Fermerët Reforma e tokës 2014, projekti pilot për certifikatat e pronësisë

0
255

Gëzim Saliu

 

 

Ministri Panariti: Fondet e buxhetit do të shkojnë direkt për bujkun, fermerin dhe bizneset agropërpunuese

toke bujqesore Buxheti i vitit 2014 për bujqësinë do të bazohet tek orientimi i financimeve në trajtën e pagesave të drejtpërdrejta për bujkun, fermerin si edhe do të shënojë nisjen e procesit të dhënies së certifikatave të pronësisë për fermerët. Këto janë objektivat e përcaktuara nga qeveria dhe përkatësisht Ministria e Bujqësisë për vitin e ardhshëm, ku nga ana tjetër parashikohet që fondet të mbështesin rezultatin dhe jo përpjekjet pa perspektivë. Nisur nga fakti se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2014 shënon një rritje me 550 milionë lekë më shumë në krahasim me buxhetin e vitit që po mbyllet, presioni do të jetë i madh në kuadër të prioriteteve të vendosura për finalizimin e ligjit 7501, kullimin e tokave dhe ujin në çdo parcelë, politikat fiskale për bujqësinë, të mbështetura në zerimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për farërat dhe fidanët, plehrat dhe pesticidet si edhe furnizimi me naftë pa akcizë për serat me ngrohje, mekanikën bujqësore dhe peshkimin, ku kjo e fundit do të kërkojë më parë konsolidimin e skemës së shpërndarjes së karburantit.

 

Ministri

 

Në një analizë të buxhetit të vitit 2014 për bujqësinë, ministri i këtij dikasteri, Edmond Panariti, bëri të ditur dje se prioritet i këtij buxheti do të jetë orientimi i financimeve në trajtën e pagesave direkte për bujkun, fermerin, bizneset bujqësore dhe ato agropërpunuese. “Ajo që dallon buxhetin e vitit të ardhshëm për bujqësinë nuk janë thjesht ato 550 milionë lekë më shumë në krahasim me buxhetin e vitit që po mbyllet, por orientimi i këtyre financimeve në trajtën e pagesave direkte për bujkun, fermerin, bizneset bujqësore dhe ato agropërpunuese. Në këtë mënyrë ne do të gjallërojmë industrinë agropërpunuese të vendit në mënyrë që prodhimet tona të marrin vlerë të shtuar dhe të rritin konkurrueshmërinë dhe të plotësojnë standardet e cilësisë dhe të sigurisë në treg”, – tha ai. Lidhur me titujt e pronësisë, ministri theksoi se do të nisë shpërndarja e certifikatave për fermerët, duke çuar drejt finales ligjin 7501. Ai bëri të ditur se ky proces do të fillojë më parë në disa komuna pilot e për t’u zgjeruar më tej në gjithë vendin. Ndërsa lidhur me akcizën e naftës, ministri bëri të ditur se fermerëve do t’u rimbursohet akciza, por se skema e rimbursimit është ende e pa vendosur. “Heqja e akcizës është një instrument që mund të aplikohet në çdo kohë, problem nuk është heqja e akcizës dhe shpërndarja e naftës me çmim të ulët por është në radhë të parë konsolidimi i skemës së shpërndarjes, në mënyrë që kjo naftë të rrjedhë vetëm në kanalet e prodhimit bujqësor, agropërpunimit, agrobiznesit, në serat me ngrohje dhe në peshkimi. Kemi pasur shembuj të hidhur në të shkuarën, kur kjo naftë nuk ka shkuar në destinacion nga skema të cilat nuk e kanë garantuar që ajo të shkojë atje ku destinohet, dhe ne nuk duam që kjo punë të përsëritet. Prandaj do mendojmë një skemë të mirë shpërndarje në mënyrë që kjo naftë të shkojë atje ku duhet për të stimuluar prodhimin, për të stimuluar agropërpunimin dhe jo të shkojë në kanale ekstra bujqësorë”, – theksoi Panariti, duke shtuar se kullimi i tokave dhe uji në çdo parcelë, mbeten objektiva kryesore: “Duke qenë plotësisht të bindur se në toka që nuk kullojnë dhe që nuk vaditen, nuk ka kuptim asnjë ndërhyrje dhe asnjë investim”.

 

Sistemi i kullimit – 200 milionë lekë do të investohen për 2014-ën së bashku me 23 milionë euro nga donatorët

 

Prioritetet për 2014-ën

 

Dhënia e certifikatave të pronësisë për fermerët

Kullimi dhe uji në çdo parcelë

Rimbursim të akcizës së naftës për fermerët (skema ende e papërcaktuar)

Mbështetje financiare për inputet dhe zerimi i tatimit mbi vlerën e shtuar për farërat dhe fidanët, plehrat dhe pesticidet

 

somario

“Ne nuk do të paguajmë asnjë qindarkë për ngastra që mbillen, regjistrohen e deklarohen sa për të përfituar paratë e që më pas braktisën pa pasur asnjë perspektive prodhimi”

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency