Debati maratonë Të majtët nuk votojnë buxhetin e Bashkisë së Tiranës

0
127

Gëzim Saliu

Mbledhja e Këshillit Bashkiak, nënkryetari Bozdo: Buxheti rrit investimet, nxit zhvillimin ekonomik dhe punësimin

 

Mbledhja e Keshillit BashkiakPas thuajse 7 orësh debatesh, këshilltarët e majtë vendosën dje të shtyjnë miratimin e projekt buxhetit afatmesëm 2014-2016 të Bashkisë së Tiranës në dy javët e para të muajit janar të vitit të ardhshëm. Mbledhja e zhvilluar në dy kohë, ku tre orë diskutime u zhvilluan paradite e më pas nga ora 18: 00 e pasdites deri në 22:00 të darkës, u mbizotërua nga përplasja mes palëve, ku nga ana e tyre këshilltarët e majtë kërkuan shpejgime për mungesën e kreut të Bashkisë në mbledhje. Në emër të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni e cilësoi të pavend ndërhyrjen e kryetarit të Këshillit, duke theksuar se në seancë ndodhej nënkryetari i Bashkisë, i cili dha sipas tij shpjegimet e nevojshme për pr/buxhetin e Tiranës. Ndërkohë në ndërhyrjen e tij, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo kërkoi që vëmendja të përqëndrohej në rendin e ditës dhe shmangen deklaratat politike.  “Në të mirën e qytetarëve të Tiranës ti mbahemi rendit të ditës, të shikojmë dokumentin që kemi përpara. Çdo diskutim për situata që kanë ndodhur gjithmonë edhe më parë nuk do kontribuonte as në klimën e mirë që kemi sot, as në diskutimin për të përmirësuar këtë dokument, do të na çonte në një rrugë pa krye”,u shpreh Bozdo.

 

Debati i buxhetit

Në prezantimin e projekt buxhetit, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo, e cilësoi atë si dokumentin më të rëndësishëm të vitit që bën të mundur realizimin e objektivave.  “Dokumenti i sotëm është ka vijimësi logjike, programore dhe financiare. Ai hyn plotësisht në kuadrin e dokumentit të planifikimit buxhetor afat-mesëm 2014-2016, duke respektuar tavanet buxhetore, vijimësi e PBA 2013-2015. Veçanërisht ky i fundit është i rëndësishëm sepse përfaqëson një planifikim tre vjeçar koherent, i zbatuar për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, me vizionin e ofrimit të zgjidhjeve tërësore dhe jo ad hoc, duke shënuar kështu një rritje cilësore shumë të madhe në mirëmenaxhimin financiar dhe vendosjen e objektivave të integruara për qytetarët e Tiranës. Buxheti total i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 është 8.645.847.000 lekë dhe paraqitet me rritje prej 5% në krahasim me buxhetin e vitit paraardhës”, tha Bozdo. Ndërkohë këshilltari i majtë Eiridian Salianji kritikoi bashkinë se nuk ka realizuar planin e të ardhurave me buxhetin e 2013-ës. “Është mbledhur vetëm 44% e taksës së biznesit të vogël. Vetëm 67,2% taksa mbi ndërtesat, ndaj nuk ka para për sportin”. Në kundërpërgjigje të deklaratës së këshilltarit të majtë, nënkryetari i Bashkisë theksoi se  janë 84 projekte të kryera në Bashkinë e Tiranës. “Borxhet janë shlyer 70%. Të ardhurat janë mbi 63% të mbledhura nga rreth 50% në vitet 2011.  Deri tani bashkia ka pasur 800 mijë dollarë borxhë nga tëcilat , i ka likuiduar 720 milionë dhe për 2014 do likudojë edhe 56 milionë”, sqaroi Bozdo. Pas ndërprejes së mbledhjes rreth orës 13:00, disktimet nisën sërish në 18:00 të pasdites, ku debatet mes palavë vazhduan për disa pika të projekt buxhetit. Nga ana e tyre këshilltarët e majtë deklaruan se Bashkia nuk kishte përmbushur projektet e buxhetit të vitit të kaluar. Ndërsa këshilltarët e djathtë i cilësuan deklarata si të pavërteta, ku dhanë shifra lidhur me realizueshmërinë e projekteve. Pas diskutimeve të gjata, në fund të mbledhjes këshilltarët e majtë me shumicën e votave vendosin të mos votojnë projekt buxhetin 2014-2016 të Bashkisë së Tiranës.

 

 

8.645.847.000 lekë – është projekt buxheti total i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014

5% – është rritja në krahasim me buxhetin e vitit paraardhës

 

Projekt buxheti afat mesëm  2014-2016

Shpenzime personeli 25%- Pesha e shpenzimeve të personelit ndaj totalit të buxhetit është ulur nga 26% në vitin 2013, në 25% për vitin 2014 dhe parashikohet të ruhet i njëjti raport edhe për vitet 2015 dhe 2016.

Shpenzime operative 35%-  Shpenzimet operative zënë 35% të totalit të buxhetit në vitin 2014 dhe parashikohet të ulen në 28% për vitet 2015 dhe 2016.

Investime 35%- Investimet zënë 35% të totalit të buxhetit në vitin 2014 dhe parashikohet të rriten në 41% për vitet 2015 dhe 2016.

Njësitë Bashkiake 5%

 

Investimet

64% të fondit total të investimeve- Do jenë për projektet e investimeve të realizuara nga Bashkia e Tiranës në infrastrukturë rrugore, rikualifikime urbane, shkolla, kopshte, çerdhe etj

19% të fondit total për investime- do të përbhet nga shpronësimet

17% të fondit total të akorduar për investime- janë detyrime për pagesa principali, TVSH-je dhe kosto lokale që rrjedhin nga marrëveshjet e kredive të Bashkisë dhe marrëveshjet e kontributeve

23% të buxhetit të investimeve- janë pjesë e programit të Shërbimet Publike Vendore që synon përmirësimin e cilësisë së jetesës nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës në blloqet e banimit

 

 

Buxheti i 2013

Bashkia e Tiranës ka bërë investime prej 1 388 983 528 lekë me një total prej 23 objektesh

7 kontrata- me një vlerë prej 105 594 815 në sistemin e arsimit dhe shërbimit social

16 kontrata në proces- me një vlerë 1 283 388 713 lekë, ku përfshihen rikonstruksione dhe ndërtime të reja, kopshte, çerdhe, shkolla të mesme dhe 9-vjeçare

 

Statistikat për biznesin

Biznese të vogla: u mbyllën 1730; u hapën 3521

Biznese të mëdha: u mbyllën 99; u hapën 613

Biznese që cilësohen nga organet tatimore (VIP) u mbyllën 12; u hapën 4

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency