Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

0

Virion Graçi

Loading...

 

petro markoTekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

 

 Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos…

P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka lënë modele në disa lloje letrare: “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit”, në historinë e romanit modern shqiptar; “Shpella e piratëve”, në letërsinë për fëmijë; “Intervistë me vetveten, retë dhe gurët”, në letërsinë memuaristike-autobiografike.

Për të vijuar, duhet një parantezë: tekstet romanore të P. Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre. Shembull arbitrar i bashkautorësisë sterilizuese autor/ redaksi, është dhe diskutimi në redaksi i Hasta la vista (1958) për dashurinë midis Gorit dhe Anitës… Në një rast tjetër, kritika gjenetike e tekstit, nëse mund të gjenden variantet origjinale të autorit, mund të ndriçojë shumë aspekte duke iu qasur romanit të autorit dhe jo romaneve redaksionalë, sikurse jemi detyruar deri më sot t’i marrim në studim romanet e gjymtuar të P. Markos.

Sot përpiqemi ta shohim P. Markon në shikim krahasues me një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane dhe botërore, Ernest Heminguej. Krahasimi bëhet i arsyetuar sepse P. Marko ka pohuar mëse një herë se për Hasta la vista është frymëzuar nga Për kë bie kambana, (1940); fabula e njëjtë historike, etj…

   Tipologjitë e romaneve: – Për nga poetika romanet i përkasin realizmit klasik, balzakian; kanë ekspozicione të hollësishme e konkrete për personat veprues, për vendin e zhvillimit të ndodhisë romanore, për konfliktet bazë të protagonistëve letrarë. Personazhet përshkruhen vizualisht e së jashtëmi e pastaj psikologjikisht; skenat e ngjarjeve përshkruhen me hollësi, pa e larguar nga vëmendja njeriun, problematikën sociale. Dialogët, përshkrimet e jashtëme, ndryshimet e pikëshikimeve rrëfimtare janë të drejta porporcionalisht dhe në gjurmët e arritjeve më të mira të romanit realist.

Për traditën e vobekët të romanit shqiptar, një model i tillë si Hasta la vista, është gjithësesi piknisje e shkëlqyer, shkollë e vyer narrative.

Por dhe Heminguej, përfaqësues i madh, i zëshëm i një tradite letrare superiore, njohës i shkëlqyer i arritjeve të mëdha të romanit modern duke filluar nga Xhejms Xhojsi e duke vazhduar me të tjerë romancierë po kaq të mëdhej e novatorë, ka pëlqyer teknika më të thjeshta rrëfimi duke shmangur përsiatjet e thella filozofike, monologun e brendshëm, rrjedhën e përroit psikologjik….Te Për kë bie kambana, Heminguej nuk zgjedh të përdor as disa nga arritjet e tij më origjinale të dëshmuara në vepra të mëherëshme: gjuha sugjestive, nënkuptuese e dialogut, konotacionet simbolike të pamjeve natyrore dhe epilogun e papërfunduar të fabulës, fundin e pashkruar. Brendinë e pasur e të trazuar të Robert Xhordan, e bën të dukshme nëpërmjet dialogimit të qartë të protagonistit me vetveten, situatë përshkrimore e tipit: R. Xhordan i tha vetes së tij…, kurse vetja e tij i tha R. Xhordanit…

Në këtë plan të dy romanet nuk paraqesin disnivele, autorët dëshmojnë të njëjtën siguri, natyrshmëri dhe efikasitet të mjeshtërisë artistike. Meqë jemi te karakterizimet sipas poetikave, në letërsinë tonë, Hasta la vista plotëson kriteret për t’u numëruar në radhë të parë si roman historik, si një arritje – model e romanit historik: ngjarjet janë të tilla, historikisht të njohura e të dalluara, po ashtu shumica e personazheve, po ashtu pozicionimi i autorit: i gjithë pranishëm por edhe gjithëpërfshirës, me tone të matura e të përpikta në rrëfim. Mbetet për historianët e letërsisë nëse do të mund t’i japin Petro Markos vendin e duhur, përpara S. Godos, S. Spasses, S. Krasniqit.

   Dallime: Në parametrat formalë, strukturorë e narrativë dy romanet dëshmojnë thjeshtësi, saktësi dhe përkryereje funksionale. Por veprat nuk kanë të njëjtin densitet lëndor, të njëjtën forcë shprehëse në pikat më nervalgjike përkatëse, te heronjtë qëndrorë. Protagonistët e P. Markos kanë më pak relief psikologjik, më pak domethënie sociale e humane se heronjtë e Heminguejit. Qysh në epigrafet, autorët shpalosin synime të ndryshme, P. Marko premton një roman homazh për vullnetarët shqiptarë në Spanjë; Hemingueji zotohet të shtjellojë në prozë një tezë poetiko-filozofike të poetit Xhon Don, zotohet për të dhënë një rrëfim për ndërthurjen tragjike të fatit të secilit njeri me gjithë gjindjen njerëzore:

  “Askush nuk është një ishull më vete; çdo njeri është pjesë e kontinentit, një copë e së njëjtës tokë…Vdekja e çdo njeriu më pakëson edhe mua, sepse unë jam pjesë e njerëzimit dhe kështu askush nuk mund ta dijë me siguri për kë bi kambana: ajo mund të bjerë edhe për ty.”

Heminguej e përdor si rast luftën e Spanjës, e shfrytëzon atë si përvojë monumentale për të bërë zbulimet e veta rreth natyrave njerëzore. Ai nuk ka dy lloj të vrarësh: – dëshmorët, tanët, nga njëra anë dhe të tjerët, armiqtë, nga ana tjetër, sikurse premtohet në epigraf dhe realizohet te P. Marko.

Hemingueji me këtë vepër nuk është në kulmin e tij si autor; letërsia amerikane e asaj dekade mbizotërohet nga Folkner. Megjithatë vërehen te Robert Xhordan, tipare të autorit dhe të idealeve të tij jetësore. Është variacion i të njëjtit model i mishëruar mjeshtërisht në vepra të mëherëshme, që kulmon sërish në epilogun e krijimtarisë së Heminguejit, te Plaku dhe deti me peshkatarin Santiago.

Heroi i romanit tjetër, Gori Gjinleka mbetet një personazh në rrugë pa krye, i pa formuar si individualitet. Ka dalë vullnetar për t’u përzjerë në një ngjarje me rëndësi kontinentale me padijen e theksuar, të gjithanëshme ndaj botës së madhe. Bota për të ka vetëm bardh e zi, borgjezë-armiq, dhe proletarë – vëllezër. Ai nuk evoluon mendërisht, vetëm sa i dhurohet hap pas hapi utopisë internacional- komuniste dhe dorëzimit të qenies së tij në duart e prijësave të lëvizjes revolucionare. Te personazhi Gjinleka ka nisur të kristalizohet tipari thelbësor i turmave, nënshtrimi i sinqertë ndaj eprorëve, kulti për prijësin – komandant, adhurimi i verbër për grupin e tij politik. Kulti i profesor Tomorrit, kulti i komisarëve komunistë në përgjithësi, është maket i asaj idolatrie nënshtruese dhe magjepsjeje të masave ndaj udhëheqjes së lartë komuniste që do të kulmonte në Shqipëri pas viteve kur shkruhej Hasta la vista. Indoktrinimi, dogmatizmi dhe cektësia filozofiko-politike nuk janë atribute të karakterizimit të ndërgjegjshëm estetik të heroit prej autorit, por janë cilësi, kufizime të imponuara të vetë autorit, shtuar sigurisht nga presioni redaksional, autocensura, recetat krijuese në fuqi. Në vitet ’30-të kur zhvillohet fabula historike, megjithëse elementët e parë komunistë ishin të organizuar në grupe e celula, janë të pamendueshme autoritete kaq madhore drejtuese midis tyre që të përthithin gjithë nderimet, adhurimin, brenditë shpirtërore të shokëve të thjeshtë sikurse del në roman.

Pabarazitë e sipër përmendura janë pasqyrë e formimit kulturor e letrar të dy autorëve, por, po aq, janë pasojë e pabarazive midis mjediseve kulturorë-politikë përkatës. Për Heminguejn mund të mjaftohemi me vlerësimin e një prej kritikëve më të ashpër të tij, Paul Johnson:

“Heminguej, mbi të gjitha ishte një shkrimtar thellësisht origjinal që diti të transformojë vetë mënyrën e të shprehurit të bashkëkombësve të tij dhe të gjithë botës anglofone. Veç kësaj krijoi një stil të ri etik, laik dhe jashtëzakonisht modern, që, megjithëse kishte rrënjë të forta amerikane, u përkthye lehtësisht në shumë kultura të tjera. Hemingueji shkriu bashkë karaktere të ndryshme amerikane duke u personifikuar si arketip i tyre dhe për këtë u konsiderua simbol i Amerikës së kohës së tij, pak a shumë si Volteri për Francën e viteve 1750 dhe Bajroni për Anglinë e viteve 1820.”

Talenti i lindur, perfeksionizmi stilistik dhe jeta e mbushur me eksperienca të jashtëzakonshme, janë tipare që e kanë shquar Heminguejin. Por do të shtonim se ai ishte një lexues i jashtëzakonshëm. Qysh herët kish lexuar e analizuar gjithçka të bukur që ishte krijuar në vendin e tij, në Europë e në Rusi në lëmin e letërsisë, arteve dhe filozofisë. Bartës i kësaj pasurie të madhe Heminguej vendos të mos shkruajë i mbështetur mbi traditën por kundër saj, radikalisht novator, original dhe i lexueshëm.

Nga ana tjetër, në formimin e P. Markos, rol të parë mbetet të ketë libri i gjallë i jetës, deri në 1944; mbas kësaj, sinkronizimi i tij, pasurimi me kulturën perëndimore, zhvillimi i natyrshëm intelektual bëhet realisht i pamundur. Përvoja e tij si pjesmarrës e dëshmitar ngjarjesh të mëdha, në vend që të jetë epërsi si lëndë e parë për shprehje madhore letrare, shndërrohet në kufizim, në fatkeqësi, motiv i fortë heshtjeje dhe kamuflimi. Debutimet e para, të suksesshme e premtuese të P. Markos në lëmin e romanit, nuk përshëndeten por bëhen shkak përndjekjeje e dhune të gjithanëshme, të gjithëllojshme. E kundërta ndodh për  Heminguejin: fillimet e tij letrare e frymëzojnë Ezra Paundin aq sa ky, me shënimin: “Shkruan vargje të shkëlqyera dhe në prozë është shkrimtari më i talentuar stilistikisht”, influencon fort e ndërmjetëson te botuesi Ford Madoks Ford duke ia hapur rrugën për sukses letrarit të ri. (Hemingueji ia ruan mirënjohjen poetit të madh duke e shpëtuar vite më vonë nga dënimi me vdekje.)

Duke parë rrethanat konkrete ku e si kanë jetuar e krijuar Hemingueji dhe P. Marko, mund t’i pohojmë pabarazitë midis dy autorëve, nëpërmjet veprave të tyre, si rrjedhime të kulturave përkatëse. Tradita kulturore nuk mund t’i ofronte më shumë talentit P. Marko; për horizontin kulturor të Shqipërisë së asaj kohe, lindja, botimi dhe prania në librari e një vepre si Për kë bie kambana, ishte e panevojshme, e padëshirueshme. Edhe në dekadat që pasuan, një krijimtari e përmasave të Heminguejt, ishte e ndaluar, ligjërisht e dënueshme. Nuk është pa domethënie fakti se si libër i plotë, romani në fjalë i Heminuejt i erdhi lexuesit shqiptar vetëm në v.2002

Autori shqiptar P. Marko ka mund t’i asimilojë me origjinalitet të theksuar kujtimet e tij nga lufta në Spanjë, ashtu dhe shprehjen e letrarizuar romanore për këtë bashkpërvojë, ofruar prej një mjeshtëri si Heminguej. Nga ndikimet e Heminguejit te Marko, përveç shkëndijës frymëzuese për të shkruar rreth kësaj teme, njëra linjë veprimi është e dukshme: episodi me kurbatkat, me femrat e maskuara si kurbatka. Motivi i kurbatkave të vërteta, motivi i ciganeve, i ndeshur disa herë te Hemingueji në kuadër të një sfondi realist-mesdhetar, shtegëton te romani i P. Markos dhe zhvillohet bukur. Nëpërmjet ligjërimit të tyre të poetizuar, mistik e ezopik, autori i shton veprës një përmasë të re të leximit të fatit njerëzor si tragjik, absurd dhe delikat. Me episodet e kurbatkave, P. Marko ka mundur t’i ikë vigjilencës së censurës dhe bashkautorësisë së pakëndshme, vrastare me…redaksinë. Këto episode dhe tregimi i gjatë për Xhemalin, peripecitë deri në Francë dhe fundi i tij, janë pjesët më të arrira të veprës

Si përfundim: Mjedisi kulturor, social e politik me mundësitë, lehtësitë, apo dhe pamundësitë e shprehjes së lirë, në kuptimin e gjithanshëm të konceptit liri, kanë luajtur rol përcaktues në fatin përfundimtar të shkrimtarëve. Nuk ishin përkatësitë politike ato që cënuan njërin dhe favorizuan tjetrin: Heminguej, i endur në ato vite midis ideve socialiste dhe komunistëve, ishte rreshtuar me komunistët në kohën e shkrimit të veprës. Anësinë politike nuk e shprehu nëpërmjet romanit, të cilin e kish shkruar qysh gjatë luftës civile, por duke pritur ta botonte romanin kur lufta kish mbaruar, i vetëdijshëm se nuk i nxirrte aspak në dritë pozitive republikanët e tij, përkundrazi.

Dallim paradoksal bëjnë paragjykimet e veprave duke pasur si masë biografitë e autorëve. Jeta e Heminguejit ishte e bujshme, me ngjarje të dhunshme, të shëmtuara dhe skandaloze, dhe po ta vlerësosh me parametrat amerikanë të moralit e të etikës; shfaqet e tij publike, përfshirjet e tij në problemet e ndryshme shoqërore jo rrallë ishin aventureske, qesharake, me pasoja të rënda, të pakënshme për njerëzit që i rrinin pranë. P. Marko, me një jetë të paqme e të përvuajtur, ishte dukshëm më lart në vlera njerëzore krahasuar me njeriun – Heminguej. Por tradita e shëndoshë e letërsisë amerikane dhe asaj perëndimore që e kërkojnë pasurimin dhe vijimësinë te thyerjet rindërtuese dhe te kundërshtitë e qarta rinovuese, origjinale, e mirëpriti në fronin e nderit dhe i dha Heminguejit atë vend që i takonte si shkrimtar i madh. Kultura jonë tradicionale që e sheh të garantuar vijimësinë e saj kryesisht nëpërmjet përsëritjeve epigonale, nëpërmjet oportuniteteve estetiko-stilistikore dhe zyrtarizimit të standardeve vlerësuese, e pamundësoi realizmin e P. Markos si letrar në ato përmasa që ka pasur dhuntinë. Kurse vlerën e tij letrare – artistike e çmuan deri sot me kutin e njohur tashmë për servilizëm kronik, duke u nisur së pari nga vendi që i jep sistemi politik-shtetëror njeriut P. Marko, e mandej, duke i hedhur ndonjë sy veprës së tij të gjymtuar.

 

 

 

Loading...