Nga student në sipërmarrës

0
215

Që të themelojnë një sipërmarrje, këtë e përfytyrojnë vetëm pak studentë. Mbështetja e shkollave të larta për themelimin e sipërmarrjeve rrit ndjeshmërinë dhe ndihmon në rrugën për aktivitete të pavarura ekonomike.

 

shoaib Shoaib Burq mori pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Melburnit një vend të paguar mirë tek autoritetet australiane. Puna i jepte kënaqësi. Por megjithatë, 33-vjeçari australian e pati të qartë se nuk dëshironte të qëndronte deri në pension në atë vend pune. “Unë e dija si do të ecte puna atje dhe unë ndieja një shtysë prej sipërmarrësi”, – thotë Burq. Për të ishte fat që kushëriri i tij, Kashif Rasul, ndante me të jo vetëm pasionin e tij për harta, por edhe prirjen për t’u bërë sipërmarrës. Për të shkruar doktoraturën në matematikë, Rasuli u shpërngul që më 2003 në Berlin. Nuk është vend i keq për të ngritur një sipërmarrje të tipit start-up dhe inxhinieri i gjeologjisë Burq e ndoqi pas kushëririn e tij në vitin 2010.

Shpirt kaq të fortë sipërmarrësi si të dy australianët nuk kanë të gjithë, thotë Michael Liecke nga Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë. “Vetëm shtatë për qind e studentëve duan të themelojnë, pas përfundimit të studimeve, një sipërmarrje. Me këtë, në plan ndërkombëtar ne ndodhemi gati në vendin e fundit”.

Shumë më fort, shpirti i sipërmarrësit, sipas sondazheve, është i theksuar në vendet anglosaksone, por interesi për të qenë të pavarur në profesion po rritet edhe tek ata që ndjekin studimet e larta në Gjermani – jo së fundi për shkak të angazhimit të shkollave të larta. Shumë shkolla kanë themeluar vitet e fundit qendra për mbështetjen e sipërmarrjeve. Ato i ndihmojnë studentët që të gjejnë përgjigje për pyetje urgjente.

 

Femrat themelojnë më rrallë sipërmarrje

Pa mbështetjen që e morën nga Universiteti i Lirë i Berlinit, Kashif Rasuli dhe Shoaib Burq-u do ta kishin shumë më të vështirë që të themelonin sipërmarrjen e tyre start-up. “Shërbimi i posaçëm për themelimin e sipërmarrjeve na këshilloi për financimin dhe formën e sipërmarrjes, na vuri në dispozicion një zyrë dhe na ndihmoi ta bëjmë të njohur sipërmarrjen tonë start-up”. U krijua SpacialDB, një sipërmarrje që ofron ndërtimin dhe përkujdesjen për bankat e përparuara të të dhënave gjeologjike. Këto mund të jenë itinerare për persona handikapatë në karrige me rrota, por edhe harta për organizata ndihmëse, që angazhohen pas katastrofave natyrore në zona të caktuara.

Në Universitetin e Lirë të Berlinit ka shumë dëshira për të themeluar sipërmarrja nga degët e matematikës dhe të informatikës. Kjo ka të bëjë edhe me financat, shpjegon Stefen Terberl, i Shërbimit të Themelimit të Sipërmarrjeve të Universitetit. “Ai që mund ta vërë në jetë në internet idenë e tij, ka më pak nevojë për kapital fillestar se sa një kimist, i cili është i varur nga laboratori dhe materialet”. Në ata që themelojnë sipërmarrje në Universitetin e Berlinit ka shumë më tepër meshkuj se femra. Kjo është edhe situata e përgjithshme në Gjermani, sipas një studimi të Ministrisë Federale të Arsimit. Sipas këtij studimi, gratë i regjistrojnë deficitet e tyre më fort dhe kanë më tepër kënaqësi në përballjen me shanset dhe rreziqet.

Në shumë universitete ndërkohë ka kurse, në të cilat studentët mund të provojnë idetë e tyre të biznesit. Kjo ofertë flet për një ndryshim në ndërgjegjësim në Gjermani. dw.de

 

Makineritë marrin komandën

Sistemet kompjuterike të lidhura në rrjet, kjo prirje e madhe teknologjike shton prodhimin dhe ul kostot

Për shumë sipërmarrje industriale në Gjermani çështja SmartFactory është tashmë pjesë e rëndësishme e strategjisë së biznesit. Ky është rezultat i një studimi të PricewaterhouseCoopers (PwC). Në praktikë megjithatë vetëm një ndër pesë kompani përdor për drejtimin e proceseve të prodhimit dhe sisteme kompjuterike të lidhura në rrjet.

“Por gati gjysma e të anketuarve janë duke planifikuar futjen në përdorim të të ashtuquajturave Smart Factory”, – thotë Michael Rasch, ekspert i PwC-së në fushën e transformimit digjital në bisedë me DW. Një tjetër gjetje interesante e studimit ishte fakti se faza e realizimit të fabrikës së mençur zgjat më pak se një vit. Shumica e sipërmarrjeve mendonte se për këtë nevojitej një periudhë më të gjatë kohore.

 

Smart anything

Smart anything – lidhja në rrjet e gjithçkaje: në industrinë gjermane kjo prirje e madhe teknologjike ka kohë që ka hyrë, por ende nuk është mbizotëruese. Është e qartë se aty ku SmartFactory përdoret tashmë, mund të arrihen përmirësime të rëndësishme me rritjen e automatizimit.

Siegfried Russwurm, shef për industrinë pranë koncernit Siemens thotë se në uzinat elektronike të Siemensit në Amberg përmes lidhjes në rrjet të modeleve digjitale të prodhimit, prodhimi real ka mundur të katërfishohet. Po ashtu edhe kuota e gabimeve dhe e skarcove ka rënë në 12 gabime për një milionë produkte.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij lloji të ri prodhimi është edhe që koha mes zhvillimit të një produkt të ri dhe shfrytëzimit të tij prej konsumatorëve ulet në mënyrë drastike. “Ne kemi klientë të cilët përdorin këtë metodologji dhe të kursejnë me të deri në 50 për qind të kohës”, – sqaron Russwurm.

 

Proces optimal prodhimi

Firma Weidmüller nga Detmoldi është një kompani e mesme me aktivitet ndërkombëtar dhe ka rreth katër mijë e pesëqind të punësuar. Ajo ka të ardhura vjetore prej më shumë se 620 milionë euro. Që nga viti 2012 kjo firmë është e specializuar në fushën e lidhshmërisë industriale (industrial connectivity) për rrjetet e komunikimit.

Jan Michels, drejtues projekti pranë Weidmüller, sqaron se kjo firmë ka shpikur një makineri për optimizimin e procesit të prodhimit që të mos ketë luhatje gjatë procesit të prodhimit dhe parregullsi për shkak të materialit bazë apo të amortizimit të aparaturave. Teknologjia jonë reagon shpejt dhe është e sigurt, sqaron ai.

 

Investime që ia vlejnë

Investimi për makineri të mençura sjell me kohë edhe efektivitetin e shpenzimeve. Sigurisht duhet njëfarë kohe deri sa të arrihet amortizimi i investimit të bërë, por kjo arrihet shpejt, sqaron Jan Michels.

Suksese me përdorimin e teknologjisë 4.0 kanë pasur edhe sipërmarrja T-Systems, një filiale e Deutsche Telekom p.sh. me logjistikën në Portin e Hamburgut. Përmes përdorimit të teknologjive kompjuterike shpenzimet për menaxhimin e logjistikës në këtë port arritën të uleshin me rreth dhjetë për qind.

 

 

Mbrojtja e të dhënave dhe mungesa e standardeve

Problem qendror për industrinë 4.0 është mbrojtja e të dhënave dhe krijimi i standardeve të përgjithshme për lidhjen mes industrisë klasike dhe industrisë së informacionit. Thënë më thjeshtë përshtatjen e spinave dhe të prizave. Arritja e këtyre standardeve të përgjithshme prej të cilave pritet të ketë një ose dy në të gjithë botën është një shtyllë e rëndësishme për industrinë gjermane, sepse me të lidhen rreth 15 milionë vende pune.

Edhe pse sipas studimit të PricewaterhouseCoopers Gjermania nuk është shumë përpara në fushën e industrisë 4.0, menaxheri Siegfried Russwurm e të tjerë mendojnë se Gjermania është ndër vendet drejtuese në këtë fushë. Sipas Russwurm në Gjermani ka shumë fabrika pilot që po kthehen si të thuash në vende pelegrinazhi për shumë të interesuar për këtë teknologji nga vende të ndryshme të botës. Ai thotë se së fundi është ftuar për të mbajtur një referat për industrinë 4.0 nga Akademia e Inxhinierëve në Pekin dhe se është i bindur se Gjermania do të paraprijë në këtë fushë të teknologjisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency