Shqipëri-Kosovë Në 11 janar mblidhen dy qeveritë, Rama dhe Thaçi: Ja çfarë do të vendosim në Prizren

0
104

Gëzim Saliu

Rama: Një faqe e re bashkëpunimi mes dy vendeve. Thaçi: Fillimi i një rrugëtimi të ri

Rama me ThacinMë 11 janar, në qytetin e Prizrenit, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Data tashmë e konfirmuar nga të dy krerët e qeverive përkatëse, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, konfirmon zhvillimin e takimit dhe njëkohësisht temat e vendimet që do të ndërmerren në të. Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, reformat e domosdoshme në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian si edhe fondi i veçantë për Luginën e Preshevës janë tri ndër çështjet kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e javës së ardhshme. Kryeministri Rama si edhe ai i Kosovës, Thaçi, kanë bërë të ditur disa nga detajet e takimit dhe kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me këtë zhvillim të ri.

 

Rama dhe Thaçi

Për kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, mbledhja e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës përbën një faqe të re të bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke theksuar se një ndër temat më të rëndësishme të këtij takimi do të jetë akordimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës, Kryeministri shqiptar pohoi se kjo mbledhje do të përcaktojë një strategji të re të qasjes mes dy vendeve. “Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Evropian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dyja anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë. Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri”, – shkruante Rama në rrjetin social “Facebook”. Në të njëjtën linjë edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, bëri të ditur dje se në mbledhjen e përbashkët do të merren vendime të rëndësishme. “Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 janar 2014 në Prizren! Në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!”, – shkruante Thaçi. Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive ishte parashikuar të mbahej në muajin tetor të vitit të kaluar, por për shkak të zgjedhjeve vendore në Kosovë ajo u shty në dhjetor. Axhenda e qeverisë shqiptare, kryesisht vendimi i BE-së për statusin si edhe projektbuxheti e paketa fiskale do të bënin që takimi dypalësh të shtyhej në javën e dytë të janarit të vitit 2014. Ndërkohë, dy ditë më parë, Shkupi zyrtar bëri të ditur se është i gatshëm për një mbledhje me qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë e ndërsa takim i përbashkët është parashikuar të zhvillohet edhe me qeverinë turke, e cila tashmë ka marrë pozitën e partnerit strategjik.

 

Fondi që do të akordohet për Luginën e Preshevës në mbledhjen e dy qeverive pritet të përdoret për ndërtimin e një materniteti dhe një shkolle në këtë zonë.

 

 

 

Prishja e ndërtimeve

 Pas Vlorës vjen Durrësi, nis këtë muaj aksioni i gjerë në qytetin bregdetar

Pas aksionit në vijën bregdetare në qytetin e Vlorës, i cili pritet të vazhdojë deri në Butrint, qeveria, përmes INUK-ut, pritet të nisë operacionin në shkallë të gjerë edhe në qytetin e Durrësit. Pas shkatërrimit të “billboarder”-ave përgjatë autostradës Tiranë – Durrës, pritet që në qendër të aksionit të jetë prishja e të gjitha ndërtesave të ndërtuara buzë rrugës dhe që nuk kanë respektuar legjislacionin përkatës. Aksioni i cili do të shtrihet në të gjitha rrugët kombëtare, do të prekë ndërtimet që shkelin largësinë 20-30 metra, të përcaktuar si kufirin maksimal mes objektit dhe autostradës. Krahas ndërtimeve pa leje, në këtë pjesë pritet të preken edhe ndërtimet me leje por që nuk respektojnë largësinë detyrueshme nga rruga. Po ashtu ky aksion do të shtrihet edhe në qytet si edhe vijën bregdetare, ku të gjitha ndërtimet pa leje por si edhe ato me leje që do të përcaktohen nga INUK si masa të domosdoshme për të vënë në kontroll territorin, kompetenca këto që kjo strukturë i ka marrë në bazë të aktit normativ të qeverisë. Pjesë e prishjes së ndërtimeve do të jenë edhe objektet e ndërtuara pranë objekteve arkeologjike, ku është parashikuar një ndërhyrje efikase në kuadër të rritjes së efikasitetit të turizmit në këto zona. Pak kohë më parë, Kryeministri Rama bëri të ditur se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje do të vazhdojë deri në vendosjen e ligjshmërisë në bregdetin shqiptar. Ndërkohë në faqen e hapur nga PS stopkorrupsionit.com, denoncimet kanë shkuar deri më tani në 1044, ku qytetet kryesore që janë cilësuara nga qytetarët si me probleme më të mëdha në ndërtimet pa leje janë Tirana, Vlora, Durrësi dhe Fieri.

 

 

Mbledhja e të ardhurave

 Spiropali: Dhjetori, muaji më i suksesshëm i Doganave

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, deklaroi dje se dhjetori i vitit 2013 mund të konsiderohet si muaji më i suksesshëm në historinë e Doganave në mbledhjen e të ardhurave. Në një dalje publike nga Ministria e Financave, Spiropali theksoi: “Dhjetori i 2013-ës rezulton të jetë muaji më i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave në historinë e doganës me 16.5 miliardë lekë të arkëtuara ose 165 milionë dollarë, me një realizim rekord të parashikimit financiar prej 129 për qind. Në dhjetor 2013 ka arkëtuar për shtetin shqiptar 4.2 miliardë lekë më shumë se dhjetor 2012”. Sipas drejtores së Doganave, këto arritje janë rezultat i një sërë masash të ndërmarra në fushën organizative, por edhe në atë të luftës antikorrupsion, duke prerë dhe ndëshkuar lidhjet korruptive brenda sistemit doganor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency