PD, 23-vjet në Durrës Basha: Bashkimi, hapja, demokracia, trinomi i së ardhmes

0
157

Florenc Drizari

“Partia Demokratike e ribashkuar është një nevojë kombëtare, sepse ne jemi shpresa për të ndalur e larguar nga pushteti qeverinë e zhbërjeve”

 

Basha ne durres Partia Demokratike kremtoi dje 23-vjetorin e themelimit në qytetin bregdetar të Durrësit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, foli për një demokraci të re që kërkon përfshirjen e vlerave dhe kontributin e të gjithë atyre që e kanë mbështetur këtë forcë politike në vite. Në fjalën e mbajtur para demokratëve durrsakë, Basha falënderoi studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, duke filluar me figurën e Azem Hajdarit, themeluesin e PD-së dhe liderin historik të së djathtës, Sali Berishën, si dhe kontributin e deputetit të Durrësit, të ndjerin Sokol Olldashi, i cili u nda nga jeta pak javë më parë, në një aksident automobilistik në segmentin rrugor Elbasan – Tiranë.

“Nderim dhe mirënjohje për të gjithë demokratet e demokratët, për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, që janë shpirti i lirë i shtëpisë së madhe të lirive në Shqipëri”, – tha Basha.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh i vendosur për të shkruar një faqe të re suksesi siç e quajti ai, përmes bashkimit, hapjes dhe demokracisë.

“Bashkimi dhe ribashkimi i gjithë themeluesve pa përjashtim, nga partia në qendër e deri te seksioni më i vogël në bazë; bashkimi dhe ribashkimi i të gjithë atyre që kanë kontribuar, që kanë qëndruar, që kanë mbajtur të fortë e të pathyeshme Partinë Demokratike, që janë ringritur nga humbjet, që kanë qenë protagonistë të rikthimit të Partisë Demokratike në forcë të madhe të qeverisjes dhe ndryshimit të Shqipërisë; bashkim dhe ribashkim në respekt të dinjitetit dhe personalitetit të secilit; pra Bashkimi me B të madhe është detyra jonë, është imperativi ynë, është apeli dhe direktiva ime për gjithë demokratet dhe demokratët, nga më i vjetri tek më i riu”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Gjatë fjalimit të mbajtur dje në qytetin e Durrësit, kreu i opozitës theksoi se ribashkimi i të gjithë demokratëve është një domosdoshmëri e kohës që vjen edhe si alternative ndaj qeverisjes së majtë. Duke folur për mazhorancën e majtë, kreu i PD-së tha se gjatë kësaj periudhe është konstatuar vetëm një keqqeverisje nga ana e liderëve të saj. Z. Basha përmendi disa nga vendimet kryesore të marra nga qeveria në 100 ditët e saj të para, vendimet të cilat janë kundërshtuar ashpër nga opozita shqiptare.

“Partia Demokratike e ribashkuar është një nevojë kombëtare sepse ne jemi alternativa e pushtetit të së majtës, ne jemi shpresa për të ndalur e larguar nga pushteti qeverinë e zhbërjeve, qeverinë e negativitetit, qeverinë e dështimit të madh me statusin, e cenimit te marrëdhënieve të shkëlqyera me partneret tanë amerikanë dhe evropianë, qeverinë që po projekton varfërim dhe papunësi për shqiptarët, qeverinë që nëpërkëmb e kërcënon çdo ditë demokracinë, kushtetutën dhe ligjin, qeverinë që është përgjegjëse e drejtpërdrejte për dy dhe trefishimin e krimit dhe pasigurisë për jetën dhe pronën e shqiptarëve, qeverinë që ka gjymtuar administratën, qeverinë që rrezikon recesionin dhe destabilizimin”, – deklaroi Basha.

Në aktivitetin e zhvilluar dje në Durrës morën pjesë deputetë të Partisë Demokratike të këtij qarku, bashkëthemelues të kësaj dege si dhe student e simpatizantë të së djathtës. Pak ditë më parë, më 12 dhjetor, Partia Demokratike kremtoi edhe themelimin e saj në Tiranë.

 

 

“Arrestimi i Mziut”, Ristani: Fushatë ndëshkimi ndaj demokratëve në Kamëz

 

Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, pak ditë më parë, ngre dyshime të forta për opozitën shqiptare që lidhen me një fushatë ndëshkimi ndaj demokratëve në këtë zonë. Nga Bashkia e Kamzës, deputeti i PD-së Arben Ristani deklaroi se masa e rëndë e sigurisë, në kushtet kur, sipas tij, nuk ekzistojnë rrethanat e flagrancës dhe rreziku për t’iu shmangur hetimeve bëjnë të dyshojmë.

“Partia Demokratike ka ndjekur nga shumë pranë dhe me shumë shqetësim situatën që ka shoqëruar arrestimin e kryetarit të Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu. Në funksion të njohjes së plotë me çështjen dhe për të ndihmuar në garantimin e drejtësisë dhe transparencës, por pa ndërhyrë në punët e drejtësisë, Partia Demokratike vëren se:

Arrestimi i z. Xhelal Mziu, kryetarit të Bashkisë Kamëz, i zgjedhur dy herë radhazi me përkrahjen e madhe të popullit të kësaj Bashkie, bërë në kushtet e një terrori policor dhe i shoqëruar me manipulimin mediatik, me shpifje mbi bashkëshorten dhe familjen, ngre pikëpyetjet e para mbi implikimet politike të këtij procesi”, – deklaroi Ristani.

Sipas Partisë Demokratike, “diskreditimi mediatik familjar duke shpifur për rrethana që nuk kanë ekzistuar kurrë, vendimi për arrestimin i marrë në mungesë, duke mos u njoftuar i akuzuari paraprakisht dhe duke iu mohuar e drejta kushtetuese dhe ligjore për t’u shprehur për akuzat e ngritura, vetë kjo masë e rëndë sigurie e aplikuar ndaj një të zgjedhuri nga populli, kur nuk ekzistojnë rrethanat e flagrancës dhe rreziku për t’iu shmangur hetimit, na bëjnë të kemi dyshime serioze mbi rastin konkret. Fillimi në këtë mënyrë i procesit na bën t’i marrim me shumë rezervë të gjitha provat e pretenduara më pas”, – deklaroi deputeti Ristani.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, u arrestua pak ditë më parë, ndërsa Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Policia e Tiranës e arrestoi kryebashkiakun demokrat të Kamzës për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Konkretisht, bëhet fjalë për shkelje të barazisë për tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri – Laknas, me vlerë 80 milionë lekë, kryer në maj 2013. Ndërkohë, u shpall në kërkim edhe drejtori i zyrës Juridike të Bashkisë Kamëz, Atli Hoti, për të njëjtën akuzë.

 

 

Rrëzimi i kërkesës për komision hetimor

 

PD, Tabaku: Qeveria ka frikë të hetohet

 

Dy ditë pas rrëzimit të kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar nga ana e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike e cilëson këtë vendim si shkelje të Kushtetutës dhe frikë nga kontrolli parlamentar.

Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se “qeveria ka frikë të hetohet dhe për këtë arsye rrëzoi me forcën e kartonëve kërkesën e Partisë Demokratike”.

“Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor u bë nga 1/4 e deputeteve dhe në këto kushte, Kushtetuta përcakton se ngritja e tij është e detyrueshme. Rrëzimi i kërkesës është veprim antikushtetues. Po ashtu, sipas Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore janë një instrument i fuqishëm kontrolli i parlamentit mbi qeverinë dhe administratën për të siguruar se këto veprojnë në bazë të ligjit. Gjykata Kushtetuese, thotë se, në mënyrë të veçantë, komisioni hetimor është një instrument i fuqishëm kontrolli ne duart e opozitës. Rrëzimi i kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga mazhoranca me forcën e kartonëve, është një dhunim arrogant i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të opozitës, me qellim fshehjen e një skandali të rëndë”, – deklaroi Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, “përmes këtij komisioni ne kërkuam që të hetohet, me qellim kontrollin e zbatimit të ligjit dhe identifikimin e nevojave për ndërhyrje legjislative, që kjo shkelje me pasoja të renda publike dhe individuale, të mos përsëritet më”.

“Kjo ka cenuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, dhe i ka shkaktuar një dëm të madh biznesit dhe arkës së shtetit. Duke e konsideruar këtë çështje, me interes të lartë publik, Partia Demokratike kërkoi një hetim parlamentar të ngjarjes, për të zbardhur këtë shkelje të rëndë të ligjit dhe të konfidencialitetit të qytetarëve. Ndërkohë, mësohet se skandali është thelluar, pasi janë zhdukur pamjet filmike që vërtetojnë ndërhyrjen e disa personave në serverin qendror të Drejtorisë së Tatimeve”, – vijoi më tej Tabaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency