Çmimet Pas naftës, cigareve dhe alkoolit, rritet edhe çmimi i biletave

0
125

ZMK paralajmëron protesta para Kryeministrisë, letër Haxhinastos

 Ndryshojnë dhe çmimet e aboneve, përfshirë ato të studentëve

 

urbanNga 30 lekë bileta për të udhëtuar me një urban do të shkojë 50 ose 70 lekë. Vendimi tashmë duket se ka marrë “OK”, si nga shoqëritë e transportit, por edhe nga qeveria, e cila duhet ta miratojë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Rritja e çmimit të biletës për urbanët do të sjellë dhe rritjen e çmimit të aboneve. Kështu, një abone e përgjithshme pritet të kushtojë 2400 lekë, abone vetëm për një linjë 1800 lekë dhe aboneja e studentit 1200 lekë. Kjo është rritja më e madhe që ka ndodhur për çmimin e biletës, ndërkohë që rroga minimale në Shqipëri është 22 mijë lekë. Rritja e çmimit të biletës është kundërshtuar dje edhe nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila përveçse paralajmëron protesta para Kryeministrisë, i ka dërguar edhe një letër ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinastos. “ZMK konsideron se asnjë lloj rritje çmimi nuk i përgjigjet realitetit ekonomik dhe social të konsumatorëve! Transporti qytetas është një shërbim publik dhe jo thjesht një veprim tregtar bazuar të dora e fshehtë e tregut, ndaj edhe shteti të vendosë urgjentisht heqjen e akcizës për karburantin dhe heqjen e TVSH-së për biletat! Në rast të rritjes së çmimit, ZMK paralajmëron protesta përballë Kryeministrisë! Konsumatorët me nivel të ulët të ardhurash nuk mund të penalizohen duke iu hequr të drejtën e përdorimit të transportit publik!”, – shprehet Altin Goxhaj, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

 

Situata

Shoqëritë e transportit në muajin dhjetor zhvilluan një protestë disaorëshe për rritjen e çmimit të biletës ose qeveria të heqë akcizën e naftës dhe TVSH-në për biletat. Kërkesa për subvencionim dhe heqje TVSH-je nuk u pranua nga qeveria, e cila tashmë do të miratojë një rritje të çmimit për biletat e urbanëve. Drejtues të Shoqatës të Transportit Ndërqytetës u shpreh dje për gazetën se qeveria u ka garantuar që brenda muajit do të bëjë rritjen e çmimit për biletat e urbanëve. Lidhur me pyetjen se sa do të shkojë çmimi ata u shprehen “se shpresojmë që të shkojë 70 lekë, pasi kështu mund tu shërbejnë siç duhet qytetarëve”.

 

 

Protesta masive, nëse rritet çmimi i biletës, ja letra e ZMK-së drejtuar Haxhinastos

 

Drejtuar: Z. Edmond Haxhinasto, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës

Dërgon: Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK

Subjekti: Reagim kundër rritjes së çmimit të biletave dhe aboneve të transportit urban qytetës

Dt. 13 Janar 2014, Tiranë

I nderuar Zoti Ministër,

siç jeni edhe në dijeni, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës ka deklaruar rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve në transportin qytetës brenda muajit Janar 2014.

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve nisur nga:

– rritja e kostos së jetesës së konsumatorëve shqiptarë edhe si pasojë e krizës së tejshtuar edhe me Paketën Fiskale 2014 – pamundësia financiare e konsumatorëve dhe sidomos e kategorive të veçanta të tyre si pensionistët, studentët, invalidët, të papunët dhe grupe te tjera në nevojë,

– refuzimi i Ministrisë së Financave për marrjen në konsideratë të propozimeve të Shoqatës së Transportit Kombëtare të Transportit Qytetës për heqjen e akcizës së naftës dhe heqjes së TVSH-së për biletat dhe abonetë duke lënë si alternativë të vetme rritjen e çmimit të biletave

– vendimi i drejtë i Bashkisë Tiranë për të mos Ju kërkuar rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve për qytetarët e Tiranës,

konsideron se:

– rritja e çmimit të biletave dhe aboneve do të dëmtojë tej mase jetën e konsumatorëve shqiptarë në qendrat urbane

– do të penalizojë thellësisht duke dëmtuar rëndë ekonomikisht shtresat në nevojë si pensionistët, studentët, invalidët, të papunët dhe grupe te tjera në nevojë,

– do të detyrojë një numër prej dhjetëra mijëra konsumatorësh me aftësi shumë të dobët paguese që të heqin dorë nga transporti publik

– do të dëmtojë rëndë zhvillimin normal të jetës ekonomike-sociale në qytetin e Tiranës.

Për këtë arsye ZMK duke e konsideruar transportin publik si një shërbim bazë PUBLIK dhe jo thjesht si një veprimtari të thjeshtë ekonomike:

– Ju bën thirrje që të mos pranoni në asnjë mënyrë asnjë rritje të çmimit të biletave dhe aboneve, por të kërkoni zgjidhje të tjera për balancimin e nevojave të palëve!

Nëse do të rritet çmimi i biletave dhe i aboneve, ZMK do të organizojë protesta publike para Kryeministrisë deri në anulimin e këtij vendimi.

 

 

 

Bashkëpunim turistik Shqipëri-Kosovë, nisin bisedimet teknike

 

Një delegacion i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit nisi dje bisedimet teknike me homologët kosovarë për hartimin e marrëveshjes për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve. Marrëveshja synon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e turizmit dhe hartimin e paketës promocionale të përbashkët. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Turizmit, pala shqiptare, me ekspertë të fushës së turizmit nga ministria dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit u prit nga zv.ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Cuneyd Ustaibo, dhe ekspertë të Divizionit të Turizmit, të cilët vlerësuan nismën për një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverive, si një mundësi për të rritur dhe bashkërenduar nismat për promovimin e turizmit në të dy vendet. Gjatë takimit të parë të grupit të punës me ekspertë të dy vendeve u ra dakord të shkëmbehen informacionet statistikore mes dy vendeve dhe të hartohet paketa rajonale e përbashkët turistike, një ofertë turistike që do ti shërbejë turistëve të të dy vendeve dhe turistëve të rajonit dhe më gjerë. Objekt i grupit të përbashkët të punës do të jetë organizimi i aktiviteteve promovuese, konferencë e përbashkët në panairin e turizmit në Berlin, organizimin e konferencave të përbashkëta në fushën e turizmit, fushata informuese dhe ndërgjegjësuese mbi potencialet turistike të vendeve tona në mediat vendase dhe të huaja, organizimin e takimeve të përbashkëta me bizneset etj. Përfaqësuesit e të dy palëve u angazhuan në promovimin e mëtejshëm të potencialeve turistike në të dy vendet si dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet stafeve teknike të ministrive dhe agjencive përkatëse që promovojnë turizmin. Takimi teknik i radhës do të organizohet në Tiranë, për tu finalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve. Kjo nismë e dy ministrive, asaj shqiptare të Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë vjen si hap i parë konkret pas dokumentit strategjik të bashkëpunimit të firmosur dy ditë më pare në Prizren, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency