Shkarkimi i Alegrit Berluskoni thërret Sedorfin: Nuk mund të lija në baltë Milanin

0
141

 Milani tashmë nis kapitullin e ri dhe në krye të stolit do të vijë holandezi Sedorf

 Krespo dhe Jap Stam mendohet të jenë dy ndihmësit e stafit të ri, që do të ndihmojnë skuadrën

 

sedorfProbleme të shumta për Milanin, por duket se një rreze drite ka dalë në pah dhe e ka emrin Sedorf. Holandezi është zgjedhur nga klubi milanist për të qenë trajner i ekipit. Epoka e Alegrit kishte shfaqur probleme në këtë fillim sezoni. Ndeshja e fundit ndaj Sasuolos ishte dhe ajo që e mbushi kupën dhe i dha fund aventurës së italianit në krye të “djajve”. Trajneri, së bashku me stafin e tij teknik, u shkarkuan nga klubi kuqezi, i cili njoftoi për verdiktin nëpërmjet një komunikate zyrtare në uebsajtin e klubit, ku thuhej gjithashtu se skuadra do t’i besohej përkohësisht zëvendëstrajnerit Mauro Tasoti. Inzagi dhe Sedorf ishin dy zgjedhjet më të aluduara, por me sa duket holandezi është i zgjedhuri për këtë detyrë. Tashmë mesfushori do të detyrohet që të prishë kontratën me klubin e Botafogos dhe të rikthehet në San Siro. Problemet e skuadrës janë të mëdha dhe sigurisht që do të duhet shumë punë. Njëherë në planin moral skuadra duhet të marrë një motivim të ri, pasi skuadra nuk ka mungesë për sa i përket cilësisë së lojtarëve. Duhen bërë edhe disa përmirësime të vogla në repartin e mbrojtjes dhe të mesfushës për ta risjelllë skuadrën në nivelet e duhura. Keisuke Honda do të jetë edhe ushtari që i ri që mendohet t’i japë forcë skuadrës së Sedorfit. Në fakt, Tasoti, ndihmësi i Alegrit prej shumë vitesh, do të drejtojë ekipin vetëm në ndeshjen e mesjavës kundër Specias për Kupën e Italisë, pasi është bërë tashmë zyrtare edhe alternativa për stolin kuqezi. Klarens Sedorf do të rikthehet në Milano, duke nisur nga e mërkura dhe për holandezin është gati një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë, për të marrë drejtimin e Milanit. Janë mësuar gjithashtu edhe disa lëvizje në stafin teknik të së ardhmes. Tasoti besohet se do të vazhdojë të mbetet pjesë e skuadrës nga Milanoja, pasi ka një kontratë jo të lidhur me fatet e trajnerëve të tjerë. Raportohet se në stafin e tij do të jenë edhe Hernan Krespo dhe Jap Stam, dy ish-futbollistë të Milanit, njëri për të kontribuuar në trajnimin e sulmuesve, kurse tjetri me repartin e mbrojtjes. Ndërsa Valerio Fiori, deri para pak kohësh portier i tretë i Milanit, do të stërvisë portierët. Kështu, Milani pritet që të jetë një skuadër e re, që do të duhet të ndryshojë kurs. Vetë Sedorf deklaroi për mediat italiane: “Lë futbollin pas 22 vitesh. Në Botafogo jam rritur shumë. Hapi im i radhës do të jetë të jem trajner i Milanit. Kur presidenti Berluskoni më telefonoi dje, nuk munda t’i thosha jo”. Gjithashtu, ai u shpreh edhe për aventurën e re me pak fjalë. “Sot nuk do të them asgjë për Milanin. Është një sfidë e re, por jam i qetë. Nuk kam dëshirë që të flas sot. Asnjë detaj as për stafin që do të më ndihmojë në klubin kuqezi”, – u shpreh tekniku i ri.

 

Platini: FIFA i ka dhënë drejtim negativ Topit të Artë

Legjenda franceze Platini e pranon se Ronaldo ishte një fitues i denjë, ai beson se dështimi i Riberisë për t’u shpallur fitues i këtij trofeu, pasi udhëhoqi Bajern Mynih drejt një “triplete” historike në vitin 2013, provon edhe një herë se sukseset me ekipin nuk po merren më në konsideratë, kur hidhen votat për këtë çmim. “Ronaldo është një fitues i denjë për Topin e Artë, por jam shumë i zhgënjyer dhe ndiej keqardhje për Frank Riberinë”, – tha ai për “L’Equipe. “E them seriozisht, vitin tjetër apo pas dy vitesh, ky çmim do të fitohet sërish nga Mesi apo Ronaldo. Për 50 vjet, mendoj se Topi i Artë merrte në konsideratë rezultatet dhe trofetë, ndërsa tashmë duket se po lihen pas dore. Mendoj se nëse Frank nuk arriti ta fitonte këtë çmim personal gjatë një viti, kur ai fitoi të gjithë titujt e mundshëm, atëherë ky është një problem, ashtu siç ishte një problem edhe për lojtarët e kombëtares së Spanjës në vitin 2010. Ka diçka që ka ndryshuar Topin e Artë, që kur e drejta e këtij çmimi iu dha FIFA-s”, – u shpreh ish-lojtari juventin.

 

 

Polemika për topin e artë

Sa herë që flitet për Topin e Artë, nuk mungojnë as polemikat. Sipas të përditshmes katalanase “Sport”, trajneri i Bolivisë, Ksavier Azkargorta, dhe ai i Guinesë Ekuatoriale, Andoni Goikoeçea nuk kanë marrë pjesë në votim por emri i tyre figuron në listën e FIFA-s. Goikoetksea shprehet se votoi sipas radhës Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Andres Iniesta, por askund nuk e gjen të publikuar këtë, ndërsa drejtuesi i Bolivisë shton se votat e tij shkuan për Iniestën, Mesin dhe Kristiano Ronaldo. Denoncimi i gazetës vijon me trajnerin e Ishujve Fixhi, Huan Karlos Buzeti, i cili shprehet se votat e tij nuk janë pasqyruar sipas asaj që ai vendosi, ndërsa tekniku i Kuvajtit, Jorvan Vieira që ka votuar me 5 pikë Mesin, 3 Nejmar dhe një për Ronaldon. Ai shprehet se Nejmar nuk figuron në preferencat e tij dhe se në vend të brazilianit duhej të ishte suedezi Zllatan Ibrahimoviç. Edhe trajneri i Republikës Domenikane, Domingo Hernandez shprehet se vota e tij është deformuar sepse ai nuk votoi për Lionel Mesin, por për Ronaldon dhe pas tij renditi argjentinasin dhe francezin Riberi.

 

Frank Riberi: I lumtur, edhe pse nuk fitova

Frank Riberi, i cili doli i treti në votimin për Topin e Artë, është i kënaqur që më në fund debatet në lidhje me këtë çështje përfunduan. “Sigurisht që do të më kishte pëlqyer të fitoja, por nuk ka gjë. Ne lojtarët e Bajernit të Mynihut jemi krenarë që ishim të pranishëm në ceremoninë e Zyrihut. Jam i lumtur që gjithçka përfundoi”, – tha lojtari francez. Gjithashtu, Riberi shtoi se preferon të fitojë tituj me skuadrën dhe kombëtaren e tij, në vend të titujve individualë: “Dua të fitoj gjithçka me Bajernin dhe Botërorin me Francën”. Në ceremoninë gala të organizuar në Zyrih, Kristiano Ronaldo u kurorëzua si futbollisti më i mirë i 2013-ës, pas votimit të gazetarëve, të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare.

 

 

Zidan: Edhe Pogba mund ta fitojë Topin e Artë

Zëvendëstrajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidan, ka lënë të kuptohet se edhe “mbretërit” mund ta kërkojnë Pol Pogbanë, pas paraqitjeve mbresëlënëse me Juventusin. Paraqitjet e tij kanë joshur interesimin e shumë klubeve evropiane, ndërsa sipas legjendës Zidan, edhe galaktikët mund ta kërkojnë mesfushorin bardhezi. “Të gjithë e duan atë. Pas pak vitesh, Pogba do të jetë me siguri mes tre finalistëve. Ai është akoma i ri, por në të ardhmen mund ta fitojë Topin e Artë”. “Është një çmim i madh për një lojtar dhe ta ndryshon jetën. Unë e kam fituar në vitin 1998, në të njëjtin vit kur e fitova Kupën e Botës dhe do të thotë se ma ka ndryshuar jetën”, – ka theksuar 41-vjeçari për një nga mediat italiane.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency