Misteri i tempullarëve, çfarë fshihet pas tyre

0
198

tempullaretNë fillim të shekullit XIV nisën të qarkullojnë fjalë të  çuditshme rreth Urdhërit të Tempullarëve, të cilat shumë shpejt u shndërruan në akuza të rënda si: ndërrim feje, idhujtari, sakrilegj, sodomi, shtrigëri, dhe vrasje rituale. Ndër akuzat më të rënda që u hodhën mbi Tempullarët ishte edhe ajo e adhurimit të disa idhujve të shëmtuar, mbasiqë kishin mohuar më parë Krishtin, gjë të cilën e gjejmë të shkruar në disa deklarata të paraqitura në proceset kundër tyre. Një tempullar që ishte duke dhënë shpirt, më 14 prill të vitit 1309, pati pohuar para komisionit: “Jam pranuar në Urdhër dyzetë vjet më parë në Rochelle nga një Vëlla i Legjionit, tashmë i vdekur. Ai më tha që duhet mohuar Zoti Ynë. Nuk më kujtohet nëse përdori fjalën Jezu Krisht apo kryqëzim; është e njëjta gjë, tha ai (sed dixit ipsi testi quod totum est unum). Unë ju përgjigja që, nëse do ta mohoja, kishte për të qenë një veprim i gojës por jo i zemrës; gjë të cilën edhe e bëra… Vëllai i Legjionit më urdhëroi të pështyja mbi një kryq të vogël dhe unë pështyva një herë në drejtim të atij kryqi, por jo mbi të.” (Jean Marquès-Rivière, Histori e doktrinave ezoterike,1984).

Edhe pse me variante, mënyra e të dëshmuarit vazhdon në një kahje  të tillë. Duhet të marrim parasysh këtu edhe shkruesit kishtarë të shekullit XIV, mes të cilëve Angerius de Béziers, simbas të cilit kalorësit e Tempullit adhuronin një kult misterioz “fallso dhe mashtrues”? Dukej tashmë që po vërtetohej se në gjirin e Urdhërit kremtoheshin rituale shumë të fshehta. Dhe është e sigurtë se filozofët arabë kishin ndikuar mbi kalorësit e vrazhdë të Urdhërit… Nëse thuhet ndikim material, kihet parasysh edhe ngopje shpirtërore e edhe “shkëmbim mistik”, në një farë kuptimi. Sigurisht që Urdhëri përthithi elemente doktrinore dhe rituale të ezoterizmit lindor. Pësoi ndikim nga vëllazëritë ezoterike muslimane, përfshirë këtu edhe konceptin e unifikimit të botës dhe të një rregulli të ri shoqëror.

Akuza tjera të rënda që iu bënë Urdhërit, ishin ato të të mbajturit të “zakoneve të vajtueshme” dhe adhurimi i idhujve (koka dhe imazhe misterioze). Përsa u përket këtyre idhujve të çuditshëm, ja dhe akuza e hedhur nga gjyqi roman:

Pika 46 – Në të gjitha provincat ata kishin idhuj, koka me tri fytyra, me një të vetme, ose kafka njerëzore.

Pika 47- Nëpër kuvendet e tyre e sidomos në tubimet e krerëve të tyre, ata adhuronin idhullin si një Zot, si Shpëtimtarin e tyre, pohonin se ajo kokë mund t’i shpëtonte, që ajo i jepte Urdhërit të gjitha pasuritë, e që bënte të lulëzonin pemët dhe të mugullonte bimësia prej tokës.

Mund të theksojmë se ka dëshmi dhe rrëfime të ndryshme mbi egzistencën e idhujve. Ky është një ndër misteret më të mëdha të Tempullarëve. Disa dëshmi të ruajtura në “Dokumente të pabotuara të Historisë së Francës”, tregojnë se ata adhuronin një “kokë mjekëroshe”. Jean Marquès-Rivière shkruan: “Vëllai Jean Taillefer, i dioqezës së Langres, pohoi se në kohën e pranimit të tij, atë e kishin çuar përballë një idhulli më fytyrë njerëzore. Hugues de Bures, vëlla burgonjez, flet për një kokë që ruhej në raftin e Kapelës. Ky idhull, simbas mendimit të tij, ishte prej argjendi, bakri ose ari, dhe paraqiste një kokë njerëzore me mjekërr të gjatë , që ai këmbëngulte se ishte e bardhë.

“Tempullari Rodolfo de Gisi deklaroi se kishte qenë i pranishëm në një tubim të përgjithshëm të mbajtur nga vëllai Villers, në dioqezën e Troyes, gjatë së cilit vëllai Hugues de Besancon vendosi mbi një bangë kokën e një idhulli. Në këtë pikë frika e rishtarit kishte qenë aq e madhe sa ishte larguar nga tubimi pa e pritur faljen e mëkateve. Vetë Rodolfo de Gisi, i marrë sërish në pyetje, pohoi se e kishte parë një kokë të tillë në shtatë tubime të përgjithshme, e, simbas tij, idhulli kishte një çehre të tmerrshme e demoniake; sa herë që e shfaqej koka, ai mezi guxonte t’ia hidhte një vështrim, sepse e mbushte me tmerr” (Jean Marquès-Rivière, Hajmali, talismane dhe pantacoli.)

Rrëfime tjera tronditëse dëshmojnë për egzistencën e një kulti satanik,  praktikuar nga Urdhëri ndaj një koke të çuditshme  dhe një idhulli edhe më misterioz. Jean Marquès-Rivière saktëson sërish: “Nuk duhet të ngatërrojmë KOKËN e Tempullarëve me statujën e plotë; Vëlla Giovanni de Turn, ruajtësi i thesarit në Tempullin e Parisit, pohon të ketë parë imazhin e një njeriu, që simbas mendimit të tij mund të ketë qenë një shenjtor, -mbi tryezë- e të cilin e kishin urdhëruar ta adhuronte.. Arnoldo de Goerte, i dioqezës së Saintes, kishte dëgjuar të flitej për një idhull që gjendej në shtëpinë e Tempullit të Rupelle; dëshmia e Pierre Girald de Marsac është më e hollësishme, ai pohon se ai që e kish pranuar në Urdhër, vëllai Thibault, nxori nga tunika e tij figurën e vogël të një gruaje duke i thënë se gjithçka do kthehej përsëmbari nëse ai do të besonte tek ajo figurë.“.

Gjyqtarëve të caktuar për të drejtuar procesin, Guglielmo Pidoye, administrator dhe rojtar i thesareve të Tempullit, “…u tregoi atyre një idhull të madh prej argjendi krejtësisht të veshur me ar, që paraqiste një grua. Teksti pohon se në një cohë të kuqe të mbërthyer pas bustit, ishte një pusullë në të cilën lexohej: Caput LVIII. Matter, në librin e tij Histori e Gnosticizmit, shkruan: “Mohimi pasohej nga adhurimi i një idhulli, që ndryshonte në formë e në shprehje, në material e në ngjyrë. Egzistonin kopje të ndryshme që Tempullarët i ruanin nëpër peshtafë. Nuk shkoi gjatë e nisi të ndodhë ngatërrim mes kokës dhe idhullit, e shpeshherë njëra ngatërrohej me tjetrën.”

Ja vlen të përmendet, në lidhje me sa thamë, androgjinia e idhullit të quajtur Baphomet, i cili kishte mjekër por që njëkohësisht kishte edhe gjinj femërorë. Emri i tij ka qenë objekt i interpretimeve të ndryshme. Disa e kanë quajtur një variant të Muhamedit (Mahomet, Machomet, Maphomet, Baphomet)” Për disa të tjerë është “një shkurtim i AB PPHibus TEMplum, Tempullit (i vjen fuqina e tij)  nga gjarpërinjtë”. Mes shkollave të shumta dhe sekteve të gnostikëve të prejardhura nga mjeshtrat kryesorë të gnosës Simon Magu, Meandri, Saturnini, Karpokrati, Bazilidi, Valentini e Marçoni, njeri prej këtyre grupeve, afitët, adhuronte Gjarpërin e Parajsës tokësore. Disa studiues, për këtë dhe të tjera, pohojnë që doktrinat tempullare e kishin prejardhjen nga ofitët.

Soterologjia gnostike e sheh botën materiale si një burg, abort i një zoti inferior, mbretëri e errësirës, mbretëri e materies së përjetshme që i kundërvihet asaj të Dritës, mbretësisë së Zotit. Bota e materies, simbas tyre, është krijuar nga zoti demiurg (krijues) i kozmosit që ishte “ose i fundmi i eonëve, më i largëti prej Zotit-Humnerë, ose një Demon që kishte grabitur një shkëndijë të Plotnisë hyjnore- Pleroma- dhe kishte shpirtëzuar materien.”

Ofitët e shekujve të parë kristianë praktikonin të njejtat rituale për të cilat akuzoheshin Tempullarët. Simbas Origjenit ata mallkonin Jezu Krishtin, praktikonin sodominë dhe kremtonin një kult orgjior të tipit falik. Orientalisti  Joseph Hammer pohon edhe se: “legjenda mesjetare e Graal-it të Shenjtë ka origjinë gnostike, e se Tempullarët i kishin marrë drejtpërdrejt prej gnostikëve disa akte adhurimi për të cilat hamendësohej se e kishin përftuar origjinën nga Graal-i i Shenjtë. (…). Graal-i vetë ishte për Hammer një vazo gnostike, simbol i dijes gnostike dhe pa asnjë domethënie kristiane“

Jean Marquès-Rivière, në librin e tij: “Hajmali, talismane e pantacoli”, sërish në lidhje me Baphomet, citon Porfirin, i cili në Styx, bën përshkrimin e Bardesanit, një statujë që ‘gjendej’ “në vendin e Brahmanëve”; kjo statujë “i kishte duart të vendosura në kryq, faqen e djathtë e kishte prej mashkulli, faqen e majtë prej femre; ana e djathtë kishte cilësi mashkullore, ana e majtë cilësi femërore. Mbi pjesën e djathtë të gjoksit ishte gdhendur dielli, ndërsa mbi pjesën e majtë qe gdhendur hëna; krahët u qarkoheshin prej engjëjsh…”.

Meshkuj e femra ishin këta idhuj. Maurizio Blondet na bën të ditur se “Gershom Scholem na ka lajmëruar që qysh në traditën popullore hebraike ‘Zoti ka dy pamje (parsufim), një fytyrë mashkullore dhe një femërore’. Dhe na ka sqaruar që, nga kjo androgjini paradoksale e Zotit, marrë në kuptimin më të ngushtë, ndjekësit e Sabbatai Zevi-t kanë nxjerrë si përfundim praktikimin e ritualeve të tyre orgjiore, <<dukshmërisht të marra nga kulti i Nënës së Madhe, që vijoi të praktikohej nga grupe të vogla në Azinë e vogël nën dukjen islamike.>>”

Ia vlen të marrim parasysh edhe se “Në procesin e Tempullarëve u paraqitën dy dëshmi të pavarura që përputheshin në lidhje me origjinën e Baphomet-it. Thuhej se ishte koka mjekërroshe e lindur në mënyrë të mrekullishme nga bashkimi i kundërnatyrshëm seksual mes një zotërie fisnik nga Sidoni dhe kufomës së një vajze pas së cilës ai kishte qenë çmendurisht i dashuruar. De Sede këmbëngul që kjo kokë mund të identifikohet me kokën e famshme të realizuar rreth vitit 1000 nga papa Silvestri II, shumë i dituri Gerbert d’Aurillac, kokë që ishte në gjendje t’i përgjigjej në mënyrë pohuese ose mohuese çdo lloj pyetjeje.”

Imazhi i një qënieje mjekërroshe më brirë është vendosur mbi portalin e dy kishave, njëra prej të cilëve gjëndet në Paris dhe është kisha e Saint-Méry, ndërsa tjetra në Provins, dhe është kisha e Sainte-Croix. Ky përbindësh është i dukshëm edhe tek një ndërtesë në Saint-Briss-Le-Vineux, në rrethinat e  Auxerre, ndërtesë që dikur u përkiste Tempullarëve. Çfarë sekretesh fshihte idhulli misterioz? Hamendjet janë ende të shumta por misteri mbetet, bashkë me shumë të tjera që qarkojnë këtë Urdhër. Joseph Hammer në librin e tij “Zbulimi i Misterit të Baphomet” e identifikon zotin biseksual të Tempullarëve si një hyjni, duke hamendësuar se ritet seksuale dhe orgjitë rituale janë karakteristika të adhurimit.

Kalorësit e Tempullit ishin të zhytur thellë në magji, dhe H. Cornelius Agrippa, në shekullin XVI, thoshte se ata ishin magjistarë ekspertë. Po sikur Baphomet-i i tyre të kishte qenë një talisman çudibërës që, në androgjininë e tij ndrynte sekretin e bashkimit mes dy poleve të mëdha të kozmosit? Serge Hutin, në lidhje me këtë, na rrëfen hipotezën e jashtëzakonshme të Maurice Magre, që: “Tempullarët zotëronin një figurë baphometike të ngarkuar me fuqi magjike,…rënë në dorë të tyre gjatë një përpjekjeje të armatosur mes kristianëve dhe mongolëve pushtues”, gjë e cila mund të ketë shënuar edhe fillimin e fundit për Urdhërin e tyre, mnvr.org.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency