Fenomeni Malaria, tjetër rast në QSUT, punëtori ka ardhur nga Guinea e Re

0
103

Në muajin dhjetor humbi jetën një 29-vjeçar, për shkak së malaria i kishte prekur trurin. 50 raste janë paraqitur në QSUT, një vit më parë. Sëmundja vdekjeprurëse kishte dekada që nuk shfaqej në Shqipëri

 

spital Rikthimi i punëtorëve nga Afrika duket se po transporton masivisht malarien në Shqipëri. Pas disa rasteve të përsëritura gjatë 2013-ës, një i ri nga qyteti i Vlorës është paraqitur ditët e fundit me shqetësime në spital. Menjëherë mjekët e kanë dërguar në QSUT, ku është parë se 35-vjeçari është prekur nga sëmundja e malaries. Sipas mjekëve, pacienti është jashtë rrezikut për jetën, pasi sëmundja është pikasur në hapat e parë. Pacienti kishte punuar për disa muaj në Guinenë e Re dhe kur është rikthyer në Shqipëri, ka ndier shqetësimet e sëmundjes vdekjeprurëse të malaries. Në muajin dhjetor, po një i ri nga Vlora humbi jetën, për shkak se sëmundja e malarias i kishte kapur trurin. Sipas mjekëve, masat e tyre nuk mund të bënin asgjë pasi sëmundja kishte përparuar në fazën përfundimtare. Ndërkohë një vit më parë, tre të rinj kishin punuar për disa muaj në Afrikë, kur u rikthyen në Vlorë u diagnostikuan me sëmundjen e malaries. Sëmundja që shkakton vdekjen, u zbulua pasi personat e infektuar me të u paraqitën në spitalin e Vlorës me simptoma, si temperaturë e lartë dhe ethe. Fillimisht, simptomat kanë qenë konfuze për mjekët, por deklaratat e njëjta të pacientëve se ata kishin rreth tre muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut, kanë bërë që sëmundja të diagnostikohej shumë shpejt. Mjekët e Vlorës në atë kohë pohuan se nuk kishim të bënim me një infektim masiv dhe se rastet ishin të izoluara. Pacientët me temperaturë të lartë dhe ethe pohuan se kishin rreth 3 muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut. Gjatë 2013-ës janë paraqitur rreth 50 raste me shqetësime nga sëmundja e malaries.

 

Malaria

Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Këta parazitë mund të shfaqen në pesë specie të ndryshme. Një pjesë e këtyre parazitëve kalojnë kohë në jetën e njeriut të infektuar e disa të tjerë në trupin e mushkonjës së malaries. Në trupin e njeriut ato përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Pasi hyn në gjak ky parazit, fillojnë të shfaqen simptomat e para të malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse. Simptomat e para shfaqen brenda pak javësh nga pickimi i mushkonjës së malaries. Kundër sëmundjes së malaries janë bërë përparime. Në vitin 2005, shkencëtarët njoftuan për sukses në luftën kundër mushkonjës anofele dhe parazitëve të malaries, ndërsa një vaksinë eksperimentale e provuar në Mozambik, po ofron imunizimin e parë të suksesshëm kundër kësaj sëmundjeje. Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milion vetave. Nga malaria rezultojnë të prekur rreth 500 milionë njerëz në botë dhe rreth 2 milionë të vdekur çdo vit. Kjo është një sëmundje tropikale. Simptomat që shfaq sëmundja e malaries janë: temperaturë e lartë, lodhje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, çrregullime në aparatin tretës, të vjella, ndjesi të fikëti etj.

 

 

Shqetësimi

Infeksionet e lëkurës, pacientët “vizitohen” të farmacisti

Infeksionet bakteriale në lëkurë janë diagnozat më të shpeshta që po hasen tek pacientët në këtë sezon. Mjekët dermatologë thonë se fëmijët e vegjël janë ata më të prekurit, por shqetësimi për ta është neglizhenca që tregojnë prindërit ndaj mjekut. “Janë raste të rralla, – thotë mjeku dermatog, – që pacientët paraqiten menjëherë tek mjeku. Hapi i parë për ta është farmacia . Në këtë periudhë në këtë stinë janë kryesisht këto pjedërmi, ekstremitete në fytyrë, infeksione bakteriale domethënë. Kryesishtë të sëmurë janë moshat e vogla dhe shfaqet me puçrra të kuqe, të qelbëzuara, me likid dhe nganjëherë me skuqje dhe kur është shkalla më e avancuar mund të shfaqet edhe me dhimbje. Janë të rralla rastet për një pjedërmi dhe një infeksion bakterial të jashtëm të vijnë direkt në dermologji, tek specialistët. Ata njëherë shkojnë të farmacisti dhe të mjeku i familjes, por më pas mund të ketë edhe raste që vijnë tek ne që të marrin mjekime”, – tha Selman Lirza, mjek dermatolog. Mjeku dermatolog shprehet edhe për një neglizhencë nga ana e shqiptarëve për të kuruar lëkurën e tyre. Ai thotë se ndjekja e të gjitha këshillave që lidhen me estetikën mund të ketë edhe kosto, por pacientët njëherë në gjashtë muaj duhet të kryejnë një vizitë për të parë gjendjen e lëkurës së tyre. “Varet edhe nga gjendja ekonomike e pacientit, sepse këto mund të hyjnë edhe në pjesët e kozmetikës. Në qoftë se do të interesohet për të parë shkallën e yndyrshmërisë së lëkurës, sensibilitetin janë raste të rralla”. Mjeku thotë se femrat janë ato që kryejnë vizitat më të shpeshta për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj lëkurës, ndërsa meshkujt shumë rrallë.

 

 

Publikimi

Vrasja në Korçë dhe gruaja e dhunuar në Durrës, AMA: Mediet shkelën etikën

Dy ngjarjet më të bujshme të kronikës së zezë ditët e fundit kanë vënë në lëvizje Autoritetin e Medieve Audiovizive (AMA). Në një deklaratë për mediat, AMA kritikon mediet për shkelje të etikës në pasqyrimin e vrasjes së katërfishtë në fshatin Gjonomadh të Korçës si dhe dhunimin e një nëne në Durrës prej bashkëshortit dhe të birit. Sipas saj, reagimi ka ardhur “pas vizionimit dhe disa ankesave nga publiku për pasqyrimin në media” të dy lajmeve të mësipërme. Sipas AMA-s, në disa media, të cilat, “duke bërë të njohur publikut detaje të tepruara rreth ngjarjes”,cënojnë rëndë dinjitetin e gruas, familjes, fëmijëve dhe privatësinë e tyre”. “Në intervistën rreth ngjarjes së ndodhur në Durrës, media, veç shkeljeve të etikës sipas konstatimit dhe në rastin e mësipërm, transmetoi me zë dhe figurë një fëmijë, duke shkelur Ligjin “Për Median Audiovizive” dhe Konventën e të Drejtave të Fëmijëve”, – thuhet në deklaratë. “Për këto arsye AMA tërheq vëmendjen e medias audiovizive për respektimin e vazhdueshëm të normave etike e morale, si dhe për rritjen e shkallës së profesionalizmit, veçanërisht, në pasqyrimin e ngjarjeve tronditëse për publikun. “Në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, AMA gjithashtu ka vënë në dijeni me shkresë zyrtare Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale, për marrjen e masave përkatëse”, – thuhet në njoftimin e AMA-s.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency