Kapitullimi i kollareve

0
144

Hamza Hatika

 

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2014 si edhe paketën fiskale që e shoqëron atë, duke i dhënë fund kështu një seance maratonë mes humorit dhe satirës, akuzave për krime dhe replikash mes tyre për 25 orë rresht.

Pas votimit me elektronikë, projektbuxheti ka marrë 79 vota pro dhe 37 vota kundër e asnjë abstenim.

Taksa progresive, premtim elektoral ky i “Rilindjes”, me forcën e kartonit e anuloi atë të sheshtë, e cila, sipas çdo raporti ndërkombëtar nga agjencitë e specializuara si, “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, e renditën Shqipërinë dhe këtë taksë si një histori suksesi duke i rezistuar krizës globale.

Opozita dhe ndjekësit e saj me tryeza dhe protesta po shprehen qartë se ky është buxheti i rrënimit dhe i krizës, por ajo që më shqetëson dhe është fakt se profesorët-doktorët-masteraxhinjtë nuk i pashë kurrë në një tryezë ku fjala e tyre profesioniste-shkencore mbi të ardhmen jetike të kombit të shprehej në unison, nuk u dëgjua fare!

Kjo është therëse, kemi 68 universitete shtetërore dhe private dhe kjo armatë intelektualësh nuk u mblodh dot kurrë në një tryezë të rrumbullakët për të shprehur qartë me shifra dhe argumente arsyet dhe pasojat reale të kësaj takse që hyn në fuqi pas 1 janarit 2014.

Gjithashtu, borxhi i brendshëm u rrit për tre muaj nga 62% në 74%, sipas parashikimeve nga të dyja palët, por kjo klasë elitë profesionistësh mungon në debatet për të sqaruar pse u rrit kaq shpejt, pra me 12%, ku u shpenzuan lekët që u morën borxh me aktin normativ apo kur dhe ku ka ndodhur që një vend të ketë këtë rritje galopante të borxhit me 12%…?!

Pra, në të gjithë këtë situatë historike ku ekonomia po kërcënohet realisht nga kriza artificiale e taksës progresive, ata nuk janë parë dhe dëgjuar akoma në unison me argumentet e tyre shkencore.

Dorëzohen mijëra tema diplomash, mastera, studime, doktoratura, por përse nuk ulen këta shkencëtarë dhe të shikojnë mundësitë se si do të duhet të ruhemi nga kjo krizë që po troket dita-ditës me këtë borxh në rritje…

Shpesh flitet se 44 universitete private janë inefiçente dhe me diploma pa vlerë, ky ishte rasti t’i shikonim dhe dëgjonim me zë dhe figurë këta liderë të elitës intelektuale jo vetëm mbi fatet e kombit, por edhe të vetë atyre.

Një tryezë e tillë do të ishte një ogur i mbarë dhe një standard i ri komunikimi mes shoqërisë civile dhe politikës, se ky komb nuk është vetëm dhe se fatin e tij po e marrin në dorë dhe po e shkruajnë më në fund vetë bijtë e tij.

Kur do t’i njohim, shohim e t’i dëgjojmë Ata, kur ora historike e vazhdimit të ngritjes apo e rrënimit ekonomik është kaq prezente, ata po heshtin dhe na kollarisen zyrave e auditorëve pompozë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, paguajnë oferta në masmedia për studentë të rinj, por kjo tryezë do të ishte reklama më e mirë për ta dhe studentët e shkuar, të tashëm dhe të ardhshëm…?!

“Dhe si për ironi të heshtjes së tyre dhe të pozitës josolide në këtë vendimmarrje, na vjen edhe lajmi më ogurzi nga prestigjiozja britanike “The Economist”, e cila e rendit Shqipërinë në vendet me rrezik të lartë për t’u përshirë nga protesta masive gjatë vitit 2014 po prej këtij buxheti dhe takse të dështuar për vende të vogla dhe ekonomi të brishtë.

Në një analizë të Njësisë së Inteligjencës së Revistës, thuhet se ankthi ekonomik është thuajse një parakusht për protesta masive.

Teksa merren si shembull Ukraina, Brazili, Argjentina, Meksika, Tunizia, Egjipti apo Turqia, “The Economist” shkruan se pabarazia sociale dhe pakënaqësitë politike kanë nxjerrë qytetarët e këtyre vendeve në rrugë.

Tashmë, rezistenca mund të koordinohet me lehtësi më të madhe se kurrë, pasi jetojmë në epokën e smartfonëve, shprehet në raport.

Edhe vetë Berisha nga foltorja e Parlamentit i ka ftuar mbarë shqiptarët që në çdo rrugicë e rrugë, sheshe e qytete të dalin në protesta masive, se fatura e “Rilindjes” do ta rrënojë ekonominë e tyre në 2014-ën.

A do të kemi një reagim nga kjo klasë intelektuale me shifra, fakte, argumente dhe logjikë të ftohtë pa pasion politik, ku renditja e taksave zë për zë dhe pasojat e tyre të miratuara në parim do të përkthehen në minus tek të ardhurat e çdo shtetasi, familjet apo biznesi që do të paguajnë më shumë në fund të vitit.

Ironia e Ramës: “Ju bën mirë, ju pensionistë të ecni në këmbë se jeni bërë obezë” dhe se rritja e naftës 120 lekë nuk është me pasoja, na e tregojnë faktet që gjithmonë ka pasur rritje zinxhir në mbarë ekonominë tonë pas rritjes së çmimit të karburanteve.

Qytetarët do të ballafaqohen me biletat e udhëtimeve apo me faturat kur të paraqiten para sporteleve të tatim-taksave, por sipas specialistëve, rritja e çmimit të mallrave të konsumit bazë do të jetë më 10-13% në fund të vitit.

Pra, 95% e atyre që nuk taksohen direkt, do të paguajnë faturën indirekt dhe kjo do të jetë arsye më shumë se taksa progresive do të japë efektin domino me krizë sociale dhe me pasoja ku edhe remitancat janë në përgjysmim, pasi emigrantët vuajnë krizën në vendet e tyre prej 5-6 vitesh.

Madje, dhomat e tregtisë së SHBA-së e Britanisë dhe shqiptare, janë shprehur në unison se “taksa progresive do t’i largonte ata nga Shqipëria”, madje vendet e rajonit janë më dorëlëshuara mbi investimet e huaja, por kjo, me sa duket, nuk përbën lajm për miopinë e Ramës & Co.

Kriza po troket në këtë dimër të parë si rilindje e vonuar, ku taksa e sheshtë i mori mëndte dhe na e largoi disa vite, ajo progresive duket se do të jetë mallkimi i padëshiruar.

Dhe në fund, pika-pika si uji i shkretëtirës, këta intelektualë do të flasin për krizën që ata vetë në heshtje e miratuan.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency