Krishtlindja bashkon politikën, urimi për besimtarët: Paqe dhe solidaritet

0
136

Gëzim Saliu

 Nishani dhe Rama, bashkë tek katolikët, Basha me Metën shtrëngojnë duart te Janullatosi

 

festimet ne gjirokasterKrishtlindja bashkon klasën politike shqiptare. Duke lënë mënjanë ndasitë mes tyre, politikanët shqiptarë uruan dje të gjithë shqiptarët e veçanërisht besimtarët e krishterë, katolikë e ortodoksë, ku dhanë mesazhe paqeje e solidariteti. Ditën e djeshme nuk munguan takimet mes kundërshtarëve politikë apo edhe krerëve të shtetit, që shpeshherë kanë hasur në qëndrimet të kundërta mes tyre për çështje të ndryshme të aktualitetit politik në vend.

 

Urimet

Presidenti Nishani uroi të gjithë shqiptarët për më shumë paqe e qetësi në jetën e tyre. Në vizitën e tij në Kishën Katolike, ku i pranishëm në të njëjtën kohë ishte edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, kreu i shtetit, pasi uroi të gjithë shqiptarët për festën e Krishtlindjes, bëri të ditur se gabimi i mesazhit të dhënë dy ditë më parë për Krishtlindjet ishte një lapsus. “Uroj shqiptarët për më shumë paqe në shpirtrat tanë, më shumë qetësi në mendje. Në momentet e shkrimit ka pasur një lapsus, duke pasur parasysh në terminologjinë e besimtarëve të krishterë është përdorur fjala ringjallje në vend të fjalës ngjallje, por në kontekst çdo fjalë dhe vetë urimi është jo vetëm i sinqertë, por edhe mjaft i qartë”, – ka theksuar Nishani. Ndërkohë, kreu i qeverisë, Rama, deklaroi se festa e Krishtlindjeve është festa e të gjithëve. “U uroj gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, është një festë e të gjithëve si të gjitha festat e mëdha të besimeve fetare të vendit tonë dhe përfitoj nga rasti që të nënvizoj kënaqësinë se në këtë ditë kur fryma e solidaritetit me më të dobëtit me ata në nevojë me të gjithë ata që kërkojnë një rrugë shprese kulmon. Jemi optimistë që viti që vjen të jetë nën këtë frymë e nën këtë shenjë”, – tha ai pas vizitës në Kishën Ortodokse. Ndërkohë, në mbyllje të vizitës në Kishën Katolike, Rama kërkoi nga mediet që të mos bëjnë protagonistë politikanët në ditë të tilla shumë të shënuara. “Ne nuk jemi Zoti, ne jemi e duhet të jemi shërbëtorët e qytetarëve në tokë”, – theksoi Kryeministri. Po ashtu, një shtrëngim duarsh ka ardhur në këtë ditë edhe mes kreut të Kuvendit dhe njëkohësisht kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, me kreun e PD-së, njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në vizitën e tyre në Kishën Ortodokse, ku u takuan me Kryepeshkopin Janullatos, Meta dhe Basha nuk ngurruan të takoheshin dhe shtrëngonin duart me njëri-tjetrin. “Urime për çdo vatër shqiptare që të marrë bekimin e Zotit, për të gjithë njerëzit anembanë botës. Dua të shpreh krenarinë që jam kryetar i një Bashkie të një qyteti, të një vendi që feston me shpirt tolerance. Gëzuar”, – uroi kreu i PD-së. Ndërkohë, në mesazhin e tij, Basha nënvizoi se Krishtlindjet janë festa e dashurisë, shpresës dhe besimit se e nesërmja do të jetë edhe më e mirë se e sotmja. “Dua të shpreh shpresën dhe besimin tim në këtë ditë të madhe për gjithë njerëzimin, për gjithë besimtarët e Zotit, se përtej besimit tek mrekullia hyjnore, gjithsecili prej nesh do të gjejë hapësirën dhe kohën për të reflektuar mbi atë çfarë ne duhet të bëjmë, për një botë më të mirë, për një vend më të mirë, për një shoqëri më të drejtë dhe për një të ardhme më të mirë, për të gjithë qytetarët tanë, fëmijët tanë, e në veçanti për njerëzit më në nevojë për një fat më të mirë të të cilëve dua t’i drejtoj sot edhe lutjet edhe shpresat e mia në këtë ditë të madhe të Krishtlindjes”. Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Meta, nënvizoi në mesazhin e tij se Krishtlindjet janë një ditë që i bën njerëzit më të bashkuar me njëri-tjetrin. “Lindje dhe dritë, rilindin dhe forcohen shpresat tona për një Shqipëri më të mirë, jo vetëm për veten tonë, por edhe për brezat që vijnë. Sot është një ditë që na bën me të bashkuar, më solidarë të punojmë së bashku për një Shqipëri të zhvilluar. Gëzuar”, – u shpreh Meta.

 

 

Mesazhet e urimit për Krishtlindje

 

Presidenti Nishani

“Gëzuar! Mirësi për të gjithë besimtarët e krishterë, për të gjithë besimtarët e Zotit kudo që ata janë. Në këtë ditë të shënuar dua të uroj më shumë paqe për shpirtrat tanë, më shumë qetësi në jetën tona”

 

Kryeministri Rama

 “U uroj gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, është një festë e të gjithëve si të gjitha festat e mëdha të besimeve fetare të vendit tonë dhe përfitoj nga rasti që të nënvizoj kënaqësinë se në këtë ditë kur fryma e solidariteti me më të dobëtit me ata në nevojë me të gjithë ata që kërkojnë një rrugë shprese kulmon. Jemi optimistë që viti që vjen të jetë nën këtë frymë e nën këtë shenjë”

 

Kreu i Kuvendit, Meta

“Në ditën e Krishtlindjeve rilindin dhe forcohen shpresat tona për një Shqipëri më të mirë, jo vetëm për veten tonë, por edhe për brezat që vijnë. Natyrisht, është edhe një ditë që na fton për të qenë më të bashkuar, më solidarë dhe më të dashur me njëri-tjetrin për të punuar së bashku për këtë Shqipëri të cilën dëshirojnë të gjithë qytetarët tanë”

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

“Dua të shpreh shpresën dhe besimin tim në këtë ditë të madhe për gjithë njerëzimin, për gjithë besimtarët e Zotit, se përtej besimit tek mrekullia hyjnore, gjithsecili prej nesh do të gjejë hapësirën dhe kohën për të reflektuar mbi atë çfarë ne duhet të bëjmë, për një botë më të mirë, për një vend më të mirë, për një shoqëri më të drejtë dhe për një të ardhme më të mirë”

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency