Pelegrinazhi i zotit Rama në linjën nga Prizreni në Beograd!!!

0
119

Dr. Enver Bytyçi*

 

enver-bytyci-6451358375438Njoftimi i së mërkurës së kaluar nga ana e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mrkiç, se Kryeministri shqiptar, Edi Rama, muajin e ardhshëm do të vizitojë Beogradin dhe se në këtë takim do të flitet për Kosovën, ka tërhequr vëmendjen e qarqeve të shumta shqiptare e antishqiptare, të ekspertizës e të vetë publikut. Kjo ndodh jo thjesht për faktin se pas vizitës së diktatorit Hoxha të nëntorit 1946, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi. Më së shumti për faktin se Mrkiç u shfaq i entuziazmuar se në takimet e Ramës me krerët më të lartë të shtetit të Serbisë do të flitet për Kosovën. Pikërisht kjo pjesë e axhendës “Rama” në Beograd sjell në vëmendje frikën se ai do të pajtohet me kërkesën e udhëheqësve serbë të së shkuarës e të së sotmes për “një zgjidhje të konfliktit shqiptaro – serb midis Tiranës dhe Beogradit”. Nuk po ndalem në fenomenin e trishtë, që ne shqiptarët vizitat dhe axhendat e kryeministrit tonë i marrim vesh gjithnjë nga të huajt, në rastin konkret nga ministri i Jashtëm i Serbisë.

Para dy vitesh, në një konferencë për shtyp në Bruksel, ish-presidenti i Serbisë dhe kumbari i marrëveshjes midis Ramës dhe Metës nënshkruar në pranverë në Shkodër, pra Boris Tadiç, kërkoi që “konflikti shqiptaro-serb të zgjidhej në bisedime të drejtpërdrejta Tiranë – Beograd”. Atëbotë, Kryeministri i vendit, Berisha, në përgjigje të kërkesës së Tadiçit refuzoi kategorikisht implikimin e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Madje, një vizitë e përfolur e Tadiçit në Tiranë, me sa duket, për këtë shkak u anulua dhe nuk u bë kurrë, derisa ai erdhi në Shkodër si anëtar i Internacionales Socialiste për të celebruar martesën Rama-Meta. Kjo lidhje e përfolur si e ngjashme me atë të Miladin Popoviçit e Velijmir Stojniçit me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen në emër të Internacionales Komuniste është shkaku kryesor që e bën të dyshimtë edhe vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd.

Në të vërtetë, është e duhet të jetë praktikë normale në marrëdhënieve midis shteteve vizita e ndërsjellë e autoriteteve shtetërore, sepse përmes kontakteve të tilla rritet interesi i palëve për bashkëpunim, aq më tepër në kushtet e një rajoni, i cili synon të mbërrijë përmes integrimeve lokale në dyert e kontinentit evropian, por a është në interesin strategjik të Shqipërisë dhe të Kosovës që kreu i ekzekutivit shqiptar, cilido qoftë ai, të bisedojë për Kosovën në Beograd? Zoti Rama dhe zoti Thaçi sapo nënshkruan një dokument të përbashkët për bashkëpunimin strategjik midis të dy vendeve dhe më duhet të besoj se të dy kanë idenë dhe perceptimin e nevojshëm të interesave strategjike të shqiptarëve. Së paku teorikisht ata u kanë thënë shqiptarëve se këto interesa strategjike kanë aftësinë t´i bëjnë legjitime nga pikëpamja juridike përmes marrëveshjes në fjalë. Ndërkaq, në praktikë, angazhimi i zotit Rama në Beograd për Kosovën rezulton si një mision Sizifi, por me një ndryshim, gurin që të tjerët kanë mundur ta ngjisin në majën e kodrës, do ta rrokullisë poshtë këmbëve të shqiptarëve ai që as nga pikëpamja formale nuk ka bërë më të voglin mundim në këtë ngjitje të çështjes së Kosovës e të çështjes shqiptare në rrugën e mundimshme të vetëvendosjes.

Në analizën e kohës për propozimin e Presidentit serb, Tadiç, për lidhjen e drejtpërdrejtë Tiranë – Beograd të zgjidhjes së konfliktit, kisha argumentuar se nëse qeveria shqiptare do të pranonte këtë propozim, atëherë do të kishim disa pasoja shumë të rënda për çështjen ende në rrugëzgjidhje të shqiptarëve.

Së pari, bisedimet midis Shqipërisë dhe Serbisë do të mundësonin automatikisht që zgjidhja të jetë në favor të serbëve. Kjo, sepse në tryezën e bisedimeve do të vihej opsioni i ndarjes së Kosovës. E sido që Kosova të ndahet, përfituesi i vetëm është Beogradi, ndërkohë që humbësit e mëdhenj janë shqiptarët. Ky argument është përforcuar në rrjedhën e zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë konkretizuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe disa marrëveshjeve të tjera. Ndonëse gjatë kësaj kohe pala serbe teorikisht iu është përgjigjur kërkesave të Brukselit për nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, praktikisht ka vepruar në drejtimin e kundërt, duke krijuar idenë e statukuosë së konfliktit, ose të konfliktit permanent në veri të Kosovës, me qëllim lodhjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndarjen e saj.

Agjencia Austriake e Lajmeve me 21 shtator 2012 njoftonte për një deklaratë të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë asokohe askush nuk u shqetësua, e askush nuk pyeti nëse kjo ishte një ide, një perceptim apo një përpjekje e Beogradit për të realizuar këtë ndarje. Në atë lajm u njoftua se shefi i ekzekutivit të Serbisë ishte i bindur që ndarjen e Kosovës do ta pranonte edhe Prishtina. Këtë pjesë po e riprodhoj fjalë për fjalë të shprehur në gjuhën gjermane për ata që mund ta kuptojnë ose duan ta përkthejnë (Er sei sicher, dass dies von Kosovo-Albanern in Pristina (Prishtina) akzeptiert ëürde, sagte der sozialistische Politiker). Pikërisht kjo deklaratë e Kryeministrit aktual të Serbisë, i cili do të jetë mikpritësi i Kryeministrit shqiptar, Rama, më bën të arsyetoj se diskutimi për Kosovën midis dy homologëve do të jetë në funksion të idesë fikse të udhëheqësve të Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Cili do të ishte kompromisi, cili do të ishte shpërblimi, kush do të fitonte e kush do të humbiste, të gjitha këto janë objekt i një analize të pasojës së bisedimeve Rama – Daçiç për Kosovën.

I njohur është fakti se Kryeministri shqiptar më së paku është krejt i paditur sa u përket njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve që ai mban e duhet të mbajë ndaj kësaj çështjeje themelore për shqiptarët. Që zoti Rama ka njohuritë minimale sa i përket konfliktit shqiptaro-serb dhe qoftë edhe për këtë arsye do të bëhej viktimë e Beogradit, kjo nuk ka nevojë të dokumentohet, pasi opinioni publik është i njohur me gafat e tij në këtë fushë. Por dyshimi nuk ka pse të mos shkojë përtej këtij konstatimi. Trashëgimia e zotit Rama dhe partisë së tij sa u përket lidhjeve me Beogradin është e hidhur dhe besohet që kjo trashëgimi shihet si nostalgji e brezit të sotëm të Partisë së Punës, shto këtu Partisë Socialiste, për lidhjet e hershme midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, aq sa ka mundësi që zotit Rama kur të shkelë në Beograd, t´i përfytyrohet vizita e diktatorit e para 66 viteve si dhe përulësia e tij para Titos.

Përulësia në marrëdhëniet me fqinjët e me fuqitë e tjera e politikanëve socialistë është një traditë e trashëguar, gjithashtu për shkak të nevojës për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Ky tipar dallues e ndërlikon axhendën e bisedimeve për Kosovën të Kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq, bisedimet për marrëdhëniet dypalëshe, edhe nëse ato do të jenë në favor të Beogradit, nuk e dëmtojnë aq shumë interesin jetik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse në demokraci ka shumë mundësi korrigjimi e reflektimi.

Së dyti, bisedimet për Kosovën në Beograd me një prirje të dukshme e të qartë lëshimesh në dëm të interesave tona strategjike do të zhvleftësonin të gjithë investimin e faktorit shqiptar e të atij ndërkombëtar për implementimin dhe ndërtimin e shtetit më të ri në Evropë. Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran do të zhgënjeheshin nga një pabesi e tillë e Kryeministrit shqiptar. Askush në Shqipëri, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë e të gjithë ata shqiptarë që sadopak kanë bërë sakrifica për lirinë e Kosovës, nuk do të pajtohej me mohimin e këtyre sakrificave. Donatorët dhe taksapaguesit e vendeve anëtare të NATO-s ose të BE-së, të cilët kanë dhënë kontribute në vetëvendosjen e shtetndërtimin e Kosovës do të ishin gjithashtu të zhgënjyer nga një sjellje e tillë e premierit të ekzekutivit shqiptar.

Ndërkohë, një përpjekje e Ramës për t´u marrë në Beograd me Kosovën do ta kthente procesin e zhvilluar në mbi 20 vitet e fundit në zero dhe kjo do t´u kushtonte shqiptarëve dhe lirisë së tyre aq shumë, pa kurrfarë mundësie rikuperimi dhe riciklimi të rikthimit në normalitetin e sotëm. Edhe nëse thjesht do të bisedohej për Kosovën, pa premtuar asgjë e pa marrë asnjë vendim, Serbia do ta përdorte këtë si kartë në diplomacinë ofensive të saj për të paralizuar mundësinë e njohjeve të reja të Kosovës nga vendet e shumta, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Të pesë shtetet evropiane do të gjenin një casus belli për të kundërshtuar presionin e Brukselit për njohjen e Kosovës. Ky do të ishte shërbimi më i keq që Kryeministri i Shqipërisë do t´i bënte çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjegjësi gjatë kësaj vizite. Serbia është e interesuar që Kryeministri Rama të pranojë thjesht të diskutojë për Kosovën, duke këmbëngulur në një argument që si rastësisht e solli Mustafa Nano në një botim të tijin online, sipas të cilit “kur Berisha thotë “Kosova e pavarur ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar”, kërkon për të ulur kështu profilin e Tiranës zyrtare në adresimin e interesave shqiptare, por edhe Shqipëria ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet kombëtar, përveçse shtetëror”.

Së treti, një trajtim i problemeve të Kosovës midis Ramës dhe Daçiçit do të zhvleftësojë institucionet e Kosovës, udhëheqësit e saj politikë dhe do të shkaktojë një përçarje të re midis shqiptarëve të elitës politike dhe intelektuale. Zoti Rama edhe në këtë rast mund të ketë mbështetjen e Rexhep Qoses ose Adem Demaçit, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë mbështetjen e institucioneve të Kosovës. Por edhe nëse ai do ta ketë mbështetjen e Kryeministrit Thaçi, siç e përmend Daçiç para 17 muajve, me siguri se do të hasë në rezistencën e të gjitha subjekteve të tjera politike në Kosovë, përfshirë edhe AKR-në e Pacollit, për rolin e Mimoza Kusarit në këtë parti.

Ndërkaq, në Shqipëri zoti Rama gjen dhe do të gjejë mbështetjen e qarqeve të caktuara në qëllimet dhe axhendën e vizitës së tij në Beograd. Analisti Nano e inkurajon zotin Rama në misionin e tij, jo për adresimin, por për çmontimin e interesave shqiptare. Po të kësaj kategorie janë gjithashtu disa prej lobeve proserbe në elitën politike dhe intelektuale e gazetareske të Shqipërisë. Të mos harrojmë se kur Vasa Çubrilloviç hartoi në marsin e vitit 1936 memorandumin e shfarosjes së shqiptarëve në Kosovë, rekomandonte që për ta bërë Tiranën të heshtë duhet hedhur një sasi e caktuar parash. Një formulë e tillë nuk ka pse të përjashtohet edhe në kushtet e sotme, aq më tepër se në Beograd ekziston prej 140 vitesh një shkollë e tillë veprimi në mënyrën më të përsosur të mundshme.

Prej kohës, kur Tadiç dhe Daçiç kanë lëshuar tezën e ndarjes së Kosovës, ka rrjedhur shumë ujë nën urën e lumit Ibër. Është nënshkruar më 19 prill të vitit të kaluar një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve në konflikt. Në Kosovë janë bërë formalisht zgjedhjet lokale të certifikuara edhe për Veriun e vendit. Dhe në Prizren u mblodhën më në fund të dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë e kryesuar nga Edi Rama dhe ajo e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi. Mbledhja e para një jave në Prizren ishte e para e këtij lloji, por shumica e analistëve e portretizuan atë si një show mediatik, ashtu siç rezulton të jetë marrëveshja e 19 prillit 2013 midis Daçiçit e Thaçit si dhe zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës. Edhe vizita e zotit Rama në Beograd është e para vizitë e një kryeministri shqiptar në më shumë se 60 vite. Ndoshta edhe kjo vizitë do të konsiderohet si “historike”, për shkak të risisë, siç qe mbledhja e Prizrenit, apo për shkak të vendimeve që do të merren, kjo mbetet të shihet. Por një gjë është e sigurt, asnjë diskutim, asnjë vendim, asnjë marrëveshje midis Tiranës dhe Beogradit, sa i përket Kosovës, nuk sjell dobi për shqiptarët. Historikja mund të shpjegohet vetëm me dëmet që do të mund të sjellë diskutimi i kësaj çështjeje në Beograd.

Show mediatik, mashtrimi i publikut, ngjyrat e akteve të tilla u janë shitur shqiptarëve shpeshherë si pjesë e përpjekjeve titanike të qeverisë së Kosovës dhe së fundi të qeverisë së “rilindjes shqiptare” në interes të kombit shqiptar. Deri të mërkurën e kaluar patëm përshtypjen se Rama me mbledhjen e Prizrenit kishte interes të tijin jetik të amortizonte akumulimin antipatriotik të tij në rastin e ndërtimit të Rrugës së Kombit, një vepër strategjike kjo, e cila flet një milion herë më shumë sesa një letër e mbushur me bojën e një marrëveshjeje strategjike, e cila u nënshkrua nga të dy kryeministrat e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Menduam se Thaçi ishte i interesuar që të rikuperonte kapitalin politik, për shkak të dështimit të tij në bisedimet me Beogradin.

Por zbulimi që vjen nga Beogradi për axhendën e vizitës së zotit Rama në Serbi na bën të dyshojmë edhe më shumë në atë çfarë ndodhi me mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren. Dyshimin na e kishte mëkuar edhe heshtja e medias e institucioneve të Serbisë, ndërkohë që ato nuk lanë rast pa reaguar ndaj një deklarate kundër fobisë ndaj shqiptarëve të ish-kryeministrit Berisha në nëntorin e vitit 2012. Tani, nëse temë diskutimi do të jetë Kosova në Beograd, është e sigurt se mbledhja e dy qeverive në Prizren ishte një lojë politike në prapaskenë për t´i dhënë zotit Rama kapitalin politik të nevojshëm dhe për ta përforcuar atë “në patriotizmin e tij” në marrëdhënien e re me Beogradin. Se cili është roli i zotit Thaçi në këtë pingpong politik, koha do të mund ta sqarojë. Vetëm një gjë është e njohur: Ish-kryeministri i ndjerë i Serbisë, Zoran Xinxhiç, kishte shprehur në vitin 2002 dëshirën e tij që ndarjen e Kosovës ta realizonte me zotin Thaçi e jo me zotin Rugova. Ndërkaq zoti Tadiç, duket se ka marrë dakordësinë e Thaçit në rekrutimin për Kosovën që do t´i bëjë zotit Rama. Peligrinazhi i Prizrenit po transferohet në Beograd dhe ka mundësi të vijojë më pas në Tiranë. Prishtina zyrtare do të detyrohet në këtë rast të bëjë rolin e sehirxhiut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency