Qeveritë mblidhen, biznesi përsërit kërkesat: Jo barriera doganore!

0
141

Ervin Kaduku

 

 

“Ndërtimi i Rrugës së Kombit dhe marrëveshja e tregtisë së lirë afruan më shumë kombin shqiptar në të dyja anët e kufirit”

 

doganaDhoma Amerikane e Tregtisë në Kosovë ka vlerësuar, një ditë më parë mbledhjes së dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, se barrierat tarifore dhe jotarifore nga Kosova dhe Shqipëria dëmtojnë rëndë interesat e bizneseve të të dyja anëve të kufirit, njëkohësisht duke penguar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve.

Në një komunikatë dërguar medias dje, kjo Dhomë thotë se thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij në mes Kosovës dhe Shqipërisë, është i një rëndësie kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve, të cilat përballen me një gjendje të brishtë dhe sfida sa i përket shpejtimit të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike.

Ndërtimi i autostradës së Kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri, përafruan këto dy vende më shumë se kurrë, duke nxitur proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, vlerëson Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje qeverive të të dyja vendeve të ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e barrierave reciproke dhe të përqendrohen në zbatimin e pakusht të dispozitave të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) e cila promovon vlerat kyçe në të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian për qarkullimin e lirë të mallrave”, – thuhet në komunikatë.

Krijimi i hapësirave të lira tregtare rajonale me numër më të madh konsumatorësh, sipas odës amerikane, do të ishte më atraktiv edhe për investitorët e huaj dhe një hap tutje drejt integrimit të shteteve të Gadishullit Ballkanik në Bashkimin Evropian

Dhoma Ekonomike Amerikane kërkon po ashtu “harmonizim të legjislacionit për çështje tregtare apo doganore, që do të ishte hapi i parë i cili do të lehtësonte procedurat e shkëmbimeve tregtare dhe komunikimeve të bizneseve në të dyja vendet”.

Duke marrë parasysh gjithashtu edhe deficitin e lartë tregtar me të cilin përballen dy vendet, është e domosdoshme që të gjinden mundësi për plotësimin e nevojave reciproke si dhe të krijohet një strategji drejt politikave më të favorshme për sektorin privat në të dyja vendet.

“Qeveritë duhet të orientojnë ekonomitë në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë njëra-tjetrën, por të plotësonin njëra tjetrën, gjë që do të sillte përfitime më të mëdha për të dyja vendet”, – vlerëson kjo odë ekonomike.

 

 

Fasonet ulin Ministrinë e Ekonomisë në negociata: Duam paketë tjetër fiskale!

 

 Kërkesa të reja për lehtësimin e industrisë që punëson 100 mijë shqiptarë, paketa e qeverisë nuk mjafton

Ministria e Zhvillimi Ekonomik është detyruar të ulet në bisedime me përfaqësues të biznesit me material porositësi, duke nisur punën për hartimin e një pakete fiskale të veçantë për industrinë fasone. Kjo mund të tingëllojë absurde, kur sapo është kaluar edhe në kuvend një paketë e plotë fiskale, por duket se mazhoranca nuk ka marrë parasysh kërkesat e veçanta të këtij grupi biznesesh.

Aktualisht është ngritur një grup pune pranë nën drejtimin e zv.ministres Brunilda Paskali, dhe me përfaqësues nga biznesi me fasonë, Agjencia e Investimeve dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Gjatë një takimi të parë biznesi fason ka parashtruar të gjitha kërkesat që duhet të ndërmarrë qeveria me qëlllim lehtësimin dhe nxitjen e më tejshme për zgjerim të kësaj industrie, duke qenë se është një ndër sektorët më me peshë në ekonomi dhe gjenerator vendesh pune.

 

Kërkesat

Konkretisht kërkesa kryesore e fasonëve është heqja e taksave dhe tatimeve për 5 vite. Kjo kërkesë argumentohet me faktin se shteti në një vit mbledh reth 4 milion euro taksa nga biznesi me fason, ndërkohë që shpenzon rreth 6.5 milion euro për t’i mbledhur. Kërkesë tjetër e fasonëve është që tokat e lira shtetërore të merren me një euro sipas ligjit në fuqi, në mënyrë që këto biznese të ndërtojnë fabrika të reja por pa kosto të lartë. Fasonët kanë kërkuar gjithashtu stimul me teknologji bashkëkohore. Ndërkaq, incentiva fiskale janë kërkuar edhe për eksportuesit e mirëfilltë të produkteve “Made in Albania”.

 

Procedura

Drafti pritet të jetë gati për një muaj dhe më pas do të kalojë për miratim në Qeveri dhe në Kuvend. Kjo iniciativë u ndërmor për shkak se paketa fiskale e miratuar e trajtonte biznesin me fason njësoj si bizneset e tjera.

Ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim hartoi amendamente ku kërkoi që tatimi mbi fitimin për këtë sektor të mos rritej në 15%, por të qëndronte në 10%. Por, në seancën plenare të Kuvendit ku u miratua paketa fiskale dy partitë e koalicionit qeverisës ranë dakord për hartimin, në pranverën e këtij viti, të një pakete integrale që i jep status të veçantë kësaj industrie.

 

Kërkesat e fasonëve

Heqja e taksave dhe tatimeve për 5 vite

Tokat e lira shtetërore të merren me një euro

Stimulim teknologji bashkëkohore

Incentiva financiare për eksportuesit e mirëfilltë

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency