Sheshi “Italia” / Pushohet hetimi për parkingun, s’ka vepër penale

0
137

Anxhela Tato

Prokuroria rrëzon padinë e PS-së, projekti u nënshkrua në kohën e Edi Ramës

Hetimet, kreu i Bashkisë përfundoi fazën finale të projektit që ishte ndërmarrë nga Rama

ImagesPushohet padia ndaj kreut të Bashkisë, Lulzim Basha, për çështjen e shumëpërfolur të parkingut në sheshin “Italia”. Sipas organit të akuzës, ka rezultuar se nuk ka shkelje ligjore dhe as përgjegjësi penale nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në dhënien dhe miratimin e koncesionit për ndërtimin e parkingut nëntokësor tek sheshi “Italia”. Pas dy vjetësh hetime të padisë së depozituar nga ana e Partisë Socialiste, Prokuroria ka dalë në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se në përfundim të hetimeve është vendosur pushimi i çështjes penale, pasi është konstatuar se kryetari i Bashkisë, me nënshkrimin e kontratës së koncesionit ka zbatuar procedurat ligjore. Nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Bashki, ka rezultuar se nënshkrimi i kontratës mes kryetarit Basha dhe kompanisë fituese, ka qenë faza e fundit e procedurës për ndërtimin e parkingut nëntokësor në sheshin “Italia”. Kanë qenë ish-anëtarët e Këshillit Bashkiak në kohën që Bashkia drejtohej nga Edi Rama, ata që kanë miratuar me 3/5 e votave kalimin e truallit me koncesion për ndërtimin e parkingut nëntokësor kompanisë fituese. Të gjitha procedurat, sipas Ërokurorisë, janë mbyllur në kohën kur Bashkia drejtohej nga zoti Rama dhe proceduara e nënshkrimit të kontratës ka qenë akti i fundit që kryetari Basha duhet të bënte me kompaninë fituese, pasi fazat e tjera kishin përfunduar. Projekti për dhënien me koncesion për 35 vjet të sheshit “Italia” për ndërtimin e parkingut nëntokësor është pezulluar prej kohësh.

 

Projekti

 

Nëse ky projekt do të kishte qenë funksional, atëherë koncesionari detyrohej që pas ndërtimit të objektit dhe përpara fillimit të operimit të shërbimit, të realizonte punimet që e kthenin mbitokën në destinacionin aktual, përkatësisht në shesh publik. Gjatë periudhës së operimit të shërbimit, koncesionari do të aplikonte tarifat e miratuara nga Këshilli Bashkiak në përputhje me politikën tarifore të Bashkisë së Tiranës. Tarifa për orën e parë të parkimit do të ishte 150 lekë, ndërkohë që numri i makinave që do të parkoheshin në këtë parkim, do të ishte 1008 automjete, ku 24 vende ishin për kategoritë e veçanta. Vlera totale e investimit ishte rreth 1.6 miliardë lekë. Ndërtimi i parkimeve nëntokësore ka qenë një projekt i kahershëm i Bashkisë së Tiranës, ku veç projektit te sheshi “Italia” që u pezullua, ishte edhe ai te parku “Rinia”. Tenderi për këto projekte u zhvillua në 20 prill të vitit 2009. “Gener 2” sh.p.k u shpall firma fituese e projektit tek sheshi “Italia”, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Këshilli Bashkiak këto projekte i miratoi në muajin tetor 2008 formën BOT, që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim, të dhënies me koncension të dy parkimeve nëntokësore, propozim i cili u dha nga Bashkia. Forma BOT e dhënies me koncesion parashikon se pasi të ndërtohen parkimet nëntokësore dhe pas një afati 35-vjeçar që firma fituese e tenderit do ta përdorë ato, do t’i rikthehen sërish në pronësi Bashkisë së Tiranës, por ky projekt u pezullua duke mos u aplikuar.

 

 

Kakavijë, sekuestrohen 16.3 kg marijuanë, pranga transportueses

Sekuestrohen 16.3 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në Doganën e Kakavijës, ndërsa në pranga është vënë edhe transportuesja, e cila është Maria Çika, 43 vjeçe, nga Delvina. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se ditën e djeshme është goditur një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Efektivët e policisë në Kakavijë, në bashkëpunim edhe me agjentët e antidrogës, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin “Citroen” me targa greke XNP 3357, që drejtohej nga shtetasja Maria Çika, 43 vjeçe, lindur në Delvinë dhe me banim të përkohshëm në Athinë, kanë konstatuar se në brendësi të prapakolpit kishte pako me lëndë narkotike. Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare kanë njoftuar grupin hetimor dhe specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në automjet. “Në brendësi të prapakolpit u gjetën 12 pako me madhësi të ndryshme. Kontrolli ka vijuar në pjesën e motorit, ku poshtë fshirëseve të xhamit dhe mbrapa radiatorit u gjetën edhe 16 pako të tjera. Po nga kontrolli u gjetën edhe 2 pako poshtë sedileve të para, si dhe 10 pako në gomën rezervë. Gjithsej në automjet u gjetën 40 pako me lëndë narkotike, me peshë totale 16.3 kg marijuanë”, – bën të ditur policia e Gjirokastrës.

 

I dënuar me 10 vjet burg për prostitucion, ekstradohet nga Greqia

Është ekstraduar nga Greqia një shtetas shqiptar i dënuar për prostitucion. Muhamet Kraho, 47 vjeç, është dënuar në vitin 2010 nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite burg për trafikim të femrave për prostitucion në Itali. Muhamet Kraho është dënuar fillimisht në vitin 2006 nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Një pesëshe gjykuese e ka cilësuar atë fajtor për veprën penale të “Trafikimit të femrave”, duke e dënuar me 16 vjet heqje lirie. Vendimi nr. 51 i 20 dhjetorit 2006 është lënë në fuqi edhe nga shkalla e dytë e gjyqësorit. Por, duke pretenduar pafajësi, Muhamet Kraho ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Nuk ka vonuar edhe një kolegj penal i Gjykatës Supreme ka vendosur në favor të Krahos. Në fakt, nuk është marrë ndonjë vendim pafajësie ndaj tij, por Gjykata e Lartë ka vendosur ta kthejë çështjen për rigjykim në shkallën e parë për Krime të Rënda, për shkak të shkeljeve të shumta procedurale të vërejtura gjatë gjykimit të parë. Dosja ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda më 23 qershor 2010 dhe përmes shortit ai u gjykua nga trupa gjyqësore me kryesues Ardit Mustafajn për gjykimin e saj. Këtë herë, Kraho është ekstraduar nga Greqia për kryerjen e dënimit, për të cilin është akuzuar dhe dënuar vite më parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency