Debate te Ekonomia Rrëzohet propozimi i LSI-së nga qeveria, sot në Kuvend prova për mazhorancën

0
108

Gëzim Saliu

 

Pranohet propozimi i Financave, jo rritjes së taksës së banesave për ndërtesat e pashitura. Taksa e banimit mbetet 10 lekë, ndërsa taksa për ndërtesat e biznesit bëhet 40 lekë

 

Komisioni i EkonomiseMinistria e Financave kundërshton propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mosndryshimin e taksës së tatimfitimit për industrinë e fasonit nga 10% në 15%. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u la në fuqi propozimi i Ministrisë së Financave për rritjen me 15% të tatimfitimit për biznesin fason, gjë që solli edhe një kundërshti mes përfaqësuesve të mazhorancës. “Shqipëria është vendi që ofron fare mirë me pagat që ka ky lloj biznesi të zhvillohet akoma më tej, jo që ne t’i krijojmë pengesa. Tani hajde ta gjejmë përgjigjen që 5% që rritesh ça e ka këtë shkak. Biznesi fason është baza e ulët e këtyre punëtorëve që shfrytëzohen në Shqipëri”, – tha deputeti i LSI-së, Përparim Spahija. Në përgjigje të tij, zv.ministri i Financave, Ervin Mete, tha se nuk mund të bëhet diskriminim. “Për shkak të efektit të konsiderueshëm në buxhet, ne nuk mund ta mbështesim tani këtë si masë. Siç ju thashë edhe dje, është në synimin tonë që në një të ardhme jo të largët të shohim një paketë totale masash për një sërë sektorësh”. Po ashtu, propozimin e LSI-së e mbështeti edhe PD, ku përmes deputetes Liljana Elmazi kërkoi lënien të pandryshuar të tatimfitimit për fasonët. “Zotnia po thotë që ky është një biznes, pavarësisht se ju thoni që jemi kundër përjashtimeve, kundër diskriminimeve. Personalisht unë jam ta lini tatimin mbi fitimin 10% aq sa ishte, sepse po e ulin vendet e rajonit”. Në replikë me deputeten demokrate, Mete theksoi: “Do të konsiderohej diskriminuese veçanërisht nëse do të përjashtonim ose do të zhvendosim një shkallë më të ulët për konfeksionet në raport me fasonët e tjerë. Dhe e treta, kemi ndjekur një linjë kundër përjashtimeve në të gjithë paketën”. Debati për taksimin e biznesit fason pritet të jetë një provë e fortë për unitetin e mazhorancës qeverisëse në debatin e sotëm në Kuvend për projektbuxhetin dhe paketën fiskale, duke marrë parasysh përplasjen mes PS-së dhe LSI-së lidhur me këtë çështje.

 

Mbledhja

Një tjetër propozim që u diskutua dhe më pas u miratua dje në mazhorancë ishte ai i Ministrisë së Financave për mosaplikimin e rritjes së taksës së banesave për ndërtesat e pashitura, me argumentin se apartamentet janë stok. Po ashtu, Komisioni i Ekonomisë vendosi që taksa e banimit të mbetet 10 lekë, ndërsa taksa për ndërtesat e biznesit të bëhet 40 lekë. “Është e vërtetë që në momentin që ato janë stok trajtohen si ndërtesa për efekt tregtie dhe biznesi dhe e gjithë sipërfaqja taksohet me tarifën e biznesit. Nga niveli 200 lekë që aplikohet sot për tarifat e biznesit, të zbresim në nivelin 30 lekë për ato që janë apartamente të pashitur, ndërsa me taksimin e ri do të shkonte 400 lekë. Qëndrimi që ne mbajmë është që jemi dakord që për to të mos aplikohet rritja, por jo të kemi ulje taksash”, – tha Mete. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme u mor në shqyrtim edhe raporti i komisioneve të tjera të Kuvendit, të cilat propozonin shtesë fondesh për disa institucione. Komisioni i Ekonomisë miratoi shtesë fondesh me 440 milionë lekë për Ministrinë e Mjedisit për programin e administrimit të pyjeve, 100 milionë lekë për programin e menaxhimit të infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, 20 milionë lekë për Presidencën, 15 milionë lekë Prokurorisë së Përgjithshme, 8 milionë lekë për Akademinë e Shkencave dhe 8 milionë lekë Radio-Televizionit Shqiptar.

 

 

 

Nis në janar

 Reforma territoriale, kriteret e ndarjes së njësive vendore

Krijohet njësia funksionale, humb ndarja zona rurale dhe urbane. Zonat me popullsi të lartë parashikohen me mbi 30 mijë banorë, të mesme mbi 20 mijë dhe të ulët mbi 10 mijë banorë

Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë hartimi i reformës së re administrative në vend. Përfundimi i draftit të kritereve mbi të cilat do të bëhet organizimi i njësive vendore nga Ministria e Pushtetit Vendor në bashkëpunim me ekspertë vendas edhe të huaj bën të mundur që në muajin janar të diskutohet në komisionin “ad hoc” parlamentar që pritet të ngrihet fillim vitin e 2014-ës dhe të përfundojë punimet në vjeshtën e këtij viti. Duke bërë të ditur detaje të këtij drafti, ministri i Pushtetit Vendor Bledi Çuçi pohoi dje se me reformën e re do të humbasë koncepti i organizimit të njësive vendore mbi ndarjen në zona rurale dhe urbane dhe do të përfshihet termi i ri i emërtuar njësi funksionale. “Zona funksionale nuk është gjë tjetër veçse një hapësirë territoriale, ku ka një ndërveprim të dendur dhe shpesh mes banorëve, institucioneve për qëllime ekonomike, sociale zhvillimore, kulturore dhe të cilat janë të organizuara rreth një qendre urbane, e cila është e aftë dhe ka mundësi të ofrojë gamën e gjerë të shërbimeve që i lejon ligji. Pra kemi futur një koncept, atë që e quajmë zonë funksionale dhe rreth kësaj zone funksionale do të përqendrohen dhe krijohen njësitë e reja territoriale të nivelit të parë”, – tha Çuçi për “Top Channel”.

 

 

Ndarja administrative

Sipas skemës së përcaktuar në draft, procesi i ndarjes së re administrative-territoriale në njësisë funksionale do të nisë nga rrethet. Disa nga kriteret që duhen përmbushur për njësitë e reja vendore janë ai i distancës me qendrën e njësisë, parimi i vazhdimësisë territoriale, numri i konsiderueshëm i banorëve si edhe tradita historike kulturore mes banorëve të zonës. Po ashtu, njësitë e reja mund të krijohen edhe brenda kufijve të rrethit ose nga territore të dy ose më shumë rretheve, por vetëm duke zbatuar më parë kriteret e mësipërme. “Pra, nuk do të ketë njësi vendore më të madhe se rrethi, por ushtrimi do të fillojë nga rrethi dhe duke aplikuar kriteret brenda një rrethi ne do të shohim mundësinë se sa në bazë të këtyre kritereve është mundur sa njësi vendore do të krijohen brenda një rrethi, gjithnjë duke iu referuar kritereve”, – tha Çuçi. Megjithëse drafti nuk ka të përcaktuar numrin e popullsisë që do të përmbajë një njësi vendore, parashikohet që në zona me dendësi popullsie të lartë të jenë mesatarisht mbi 30 mijë banorë, në zonë të mesme mbi 20 mijë e në zona të ulëta mbi 10 mijë banorë. Nga ana tjetër, ministri bëri të ditur se për këtë reformë do të kërkohet konsensusi i opozitës, ku për miratimin e saj në Kuvend duhen 84 vota.

 

 

 

Kriteret për njësitë vendore:

Distanca me qendrën e njësisë

Parimi i vazhdimësisë territoriale

Numri i konsiderueshëm i banorëve

Tradita historike kulturore mes banorëve të zonës

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency