Banda e lirisë, si u themelua nga bejlerët e Korçës

0

Nga Vepror Hasani
BANDA E LIRISEPër “Bandën e Lirisë” së Korçës është shkruar pak, por edhe në ato raste kur është shkruar kanë mbetur të papërmendur emrat e themeluesve të vërtetë të kësaj bande. Pse ka ndodhur kështu është e vështirë të thuhet, ndoshta artikullshkruesit nuk kanë pasur informacionin e nevojshëm, por, çuditërisht, e vërteta është se të papërmendur kanë mbetur vetëm emrat e bejlerëve të Korçës, pikërisht ata që ishin iniciatorët e krijimit të këtij formacioni të famshëm muzikor dhe që mundën t’i jepnin jetë. Gjatë periudhës së diktaturës, emrat e tyre nuk u përmendën kurrë, sepse Enver Hoxha i kishte frikë familjet e mëdha, dhe ishte kjo arsyeja që këto familje përfunduan ose në burgje, ose përpara togave të pushkatimit. Për pasojë, emrat e tyre, sa herë që gjendeshim si protagonistë në ngjarje të mëdha, zëvendësoheshin me personazhe të tjerë të dorës së dytë. Megjithatë, edhe në ditët e sotme vihet re se ende ka shkrues që nisen të thonë të vërtetat e pathëna, por fatkeqësisht mbeten në mes të rrugës sapo shohin se po u dalin përpara emra bejlerësh. Arsyeja është një edhe e vetme: këta lloj shkruesish ndihen inferiorë përpara emrave të tillë. Për këtë arsye, ne vendosëm të shkruajmë për ato të vërteta që nuk janë thënë deri më sot dhe për ata njerëz që janë lënë në harresë…

Loading...

 “BANDA E LIRISË”
“Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Iniciatorët për themelimin e saj u bënë anëtarët e klubit “Dituria Shqip” në Korçë, fakt që është përmendur edhe nga autorë të tjerë dhe është i gjithëpranuar, por për lexuesin e gjerë asnjëherë nuk janë vënë në dukje kush janë anëtarët e këtij klubi. Mospërmendja duket e çuditshme, sepse aty janë themeluesit e “Bandës së Lirisë” dhe askund tjetër. Atëherë, përse nuk thuhen? Përse kërkohet në qiell, kur ata janë në tokë? Përse tentohet zëvendësimi i tyre me emra të tjerë? Dhe mbi të gjitha, personazhet që i sjellin si risi, a janë emra të verifikuar, pasi shkrime të tilla ngjasojnë më së shumti me stisje që kanë për qëllim vetëm një gjë: fshehjen e së vërtetës, metodologji kjo e mësuar nga koha e diktaturës, ndaj edhe po të falsifikosh duket sikur nuk ke bërë ndonjë mëkat. Nuk po zgjatemi më shumë në këtë pikë. Ja kush janë anëtarët e klubit “Dituria Shqip”, të cilët pa asnjë dyshim janë edhe nismëtarët e themelimit të “Bandës së Lirisë”: “Kryetar nderi i këtij klubi është Ymer bej, ( sigurisht që bëhet fjalë për Ymer bej Zavalanin një nga patriotët më të vjetër të qarkut Korçë, shënimi ynë), Kryetar, Orhan bej Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi, ndërsa pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail Bej Leskoviku dhe Tefik Efendi.(Është fjala për Tefik Panaritin, njëri nga firmëtarët e krahinës autonome të Korçës). (Gazeta “Korça”, 26, vjesht’ e III 1909).

AGJENTËT E ATHINËS

Të krijoje një formacion të tillë muzikor që t’i shërbente çështjes kombëtare nuk ishte e lehtë. Fill pas krijimit të “Bandës së Lirisë” u pikas se agjentët e Athinës dhe kleri ortodoks grek në Korçë nisi të lëvizte i shqetësuar. Krijimi i bandës ishte për ta si një rrufe në qiell të hapur që po binte papritur mbi kokat e tyre. Më zi nuk kishte si nxihej; më keq s’kish si të bëhej; më dëshpërueshëm nuk kish si të ndiheshin. Më të humbur se kurrë më parë nuk e kishin parë ndonjëherë veten. “Banda e Lirisë” ishte oguri më i keq për ta, një varr i hapur. Do të këndohej shqip. Zgjimi i ndjenjave kombëtare do të merrte një dimension tjetër. Fuqia e magjishme e këngës do të gjente rrugën për të hyrë në shpirtrat e njerëzve. Dhe kjo nuk ishte pak. Për agjentët e Athinës dhe klerin grek në Korçë do të thoshte vdekje. Planet e vjetra të Greqisë për rrëmbimin e Korçës do të përfundonin si një vrimë në ujë. E në këtë vrimë uji duhej të mbyteshin të gjithë ata që kishin ëndërruar për të ashtuquajturën “megalidhe”. Kjo ishte dhe arsyeja pse shqetësimi mes radhëve të tyre nisi të rritej. U duhej të gjenin një rrugëdalje për të dalë nga hendeku ku kishin rënë. Vendosën që edhe ata të ngrinin shoqëri muzikore; jo një por disa, që të përcillnin mesazhin se Korça ishte Greqi, se ky qytet nuk kishte për të dalë kurrë nga “kthetrat” e tyre. Do të bënin çdo përpjeke që rreth këngës greke të mblidhnin gjithë gjyhnaqarët që do të mashtroheshin. Humbjen nuk do ta pranonin dot kurrë. E jo vetëm kaq: do të bënin të gjitha përpjekjet për sabotimin e “Bandës së Lirisë”. A do të mundeshin? Orhan bej Pojani dhe miq të tij, qëndronin si shkëmb i frikshëm në mbrojtjen e “Bandës së Lirisë”.

“BANDA E LIRISË”, ËNDËRR PËR BASHKIM

Dhe një gjë ishte e sigurtë: pavarësisht nga përpjekjet e agjentëve dhe klerit grek, krijimi i “Bandës së Lirisë” dhe përparimi i saj nuk mund të ndalej më; ajo duhej të rronte gjatë edhe për arsyet e përmendura më sipër. “Banda e Lirisë” kishte qenë gjithnjë një ëndërr e dëshiruar prej kohësh, por krijimi i klubeve dhe shoqërive të tilla deri para 10 korrikut të vitit 1908 kishte qenë i pamundur. Me shpalljen e konstitucionit, siç u quajt atëherë kushtetuta e re e xhonturqve, nisi dhe lëvizja për të realizuar ëndrrën e madhe, ndaj edhe u quajt “Banda e Lirisë”. Lirinë që po u jepej, dëshironin ta shfrytëzonin në të mirë të atdheut e të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, dhe t’u tregonin grekomanëve se nuk ishin grekë por shqiptarë të mashtruar e duhej që të ishin që të gjithë bashkë. Ndaj dhe në rregulloren e shoqërisë muzikore “Banda e Lirisë” në nyjën 1 të saj sanksiononte: “Qëllimi i kësaj shoqërie do të jetë të punojë me bashkim për të përhapur dhe të mbrodhësuar mësimin të muzikës, të gjimnastikës dhe të valles në mes të shokëvet (të) shoqërisë”. Vini re: “Do punojë me bashkim”, theksohej në nyjën 1 të rregullores; ky ishte misioni i vërtetë i saj. Madje synimi i tyre shkonte edhe më larg se kaq. Dëshironin shumë që “Banda e Lirisë” së Korçës të bëhej “Banda e Lirisë e gjithë Shqiptarëve”. Madje ishte kjo arsyeja që “Dituria Shqip” zgjodhi si kryesonjës të kësaj bande një nga patriotët më të nderuar të Korçës, Pandeli Calen, me qëllimin e vetëm që rreth kësaj bande të afroheshin edhe ortodoksët. Koha do të tregonte se drejtuesit e “Diturisë Shqip” ishin njerëzit e duhur për realizimin e këtij misioni të madh. Ata mundën t’i afronin njerëzit njëri me tjetrin. Madje edhe shoqëria e djemve të Korçës, “Vëllazeria” e krijuar në prill të vitit 1909 pati kujdesin e shoqërisë “Dituria Shqip”. Sipas gazetës “Lidhja orthodhokse” 17 gusht 1909: “Banda e Lirisë” bashkë me shoqërinë e gjimnastikës “Vëllazëria” u mbajtnë në shtëpit të re të z Terpo” (mësonjtorja shqipe). Veç dy shoqërive të mësipërme, (“Bandës së Lirisë” dhe “Vëllazërimi”), Mitropolia e Korçës mbante qëndrim të ftohtë edhe ndaj “Klubit të Shqiptarëve”, pasi ajo parapëlqente që besimtarët e saj ta konsideronin veten grekë, sipas përallës së vjetër se çdo ortodoks i kësaj bote ishte edhe grek në të njëjtën kohë

VËLLEZËRIT POJANI

Liria e Shqipërisë dhe bashkimi i shqiptarëve kishte qenë ëndrra e madhe e vëllezërve Pojani. Gjithë jetën e tyre e sakrifikuan për Shqipërinë. Ja çfarë shkruan Ilo Mitkë Qafëzezi për vëllezërit Pojani dhe miqtë e tyre: “Kryeveteranët e Korçës, të shqipes, varrlulëzuari Orhan bej Pojani, Thimi Marko dhe Mahmud bej Pojani mblidheshin rregullisht në shtëpi të Papa Llambro Bullamaçit, (prift vllah, i vrarë nga andartët grekë më 1914) dhe të ndenjur rrotull zjarrit të votrës qanin hallet duke gatuar plane për mbarëvajtjen e shkollës kombëtare dhe për mënyrat e fshehta se si duheshin prurë sigurtë nga Bukureshti librat shqipe të Naimit, Vretos dhe Samiut që shtypeshin në kryeqytetin e Rumanisë” (“Gazeta e Korçës”, 11 mars 1932). Ndërsa më poshtë Qafëzezi tregon se si ata këndonin këngë të tilla, ku disa vargje prej atyre këngëve kanë mbërritur deri në ditët e sotme: “Gjer kur ky karkalec i huaj/, gjer kur ky tiran, ky barbar/, do na shkelë zverkut as thuaj…/ Gjer kur do të na kllasë të gjallë në varr…”. Madje ishte serish Orhan bej Pojani ai që do të themelonte edhe klubin “Përparimi” për të ndihmuar mbarëvajtjen dhe hapjen e shkollave të reja shqip kudo që kishte nevojë në Shqipëri. Lajmi njoftohej nga gazeta “Korça”, vjesht’ e I-rë 1909: “Pardje u zgjodh pleqësia “Përparimi”. Kryetar u vu zoti Orhan Pojani, nënkryetar zoti S. Karoli, këshillonjës z. Behar Hafëz Ali, Sami Pojani, shkronjës Mihallaq Gramenoja. Shpresojmë se kjo pleqësi do të vështronjë këtë detyrë të vjejtur” (të vlerë).

SHOQËRIA E MËSONJËTOREVE SHQIP

E megjithatë, para se të flasim më konkretisht për aktivitetin konkret të “Bandës së Lirisë” na duhet të themi edhe diçka më shumë për rolin e Orhan bej Pojanit. I dëshiruar të ndihmojë shkollën shqipe me gjithë sa mundej, pas Kongresit të Elbasanit ai ridimensinon edhe një herë shoqërinë “Përparmi”. Plqësia e kësaj shoqërie jep këtë njoftim te gazeta “Lidhja Ortodokse”: “Me anë të kësaj (gazete) marrim nderë t’u lajmërojmë se pas vendimit të Kongresit të Përgjithshëm të Elbasanit, u fillua këtu në Korçë Shoqëria e Mësonjëtoreve Shqipe (Përparimi), e cila ka për qëllim pikë së pari të përmbanjë (mirëmbajë) mësonjëtoren për mësues (Ecole Normale në Elbasan, që u hap këtë vjeshtë), edhe veç kësaj do të përkujdeset q’i të hapnjë mësonjëtore shqip ku ta dojë nevoja në Shqipëri edhe t’u ndinjë atyre që kanë hapur, po (nëse) s’ mundin të mbahen plotësisht. Po për të mbaruar këtë qëllim kaq të nevojshëm dhe të fismë, e ditur është se do mundim të mbarojmë vetëm dyke patur ndihmëm e bashkët të çdo klubi, shoqërie dhe çdo atdhetari që dëshiron përparimnë, qytetërimin dhe lulëzimin të kombit shqiptar…” Ndërsa në vijim të këtij njoftimi thuhet: “… dyke ndier këto nevoja që thamë më sipër, u fillua kjo shoqëri me emrin “Përparim” e cila do të njihet si ark’ e përgjithshme ku do të mblidhen të hollat e së këtejmi do të përhapen ku ta dojë nevoja për Mësonjëtoret Shqip. Pas vendimit të Kongresit të Elbasanit kjo shoqëri do të përpiqet të njihet zyrtarisht (pronë morale et juritique) nga mbledhja e Kombit. Pleqësia e Shoqërisë është kjo: Kryesonjës, Orhan Bej Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi, shkronjës Mihallaq Grameno, nënkryetar Stavri Karoli. Këshillonjës: Belul Efendiu, Hafëz Ali, Sami bej Pojani. Shoqëria e Mësonjëtoreve Shqip “Përparim”, Korçë, 18 vjesht e III 1909
(Botuar te “Lidhja Ortodokse” më16 shënëndre (dhjetor) 1909)


Loading...