U doli fati edhe për drejtorë!

0
119

teatri-kombetarMinistria e Kulturës publikoi dje tre emrat pretendentë për drejtor në Teatrin Kombëtar. Në një njoftim për mediet bëhet e ditur se komisioni i ngritur për shqyrtimin e dosjeve ndër njëmbëdhjetë konkurruesit ka përzgjedhur vetëm tre: Edmond Budina, Hervin Çuli, dhe Laert Vasili. Këta janë konsideruar si kandidaturat më të përshtatshme, referuar platformës më të plotë, artistike, kulturore dhe administruese – ashtu siç është kërkuar për postin e drejtorit. Pas kësaj faze, pritet 13 janari, kur kandidaturat të prezantojnë para Ministrisë argumentet për platformën, pas së cilës do të vendoset për drejtorin. Kaq njoftimi zyrtar. Sa për emrat, edhe sikur të kenë përfshirë brilante në platformë, ka probleme të mëdha përfaqësimi. Budina është një emër nga bota e kinemasë, që ka pranuar jetën e vështirë derisa dha filmin e parë e mjaft shpejt u integrua me jetën artistike në Tiranë; Hervin Çuli gjithnjë i ka pasur sytë nga politika. Ndoshta jo aq për të ndikuar në transformimet e teatrit shqiptar, siç mund të prisnim nga një i ri qysh nga fillimet, Çuli gjithnjë është shfaqur me pretendime për drejtor, a post si shpërblim politik! Edhe ky rast i tillë ngjan, kur heshtja e tij në gjithë këto vite dihet se fshihet pas zhgënjimit të tij në KOP-in e famshëm të së djathtës. Kandidatura e tretë, Laert Vasili, me pretendimet e një “jete emigranti” të integruar në teatrin grek, bëhet pak e vështirë për t’u besuar, kur realitetit shqiptar i është afruar veç me këtë frymë, herë në sprovë si aktor, por jo me aq sukses, dhe herë si ndihmësregjisor. Megjithatë, për të bërë platforma për teatrin nuk është ndonjë sfidë e madhe, kur edhe regji mund të vendosësh në skenë nga “Google”! Në këtë frymë mbi teatrin shqiptar s’ka asgjë të re, përveç tutelës rishtas të politikës. Në të kundërtën radha pas derës së Teatrit Kombëtar nuk do të ngjante si militim politik.

V. M.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency