Ndryshimi / Kriteret e reja për të marrë leje drejtimi, vitin tjetër ndryshohen të gjitha patentat

0
819

Nga 30 qershori 2015, nisin patentat e reja dixhitale

Kush bën aksidente, paguan më shumë

 

19614ndotjaNëse bën 8 gabime në provimin e teorisë për të marrë lejen e drejtimit, atëherë quhesh “i djegur”. Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Transporteve përcakton se në provimin e teorisë lejohen deri në 7 gabime, dhe jo 10, siç ishte më parë. Në testin e ri do të jenë të përfshira pyetje teorike në lidhje me kontrollin e presionit të ajrit, të depozitës së ajrit, kompresorit dhe të jastëkëve të ajrit dhe deri te kontroll i freksionit dhe frenave, por edhe lidhjeve elektrike për kategori të veçanta. Deri tani me rregulloren e vjetër, testi me shkrim konsiderohej i kaluar në rast se konkurrenti u përgjigjej saktë 30 pyetjeve nga 40 pyetje që kishte testi. Rregullorja ka të përcaktuar se koha e testimit nuk duhet të jetë më shumë se 45 min. Testet hartohen nga DPSHTRR-ja, në përputhje me nenin 311, pika 7 e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor, i cili përmban pyetje për përgatitjen dhe kontrollin e mjetit me qëllim sigurinë rrugore, ku përfshihet testimi i njohurive nga mënyra e rregullimit të sediljes, pasqyrave, të rripave të sigurimit dhe mbështetjes së mundshme të kokës, tek kontroll i kushteve të rrotave dhe bulonave, dritareve, pastruesve të xhamave dhe të niveleve (vaj motori, lëng ftohës, lëng për të larë xhamat etj.)

Patentat e reja

Çdo drejtues mjeti do të pajiset me një patentë dixhitale, pas datës 30 qershor 2015. Lidhur me këtë fakt, patenta e fundit në format karton del nga qarkullimi pikërisht në këtë periudhë. Ndërkohë, leja e drejtimit dixhitale, e pranishme tashmë në treg, pritet të kryejë funksionin e patentës me pikë. Pikët do të hidhen në sistemin elektronik, të DSHTRR dhe do të lexohen në patentën dixhitale sa herë që mund të kontrollohen nga policia rrugore. Rinovimi i lejes së qarkullimit, ka një kosto prej 3500 lekë, shoqëruar me dokumentacionin përkatës bashkë me raportin mjekësor. Aktualisht, në treg janë 700 mijë patenta dixhitale dhe 50 mijë leje në format karton. Sipas regjistrit janë 530 mijë automjete në qarkullim, ku 51.317 automjete janë çregjistruar.

Patentat me pikë

Patenta e re me pikë penalizon të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit me anë të reduktimit të pikëve. Kështu, përveç gjobës, çdo shkelje të qarkullimit do t’ju hiqen edhe pikët automatikisht. Përveç çfarë kanë pësuar deri më tani, masë me gjobë ose pezullim leje drejtimi ose bllokim administrative i mjetit, është parashikuar një penalitet tjetër – heqja e pikëve. Leja e drejtimit ka 20 pikë, të cilat do të zbriten për çdo shkelje që do të bëjnë drejtuesit e mjetit në rrugë. Ndëshkimi maksimal është me 10 pikë, kur shkel semaforin, përdor alkool, drogë gjatë drejtimit të mjetit apo nuk u bindësh punonjësve të policisë rrugore. Në rast të humbjes totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik. Të njëjtit provimin duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i lejedrejtimit, qe pas njoftimit te shkeljes se pare qe përfshin një humbje prej te paktën pese pikesh, kryen e dy shkelje te tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes se pare, qe kane te bëjnë me shkurtim te paktën pese pikesh secila. Kështu, në rast se një shofer bën aksident, do të paguajë më shtrenjtë pasi konsiderohet një person me risk, ndërsa nëse një shofer, i cili për shumë kohë nuk ka bërë as edhe një gërvishtje të makinës duhet të paguaj një siguracion më të ulët. Pra drejtoria në bashkëpunim edhe me shoqëritë e sigurimit, mbi bazën e të dhënave të marra nga sistemi do të nxjerrin koeficientin e rrezikut në varësi të pikëve që shoferit i kanë mbetur në patentë. Por agjencitë do t’i referohen edhe treguesve të tjerë për të llogaritur këtë koeficientë, siç është kohëzgjatja e përdorimit të automjetit nga shoferi apo rrethi ku është regjistruar. Kjo do të thotë se nëse një makinë është regjistruar në Tiranë ka më shumë mundësi për aksident për shkak të fluksit të madh të automjeteve.

 

Xhindi: Bashkia do të sfumojë betonin e përpara 2011-ës me mbjellje pemësh

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, ka inspektuar dje mbjelljen e 70 pemëve dekorative në rrugën “Medar Shtylla” në kryeqytet. Nënkryetarja Xhindi bëri të ditur se mbjellja e këtyre pemëve dekorative po bëhet në kuadrin e projektit të startuar tashmë nga Bashkia e Tiranës që në vitin 2011. “Në këtë rrugë vazhdon aksioni për mbjelljen e drurëve dekorativ. Janë 70 dru që po mbillen përgjatë rrugës “Medar Shtylla”. Kjo bëhet në kuadrin e një projekti të madh që Bashkia e ka filluar që në vitin 2011 dhe po e vazhdon. Sivjet kemi një projekt prej 4 mijë drurësh, bimësi dekorative dhe deri më tani në dy vjet, Bashkia ka mbjellë 12500 dru dhe 10600 bimësi dekorative”, – u shpreh Xhindi. Gjithashtu, nënkryetarja Xhindi rikonfirmoi angazhimin e Bashkisë për të shtuar hapësirat e gjelbra në kryeqytet dhe për t’i shtuar ato dita-ditës. “Bashkia në këto dy vitet e fundit, në vend të derdhjes së betonit siç u aplikua përpara 2011-s, ku vetëm derdhej beton në të gjithë Tiranën, sot kjo bashki ka shtuar sipërfaqet e blerta në 26 mijë m2 dhe do të shtohen edhe më shumë. Ky është një projekt që do të vazhdojë dhe unë dhe ju bashkë do të jemi dëshmitarë që Tirana do të ketë në vazhdim përherë e më shumë sipërfaqe të blerta”, – përfundoi Xhindi.

 

 

Ndryshon masa e përfitimit për pensionet e ish-ushtarakëve

Rreth 1800 ish-ushtarakë apo ish-policë, të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm para vitit 2009, po përballen me ndryshim në pagesën mujore që përfitojnë. Adriatik Pillati është një ish-polic, i cili ka dalë në pension të parakohshëm në vitin 2004, pasi kishte plotësuar vitet në shërbim. Sot tregon se përveçse i është ulur masa e pensionit i duhet të shlyejë çdo muaj një penalitet deri në vitin 2022. “Arrita deri në 240 mijë me rritjen e pensioneve, bënë një ulje para katër vjetësh, vajti sërish 180 mijë lekë të vjetra. Para një muaji thonë se mbi bazën e përllogaritjeve që janë bërë, pensioni nga 205 mijë lekë të vjetra më ka shkuar 140 mijë. Ajo që më shqetëson është penaliteti. Do të më mbajnë edhe nga 28 mijë lekë të tjera deri në vitin 2022. Nëse e kanë bërë gabim le të mbajnë përgjegjësi, nëse unë jam ndonjë falsifikator apo kam dalë jo në bazë të rregullave, atëherë përgjigjem unë përpara drejtësisë”, – thotë Pillati, gjatë një prononcimi në televizion. Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore sqarojnë se në bazë të ligjit 10 142, i qershorit 2009, dhe qe ka nisur të zbatohet në vitin 2011, masat e pensionit të parakohshëm për ish-ushtarakët, të përllogaritura më parë sipas pagës së tyre bruto do të bëhet tashmë në bazë të pagës neto. “Rillogaritja është bërë edhe në rritje, por edhe në pakësim. Kjo do të thotë, me këtë dispozitë rillogaritja është bërë mbi pagën neto, me aq para që ushtaraku kur ka qenë në punë ka çuar në shtëpi. Në dispozitë është përcaktuar baza e uljes jo më shumë se 20 për qind. Ata kanë marrë një përfitim në një nivel më të lartë”, – thotë Sabah Goci, nga Drejtoria e Përfitimeve në ISSH. Vetëm në Tiranë janë bërë ndryshimet për masën e pensionit të 1800 ish-ushtarakëve, ndërkohë që procesi vazhdon në rrethe.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency