Vendimi Dhunoi nënën adoptive, Gjykata dënon vajzën me 6 muaj burg

0
133

Sonja Caka

E reja akuzohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj nënës

Gjykata: E pandehura pranoi dhunën dhe u shpreh e penduar në gjyq

 

dhuna ndaj graveE adoptoi, e rriti, e arsimoi aq sa mundi dhe vajza ia ktheu gjithë këtë mund me ushtrim dhune. Aq të shpeshta ishin rastet e dhunës, saqë në momentin që dhunohej me një shkop fshese, gruaja është detyruar të njoftojë policinë për t’i ardhur në ndihmë. Autopatrulla ka ndërhyrë menjëherë dhe ka vënë në pranga vajzën që dhunonte nënën adoptive. Pas hetimit, dosja përfundoi për gjykim në Gjykatën e Tiranës, e cila në përfundim, pasi dëgjoi palët dhe pendesën e 35-vjeçares, vendosi ta dënojë atë përfundimisht me 6 muaj burg. Procesi është mbyllur me pak seanca, pasi e pandehura Ensiana P. është gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar, pasi kërkesës së saj për t’u gjykuar në gjendjen që janë aktet për akuzën e “Dhunës në familje”.

Akuza

Në vendimin e gjykatës thuhet se e pandehura Ensiana P, më datë 03.09.2013, rreth orës 13.30, ka dhunuar fizikisht nënën e saj Silvana P,.  Sipas gjykatës, e pandehura këtë veprim e ka kryer disa herë ndaj nënës së saj, duke e goditur me grushta, shkelma e sende të tjera të forta, duke e dëmtuar kështu shëndetin e saj. Herën e fundit, para se të arrestohej, dhuna ka pasur si pikënisje mos rënien dakord për blerjen e një garsoniere. Kështu, sipas vendimit të gjykatës, e dëmtuara Silvana P., ka dashur të shesë shtëpinë e saj, e të blejë një garsionere, për vajzën e saj të adoptuar, Ensianën. Ato kanë parë në kompleksin “Kika”, por aty shtëpitë ishin të shtrenjta e në momentin që janë kthyer në shtëpi, Ensiana ka marrë shkopin e fshesës dhe ka filluar të godasë nënën e saj, Silvanën në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë është lajmëruar policie, e cila ka bërë edhe prangosjen e 35-vjeçares. Sipas aktit të ekspertimit mjeko- ligjor nr. 1047, datë 04.09.2013, është arritur në konkluzion se “dëmtimet e shtetases Silvana P., hyjnë në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të aftësisë së përkohshme për punë,  në masën  mbi  9  ditë”. Pas marrjes së aktit të ekspertizës nga mjekët, Prokuroria ngriti nga të pandehurës akuzën e “Dhunës në familje”. Vetë e pandehura ka pranuar në seancë gjyqësore dhunën e ushtruar ndaj nënës së saj adoptive.

 

Itali

Kapen me 8 kg kokainë, arrestohen 2 shqiptarë

Dy shqiptarë janë vënë në pranga nga policia e Komos në Itali, pasi gjatë kontrollit të ushtruar u është gjetur në banesë sasia prej 8 kg heroinë e pastër, e cila nëse do të shitej në treg do kapte vlerën e 250 mijë euro-ve. Policia ka bërë të ditur se, arrestimet janë në kuadër të një operacioni antidrogë, të nisur disa javë më parë. Aksioni i policisë, është zhvilluar në vijimësi të aksionit të ditës së enjte, ku u ndaluan edhe dy shqiptarë të tjerë, diçka më shumë se 18 vjeç, të cilëve në banesë iu kap edhe 115 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Ndërkaq, disa kilogramë ju gjet atyre në makinë. Kjo është e njëjta zonë ku është gjetur edhe më parë një sasi e madhe lëndësh narkotike heroinë. Sipas policisë sasia prej 8 kilogramësh e heroinës ishte e destinuar edhe për tregun zvicerian. Po sipas të dhënave policore, 5 kg heroinë u është gjetur në apartamentin ku jetonte një i ri shqiptar, ndërsa 3 kg iu gjetën një tjetër shqiptari i cili ishte duke dalë nga e njëjta banesë. Të dy të rinjtë janë arrestuar dhe janë mbyllur në burgun e Bosones në pritje për të dalë para gjykatës për akuzën e “shitjes së narkotikëve”. Paraprakisht, gjyqtari i gatshëm Luciano Storaci ka caktuar masën e arrestit me burg për dy shqiptarët, për akuzën e mbajtjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike. Nga hetimet e para mësohet se dy të rinjtë kanë preferuar të heshtin para gjyqtarit lidhur me akuzën.

Itali

Tentojnë të grabisin prostitutën, arrestohen dy shqiptarë dhe një italian

Policia italiane ka vënë në pranga tre shtetas. dy me origjinë shqiptare dhe një italian pasi akuzohen se kanë tentuar të grabisin një prostitutë. Por, sipas mediave italiane, ka qenë ndërhyrja në kohë e karabinierëve që ka shpëtuar vajzën dhe ka vënë në pranga tri të rinjtë. Protagonistë të kësaj ngjarjeje kanë qenë shqiptarët me inicialet A.M., 25 vjeç, A.M,30 vjeç dhe një italian F.P. 31 vjeç, të cilët janë shoqëruar për në qelitë e burgut për akuzën “tentativë vjedhje”. Pas ndalimit mësohet se të rinjve u është gjetur në posedim një pistoletë bosh e tipit 7,65, pa tapën e kuqe, e cila do të përdorej, sipas hetuesve, për të kërcënuar dhe grabitur prostitutën kineze, e cila punonte në një apartament në periferi të Savonës.

Itali

Arrestohet 28-vjeçari në kërkim, i plagosur rëndë nga një tjetër shqiptar

Një 28 vjeçar shqiptar, i identifikuar si Ermir Neziri, u arrestua nga policia pasi u rezultoi atyre person në kërkim. I riu është gjetur i plagosur dhe pa ndjenja në rrugën Santella e Santa Maria Capua Vetere (Caserta) dhe menjëherë u transportua për në spital nga policia, e cila pasi disa kontrolleve të bëra për identifikimin e të plagosurit ka konstatuar se ai ishte person në kërkim, ndërsa për të ishte prerë një fletë ndalimi nga prokuroria. Mjekët e spitalit Melorio kanë gjykuar se i riu ndodhet në gjendje të rëndë dhe kanë urdhëruar shtrim të menjëhershëm për të. Aktualisht 28-vjeçari Neziri ndodhet në intubim. Sipas policisë, ai është qëlluar me thikë nga një bashkatdhetar. Aktualisht Neziri ruhet nga policia në spital, ndërsa mësohet nga mjekët se rrezikon heqjen e shpretkës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency