“Analiza e qeverisjes” Rama: Arritëm objektivat tona, e treguam me vepra

0
139

“Në këto 100 ditë kemi vendosur si duhet gurin e parë të themelit të mirëqeverisjes”

Florenc Drizari

PS-Rama-rama_100_dite_171574763“Ne i kemi përmbushur objektivat tona të 100 ditëve”. Kështu e cilësoi punën në këto muajt e parë të qeverisjes së tij Kryministri Edi Rama, teksa shtoi se njerëzit do t’i prekin edhe më nga afër nyshimet me projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2014. Kryeministri bëri një pasqyre të punës së kabinetit qeverisë duke përmbledhur arritjet që janë shënuar sipas tij në ekonomi, rend, arsim dhe shendetësi. Një tjetër pikë në të cilë Rama u ndal në analizën e 100 ditëve të para ishte edhe refuzimi i statusit të vendit kandat ndaj Shqipërisë nga disa vende të Bashkimit Evropian. Rama ishte i ashpër kur tha se refuzonte me përçmim disa zëra në BE që thonë se shumica e përkatësisë së besimit mysliman në Shqipëri bëhet shkak për pengesat e integrimit, si dhe u tregua i vendosur për të vazhduar punën për përmbushjen e kërkesave të Brukselit për marrjen e një përgjigjeje pozitive në qershorin e ardhshëm.

Gjatë analizës që ai i bëri punës së kabinetit qeverisës, Rama tha se themeli i kësaj rruge është mirëqeverisja dhe kushti i parë i mirëqeverisjes është transparenca. “Në këto 100 ditë kemi vendosur si duhet gurin e parë të themelit të mirëqeverisjes. Jemi përkushtuar të qeverisim me transparencë dhe të modernizojmë qeverisjen, si edhe të gjithë shtetin përmes transparencës. Në këto 100 ditë e kemi treguar si duhet me vepra këtë përkushtim. Ne jemi të vetëdijshëm se publiku pret më shumë prej nesh. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se kufijtë e durimit të njerëzve, pas shumë vitesh zhgënjimi dhe rrënimi moral, ekonomik, social, janë tkurrur shumë. Në këto 100 ditë e kemi kuptuar këtë përditë e më mirë”, – deklaroi kreu i qeverisë.

Duke folur për opozitës, Rama kritikoi qëndrimet e përfaqësuesve të saj sidomos në lidhje me çështjen e statusit të vendit kandidat.

Mbetemi të keqardhur tha Rama që “opozita vazhdon “ia mbyt katundit” lidhur me çështjen e statusit, ndërkohë që vetë kushtet e vështirësuara prej situatës brenda disa vendeve anëtare të BE-së mund ta kishin bërë opozitën më solidare jo me qeverinë natyrisht, por me shqiptarët përballë qëndrimesh të papranueshme që mbajtën haptazi ndaj nesh në vigjilje të vendimmarrjes përfaqësues forcash ekstremiste antievropiane në disa vende anëtare”.

TAKSAT

Një tjetër çështje në të cilën kryeministri Rama trajtoi në analizën e 100 ditëve të para ishte edhe ajo e taksave. Taksa e sheshte tha Rama për socialistët është një grabitje për qytetarët, ndërkohë që paketa e re fiskale dhe projekbuxheti kanë hyrë në procedurat Parlamentare dhe ditën e hënë priten të diskutohen në parim.

“Ne e kemi thënë dhe kemi qenë shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët; Taksa e sheshtë për ne është grabitje, thjesht dhe qartë. Taksa e sheshtë për ne është padrejtësi. Taksa e sheshtë për ne është e papranueshme. Ne e kemi hequr taksën e sheshtë. Falë heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së një sistemi taksimi të ndershëm që nga 1 janari do të përmbyset piramida e derisotme për të gjithë ata që taksohen për të ardhurat e tyre personale dhe do të kemi një tjetër piramidë, ku kush është më lart në piramidën e të ardhurave do paguajë më shumë dhe kush është më poshtë drejt bazës do paguajë më pak”,-deklaroi Rama.

Para se kryeministri Rama të merrte fjalën, fillimisht ministrat e kabinetit bënë nga një prezantim të arritjeve në këto 100 ditët e para të qeverisjes.

 

 

Berisha: Rama të vizitohet në psikiatri, ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me fjalë mjaft të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama. Reagimi ka ardhur pas përfundimit të aktivitetit, ku qeveria Rama prezantoi arritjet e 100 ditëve të para në qeveri. Berisha nëpërmjet një deklarate ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama për qëndrimin pas humbjes së statusit të vendit kandidat. Ai është shprehur se Edi Rama ka demtuar rende imazhin e vendit ne Europe dhe ne bote dhe se duhet të vizitohet në psikiatri.

“Pas aktit paranojak te mashtrimit per armet kimike siriane dhe reagimit tejet te pazakonte te kancelares Merkel, kryeministrave te Britanise se Madhe dhe Hollandes, David Cameron dhe Mark Rutte, ndaj sulmit skizoid te Edi Rames kunder pese vendeve dhe udheheqesve te tyre qe refuzuan statusin e vendit kandidat, vizita e Rames tek psikiatri eshte jetike per te ardhmen e marredhenieve tona me SHBA, BE, NATO-n dhe boten.

Edi Rama duhet vizituar te psikiatri sepse ai nje hark kohor tre mujor ka kryer akte te paimagjinueshme per nje njeri normal, per nje qeveritar normal, me te cilat ka demtuar rende imazhin e vendit ne Europe dhe ne bote. Rama duhet te vizitohet sepse ne nje akt paranoje, duke besuar zerat e tij te brendeshem se ai do behej nje nga kater burrat me te rendesishem te tokes, mashtroi per dy muaj rrjesht partnerin dhe mikun tone me kryesor por dhe mbare boten per armet kimike siriane”, – ka shkruar ish-kryeministri Sali Berisha.

 

 

 

 

 

 

MINISTRIA E INTEGRIMIT

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha gjatë aktivitetit për prezantimin e arritjeve të 100 ditëve të qeverisë shqiptare, deklaroi se u bë një punë e mirë për njohjen e vendeve anëtarë të BE-së me programin qeverisës. Ajo tha se politikat e qeverisë janë koordinuar me prioritetet e integrimit dhe kjo çështje do të vazhdojë të monitorohet me kujdes nga institucionet dhe ministria që drejton.

“Në krahun tjetër është bërë një punë shumë e madhe sa i përket jo vetëm reformave që duhen ndërmarrë por edhe komunikimit më të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me Dialogun e Nivelit të Lartë, I organizuar bashkë me Komisionin, qeverinë shqiptare , por edhe me pjesëmarrjen e opozitës. Më të vërtetë na vuri të gjithëve në një pozicion edhe më përballues, ndaj sfidave që kemi përpara, por njëkohësisht bëri të mundur diskutimin e 5 prioriteteve të lëna deri në hapjen e negociatave”, – deklaroi ministrja Gjosha.

 

MINISTRIA E ENERGJISË DHE INDUSTRISË

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri theksoi arritjet e këtij dikasteri, që lidhen me sigurimin e furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së dimrit, hartimi i planit strategjik për të shtrirë rrjetin e gazit në të gjithë Shqipërinë, që mundëson përfitimet më të larta nga marrëveshja për gazsjellësin TAP, etj.

“Kemi filluar një reformë strukturore, e cila do të bëjë të mundur që energjia të kthehet në promotor zhvillimi. Aktet e para që bëmë anuluam ato koncesione të paligjshme të asaj qeverie. Jam krenar që në muajt e fundit është arritur që të ketë më shumë të ardhura nga industria e naftës. Janë siguruar disa milionë dollarë më shumë nga aftrat e papaguara, ku shteti i ka mbyllur sytë. Për herë të parë shteti vuri në kontroll “xhunglën” e Bulqizës. Ka punë akoma por jemi në rrugë të mbarë. Inauguruam në Prizren autostradën energjetike. Kosova dhe Shqipëria do të kthehen në faktorë. Kemi bërë hapa të çmuar për gazifikimin e Shqipërisë, që TAP, të mos ishte thjesht kalimtar tek ne.”- tha ministri Gjiknuri.

 

 

MINISTRIA E FINANCAVE

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani bëri një pasqyrë të arritjeve të qeverisë në fushën e financave, duke renditu një sër marrëveshjes mes institucionit që drejton dhe kompanive të huaja në këtë drejtim.

“1- Skanimi i ekonomisë. Gjetëm 100 miliardë dollarë fatura, i shlyem brenda 2 muajve. Bashkë me BB dhe FMN ne bëmë një skanim, dhe identifikuam duhet të bëjmë.

2- Ne thirrëm “Deloitte” që të bënte një certifikim. Majën e ajsbergut kemi zbuluar deri tani. Në buxhetin e 2014 janë jo pak janë 250 milionë dollarë shlyerje detyrimesh të lëna nga ish qeveria.

3- Janë mbi 100 rastet që Tatimet dhe Doganat kanë çuar në prokurori ku elementë brenda këtyre institucioneve apo firma fantazëm e kanë dëmtuar shtetin në jo më pak se 100 milionë dollarë.

4- Taksa progresive. Vendosëm tatimin progresiv mbi pagën dhe sanitarja e Ministrisë së Financave, asaj do ti mbahen shumë më pak lekë. Brenda vitit 2014 ajo do të marrë një pagë të 13. Nuk ka tatim për biznesin e vogël heqim ¼ e tatimit. Ulen çmimet e ilaçeve, ndërkohë shtresat në nevojë”

 

MINISTRIA E BRENDSHME

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri bëri një bilanc të arritjeve në institucionin që ai drejton, duke vënë theksin tek aksionet më të fundit të policisë dhe tek mbështetja financiare ndaj këtyre të fundit.

“E kemi nxjerrë policinë e shtetit nga bunkeri ku ishte futur. Kemi instaluar sistemin e meritokracisë dhe u kemi dhënë mundësi policëve pa patur stresin se ndjehen të tradhtuar. Sapo kemi miratuar buxhetin, i kemi dhënë policisë dhe ministrisë së brendshme një rritje historike. Kjo është paketa më e plotë, që shkon për forcimin e kapaciteteve, pagat, investime duke synuar sigurinë publike të qytetarëve. 16 vrasje më pak se e njëjta periudhë kane ndodhur, aksidentet, situata është alarmante, e njohim, por janë 8 aksidente më pak. 470 persona janë proceduar, për drejtim të makinës pa leje dhe në gjendje të dehur. Janë arrestuar 473 autor për lëndët narkotike. Është sekuestruar sasia e heroinës më e madhe në Shqipëri. Janë proceduar 258 autorë për korrupsion. Aksioni Fund Marrëzisë, janë 675 autorë të kallëzuar dhe sekuestruar shumë pajisje elektronike. Mbyllëm të gjitha njësitë e paligjshme të lojërave të fatit. Po hartohet kuadri ligjor për t’i dhënë fund këtij problemi.”- deklaroi ministri Tahiri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency