Analiza e Policisë / Armëmbajtja pa leje, çdo ditë prangoste një person

0
116

Anxhela Tato

Ardian Çipi: Krahasuar me viti 2012 janë referuar në prokurori 865 vepra penale më tepër

Rritja e numrit të veprave penale kryesisht në krimet financiare, narkotike dhe rrugore

 

largea_720649231382686331Në kryeqytet mesatarisht çdo ditë një person arrestohet në kushtet e flagrancës për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Këtë e tregojnë statistikat e Policisë së Tiranës të publikuara nga drejtori i policisë së këtij qarku përgjatë analizës vjetore. “Kapja e shtetasve për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit ka qenë një objekt tjetër i punës sonë. Në këtë drejtim evidentohen 343 persona të arrestuar në flagrancë, ose 87 persona më shumë se viti 2012. Vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, janë kapur 127 persona në kërkim për armëmbajtje pa leje”, tha Ardian Çipa, drejtor i Policisë së Tiranës. Kryepolici i Tiranes evidentoi se përgjatë 2013 janë goditur në operacione policore 18 grupe kriminale, janë referuar në prokurori 131 raste korrupsioni, kryesisht të natyrës korrupsion pasiv, ndërkohë që janë shënuar 131 krime kundër jetës dhe personit. “Janë referuar në Prokurori 8804, janë zbuluar 83 për qind e tyre, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë referuar 864 raste më tepër. Rritja e numrit të veprave penale evidentohet kryesisht në krimet financiare, narkotikët dhe ato në fushën e qarkullimit rrugor. Vlen për t’u theksuar realizimi me sukses nga strukturat e policisë së Tiranës i 123 operacioneve policore, 34 prej të cilave janë realizuar në tremujorin e fundit dhe numri i informacioneve është rritur me 10 për qind. Gjatë vitit 2013 nga strukturat e hetimit të krimeve, janë goditur 18 grupe kriminale, 8 grupe të implikuara në drejtim të narkotikëve, 2 trafiqeve të paligjshme, 8 të implikuar në krimin financiar e korrupsionin”, – tha Çipa.

Narkotikët

Janë referuar 616 raste dhe proceduar penalisht 615 autorë. Krahasuar me një vit më parë, janë evidentuar 89 vepra penale më tepër, si dhe 67 autorë të proceduar më shumë. Nga ky sektor janë realizuar 46 operacione policore, ose 3 operacione më shumë se në vitin 2012. Vetëm gjatë 3 mujorit të fundit është rritur me rreth 40 % numri i referimeve nga këto struktura. Strukturat kundër narkotikëve kanë referuar 508 raste narkotikësh, proceduar penalisht 507 autorë, ose 84 vepra penale më tepër se në vitin 2012. Një rritje maksimale të angazhimit të këtyre strukturave konstatohet gjatë 3-mujorit të katërt ku evidentohet rreth 40 % rritje e numrit të referimeve. Vlen të përmenden dy operacione të suksesshme “Mjegulla 1 & 2”, të zhvilluara gjatë  fundvitit 2013 në Shëngjergj dhe Zall-Bastar, gjatë të cilëve janë goditur dy grupe kriminale të implikuara në kultivimin e trafikimin e lëndës narkotike të llojit kanabis sativa, ku janë sekuestruar mbi 600 kg, një numër i konsiderueshëm armë zjarri si dhe lëndë eksplozive.

Krimi ekonomik

Lufta Kundër Korrupsionit: “Janë referuar 131 raste korrupsioni dhe proceduar 246 autorë”. Numri më i madh me 40 raste i përket veprës “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Edhe në këtë drejtim ka një rritje prej rreth 50 % gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2013 numri i rasteve të referuara në raport me periudhën e mëparshme të po këtij viti. Parandalimi i Pastrimit të Parave: “Janë referuar 44 raste me 46 autorë të proceduar penalisht dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 evidentohet një rënie e rasteve të referuara me 9 vepra”. Krimi Ekonomik-Financiar: “Janë evidentuar 760 vepra penale, zbuluar 727 ose 96% e tyre dhe krahasuar me vitin 2012 kemi 158 vepra penale dhe 105 autorë të proceduar më tepër. Vetëm 3- mujorin e fundit janë referuar 351 raste  ose 46% më shumë se periudha e mëparshme ku, 255 vepra i përkasin “Organizimit të llotarive të palejuara” si rezultat i realizimit të operacionit “Fund Marrëzisë”, gjatë të cilit u sekuestruan 1541 makineri e lojra fati, 86 njësi kompjuterike, 293 televizorë dhe u proceduan penalisht 253 autorë.

 

Krimi kundër jetës

Rihapen 117 dosje të ngjarjeve të vjetra, nga 33 vrasje janë zbuluar 26

Për vitin 2013 Policia e Tiranës ka hapur 117 ngjarje të vjetra, duke nisur nga puna për dokumentimin dhe zbardhjen e punës. Ndërsa nga 33 vrasje rezultojnë 26 të zbuluara. Krimet ndaj jetës dhe lirisë së personit.  Janë evidentuar gjithsej 131 raste, zbuluar 108 ose 82%  e tyre, janë proceduar  131 autorë. Evidentohet se ka një reduktim prej 22 veprash penale krahasuar me vitin 2012. Gjatë vitit 2013 kanë ndodhur 33 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 26, ku në 3-mujorin e fundit kanë ndodhur vetëm 3 vrasje. Ulja e numrit të vrasjeve në 3 mujorin e fundit të vitit ka edhe shkak angazhimin maksimal të strukturave policore për parandalimit duke evidentuar e trajtuar me profesionalizëm çdo konflikt, apo mbajtur në kontroll personat me precedentë kriminal. Strukturat e hetimit të krimit kanë evidentuar 6852 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 5838, ose 85.2% e tyre, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 evidentohen 623 vepra penale më shumë tregues ky i evidentimit më të plotë të veprave penale. Nga Komisariatet e Policisë janë zhvilluar 36 operacione Policore. Në krimet ndaj pronës do të vlerësonim si një rezultat pozitiv reduktimin e numrit të vjedhjeve të automjeteve, banesave dhe lokaleve. E konkretisht gjatë vitit analizues janë evidentuar: Vjedhje të automjeteve kanë ndodhur 289 raste, zbuluar 103 ose 35.6% e tyre. Krahasuar me vitin 2012 evidentohen 30 raste më pak dhe rritje të forcës zbuluese me 9.3% ; Vjedhje banesash kanë ndodhur 404 raste, zbuluar 202 ose 50%. Evidentohet reduktim me 47 vepra më pak se viti 2012 ; Vjedhje lokalesh kanë ndodhur 251 raste, zbuluar 101 ose 40.2%. Evidentohet reduktim me 159 vepra ose 62% e tyre.

 

Ministri Tahiri

“Në 4 muaj nuk mund të zhbëhet potenciali kriminal”

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagon në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale dhe mbron punën e policisë. Sipas tij policia në 4 muaj nuk mund të zhbëjë atë potencial kriminal dhe pas degradimit në 23 vjet sidomos këto 8 vitet e fundit. “Nuk mendoj që ju prisni që në 4 muaj policia e shtetit të zhbëjë potencialin kriminal që është krijuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe policia e shtetit të bëjë gjithçka e të rimarrë veten pas degratimit në 23 vjet dhe sidomos në këto 8 vitet e fundit. Jemi të vendosur të vazhdojmë luftën kundër korrupsionit e krimit. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes së policisë për të luftuar kriminalitetin në vend”, – tha Tahiri pas përfundimit të analizës vjetore të policisë së Tiranë e cila u zhvillua sot paradite. Vetëm para pak ditësh, kanë ndodhur dy vrasje: Më 16 janar 2014 u ekzekutua në pritë Astrit Gjepali dhe kunati i tij Halil Fici, ndërkohë që mbrëmjen e 17 janarit 2014 u ekzekutua në Tiranë Hasan Talja. Për ministrin Tahiri këto vrasje kanë motiv “larje hesapesh”  .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency