Përballja në Kuvend Berisha: Referendum popullor për legalizimet. Rama: Keni dështuar në këtë proces

0
132

Florenc Drizari

Ish-kryeministri: Nuk them legalizime falas, por me 1 euro. E kam faktuar këtë.

Kryeministri: Keni hipotekuar ndërtesa që nuk ekzistojnë. Keni ndryshuar ligjin 22 herë në 8 vjet

 

BERISHA_NE_PARLAMENTÇështja e legalizimeve ka vënë përballë tyre Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu aktual të qeverisë Edi Rama edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Duke folur nga salla e Parlamentit dy ditë më parë z. Berisha premtoi nisjen e procedurave për mbajtjen e një referendumi popullor për çështjen e legalizimeve. Edhe pse pjesa e diskutimeve për çështjen e projektbuxhetit të shtetit për vitin 2014 dhe paketën fiskale ishin temat kryesore të debateve në seancën e fundit plenare, Berisha akuzoi mazhorancën se që në 100 ditët e para të qeverisjes ka dështuar në mbajtjen e premtimit për legalizime falas. Nga ana e tij, kryeministri Rama replikoi duke e cilësuar një dështim të qeverisjes së djathtë çështjen e legalizimeve në Shqipërisë. Lidhur me legalizimet, opozita kishte përfshirë në amendamentet e saj edhe propozime për legalizime falas për të gjitha banesat informale. Amendamenti i opozitës vinte si pjesë e premtimeve të kryesocialistit Rama të bërë në fushatë elektorale, ndërkohë që gjatë votimit në Kuvend, 39 amendamentet u rrëzuan nga shumica parlamentare.

BERISHA

“Tani ta dinë se unë do ta bëj dhe ato shtëpi do të legalizohen me 1 euro dhe kjo do të jetë taksa për ta dhe ju mbajeni mashtrimin. Ata do të gëzojnë shtëpinë e tyre dhe fillon me vitin e ri, me pjesën e lëvizjes së madhe për legalizimin e të gjitha banesave me 1 euro. E kam faktuar 1 euron. Unë nuk them falas, unë them me 1 euro dhe këtu do të jeni ju kur të zbresë nga të katër anët e Shqipërisë në Tiranë me referendum popullor qytetar, për të bërë legalizimin e banesave me 1 euro”, – deklaroi ish-kryeministri Berisha.

RAMA

Ky qëndrim i ish-kryeministrit u kundërshtua ashpër nga kreu i ekzekutivit, Edi Rama, i cili tha se gjatë viteve të qeverisjes së shkuar, demokratët realizuan 5 për qind të detyrimeve ndaj qytetarëve lidhur me legalizimet e banesave në zonat informale. Kreu i mazhorancës tha se mazhoranca para zgjedhjeve të 23 qershorit ka hipotekuar ndërtesa që nuk kanë ekzistuar fizikisht.

“Keni premtuar gjithmonë legalizim. E keni quajtur Bathoren mrekullinë e 8-të të botës. I keni inkurajuar të vazhdojnë të ndërtojnë se ju do t’i legalizoni.  Dhe shikojeni çfarë borxhi keni lënë pas. Është një borxh që e keni në radhë të parë me ata, – të shkretët ata, që për dy dekada ju besuan dhe ju erdhën mbrapa, njësoj si të përndjekurit, njësoj si pronarët,  – por është një borxh që ia keni të gjithë qytetarëve edhe në formën e një borxhi financiar”,- ka thënë Rama në seancën e fundit plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu kryeministri Rama tha se janë mbledhur 300 mijë vetëdeklarime nga qeverisja e mëparshme, por që detyrimet e qeverisë janë kryer vetëm për 21 mijë qytetarë. Gjithashtu Rama deklaroi se do t’i qëndrojë premtimeve të bëra në fushatën elektorale të 23 qershorit si për legalizimet falas, ashtu edhe për premtime të tjera të përfshira në programin politike të PS-s, por që këto premtime sipas tij, nuk mund të mbahen në 100 ditët e para të qeverisjes.

 

 

Tahiri-shoferëve: Merrni përsipër vetë koston e masave ekstreme të Policisë së Shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri i bëri thirrje qytetarëve që drejtojnë automjetet që të tregohen të përgjegjshëm, ose në të kundërt të marrin përsipër vetë koston e masave ekstreme të Policisë së Shtetit.

“Besoj se po marrim masat e duhura dhe të nevojshme për të bërë më të mirën në këtë aspekt. Në radhë të parë do të doja të bëja një lutje, kushdo që ka një mjet të përpiqet ta drejtojë atë në mënyrën më të qytetëruar të mundshme, pa konsumuar pijet alkoolike, duke pasur parasysh edukimin për të drejtuar një mjet, respektimin e rregullores së qarkullimit rrugor e deri te masa e fundit: merrni përsipër vet koston e masave ekstreme të Policisë së Shtetit. Dihet se kostoja e përballuar nga të gjithë ne për edukim, për shmangien dhe minimizimin e humbjeve të jetës nga aksidentet rrugore, që po të thuash të drejtën kap normat më të larta nga shumë vende të botës, është shumë e lartë. Ndaj dhe, nëse gjithsecili do të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, qoftë qytetarët edhe funksionarët e shtetit, le të përpiqemi që të ulim sa më shumë të jetë e mundur kjo kosto”, – deklaroi ministri Tahiri në një intervistë në emisionin “E diell’, në “TCH”. Gjithashtu ministri foli për aksionet e Policisë së Shtetit, vështirësitë e drejtimit të një institucioni të rëndësishëm dhe disa detaje të vogla nga jeta e tij private.

 

 

Rama në “Facebook”: Të hënën 12:00 Konferenca e Fundvitit

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në “Facebook” dhe “Tëitter” njoftoi se ditën e hënë në orëmn 12:00 do të zhvillojë në ambientet e Kryeministrisë në sallën e hartave Konferencën e Fundvitit.

Konferenca do të jetë drejpërdrejtë televizion dhe livestream në “Facebook”. “Nesër ora 12.00 në Kryeministri Konferenca e Fundvitit e qeverisë live tv dhe livestream në FB e Tëitter nga Salla e Hartave.”- shkruan Rama. Më herët kryeministri Rama ka prezantuar arritjet e qeverisë së tij në 100 ditët  e para, ndërkohë që shumica parlamentare dy ditë më parë miratoi me shumicë votash paketën e re fiskale dhe projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014. Takimi i së hënës në kryeministri pritet të jetë një përmbledhje e punës së qeverisë në tre muajt e parë të marrjes së mandatit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency