Burgu i Durrësit Tenton të vetëvritet me çarçaf Marjan Lleshi

0
190

Anxhela Tato

 

I pandehuri Lleshi u shpëtua nga shoku i qelisë, kjo ishte hera e dytë që ai provonte vetëflijimin

 44-vjeçari dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, Valbona Lleshi, në muajin korrik

  

marjan lleshiTenton të vetëvritet për herë të dytë Marjan Lleshi, i cili në muajin korrik dhunoi për vdekjen bashkëshorten e tij 27-vjeçare Valbona Lleshi. Burime nga burgu i Durrësit pohojnë se 44-vjeçari ka tentuar t’i japë fund jetës me çarçaf, por nuk ia ka arritur dot qëllimit falë ndërhyrjes së shokut të qelisë. Ngjarja, e cila mund të kishte rezultuar fatale për jetën e Lleshit, është regjistruar para dy javësh në orën 18:00 të pasdites. Mësohet se pasditen e 14 dhjetorit, Marjan Lleshi ka shfrytëzuar orarin e ajrimit dhe ka përdorur çarçafin e krevatit si litar për t’u vetëvrarë. Në këto momente në dhomë është futur shoku i qelisë, i cili ia ka zgjidhur çarçafin nga fyti dhe ka njoftuar mjekët. Lleshi nuk ka pësuar dëmtime serioze, por vetëm disa shenja mavijosjeje në qafë. Burime pohojnë se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe vetë Lleshi është duke u mjekuar për sëmundjen e depresionit. I pandehuri, i cili ndodhet ende në proces gjykimi, është transferuar para pak kohës nga burgu 313 në qendrën e vuajtjes së dënimit penitenciar në Durrës. Lleshi është pozicionuar në pavijonin e personave me çrregullime mendore. Gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë ai mohonte që të kishte vrarë bashkëshorten, duke u shprehur se nuk e dinte që ajo kishte vdekur. Dyshohet se pas krimit makabër Lleshi ka kaluar në gjendje shok, çka e ka bërë që të jetë duke vuajtur fazat e para të sëmundjes së depresionit. Kjo ishte hera e dytë që ai tentonte të vetëflijohej, me motivacionin se askush nuk e ka vlerësuar për çka ka bërë në këtë jetë. Pas këtij incidenti Lleshi është pyetur nga oficerët e policisë, të cilëve u ka thënë se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar jashtë mase për të kënaqur këdo, por asnjëherë nuk është vlerësuar mundi i tij dhe çdo gjë që ai bënte është konsideruar si e pavlerë. Ky është motivi që ka nxitur Lleshin drejt vetëflijimit.

 

Rrëfimi

 Nëse të pandehurin e pyet rreth bashkëshortes së tij Valbona, ai është i ndërgjegjshëm se ajo tashmë ka vdekur, por përgjegjësinë për krimin Lleshi ia ngarkon vjehrrit të tij, babait të së ndjerës Valbona. Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, Marjan Lleshi ka deklaruar se çdo gjë e keqe që i ka ndodhur është vetëm për shkak të vjehrrit të tij. Sipas 44-vjeçarit, vjehrri i tij nuk është babai biologjik i Valbonës dhe kjo është arseja pse ai ka vrarë bashkëshorten. Ai rrëfente se Valbona është dashuria e jetës së tij, me të cilën ka tre fëmijë. Lajmi i vdekjes ishte shumë i hidhur për 44-vjeçarin, i cili në asnjë moment nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Gjendja depresive në të cilën ndodhet e bën 44-vjeçarin të besojë se gruan ia vrau një person misterioz, me të cilin është i lidhur vjehrri i tij. Autori i krimit makabër flet me shumë dashuri për të ndjerën Valbona dhe ndihet keq që gruaja e tij la tre fëmijë jetimë dhe ai vetë është në burg duke vuajtur dënimin për një krim ordiner.

 

Ngjarja

 

Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të mëngjesit së 15 korrikut në fshatin Fushë-Mamurras të rrethit të Kurbinit. 44-vjeçari Marjan Lleshi, pas një debati me bashkëshorten e tij, Valbona Lleshi, 27 vjeçe, ka nisur ta dhunojë atë. Pas më shumë se 30 minutash ofendime të ndërsjella, Marjan Lleshi ka nxjerrë nga banesa dy fëmijët e tij të mitur, 9 dhe 7 vjeç, duke u futur në banesë me një shkop në dorë. Në ato momente, dyshohet se ai ka nisur të godasë bashkëshorten në trup dhe në kokë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Marjan Lleshi, edhe pse është përballur me ulërimat për ndihmë të bashkëshortes së tij dhe fëmijëve që qanin në derën e shtëpisë për të shpëtuar nënën e tyre, nuk ka ndaluar dhunën derisa i ka marrë jetën. Pas krimit, Marjan Lleshi është mbyllur në shtëpi, ndërkohë që fqinjët e tij kishin njoftuar policinë e Kurbinit, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur hapjen e derës dhe arrestimin në flagrancë të Marjan Lleshit. Sipas policisë, jashtë banesës janë gjetur dy fëmijët e çiftit, të cilët qanin dhe kërkonin ndihmë, ndërkohë që babai i tyre qëndronte i mbyllur në banesë. Ndërsa gruan e të arrestuarit, burimet policore bënë të ditur se e kanë gjetur të mbuluar me gjak në dyshemenë e kuzhinës. Policia ka dashur t’i japë ndihmën e parë Valbona Lleshit, por ajo kishte ndërruar jetë, për shkak të plagëve të shumta që kishte në trup dhe në kokë.

 

 

SARANDË

 

U përzunë nga lokali, kthehen të dehur dhe plagosin pronaren dhe djalin

 

Kthehen në lokal të dehur dhe sulmojnë pronaren bashkë me djalin e saj, duke marrë hak. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Livadhja të Sarandës, kur 10 persona të maskuar kanë hyrë në një lokal, duke plagosur me thika, leva e shkopinj dy persona. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në lokalin e familjes Xhaferri në Livadhja, ku kanë mbetur të plagosur shtetasja Marjana Xhaferri dhe i biri, Pandeli Xhaferri. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Mjekër bëjnë të ditur se 44-vjeçarja ka plagë të shkaktuara nga goditjet me leva dhe shkopinj në pjesën e kokës, ndërkohë që te djali i saj 24-vjeçar janë konstatuar edhe plagë me thikë në bark. Pas hetimeve të kryera policia ka zbuluar autorin kryesor të sulmit në lokal. Në pranga është vënë Armand Balani, 41 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim nëntë personat e tjerë të përfshirë në krim. Sipas policisë autorët dyshohet se kanë qenë të dehur, ndërsa theksohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje. Policia shpjegon se një natë më parë 10 personat që kanë kryer sulmin ishin nxjerrë nga lokali dhe mesa duket ata janë rikthyer një ditë më pas për tu hakmarrë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen edhe të autorëve të tjerë. Nga ana e togave blu dyshohet se autorët mund të jenë nga Konispoli. Për sa i përket gjendjes shëndetësore të dy të plagosurve policia bën me dije se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka marrë në pyetje të arrestuarin, i cili ka rrëfyer se një natë para ngjarjes e kishte ekzagjeruar me alkoolin dhe janë përzënë nga pronarja. Ky gjest mesa duket nuk është kapërdirë nga klientët, të cilët janë rikthyer të armatosur me qëllim dhunimin e pronares.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency