0
160

Anxhela Tato

 

Gjenden 2 armë zjarri automatike në kazanët e plehrave, nuk kanë gjurmë gishtash

 Dëshmia e shitëses: Armët i nxorën nga bluza, më kërkuan gjithë bizhutë dhe lekët e arkës

 

 babagjushatBabagjyshat e Vitit të Ri kanë uruar shitësen e argjendarisë dhe më pas i kanë nxjerrë armën e zjarrit, duke i kërkuar t’i jepte të gjithë lekët dhe bizhuteritë. E trembur, shitësja i ka dhënë gjithë bizhutë, të cilat grabitësit i kanë futur nëpër disa çanta të zeza dore. Armët e zjarrit, të llojit automatik, janë gjetur në kazanët e plehrave në zonën e Sanatoriumit. Dy armë zjarri, ku vetëm njëra prej tyre kishte në total 5 fishekë. Nga ekspertiza balistike nuk janë gjetur gjurmë gishtash, duke hedhur dyshimet se grabitësit kanë mbajtur doreza për të mos lënë shenja. Ndërkohë, nga pamjet filmike të sekuestruara është e pamundur që të identifikohen dhe të dallohen qartë tiparet e fytyrës së grabitësve. Kjo, pasi babagjyshat mbanin mjekër të bardhë dhe syze. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tregojnë katër persona të maskuar si babagjysha, të cilët ecnin qetësisht në qendrën tregtare. Njëri prej tyre është ndaluar nga një fëmijë i vogël, duke u detyruar që për një moment të kthehej në personazhin e babagjyshit. Ai ka përkëdhelur dhe ka uruar fëmijën. Mësohet se njëri prej rojave private të qendrës tregtare ka ndaluar grupin e babagjyshave grabitës, duke i pyetur se me çfarë aktiviteti ndodheshin në TEG. Ata i janë përgjigjur se ishin thirrur në një festë që organizohej për fëmijët. Më pas grabitësit janë ngjitur në katin e dytë të qendrës tregtare, duke u drejtuar për tek argjendaria “Xhelozia”. Në momentin që janë futur brenda, pasi kanë uruar shitësen, kanë nxjerrë armët e zjarrit dhe i kanë kërkuar bizhuteritë, pjesa më e madhe e të cilave është flori. Ende nuk bëhet e qartë vlera financiare e dëmit, por shuma përafërsisht mund të jetë nga 90-200 mijë euro.

 

Hetimet

 

Nga ana e policisë është marrë në pyetje shitësja e argjendarisë, e cila ka rrëfyer se grabitja ka ndodhur brenda pak çastesh. “Katër djem të veshur si babagjysha të Vitit të Ri erdhën brenda në argjendari. Unë mendova se kishin nevojë për ndonjë gjë. Fillimisht njëri prej tyre më uroi gëzuar festat, unë ia ktheva urimin dhe në momentin që do t’i pyesja se çfarë u duhej, dy prej tyre nxorën armët e zjarrit. U tmerrova dhe ngriva fare, nuk dija çfarë të bëja. Ata më kërkuan që t’u jepja gjithë bizhuteritë dhe lekët që kishte arka. Ua dhashë të gjitha dhe ata i futën në disa çanta të zeza që i nxorën nga bluza. Armët e zjarrit i mbanin brenda xhaketës së kuqe, të futur poshtë pantallonave. Nuk shikoheshin mirë, pasi ishin me mjekër të bardhë dhe nuk mund t’i përshkruaj fiks”, – pjesë e rrëfimit të shitëses. Për këtë ngjarje është shoqëruar edhe pronari i automjetit, i cili u përdor nga grabitësit. Ai ka rrëfyer se makina i ishte grabitur para një jave, por nuk kishte bërë denoncim në polici. Automjeti, të cilit iu vu flaka pas grabitjes, ishte vjedhur në parkingun afër banesës së pronarit. Nga ana e bluve fakti që nuk është bërë denoncimi lind dyshimin se ky person mund të ketë dijeni për ngjarjen, duke qenë i lidhur me grupin. Ndërkohë, nga blutë është bërë i mundur vetëm ndërtimi i identikitit të autorëve nga pamjet filmike si dhe nga dëshmia e shitëses. Katër djemtë, me gjatësi mesatare, ishin veshur me bluzë dhe pantallona të kuqe. Ata mbanin një mjekër të bardhë dhe syze të errëta. Nga ana e bluve janë duke u zhvilluar hetime intensive për identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjes së grabitësve. Dyshimet janë se autorët mund të jenë fshehur në fshatrat përreth zonës ku ndodhi ngjarja.

 

 

Kakavijë

 Makina bie nga 5 metra lartësi, 1 i vdekur dhe 3 të plagosur

 Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit të së mërkurës, pak metra larg pikës kufitare të Kakavijës. Në automjetin e aksidentuar po udhëtonin katër anëtarë të së njëjtës familje, të cilët po ktheheshin në atdhe për festat e fundvitit. Sipas policisë greke, automjeti me targa helene, që drejtohej nga një 41-vjeçar shqiptar, humbi kontrollin dhe ra nga një urë 5 metra e lartë. Prej llamarinave të shkatërruara të makinës, policia greke mundi të nxirrte trupin e pajetë të 41-vjeçarit, ndërsa djali 5-vjeçar, gjyshja 66 vjeçe dhe bashkëshortja 40 vjeç u dërguan në spitalin e Janinës në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët e spitalit thanë se gjendja e fëmijës dhe gjyshes së tij është tepër e rëndë, ndërsa mamaja është në gjendje më të mirë. Sipas bluzave të bardha të aksidentuarit kanë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas uniformave blu shkak i aksidentit ka qenë gjendja e përgjumur e drejtuesit të automjetit. Hetimet po kryhen prej policisë rrugore të Janinës, ndërsa trupi i pajetë i 41-vjeçarit është çuar në morgun e qytetit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Nga ana e policisë janë duke vijuar hetimet he pritet marrja në pyetje e të aksidentuarve pas përmirësimit të gjendje shëndetësore.

 

 

Burrel

 

Përfshihet nga flakët magazina e bimëve mjekësore, nuk ka të lënduar

 Përfshihet nga flakët një magazinë dykatëshe me bimë mjekësore në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel. Ngjarja u shënua rreth orës 8 të mëngjesit të djeshëm në një zonë të banuar, mes disa shtëpive banimi dhe ish-hotelit të uzinës. Fatmirësisht, flakët nuk janë përhapur në banesa të tjera, pasi forcat e zjarrfikëseve kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e flakëve. Për pasojë, e gjithë magazina është djegur bashkë me bimët mjekësore që ndodheshin në të, ndërsa nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri, ndërsa policia e Burrelit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 

 

Tiranë

 Përleshet me policinë në Dibër, prangoset i kërkuari

 Një i dyshuar për trafik droge, pasi është përleshur me inspektorët e policisë së Dibrës, mbrëmjen e së martës është kapur në Tiranë. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se Aleksandër Leti, i arrestuar më parë për vjedhje, është vënë në pranga në kryeqytet nga agjentët e policisë së Dibrës. Ky person është arrestuar për akuzën e trafikut të drogës. Siç bëjnë të ditur burimet policore, i arrestuari është ndjekur gjatë gjithë natës nga Dibra në Tiranë, pasi është përleshur në një moment edhe me inspektorin e zonës në Dibër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency