Buletini i policisë Krimi në 1 muaj, 391 vepra penale më pak

0
133

Anxhela Tato

 

Brenda muajit nëntor-dhjetor janë regjistruar 6 vrasje dhe janë sekuestruar 3 tonë marijuanë

 Krimi Ekonomik çoi në pranga 15 faturues që vidhnin klientët si dhe arrestimi i 8 personave për kontrabandë nafte

 

policia1387782944Ministria e Brendshme publikon buletinin e krimeve për periudhën një mujore 17 nëntor-17 dhjetor. Nga të dhënat e Policisë së Shtetit figuron se në këtë periudhë ka pasur 391 vepra penale më pak në krahasim me vitin e kaluar. “Ulja më e madhe është vërejtur në krimet ekonomiko-financiare, për shkak të numrit të lartë të veprave të evidentuara në kuadër të operacionit “Fund marrëzisë” gjatë periudhës 17 tetor-17 nëntor. Rënie kanë pësuar edhe veprat në fushën e sigurisë rrugore. Krimet e rënda kundër pronës dhe personit kanë pësuar rënie gjithashtu”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas buletinit, brenda një muaji figurojnë në total 2569 vepra penale, zbulueshmëria 83%, 2355 autorë të dyshuar, 832 të arrestuar 1383 persona ndiqen në gjendje të lirë. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar në total gjashtë vrasje. Nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur zbardhja e pesë prej tyre, ndërkohë që po vijojnë hetimet për zbulimin e autorit të njërës prej krimeve. Janë vënë në pranga 9 persona si autorë të krimeve kundër jetës, ndërkohë që pesë prej tyre janë shpallur në kërkim. “Në sektorin e krimeve kundër jetës rezulton në total 238 vepra penale me 268 autorë të proceduar, zbulueshmëria 88.6%. Në total janë 6 vrasje, 8 vrasje të mbetura në tentativë, 16 raste plagosje të rëndë, 102 raste plagosjesh të lehta, 5 krime seksuale, 2 raste të heqjes së paligjshme të lirisë, 88 raste kanosjeje”.

 

Droga

Sipas shifrave të bëra publike, gjatë periudhës 1-mujore, 17 nëntor-17 dhjetor, është kapur 3.9 tonë drogë e llojit marijuanë. Nga operacionet e kryera në pikat kufitare është bllokuar 4 kilogramë heroinë, 5.5 gramë kokainë, 3 tonë e 880 kilogramë marijuanë, 137 gramë metadon dhe 0.7 gramë fara kanabisi. Ndërkohë, në total janë evidentuar 130 vepra penale, 14 raste trafiku lëndësh narkotike, 114 raste prodhimi dhe shitje droge dhe vetëm 2 raste shfrytëzimi lokalesh për përdorim droge. Për sa u përket të arrestuarve janë në total 148 persona të dyshuar, nga të cilët 88 janë prangosur, 7 janë të shpallur në kërkim dhe vetëm 53 po heton në gjendje të lirë.

 

Trafiku i qenieve njerëzore

Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 4 operacione antitrafik, nga të cilat dy operacione kundër trafikimit të armëve e municionit luftarak dhe dy operacione kundër trafikut të qenieve njerëzore. “Operacioni “Rruga e fundit” kundër trafikut të armëve e municioneve, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë. Operacioni “Devijimi” kundër trafikut të armëve e municioneve, me 3 autorë nga të cilët 2 arrestuar në flagrancë dhe 1 është shpallur në kërkim. Operacioni “Ndalesa e fundit” për veprën penale të trafikimit të personave të rritur, me 3 autorë nga të cilët 2 arrestuar dhe një shpallur në kërkim. Operacioni “Shfrytëzuesi” kundër trafikimit të personave të mitur, me 1 autor të arrestuar në flagrancë”. Në total janë regjistruar 9 raste trafiku qeniesh njerëzore, 42 raste trafiku mjetesh motorike, 3 raste trafiku armësh zjarri dhe 4 raste dhënie ndihme për kalim kufiri. Janë 5 persona të arrestuar për trafik qeniesh njerëzore, 6 në pranga për trafik armësh, 43 të arrestuar për trafik mjetesh motorike dhe 4 persona të proceduar për dhënie ndihme kalim kufiri.

 

Korrupsioni

“Strukturat kundër krimit ekonomik e financiar gjatë kësaj periudhe kanë ndërmarrë një sërë operacionesh të suksesshme. Më i rëndësishmi, i cili ka filluar që prej datës 14 tetor është “Fund marrëzisë”, me objektiv goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë këtij operacioni, u kontrolluan 1515 subjekte, u evidentuan 681 vepra penale zhvillim i palejuar i lojërave të fatit, u proceduan penalisht 675 autorë. Në subjektet e kontrolluara u sekuestruan 3.574 pajisje lojëra fati, 283 kompjuterë dhe 700 monitorë (televizorë)”. Operacioni i koduar “Faturisti”, ku u arrestuan 15 faturistë të kompanisë CEZ sh.a dhe 1 u shpall në kërkim, pasi gjatë viteve 2010 dhe 2011 u kishin mbifaturuar në mënyrë fiktive qindra abonentëve familjarë apo bizneseve, përkatësisht nga 2000-4000 kesh dhe 20000 kesh energji vetëm gjatë një muaji pa kryer leximin e matësve të energjisë elektrike. Operacioni i koduar “Nafta” ku u arrestuan dhe ndaluan 8 shtetas dhe filloi ndjekja penale ndaj 3 shtetasve tjerë, pasi kryenin kontrabandë të naftës dhe pijeve alkoolike me anije peshkimi nëpërmjet portit Durrës.

 

 

Janar-dhjetor

 Krimet kundër personit, në total 11 vrasje pa autor

 Vrasje të bujshme, vrasje në rrethana misterioze, ekzekutime në mes të kryeqytetit, por shumë pak prej tyre janë zbardhur. Prej janarit të këtij viti deri më sot, në kryeqytet janë bërë 32 vrasje, nga të cilat 11 prej tyre në rastin më të keq janë pa autor ose në rastin më të mirë policia ka zbardhur ngjarjen, por nuk kanë arrestuar autorin. Për vrasjet që janë bërë mediatike, rezulton se prej muajit janar në Tiranë rezultojnë 9 vrasje pa autor dhe dy vrasje kur uniformat blu kanë identifikuar autorin, por nuk e kanë kapur atë. Sipas arkivit, në të gjitha rastet e vrasjeve pa autorë, bëhet fjalë ose për ekzekutime mafioze, ose për atentate të organizuara ndaj biznesmenëve. Kështu, pa autorë ka ngelur vrasja e 40-vjeçarit Admirim Sako, i ekzekutuar në 23 janar, vrasja e emigrantit Agron Dervishi, 36 vjeç, i ekzekutuar në 27 janar të këtij viti, vrasja e ish-boksierit Adrian Levanti, i ekzekutuar me 7 plumba në 26 prill të këtij viti, vrasja e biznesmenit Hikmet Kotorri, 44 vjeç, i cili u ekzekutua në 6 maj, vrasja e Ervis Tafaruçit, 33 vjeç, i ekzekutuar në 27 maj në Kavajë, vrasja e Luigj Dukagjinit, pronar i një autoshkolle, i ekzekutuar më 15 qershor, vrasja e Edmond Dervishit, 47 vjeç, i ekzekutuar në 15 korrik, vrasja e Elidon Lafetajt (Elio Bendo), 33 vjeç, i ekzekutuar në 24 gusht dhe vrasja e Elvis Doçit, 34 vjeç, pronar i një kazinoje, i ekzekutuar në 23 tetor. Të gjitha këto vrasje deri më tani nuk janë zbardhur nga policia dhe për këtë arsye nuk ka asnjë person të arrestuar. Gjithashtu, brenda harkut kohor prej afro një viti rezultojnë edhe dy vrasje për të cilat dihet se kush i ka bërë, por ende policia nuk ka arritur që të kapë autorët. Kështu, uniformat blu nuk kanë mundur të arrestojnë ende autorin e dyshuar për vrasjen e balerinës Sonila Tafa, 26 vjeçe, e ekzekutuar në 6 prill nga Artur Kuliçi, i cili është shpallur në kërkim dhe ende rezulton i lirë. Një tjetër vrasje për të cilën ende një nga autorët rezulton i paarrestuar, është vrasja me thikë e 17-vjeçarit Gjergj Prenga, i cili u vra në 28 mars të këtij viti. Ndërkohë, ajo që vihet re nga arkivi i gazetës është fakti se nga 32 vrasje në total brenda një viti, policia ka zbardhur vetëm 21 prej tyre, të cilat ose kanë qenë krime brenda familjes, ose autori është vetëdorëzuar, numri më i madh i të cilave ka qenë në muajin korrik, ku janë shënuar 4 vrasje brenda familjes. Prej fillimvitit, blutë e Tiranës kanë mundur që të arrestojnë vetëm autorët e krimeve brenda familjes, por asnjë nga autorët e atentateve misterioze.

 

Lista e vrasjeve pa autor në Tiranë

 

23 janar, vritet Admirim Sako, 40 vjeç, pa autor

27 janar, vritet emigranti Agron Dervishi, 36 vjeç, pa autor

26 prill, vritet Adrian Levanti, pa autor

6 maj, vritet Hikmet Kotorri, 44 vjeç, pa autor

27 maj, vritet Ervis Tafaruçi, 33 vjeç, në Kavajë, pa autor

15 qershor, vritet Luigj Dukagjini, pa autor

15 korrik, vritet Edmond Dervishi, 44 vjeç, pa autor

24 gusht, vritet Elidon Lafetaj, pa autor

23 tetor, vritet Elvis Doçi, pa autor

6 prill, vritet Sonila Tafa, autori Artur Kuliçi, i lirë

28 mars, vritet Gjergj Prenga, autori i lirë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency