Mashtrimi 2.5 mln euro nga rimbursimi i TVSH-së, mbyllet hetimi

0
216

Anxhela Tato

Depozitohet në Gjykatën e Kukësit dosja me 25 të pandehur, administratorë kompanish fiktive

 Hetimet, kompania ka paraqitur fatura për blerje fiktive, duke kërkuar rimbursimin e TVSH-së

 

policia tatimoreMbyllen hetimet për 25 persona të përfshirë në skemën e abuzimit me rimbursimin e TVSH-së. Prokuroria e Kukësit ka depozituar dosjen e plotë hetimore në Gjykatë, e cila brenda tri ditësh do të hidhet në short, nga i cili do të përzgjidhet trupa gjykuese. Të pandehurit janë të gjithë administratorë kompanish me aktivitet fiktiv, të cilët kanë arritur të përvetësojnë me anë të mashtrimit një sasi prej 2.5 milionë eurosh. Këta persona janë akuzuar se në bashkëpunim kanë kryer veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve” dhe “Fshehjes së të ardhurave”. Kjo çështje është hetuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës. Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se subjekti “Diell–IIB” me administrator shtetasin kosovar të hetuar në gjendje arresti në burg, Ismet Syla, pasi është regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Kukës, ka tërhequr në këtë Drejtori disa blloqe me fatura TVSH-je dhe ka përdorur këto fatura në shitje për subjekte të tjerë.

 

Hetimet

 

Nga hetimet ka rezultuar se ky subjekt është fiktiv, pa aktivitet real, pasi nuk ka bërë deklarime në shitje e as në blerje; nuk ka të deklaruar fuqi punëtore apo mjete të nevojshme për përballim të aktivitetit; nuk ka një qendër të ushtrimit të aktivitetit; faturat e lëshuara janë të falsifikuara e fiktive etj. Si rezultat, për faturat e lëshuara në shitje nuk ka paguar asnjë detyrim ndaj shtetit, si: TVSH, tatim fitimi, sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore etj. Ndërkohë, këto fatura janë deklaruar në blerje, duke përfituar kreditimin e TVSH-së nga subjektet e përfshira në këtë skemë mashtrimi me administratorët e mëposhtëm. Administratorëve të këtyre subjekteve u është komunikuar akuza për veprat penale të përmendura më sipër dhe çështja do të kalojë për gjykim. Dëmi i shkaktuar nga aktiviteti kriminal i kryer në bashkëpunim nga të pandehurit arrin vlerën rreth 2.5 milionë euro. Administrata tatimore është e vendosur të vazhdojë luftën kundër evazionit fiskal, duke dërguar para drejtësisë çdo rast të mashtrimit me TVSH apo fshehjes së të ardhurave.

 

Skema mashtrimi

 

Më datë 18 dhjetor, në prangat e bluve kanë rënë gjashtë administratorë firmash fantazmë të shitjes së skrapit, një ekonomiste dhe një falsifikator. Arrestimi është bërë pas lëshimit të urdhrit të arrestit të Prokurorisë dhe caktimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”. Personat e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar subjekte tatimore fiktive, nëpërmjet të cilave deklaronin veprime financiare dhe kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të paligjshme rimbursimin e TVSH-së nga ana e administratës tatimore. Për zbërthimin e kësaj skeme mashtruese, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka bashkëpunuar ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Nga veprimet procedurale, ka rezultuar se personat e arrestuar janë administratorë të kompanive të konsideruara të nivelit II, të cilët operojnë në veprimtarinë e mbledhjes dhe përpunimit të skrapit. Këta persona dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive subjekte të konsideruara të nivelit III, nëpërmjet të cilave deklaronin se kishin kryer aktivitet shitje-blerje.

 

 

Të pandehurit janë:

Petrit Imeraj

Thanas Çuko

Arol Kola

Pjerin Gjoka

Luan Gjoka

Gjin Doçi

Alfred Ndoci

Nikoll Nikolli

Pashk Prendi

Bardhok Prendokaj

Ludovik Prenga

Nikolin Zaja

Edmond Sejdiraj

Baki Rakipaj

Arman Dervishi

Preng Rrapi

Skënder Bokçiu

Pjetër Dodaj

Musa Kalia

Preng Deda

Xhevahir Karaj

Krenar Muka

Mujo Qyrdeti

Alban Ademi

 

 

Gjobiti biznesmenin me 100 mijë euro, pranga ish-gardistit Fatos Skeja

 Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-gardistin Fatos Skeja dhe 33-vjeçarin Gojart Loci, të cilët akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni. Burime bëjnë të ditur se arrestimi i ish-gardistit është kryer nga policia e kryeqytetit me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi ndaj Skejës janë ngritur akuza për një ngjarje të ndodhur në muajin gusht, kur ish-gardisti dhe shtetasi Gojart Loci kanë gjobitur me 100 mijë euro një biznesmen. Sipërmarrësi nga Kalaja e Dodës (Dibër), me banim në SHBA, ka denoncuar se persona të paidentifikuar i kishin vënë gjobë 100 mijë euro. I dëmtuari ka denoncuar se autorët që nuk i njihte, me anë të telefonit e kanë kërcënuar me jetën e familjarëve të tij, duke i kërkuar 100 mijë euro. Pas marrjes së denoncimit, policia e Tiranës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nëpërmjet forcave të sektorit të Operacioneve Speciale është organizuar aksioni për “dorëzim të kontrolluar” të parave në afërsi të malit të Dajtit. Paratë janë lënë pranë rrugës që të çon drejt malit të Dajtit dhe policia ka mbajtur nën vëzhgim zonën. Pas kësaj ka nisur aksioni për kapjen e autorëve. Një makinë, në të cilën udhëtonte vetëm një person, i është afruar vendit ku ishte lënë çanta me para, e ka marrë dhe është larguar. Policia i është vënë pas, por autori duket se ka nuhatur ndjekjen dhe e ka braktisur mjetin bashkë me paratë. Nga verifikimi i automjetit që ka përdorur autori ka rezultuar se ishte në pronësi të një prokurori nga Shkodra. Grupi hetimor ka kontaktuar me të në lidhje me makinën dhe ai ka deklaruar se ia kishte shitur ish-gardistit Fatos Skeja. Në shtator nga ana e forcave të policisë është shoqëruar ish-gardisti, i cili është marrë në pyetje fillimisht si person që ka dijeni për ngjarjen, duke u lënë i lirë. Por, nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se Skeja është i përfshirë në skemën e gjobitjes së biznesmenit, ndërkohë që vetëm para dy muajsh, me një urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u shkarkuan nga detyra një grup funksionarësh të Gardës, mes tyre edhe Skeja.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency