Në Prizren Sot mblidhen qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, çfarë parashikon bashkëpunimi strategjik

0
140

Gëzim Saliu

 

Thaçi: E zgjodhëm Prizrenin për të dhënë mesazhin evropian dhe atë të rajonit me kufij të hapur

 

thaci-rama-konferenca Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës mblidhen sot për herë të parë në një takim të përbashkët në Prizren. Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, reformat e domosdoshme në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian si edhe fondi i veçantë për Luginën e Preshevës janë tri ndër çështjet kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e ditës së sotme. Lidhur me këtë zhvillim të ri, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se takimi në Prizren ka një simbolikë të veçantë. “Takimi i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është një ngjarje historike, padrejtësisht ndodh për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizionin euroatlantik. Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, qytetin e historisë dhe të së ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës. Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë. Mesazhin e rajonit me kufij të hapur, pa barriera të së kaluarës”, – tha ai. Ndërkohë, më parë, Kryeministri Rama ka theksuar se mbledhja e parë mes dy qeverive do të çelë një faqe të re në bashkëpunimin mes dy vendeve.

 

Axhenda

Ministria e Jashtme bëri të ditur dje axhendën që do të ndjekin dy qeveritë në mbledhjen e sotme, ku parashikohet që pas ceremonisë së hapjes së mbledhjes nga dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, do të vijohet me shqyrtimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili do të nënshkruhet dy krerët e qeverive përkatëse. “Mbledhja do të vijojë me shqyrtimin e disa marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bashkë-financim të pajisjeve mjekësore të maternitetit të Preshevës, si dhe jetësimin e bashkëpunimit në rrafshin konsullor ndërmjet dy vendeve tona. Mes dy qeverive do të bisedohet për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve, themelimin e Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit. Në mbledhje do të shqyrtohen dhe projekt-ide për bashkëpunim në fushat e kulturës, sigurisë, energjisë dhe përmirësimit të standardeve te jetesës së shqiptarëve në rajon”, – thuhej në njoftimin e Ministrisë. Detajet e kësaj mbledhjeje dhe axhendën e saj, bashkë me pikat e rendit të ditës dhe dokumentet e nevojshme i ka akorduar me qeverinë e Shqipërisë, ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku. Ministrja ka qëndruar në Tiranë bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë. Bernard Nikaj, ku janë takuar me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë për hartimin e përbashkët të konceptit të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare. “Mbledhja e përbashkët e dy qeverive mbahet në hotelin “Theranda”, ndërsa konferenca për shtyp mbahet tek ‘Lidhja e Prizrenit’”, – ka deklaruar Çitaku.

 

 

Marrëveshjet që do miratohen sot

Nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve

Nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë

Nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës

Thellim i bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian

Propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës

Miratimi i një propozimi për krijimin e një fondi të përbashkët për zhvillimin e Preshevës

 

 

Rama dhe Thaçi për mbledhjen

Kryeministri i Shqipërisë – “Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Evropian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë”

Kryeministri i Kosovës – “Në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri”

 

 

Në Kryeministri

Arvizu takon Ramën

Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, zhvilloi dje paradite një takim me Kryeministrin Edi Rama. Për rreth 30 minuta, kreu i qeverisë shqiptare dhe kryediplomati amerikan në vend kanë diskutuar mes tyre në selinë e Kryeministrisë, ku detajet e takimit nuk janë bërë të ditura nga palët. Megjithëse ishte i pari takim zyrtar për vitin 2014, asnjë nga zyrat e shtypit, as ajo e Kryeministrisë dhe as e Ambasadës Amerikane, nuk ka dhënë një njoftim, ku është preferuar që të kalohet si një takim rutinë në kuadër të takimeve pune normale që zhvillohen mes zyrtarëve të lartë. Takimi mes Kryeministrit Rama dhe ambasadorit Arvizu erdhi vetëm një ditë para zhvillimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës sot në Prizren.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency