“Mërkuri i bardhë” Zbulohet kantina e verës dhe detergjente me etiketa false

0
169

Anxhela Tato

Operacioni në 7 shtete, sekuestrohen produkte me vlerë 1 mln dollarë

 Interpoli zbardh detaje të reja, u kryen 150 kontrolle, 330 persona nën procedim penal

 

merkuriVera dhe detergjentet, trendi i ri i falsifikimeve dhe mashtrimeve në treg. Një vleftë financiare prej 1 milion dollarësh është shuma e produkteve të sekuestruara brenda dy muajve nga Interpoli gjatë kontrollove në shtatë shtete. Zyra qendrore e Interpolit ka zbardhur detaje mbi operacionin për sekuestrimin dhe asgjësimin e produkteve të falsifikuara, ku u përfshinë 7 vende, mes të cilave dhe Shqipëria. Operacioni i koduar “Mërkuri i bardhë” ka qenë i koordinuar ndërmjet zyrave të Interpolit në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi. Sipas zyrës së Interpol në Lion, nga bashkëpunimi në këto 7 vende është arritur në sekuestrimin e produkteve false me vlerë 1 milion dollarë. Interpoli mori 330 persona nën hetim dhe janë realizuar 150 kontrolle mes periudhës 30 shtator deri më 3 nëntor të vitit të shkuar. Referuar vendit tonë bëhet me dije se gjatë dy operacioneve të policisë u zbuluan 2800 litra detergjent ilegal, i cili prodhohej dhe shitej me etiketa false. Paralelisht policia e qytetit bregdetar arriti të zbulonte një kantinë vere, duke bllokuar 976 litra. “Në Shqipëri zyra e Interpol Tirana ka ndërhyrë në qytetin e Vlorës dhe të Elbasanit, ku është sekuestruar një linjë prodhimi false e verës Chardonnay si dhe një punishte detergjentesh”, – thuhet në njoftimin e Interpolit.

 

Operacionet

Më datë 30 tetor nga ana e bluve të Vlorës u bë me dije se gjatë një hetimi disa mujor ishte arritur në zbulimin e një pike tregtimi alkooli ilegal. Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e një kantine në pronësi të shtetasit me iniciale Sh. Z. u gjetën dhe u sekuestruan 976 litra verë, disa etiketa me mbishkrimin “Chardonnay 2010”, disa etiketa me mbishkrim “Chardonnay 2011”, për të cilat nuk dispononte dokumentacionin ligjor. Nga ana e policisë u bë e mundur bllokimi dhe sekuestrimi i mallit, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për ndjekje të mëtejshme penale. Ndërkohë që në pranga ra 56-vjeçari Sh. Z., i cili po procedohet për akuzën e prodhimit të kundërligjshëm të artikujve dhe mallrave ushqimorë. Ndërkohë që më datë 29 tetor u sekuestrua një sasi prej 2880 litra detergjent me etiketa false nga policia e Elbasanit në finalizimin e operacionit të koduar “Mërkuri i Bardhë”. Sipas policisë detergjenti u gjet në një magazinë të vogël në një nga lagjet e qytetit. Blutë e Elbasanit kanë arrestuar pronarin e magazinës 38-vjeçarin me iniciale N. D. Nga hetimet paraprake rezulton se detergjenti është marrë në qytetin e Shkodrës dhe do të futej në treg në ditët në vazhdim.

 

 

Raporti

Bilanc lufte, mbi 6 mijë persona të vrarë në 23 vjet

 Në 23 vjet në Shqipëri janë vrarë 6259 persona. Ky bilanc tragjik nuk i përket ndonjë situate lufte, por një përditshmërie në vendin tonë, por ndërkohë që shifrat janë tejet alarmante. Raporti me këtë të dhëna tronditëse është bërë i ditur nga gazetari Roland Qafoku, sipas të cilit në 23 vjet, Shqipëria ngjan si të ketë qenë në luftë. Bëhet me dije se janë 6259 persona që kanë mbetur të vrarë nga armët e zjarrit dhe armët e ftohta në ngjarje nga më të ndryshmet në të gjithë vendin duke treguar se humbja e jetës në Shqipëri bëhet me një lehtësi që nuk gjen model të dytë në botë. Në një insert gjatë emisionit “Debati” në “Channel One” të së enjtes, ku u diskutua situata kriminale, gazetari Roland Qafoku solli nga arkivi personal në formë tabele të gjitha vrasjet vit pas viti në 365 ditë për 23 vjet rresht. Ato nisin që nga viti 1990, vit kur u rrëzua sistemi komunist e deri në vitin 2013 që sapo lamë pas. Nuk ka rëndësi kush ka qenë në pushtet, të majtët apo të djathtët. Nuk ka fare rëndësi kush ka qenë kryeministër në gjithë këto vite. Ajo që është e rëndë të thuhet është statistika me shifra që me një mesatare rezulton të jenë vrarë mbi 272 persona në çdo vit kalendarik. Viti me më shumë vrasje është1997 me 1542 persona të vrarë, ndërsa ai me më pak të vrarë është viti 2006 me 87 persona të vrarë. Duhet theksuar se në këtë tabelë nuk janë të përfshirë tragjeditë dhe aksidentet e të gjitha llojeve, çka do të thotë se numri i personave që kanë humbur jetën gjatë 23 viteve mund të jetë edhe dyfishi i kësaj shume. Sipas raportit të paraqitur, në vitin 1990 janë shënuar 205 të vrarë; në vitin 1991 sërish 205 të vrarë; në vitin 1992 janë shënuar 251 të vrarë; në vitin 1993 janë shënuar 268 të vrarë, pra një rritje të viktimave nga viti në vit; në vitin 1994 janë regjistruar 265 të vrarë; në vitin 1995 janë regjistruar 210 të vrarë; në vitin 1996 janë shënuar 248 të vrarë; viti 1997 regjistrohet numri më i madh i të vrarëve, përkatësisht 1542 persona; viti 1998 janë regjistruar 573 të vrarë; viti 1999 me 496 të vrarë; viti 2000 me 275 të vrarë; viti 2001 me 208 të vrarë; viti 2002 me 179 të vrarë; viti 2003 me 144 të vrarë; viti 2004 me 119 të vrarë; viti 2005 me 131 të vrarë; viti 2006 me 87 të vrarë; viti 2007 me 103 të vrarë; viti 2008 me 88 të vrarë; viti 2009 me më pak të vrarë, 82 persona; viti 2010 me 118 të vrarë; viti 2011 me 124 të vrarë; viti 2012 me 125 të vrarë dhe viti 2013 me 120 të vrarë, një shifër kjo ende e pazyrtarizuar.

 

 

 

Lushnje

Abuzoi seksualisht me vajzën, pranga babait dhe 3 shokëve të tij

Policia ka vënë në pranga babanë mostër, i cili abuzoi seksualisht me vajzën. Lajmi bëhet me dije nga ana e forcave të policisë, të cilët kanë çuar në qeli katër persona me akuzën e përdhunimit së të miturit. Denoncimi është regjistruar nga vetë vajza, e cila ka akuzuar babanë e saj se prej disa kohësh e përdhunonte, duke ushtruar mbi të miturën dhunë fizike dhe psikologjikë. Mësohet se babai i thoshte vajzën se kjo që po ndodhte mes tyre ishte vetëm se dashuri dhe ajo nuk duhet të tregonte. E trembur e mitura ka duruar abuzimin e babait dhe tre personave të tjerë. Por me kalimin e kohës e mitura nuk ka mundur dot të përballonte aktet e tmerrshme seksuale që po kryheshin ndaj saj. Vetë e mitura është paraqitur në polici dhe ka akuzuar babanë se prej disa kohësh e dhunonte dhe abuzonte seksualisht me të. Menjëherë pas denoncimit policia ka shkuar në banesën e babait së të miturës, i cili ishte në shoqërinë e tre djemve duke punuar. Blutë kanë vënë në pranga Bashkim Lekën dhe tre djemtë Ardis Leka, Bertol Leka dhe Fation Gashi.

 

Belgjikë

Mark Frroku, i dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e një shqiptari

 Deputeti shqiptar Mark Frroku, i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh. Ai duhet të rigjykohet në muajin shkurt para Gjykatës Penale të Nivelles, mbi dënimin me 10 vjet burg, marrë në vitin 2010, nga Gjykata Penale e Brukselit, në mungesë pasi kishte arritur të fitonte lirinë para se çështja ndaj t’i të shkonte në gjykatë. Burime konfidenciale bëjnë me dije se nga ana e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj u depozitua në polici të dhënat e hetimeve të tij për dy vëllezërit Frroku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency