Taksat e reja Kompanitë e naftës, negociata me qeverinë. Braçe: Kontroll çdo fature të Bankers Petrolium

0
101

Gëzim Saliu

 

Deputeti i PS-së: Nga 411 milionë dollarë të ardhura, shpenzimet arrijnë në 212.5 milionë dollarë

 

bankersPaketa fiskale së bashku me taksat e reja të përfshira në të janë vënë në qendër të diskutimit mes qeverisë dhe kompanive të naftës, specifikisht “Bankers Petrolium” që ka në koncesion pjesën më dërrmuese të industrisë së naftës në Shqipëri. Nisur nga fakti se me paketën e re fiskale qeveria vendosi të taksojë me akcizë nënproduktet e naftës që kompanitë koncesionare të industrisë së këtij produkti importojnë, “Bankers” kërkon kompensimin e efekteve financiare. “Kompania është në negociata me zyrtarë të lartë të Qeverisë shqiptare për të vlerësuar plotësisht impaktet e ligjeve të reja dhe për të arritur një marrëveshje që do të kompensonte efektet financiare, e drejtë e cila na buron nga marrëveshja koncesionare që ne kemi me Shqipërinë”, – thuhej në njoftimin për shtyp të kompanisë.

 

Erjon Braçe

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka reaguar dje lidhur me lajmin e nisjes së negociatave mes qeverisë dhe kompanive të naftës, ku pritet që takimi të zhvillohet në ditët në vijim. Sipas Braçes, para se kompania “Bankers Petrolium” të kërkojë kompensimin e efekteve financiare të paketës fiskale, duhet të japë llogari për mos pagimin e tatim fitimit dhe për shpenzimet që, theksoi ai, janë tërësisht të paargumentuara dhe të fryra qëllimisht. “Po ndal tek shpenzimet e 9 mujorit te vitit 2013: 212. 5 milionë dollarë vetëm ne 9 muaj; te ndara ne: 65. 4 milionë dollarë shpenzime operative!50. 9 milionë dollarë shpenzime transporti!14.9 milionë dollarë shpenzime administrative! 73. 2 milionë dollarë amortizimi! 8 milionë dollarë shpenzime te tjera. Shihni shifrat, janë të llahtarshme. Nuk i besoj dot! Qeveria duhet t’i kontrollojë dhe certifikojë faturë më faturë dhe qindarkë më qindarkë. Boll më!”, – shkruante dje Braçe në rrjetin social “Facebook”. Në këtë kontekst, deputeti socialist theksoi se përmes këtyre shifrave del se nga 411 milionë dollarë të ardhura, shpenzimet arrijnë në 212.5 milionë dollarë. Jo vetëm kaq, por për shkak të “marrëveshjes me qeverinë Berisha” për kompensimin e efektit të rentës minerare, në tabelën e treguesve fiskale, vlera e rentës zbritet nga të ardhurat për efekt të llogaritjes në fund të të ardhurave pas taksave; 69. 6 milionë dollarë është renta; 337. 8 milion dollarë deklarohen të ardhurat. Pas zbritjes së shpenzimeve dhe rentës, të ardhurat pas taksave mbeten: 116.4 milionë dollarë. Në fund të ardhurat neto për periudhën 9 mujore deklarohen vetëm 46.7 milionë dollarë. Nuk jam i qartë nëse këtë kompania e përshkruar dhe e deklaron si fitim apo jo! Nëse po duhet të paguaje 50% të kësaj shume si tatim fitimi”, – deklaroi Braçe. Marrë për bazë këto shifra, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë theksoi se ato duhet të verifikohen të gjitha, ku nënvizoi se sesioni i ri kuvendor i Komisionit që ai drejton do të nisë pikërisht me këtë çështje. “Këto të dhëna duhet të verifikohen deri më një, faturë më faturë, blerje, shitje, produkti apo mallra të nevojshëm, zë më së të borderosë shumëmilionëshe. Për çdo vit të 10 viteve të koncesionit! Të jemi të qartë njëherë të vetme nëse po rëndojmë në financat e kompanisë apo kompania na ka mashtruar vit për vit!”.

 

Skadon afati

Një pjesë e administratës nuk marrin pagat

Një pjesë e administratës shtetërore nuk i kanë marrë pagat as ditën e djeshme, e cila shënonte edhe afatin e dytë që Ministria e Financave dha për mbylljen e këtij procesi. Më parë kjo Ministri njoftoi se pagat do të jepeshin deri të mërkurën dhe më pas vendosi si afat të dytë ditën e djeshme. Por pavarësisht nga ky afat, edhe dje një pjesë e punonjësve të ministrive, por edhe arsimtarëve, nuk i kanë marrë ende pagat e dhjetorit, ku duhet pritur dita e hënë kur data do të jetë 13 janar. Kjo është hera e parë që pagat për administratën shtetërore vonohen kaq shumë. E njëjta situatë u përsërit edhe vitin e kaluar nga qeveria e mëparshme, por pagat u dhanë në datat 9 dhe 10 janar. Qeveria e atëhershme argumentoi se vonesat nuk kishin të bënin me mungesën e fondeve, por me listë-pagesat.

 

 

Shtyrja e statusit

 Eurodeputetja holandeze: Duam rezultate në bashkëpunimin e qeverisë me opozitën

Cornelissen: Nëse palët tregojnë këta muaj se bashkëpunojnë seriozisht me njëra-tjetrën dhe nëse ka progres në reforma dhe rezultate, shanset për statusin e kandidatit në qershor janë të mëdha

 

Arsyeja kryesore e shtyrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat ishte testimi i bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës. Kështu bëri të ditur dje eurodeputetja holandeze Marije Cornelissen në një intervistë për “abc news” ku tha se gjatë këtij gjashtëmujori, BE pret të shohë debatit konstruktiv në parlament dhe vendime lidhur me çështje të vërteta dhe jo ato që kanë të bëjnë me partinë që ka më shumë interes apo ka më shumë pushtet. “Vendet e Ballkanit duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha dhe të arrijnë rezultate të kënaqshme për të marrë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kjo nuk është e paarritshme, përderisa Serbia ia doli mbanë, por në rastin e Shqipërisë ne kemi nevojë për më shumë rezultate konkrete të bashkëpunimit midis mazhorancës dhe opozitës”, – tha eurodeputetja, duke shtuar se këto kohë Shqipëria ka shfaqur një problem të mprehtë lidhur me luftën midis partive politike. “Thënë ndryshe, procesi politik nuk është zhvilluar me ritmet e pritura dhe nuk ka qenë demokratik sa ç’duhej. Në Parlamentin Evropian ne mendojmë se Shqipëria duhet të shpërblehet për procesin zgjedhor që ka kryer dhe dorëheqjen shembullore të zotit Berisha që ishte surprizë për ne”.

 

Qëndrimi

Duke bërë të ditur se thuajse të gjitha vendet e Ballkanit e kanë një çështje që i kushtëzon, eurodeputetja holandeze kërkoi nga klasa politike shqiptare më shumë bashkëpunim për axhendën e reformave. “Ne duam ta testojmë bashkëpunimin politik në Shqipëri pak më gjatë, të shohim debate konstruktive në parlament dhe vendime lidhur me çështjet dhe jo me partinë që ka më shumë interes apo ka më shumë pushtet. Pra, Shqipëria duhet të tregojë pjekuri në proces demokratik të vendimmarrjes. Nëse ky bashkëpunim do të provohet këto gjashtë muaj atëherë, do të jem e para të duartrokas dhe t’i them “Po” Shqipërisë për statusin. Tani vazhdoni përpjekjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, – deklaroi Cornelissen. Ndërsa lidhur me pretendimet ku sipas së cilave ekstremi i djathtë në Holandë luajti një rol negativ për statusin e kandidatit, eurodeputetja nënvizoi: “Ekstremi i djathtë luan një farë roli, por jo vendimtar. Nëse ky rol do të ishte vendimtar, Serbia nuk do të kishte mundur të hapte negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Partitë ekstreme janë kundër zgjerimit në përgjithësi”. Ndërkohë duke marrë shkas nga një sërë shqetësimesh të ngritura nga eurodeputetë që vizituan Shqipërinë lidhur me përplasjen politike mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, Cornelissen theksoi domosdoshmërinë e dialogut mes palëve. “Nëse forcat politike tregojnë këto muaj që ato bashkëpunojnë seriozisht me njëra tjetrën dhe qëndrojnë fuqishëm pas axhendës evropiane, nëse ka progres në reforma dhe rezultate të zbatimit të tyre, atëherë ka vërtet shans për statusin e kandidatit në qershor. Por kjo varet vetëm nga Shqipëria”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency