Konferenca Kombëtare Gjyqësore, reagim Mbështetje reformës, luftë të hapur korrupsionit në drejtësi

0
115

Sonja Caka

 

 Këshilli Ekzekutiv i KGJK-së dënon me forcë rastet korruptive që kompromentojnë integritetin e gjyqësorit dhe misionin e dhënies së drejtësisë

 

 

GjylataKëshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare mbështet reformën në drejtësi dhe deklaron se do të japë mbështetjen e vet për ta çuar deri në fund këtë reformë. Në një deklaratë për median, Konferenca Gjyqësore thotë se “Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu japim kontributin tonë në zbatim të detyrimeve kushtetuese e ligjore në interes të përgjithshëm, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë”. Në deklaratë thuhet se “Këshilli në përmbushje të rolit e detyrës së tij si organ drejtues i kësaj Konference, me qëllimin që të kontribuojë realisht në përmbushjen e misionit të dhënies së drejtësisë e mbarëvajtjes së veprimtarisë gjyqësore në përputhje me detyrimet kushtetuese e ligjore, duke e konsideruar si të domosdoshëm kontributin e secilit gjyqtar, edhe në kuadër të detyrave që përcakton Raporti i Progresit për Shqipërinë për vitin 2013, si edhe konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 17.12.2013, duke ndjekur më vëmendje diskutimet publike mbi përgjegjësinë e sistemit të drejtësisë e veçanërisht të gjyqësorit në këtë proces, vlerësoi si të nevojshëm organizimin e një mbledhje të anëtarëve të tij dhe në fund ka arritur në disa përfundime”.

 

Përfundimet

 

Katër kanë qenë përfundimet e nxjerra në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të KGJK-së. E para që reformat në sistemin e drejtësisë vijojnë të jenë kërkesë e procesit të integrimit. Raporti i Progresit për Shqipërinë për vitin 2013, megjithëse ka konstatuar disa arritje, thekson se duhet përmirësuar strategjia e reformës gjyqësore për rritjen e pavarësisë, efikasitetit, llogaridhënies dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin drejtësisë. Ky raport vë në dukje nevojën për rregullime të mëtejshme ligjore për forcimin e mbrojtjes së pavarësisë dhe përgjegjësisë së gjyqtarëve, përmirësimin e strukturës së sistemit gjyqësor dhe procedurave disiplinore, rritjen e transparencës, etj. Këshilli i Bashkimit Evropian, në konkluzionet e tij të datës 17.12.2013 për Shqipërinë, thekson ndër të tjera vazhdimin e zbatimit të strategjive të reformës në gjyqësor dhe nënvizon nevojën për intensifikimin e përpjekjeve në fushën e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore i ka ndjekur dhe analizuar me vëmendje të veçantë këto zhvillime dhe shpreh angazhimin e tij e të gjithë gjyqtarëve në përmbushje të këtyre detyrimeve. Gjyqtarët janë të ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë e të gatshëm të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër fenomeneve negative, që ulin besimin e publikut dhe cenojnë parimet themelore të organizimit dhe funksionimit të shtetit demokratik. Së treti, Këshilli Ekzekutiv në emër të Konferencës Gjyqësore dënon me forcë rastet korruptive që kompromentojnë integritetin e gjyqësorit dhe misionin e dhënies së drejtësisë. Ai inkurajon median, shoqërinë civile dhe tërë mekanizmat e zbatimit të ligjit të kontribuojnë në luftën kundër fenomenit të korrupsionit në gjithë shoqërinë shqiptare, e në veçanti në sistemin e drejtësisë. Këto fenomene nuk duhet që të eklipsojnë punën e madhe që bëhet çdo ditë nga gjyqtarët në përmbushje të misionit të tyre për dhënien e drejtësisë. Së katërti, Këshilli Ekzekutiv ka vlerësuar procesin e vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e më të pavarur. Ky proces kërkon një klimë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje. Ndaj thekson angazhimin e gjithë gjyqtarëve në çështjet e reformës në drejtësi, si kërkesë e faktorëve ndërkombëtare dhe opinionit publik, me qëllim rritjen e efikasitetit, përgjegjësisë e besueshmërisë së pushtetit gjyqësor. Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu japim kontributin tonë në zbatim të detyrimeve kushtetuese e ligjore në interes të përgjithshëm, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

 

 

 

Masa

 Gjobëvënia, Gjykata lë në burg Skejën dhe bashkëpunëtorin

 Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë dje në burg Fatos Skejën dhe bashkëpunëtorin e tij, të akuzuar për gjobën 100 mijë dollarë ndaj biznesmenit shqiptaro-amerikan Ramazan Hima. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe bëhet me dije se si Fatos Skeja, ashtu dhe Gojart Loci kanë qenë të pranishëm në sallë. Masa e sigurisë “Arrest me burg” është kërkuar nga prokurori Eneid Nakuçi, ndërsa është pranuar nga gjykatësja Etleva Deda dhe pse avokati mbrojtës i Skejës, Mark Pëllumbi ka kërkuar një masë lehtësuese për klientin e tij. Ish-gardisti Skeja u ndalua tri ditë më parë pasi nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rezulton të jetë përgjegjës për gjobëvënien ndaj biznesmenit Hima me vlerë 100 milionë lekë ose 100 mijë dollarë. Gjithashtu, gjyqtarja Deda ka lënë në burg edhe të arrestuarin tjetër Gojart Loci, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në gjobëvënien ndaj biznesmenit nga Kalaja e Dodës, ngjarje kjo e ndodhur në gusht. Po për të njëjtën ngjarje, Skeja u ndalua dhe pak kohë më parë por që u la i lirë për mungesë provash. Këtë akuzë Skeja nuk e ka pranuar në asnjë moment, edhe pse organi i prokurorisë bën me dije se ka prova dhe fakte të mjaftueshme për të provuar fajësinë e gardistit dhe bashkëpunëtorit Loci në ngjarjen e gjobëvënies.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency