përpara edhe me mua, por kjo nuk më bën mua autor të këtij krimi të rëndë. Unë nuk jam vrasës, nuk i kam bërë keq askujt. Më arrestuan dhe më sollën këtu, pasi Gjykata e Apelit më ka dënuar pa të drejtë si autorin e vrasjes së Qerim Markut. Nuk e kam vrarë unë dhe çdo gjë është sajim dhe mashtrim që thuhet kundër meje”, – pjesë nga dëshmia e 42-vjeçarit para oficerëve të policisë.

 

Vrasja

 Burime nga ana e policisë pohojnë se Nika është një ndër personat e dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Hasan Tales. Ndonëse ende nuk ka prova të qarta që të vërtetojnë këtë akuzë, e cila është duke u verifikuar. Ndërkohë, Talja u ekzekutua mbrëmjen e së premtes para portës së shtëpisë së tij, në prani të djalit të vogël. Një vrasës me pagesë qëlloi 5 herë në drejtim të Tales, duke i marrë jetën. Hetimet po zhvillohen në dy pista, që janë larje hesapesh si dhe çështja fetare. Siç bëhet me dije, biznesmeni ka pasur konflikte të herëpashershme për çështjen e një galerie miniere në Bulqizë. Gjithashtu, ai ka qenë kreu i një sekti islamik, ku predikonte kundër luftës së xhihadit, duke ofenduar sekte të tjera fetare. Mësohet se në ngarkim të Nikës ishte lëshuar një urdhër arresti pas vendimit të dënimit të Gjykatës së Apelit. Gjin Nika është dënuar për vrasjen e Qerim Markut, ngjarje e ndodhur në 2 shtator të vitit 2013 në Bulqizë. Qerim Marku u ekzekutua me një plumb në kokë teksa ishte duke ecur në rrugë dhe aksidentalisht mbeti i plagosur një këmbësor. Dyshimet e bluve e lidhën këtë ngjarje me larje hesapesh për kromin.

 

Analiza e Policisë

Ulja e zbulueshmërisë, shkak, mosha mesatare e lartë dhe arsimimi

 Kritika dhe problematika janë theksuar në analizën vjetore të Policisë së Shtetit nga ana e kreut të bluve dhe e vetë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fjalën e tij, Artan Didi ka theksuar se mosha mesatare e policisë arrin në 44 vjeç dhe pjesa më e madhe e efektivëve nuk kanë shkollim përkatës, çka ka ndikuar automatikisht në uljen e zbulueshmërisë së kriminalitetit. Për sa i përket krimit kundër jetës, vetëm për vitin 2013 numërohen 489 vepra penale, pra me një rënie në 85,5% nga 92% që ka qenë në vitin 2012. “Vrasjet me dashje vazhdojnë të ruajnë një tendencë me pak luhatje dhe pak a shumë të njëjtë gjatë viteve të fundit, duke pasqyruar një rënie prej 18 vrasje më pak në krahasim me 2012. Janë evidentuar 107 dhe zbuluar 86 raste ose 80,4% e tyre. Një nga faktorët që ndikon drejtpërdrejti në uljen e kriminalitetit në përgjithësi dhe të krimit të vrasjes në veçanti, është rifillimi i krimeve të vjetra të pa zbuluara ku është bërë e mundur zbulimi në 12 vrasje të vjetra”, – pjesë e analizës. I pranishëm në analizën e Policisë së Shtetit ka qenë edhe ministri i Brendshëm, i cili ka paraqitur një përmbledhje të problematikave të policisë dhe angazhimet për të sjellë ndryshimin. “Policia e Shtetit duhet të dalë nga modeli i analizave klishe. Ne e gjetëm Policinë e Shtetit në gjendjen më të keqe dhe që drejtohej nga militantë dhe të paaftë. Burimet njerëzore të kësaj strukture janë shumë larg nga standardet. Arsimimi është i mangët dhe shumë pak janë me shkollë të lartë”, – tha Tahiri. Kreu i rendit theksoi se aktualisht në Shqipëri ka më pak punonjës policie për çdo banor se çdo vend i rajonit. “Policia e Shtetit ishte e shfrytëzuar dhe e nënpaguar dhe ne kemi trashëguar rrënimin e vlerave në Policinë e Shtetit”, – tha Tahiri.

 

Kryeprokurori

Kreu i organit të akuzës tha se në 2013-ën u përballën me një situatë të vështirë kriminale. “Kriminaliteti ka njohur sofistikime të reja dhe kanë vendosur Policinë e Prokurorinë për ballë sfidave”, – tha Llalla, duke shprehur edhe një konstatim se komunikimi në kohë reale ekziston në strukturat më të larta drejtuese të dy institucioneve tona, por zbehet në nivelet e tjera. “Puna e Policisë dhe e Prokurorisë janë të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe themeli ynë është pikërisht informacioni për ngjarjet kriminale, të cilat përcaktojnë edhe rrjedhën e mëtejshme të hetimit. Ajo që konstatohet është se komunikimi në kohë reale ekziston në strukturat më të larta drejtuese të dy institucioneve tona, por zbehet në nivelet e tjera, kur logjika institucionale e kërkon që të ndodh e anasjella”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency