Standard.al

Intervista “Arrestimi i Xhelal Mziut, sfond politik”

Anxhela Tato

Nënkryetari i Bashkisë Kamëz: Vërtetimi për “Gjoka Konstruksion”, përgjegjësi e zyrës juridike

Sipas Artan Dervishit kreu i Bashkisë nuk është informuar për mos dhënien e dokumentit firmës private

 

 

xhelal mziu me prangaArrestimi i Xhelal Mziut është një goditje politike, e lidhur me postin e tij në krye të PD-së. Ky është komenti i nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Artan Dervishi. Në një intervistë nënkryetari Dervishi rrëfen motivet e s’kualifkimit të firmës “Gjoka Konstruksion” duke shpjeguar me detaje faktin se kjo firmë nuk kishte vërtetim dhe ofertën e duhur për t’u bërë pjesë e tenderit. Dokumentacioni që e përjashtoi firmën nga tenderi ishte përgjegjësi e departamentit juridik, e personit të shpallur në kërkim Atli Hoti. Sipas nënkryetarit Dervishi, kreu i Bashkisë nuk ka qenë në dijeni të faktit se ky dokument nuk i është dhënë firmës “Gjoka Konstruksion”, pasi i janë paraqitur vetëm dosjet me dokumente.  Për nënkryetarin Dervishi arrestimi i Xhelal Mziut është i lidhur me postin e tij politik, si kreu i PD-së, ndërsa shprehet se mban të njëjtin qëndrim me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

-Pse u prangos kreu i Bashkisë, Xhelal Mziu?

Jemi në një situatë ku Xhelal Mziu është arrestuar prej 9 ditësh, në lidhje me akuzën pabarazi në tender dhe shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një firmë, e cila ka bërë një kallëzim penal për kryetarin e Bashkisë, që pikërisht me procedurën e tenderit me prokurim elektronik me objekt ndërtim rruga Zgjimi (Rruga Valias i Ri-Varreza Kamëz) me fond limit rreth 8.9 milion lekë të reja. Ka qenë një procedurë, e cila ka pasur brenda elementët e vlerësimit të dokumentacionit dhe procedurës për prokurimin publik, bazuar në ligjshmëri. Është njësia që bën vlerësimin e dokumenteve dhe hartimin e tyre. Kjo njësi është në përbërje me përfaqësues të ligjëruar me urdhër të titullarit të Bashkisë dhe gjithashtu kemi Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Pasi dosjet përpunohen, është bëre dhe çelja e procedurës së tenderimit për ketë rrugë, me një vlerë prej 8.9  milion lekë. Pra do të thotë një vlerë, e cila është e përcaktuar me transferta  të kushtëzuar,  nga të ardhurat e Bashkisë. Pas hapjes së ofertave  të dokumentacionit të ofertave, janë paraqitur katër operatorë ekonomikë, ku do të përmendja “Gjoka Konstruksion sh.p.k” , “Everest sh.p.k”, “Kacdedja sh.p.k” dhe “BE-AN sh.p.k”

-Cilat ishin arsyet e nxjerrës nga gara të dy kompanive?

Dua të rendis me radhë problemet dhe ofertat e 4 operatorëve ekonomik. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kanë hapur procedurën për vlerësim, nga ku konstatoi se operatori ekonomik “Everest sh.p.k”, është paraqitur me vlerë të ofertës 86.5 milionë lekë,  me tvsh. Dokumentacioni i paraqitur nga ky operator, është në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të dokumenteve standarde të tenderit. Operatori “Kacdedja sh.p.k”, është paraqitur me vlerë të ofertës 87.06 milion lekë me tvsh. Dokumentacioni i paraqitur nga ky operator, nuk është në përputhje me kriteret e përgjithshme të dokumenteve standarde, nuk plotëson numrin e punonjësve të kërkuar. Operatori “BE-AN sh.p.k”, plotëson dokumentet, por në bazë të ofertës në lekë, tenderi iu dha kompanisë “Everest sh.p.k”. Ndërsa firma “Gjoka Konstruksion sh.p.k” është paraqitur me vlerë ofruese më të vogël 72.05, milion lekë të reja, me tvsh, ndonëse oferta ishte me ulët se të tjerat, ajo nuk plotësonte disa dokumente bazë të cilët janë; 1) Nuk disponon një vërtetim nga ana e Bashkisë Kamzë, për realizim punimesh në këtë njësi. 2) Është paraqitur një kontratë qiraje për automjet autovinç, por ky automjet sipas lejes së qarkullimit është kamion ATV apo APV. 3) Në kontratën e qerasë ka nënshkruar personi i autorizuam, por nuk është paraqitur prokura përkatës. Si pasojë e kësaj dokumentacioni  i paraqitur nuk është në përputhje me kriteret e përgjithshme.

-Për çfarë arsye nuk iu dha vërtetimi firmës “Gjoka Konstruksion”?

Është përgjegjësi e drejtë për drejtë e zyrës juridike për lëshimin e këtij vërtetimi, i cili në bashkëpunim e zyrën e  urbanistikes duhet ta lëshonte këtë dokument. Kjo nuk është përgjegjësi e titullarit të Bashkisë. Dua të shtoj këtu, se zoti Mziu, nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti. Përgjegjës për këtë është e kreut të zyrës juridike, Atli Hoti. Agjensia e Prokurimeve Pulbike ka shpallur fitues kompaninë firmën “Gjoka Konstruksion sh.p.k” . Në bazë të vlerësimit i është bërë njoftimi i kësaj kompanie për tu paraqitur pranë Bashkisë Kamëz për të lidhur kontratën, nga dita e marrjes së njoftimit nga ana jonë. Kompania pretendon se ka bërë të gjitha përpjekjet që të kontaktojë me drejtuesit e bashkisë, për lidhjen e kontratës, por nuk ka arritur. “Shpresoj që “Gjoka Konstruksion sh.p.k”,   të ketë fakte për ta vërtetuar një gjë të tillë, për ta bërë publike në lidhje me situatën që aktualisht është në ngërç. Kryetari i Bashkisë nuk ka shumë informacion në lidhje me ecurinë e procesit të tenderimit. Atij i janë dorëzuar dokumentet, duke iu komunikuar se dy prej tyre u skualifikuan për mungesë dokumentacioni. Pas kësaj Mziu ka firmosur për operatorin fitues. Përgjegjësia bie mbi Hotin, i cili njëkohësisht është edhe anëtari i KVO-së. Kreu i bashkisë është një person që ka zbatuar ligjin deri në ushtrimin e detyrave të mandatit të parë dhe mandatit të dytë.

-Si i komentoni akuzat ndaj kreut të Bashkisë?

Akuzat kanë më shumë aspekt politik, pasi përveç se Kryetar Bashkie, zoti Mziu është edhe kryetar i PD-së, për zonën e Kamzës. Sulmet kanë sfond politik. Kemi disa probleme në lidhje me mirëfunksionimin e institucionit sepse zoti Mziu nuk ka lënë një person të autorizuar në lidhje me çështjen , por shpresojmë që drejtësia të vërë të drejtën në vend. Pa u marrë vlerësimi  i masës së sigurisë për kryetarin  e Bashkisë, ne nuk mund të zhbllokojmë situatën në institucion. Fondi për invalidët, ndihmën ekonomike e të tjerë, nuk mund të  kryhen pa  firmën e kryetarit të Bashkisë, sepse ligji nuk e parashikon një gjë të tillë. Është një ngërç ligjor që nuk na lejon neve të veprojmë, për asnjë moment.

 

Eksplozivi

Gjurmë gishti në natribanin e lëndës plasëse, nuk i përket ndonjë personi të skeduar

Ekspertët e policisë shkencore gjejnë gjurmë gishtash në natribanin, me të cilin ishte mbështjell lënda plasëse poshtë makinës së prefektit Besnik Dervishi. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Laboratorit të Policisë Shkencore. Gjurmët e gishtave janë verifikuar në të dhënat e policisë së personave me precedentë penal, por nuk korrespondojnë me asnjë person të dhënat e të cilit janë regjistruar më herët në polici. Pas kësaj policia i ka kërkuar kompanisë që prodhoi kartat e identitetit në Shqipëri, “Aleat”, të krahasoj të dhënat me gjurmët e personave që janë pajisur me dokumente identifikimi. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga kjo kërkesë, kompania franceze ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare për sektorin e anti-terrorit në drejtorin e policisë së Tiranës. Ministria e Brendshme nuk disponon gjurmët e gishtave të të gjithë personave, që kanë aplikuar për dokumente identifikimi, pasi ato të dhëna ekskluzive të kompanisë “Aleat”. Ky fakt është parashikuar në kontratën e firmosur mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë francezë që merret me prodhimin e dokumenteve identifikuese. Sipas policisë, nëse këto të dhëna personale do t’i dispononte policia shumë ngjarje të tjera do të ishin zbardhur nga krahasimi i gjurmëve të gjetur në vende të ngjarjes dhe personave që janë pajisur me dokumente. Gjithsesi hetimet për vendosjen e tritolit në makinën e Besnik Dervishit janë përqendruar ndaj dy personave, të dënuar për vrasje dhe që ndodhen të izoluar në burg. Këto të dy mendohet se janë organizatorë të rrjetit të vendosjes së bombave me celular edhe në disa ngjarje të tjera. Dyshohet që ata janë ekzekutuesit e urdhrave për të vendosur tritolin në makinën e prefektit.

 

Comments are closed.