Ku janë divizionet e Edi Ramës?

0
126

Agim Popoci

 

Për hapjen e kutive në vitin 2009, oficerët në pension kërkonin rishikimin e pensioneve, minatorët kushte më të mira pune, të përndjekurit politikë dëmshpërblimin e menjëhershëm, ndërsa paraplegjikët të ardhurat e tyre që nuk po i merrnin dot. E derisa këto divizione po vazhdonin “luftën” e tyre politike, integrimi i Shqipërisë në BE kushtëzohej nga komunistët shqiptarë të PS-së, me Këshillin Bashkiak të Fierit?!

Ndërsa situata po rëndohej, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk po i merrte seriozisht këto divizione të manipuluara të Edi Ramës dhe shumë shpejt radha i vjen testimit të qeverisjes së Berishës dhe gumëzhimës së divizioneve të Ramës.

Për fatin e keq të Shqipërisë, në momentin kur PS erdhi në pushtet, divizionet e Ramës braktisën rrugët dhe ato u bënë të kalueshme për njerëz, këtyre të fundit iu mohua lëvizja. Jo siç bënte usta Enveri, sepse shegertët e tij janë më të sofistikuar, s’kanë pse të vrasin, këtë e bën vetë sovrani!

 

Oficerët

 

Dikur nderi i kombit, ish-oficerët e ushtrisë së Enverit u vunë në lëvizje nga lideri socialist jo për të mbrojtur atdheun, por për t’u përdorur në mënyrën më të paskrupullt. Të kollarisur, me kutërbim rakie dhe syze “Ray Ban”, ata përmes protestave akuzonin Berishën për pensionet mizerabël që u jep.

Ky division që dita-ditës po rritej, u bë shumë aktiv në momentin kur u fut në centrifugën mediatike komuniste dhe duhej se s’bën ta degradonte 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Për disa muaj ata arritën të bëheshin “dekor” i kryeqytetit shqiptar, siç janë pishat e mbjella nga dora e Ramës ose ndriçimi i mbjellë nga dora e Enverit. Kur ata merrnin ditë të lirë, aty ishin divizionet tjera, por ata nuk munguan aty ku blihej buka, perimet, mishi ose frutat.

Për të mos harruar se “qeverisja e malokut Berisha është e keqe” aty ishte divizioni i oficerëve e nëse do të ndodhte që tek CEZ të jetë edhe qetësi, ndërsa paguheshin faturat e dritave, do të aktivizohej çirrja e poshtër ushtarake që në emër të Enverit dhe partisë do të kërkonte largimin e Berishës.

Edhe pse i zëshëm, ky divizion nuk do të mungojë, por do të dështojë në parandalimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Për fatin e tyre të keq dhe vetë Partisë Socialiste, shteti shqiptar u bë pjesë e Aleancës Veriatlantike, ndërsa mandati i dytë me radhë i qeverisjes demokrate ishte më pranë se kurrë. Kështu edhe ndodhi e ky divizion në zhgënjimin e tij më të madh riaktivizion turbinat e kuqe për të fabrikuar çudira protestuese nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm për të ringjallur shpirtin luftarak të atyre që komanduan për 50 vjet.

Tirana, kjo bazë e madhe e këtij divizioni më të fuqishëm të Edi Ramës për momentin, do të sfidojë arritjet qeverisëse, edukimin properëndimor të rinisë dhe trajektoren evropiane të integrimit të Shqipërisë. Nëse për të gjitha këto mëkate do të fajësohet ky divizion, po aq duhet të fajësohet edhe qeveria e Shqipërisë në krye me Sali Berishën që lejoi propagandimin dhe fabrikimin e një rinie komuniste që sot është shumë më e rrezikshme se rinia fashiste e fillimviteve ‘40. Këtë e dëshmon fakti se nga 23 qershori, ky divizion kriminal nuk kërkon më të drejtat e tyre, edhe pse shumë nga të drejtat që kishin edhe iu mohuan. Madje, nuk ngritën kokën, edhe kur iu bë e ditur që për katër vite as të mos e mendojnë që do të ketë rritje pensioni ose ai gjeldeti pa të cilin nuk bënin dot për 8 vjet.

 

Si të përndjekur dhe paraplegjikë

 

Të dy të rritur në errësirë, si të përndjekurit ashtu edhe minatorët, do të bëhen pjesë e divizioneve të çuditshme të opozitës socialiste. Pse të përndjekurit iu bashkuan xhelatit, këtë mund ta shpjegojë vetëm psiko-sociologjia, ndërkohë arsyet pse ata u përdorën janë pikërisht në xhepat e tyre, që ishin dhe janë bosh.

Përpjekjet e Berishës për të dëmshpërblyer këtë shtresë, e cila veten e konsideronte edhe si burim vote i kryetarit të PD-së, u keqkuptuan pikërisht nga ata që tashmë janë në gjendje të mjerë dhe për këtë vetëm ata nuk kanë faj. Kur Rama e kuptoi se Berisha nuk po arrinte të zhvillonte ekonominë deri në shkallën sa kishte premtuar dëmshpërblimin për këtë kategori të stërvuajtur shqiptare, vuri në punë mjaftistët e Sorosit që të themelonin edhe divizionin më të ri komunist, i cili nëse asgjë tjetër, do të trazojë bllokun e djathtë që tashmë ishte futur në një koalicion të çuditshëm me të majtën ekstreme. Mjaftistët, si ekspertë të këtyre destabilizimeve, arritën të sajonin edhe një grevë urie, e cila u doli prej duarve, por nuk dëmtoi të majtën shqiptare. Armiku më i madh në sy të këtij divizioni të çuditshëm u bë Sali Berisha, edhe atëherë kur ditëlindja e Mehmet Shehu u shndërrua në një ceremoni madhështore. Sot ata vazhdojnë të jenë me xhepa bosh, ku janë, këtë e di vetëm Edi Rama, sepse makina e Kryeministrit më nuk sulmohet, as me miell dhe as me vezë e sa për policët para Parlamentit të Shqipërisë, ata nuk kanë se si të jenë ndryshe përveçse modeli ‘45.

E pse erdhi Enveri në Varrezat e Dëshmorëve, vetëm të përndjekurit nuk kanë se pse shqetësohen, sepse autor është divizioni bashkudhëtar i tyre, oficerët, të cilët nga bulevardi kaluan në varreza.

Kështu do të jenë edhe minatorët. Për kërpeshi, ata do të çohen sa para Kryeministrisë ashtu edhe para Presidentit, ku do të kërkojnë kushte më të mira pune dhe të ardhura më të mëdha. Të leckosur, ata do të lënë një shije të keqe tek çdo qytetar, që me keqardhje do të konstatojë keqtrajtimin që bën Berisha, por jo edhe manipulimin që bën Rama. Por, ata me ose pa qëllim do të bëhen pjesë e një divizioni të rëndësishëm që la gjurmë në trajtimin e punëtorit që bën një sistem i djathtë, pavarësisht se kushtet e minatorëve që nga viti 1912 deri më sot, janë po ato, të mjera, shkatërrimtare dhe ofenduese.

Por, mjaftistët, pavarësisht namit të krijuar, nuk do të mjaftohen me këto divizione dhe do të fusin në lojë edhe paraplegjikët. Kjo shtresë, për vetë trajtimin që i ka bërë dhe i bën qeveria shqiptare, nuk duhet bindur shumë. Ishin dhe janë të injoruar, ishin dhe janë pa kujdesin e duhur shtetëror dhe duhet vetëm ajo ditë ndërkombëtare që dikush të kujtohet për ta. E ajo që për njerëzit normal quhet dhembshuri, për komunistët përkthehet si burim vote. Kështu edhe ndodhi! Berisha do të akuzohet për trajtimin që i bën kësaj kategorie njerëzore, do të protestohet në emër të kësaj kauze, duke mos llogaritur se gjendja e tyre do të jetë po ajo, pavarësisht nëse në krye të qeverisjes do të jetë Sali Berisha ose Edi Rama. Pse ky divizion hesht sot, nuk është e qartë ashtu siç nuk ishte e qartë pse zëri ndryshe në këtë kategori kurrë nuk arriti të dëgjohej në mediet komuniste që dominojnë botën shqiptare.

Në fund fare, radha i vjen publikimit të buxhetit të qeverisjes së re, i cili do të krijojë edhe një realitet të ndryshëm, as të keq si ai i Enverit, as joperfekt si ai i Berishës. Vërtet rrugët e Tiranës nuk do të jenë të bllokuara nga protestat e këtyre divizioneve, por qeveria e re do të bllokojë makinat me çmimet e larta të karburantit. Vërtet “hajduti Ridvan Bode” nuk do të jetë më ministër i Financave, por pasardhësi i tij as që do të zërë në gojë të përndjekurit, kategori kjo të cilën e krijoi partia mëmë. Vërtet Edi Rama do të kujdeset për kthimin e borxheve që ishin krijuar ndër vite nga paraardhësit, por paraplegjikët, për fat të keq, nuk do të jenë pjesë e këtij projekti, edhe pse vazhdon të jetë vetëm fjalë.

Pse u krijua kjo situatë dhe pse vepruan këto divizione, vetëm divizionet në fjalë nuk kanë faj. Kur kundërshtitë politike të komunistëve shqiptarë u kuptuan si kundërshti demokratike, gjithçka kishte marr fund! Sepse, për të kuptuar njëmendësinë politike komuniste, flet edhe Stalini kur filluan t’i shfaqeshin kundërshtarët e mendimit ndryshe. Kjo madje i ndodhi edhe me Papën. Ndërsa po i raportonin se Papa nuk po pajtohej me qëndrimet e tij, Stalini reagon me sarkazëm: “Po ky Papa, sa divizione ka?!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency